ATV

Author: G.O.

  • ​KQZ në Shqipëri regjistron 39 parti politike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

    ​KQZ në Shqipëri regjistron 39 parti politike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) ka regjistruar paraprakisht 39 parti politike si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

    Në seancën e djeshme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve pranë KQZ-së janë regjistruar 15 parti politike, ndërkohë në seancën e sotme 24 parti politike, raporton Anadolu.

    Dy partitë më të mëdha të regjistruara janë partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe partia opozitare, Partia Demokratike e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

    Sipas KQZ-së sot përfundon afati për depozitimin e kërkesave nga partitë politike për regjistrimin si subjekte zgjedhore dhe komiteteve nismëtare.

    Gjithashtu ky institucion ka bërë të ditur se më 3 mars përfundon afati për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore, më 12 mars përfundon afati për dorëzimin e listave shumemërore të kandidatëve dhe më 25 mars përfundon afati për miratimin e listave shumemërore.

    Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj 2025, ndërkohë KQZ dhe institucione të tjera vazhdojnë përgatitjet për procesin zgjedhor.

    Në këto zgjedhje është vendosur që të votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe KQZ ka njoftuar se sot publikohet lista paraprake e zgjedhësve nga jashtë vendit.

  • Elton Ilirjani jep lajmin e mirë për Parashqevi Simakun, këngëtarja me profil zyrtar në Instagram

    Elton Ilirjani jep lajmin e mirë për Parashqevi Simakun, këngëtarja me profil zyrtar në Instagram

    Elton Ilirjani ka ndarë një lajm të mirë për këngëtaren Parashqevi Simaku.

    Përmes Instagramit, ai ka bërë të ditur se Simaku tashmë po menaxhon 100% llogarinë e saj zyrtare në Instagram.

    “Parashqevi Simaku kontrollon dhe menaxhon 100% Instagramin e saj!”, ka shkruar ai, duke bërë të ditur se artistja është rikuperuar dhe po ndjek online çdo gjë që thuhet për të.

    Kujtojmë se Simaku qëndroi për tre javë në psikiatri, aty ku mori veten pas takimit të bujshëm që e pati me të birin e saj.

    .

  • Nesër nis numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës

    Nesër nis numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nesër do të nisë numërimi i votave të qytetarëve që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës nëpër botë.

    Gjatë mbledhjes së KQZ-së u tha se numërimi i këtyre votave pritet të nisë pasditen e së mërkurës.

    Më 8 shkurt, për herë të parë Kosova organizoi votimin fizik të pjesëtarëve të diasporës në përfaqësitë diplomatike të shtetit nëpër botë.

    Votimet u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.

    Pjesëmarrja ishte 73.56 për qind, përkatësisht nga 20.324 persona të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike, 15.552 prej tyre e shfrytëzuan këtë të drejtë.Deri më tani, për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit ka përfunduar numërimi i votave të rregullta për partitë dhe kandidatët për deputetë.

    Aktualisht janë duke u skenuar listat e votuesve, në mënyrë që të mund të vazhdohet me numërimin e votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe atyre me postë.

    Përveç votimit nëpër ambasada dhe konsullata, mërgata ka votuar edhe përmes postës. Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 69.000 pako me fletëvotime, janë aprovuar 62.990 zarfe, ndërkaq 4.865 janë refuzuar.

    Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Shembull, 729 zarfe nuk janë vlerësuar fare pasi aplikuesit kishin zgjedhur të votonin fizikisht në përfaqësitë diplomatike.

    Arsyet e tjera të refuzimit përfshijnë dërgimin e zarfeve me fletëvotim më shumë se një herë, pakot nuk kanë pasur vulë postare e të tjera.

  • Policia e Kosovës ndalon një person të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë

    Policia e Kosovës ndalon një person të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë

    Policia e Kosovës, ka ndaluar një person i cili dyshohet se ka kryer Krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

    Ndalimi është kryer sot nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, në pikën kufitare të Jarinjës.

    Sipas hetimeve të kryera nga Hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës, i dyshuari me iniciale (D.R.) është i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë luftës në Kosovë  (1998-1999), në komunën e Gjakovës në periudhën kohore 07-10 maj 1999, duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga MUP-i serb.

    I dyshuari është shoqëruar në Policinë e Kosovës, ku është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës.

    “Prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është informuar për të gjitha veprimet hetimore dhe ka lëshuar aktvendimin për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. Policia e Kosovës është e përkushtuar të vazhdojë me hetimet dhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet përkatëse për të siguruar drejtësi lidhur me krimet e luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim.

  • Tara mohon të ketë thënë që UÇK-ja ka vrarë kolaboracionistët dhe të burgosurit: Hiqma dokumentin, s’mund ta shoh më

    Tara mohon të ketë thënë që UÇK-ja ka vrarë kolaboracionistët dhe të burgosurit: Hiqma dokumentin, s’mund ta shoh më

    Ismet Tara mohoi të ketë deklaruar për UNMIK-un se UÇK-ja ka vrarë kolaboracionistët dhe të burgosurit e tyre.

    Madje, Tara u nervozua në Hagë duke i kërkuar avokatit të Veselit, Rodney Dixon që t’ia largojë dokumentin me arsyetimin se nuk mund ta shoh, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Ismet Tara nuk ka asnjë dëshmi që dikush është vrarë… nuk i ka ndodhur Ismet Tarës që të japë dëshmi të rreme atëherë. Hiqma këtë dokument se nuk mund ta shoh më, nuk mund ta shoh më. Ti mund të bësh pyetje sa dush, por kur i dedikohesh këtij dokumenti… unë po them që as nuk i kam dhënë as nuk e kam takuar. Ti prap ‘a mund të jetë ajo e saktë, a mund të mos jetë’. Por duhet të vijë ajo ta pyesh atë a ka qenë e saktë a jo”, tha Tara.

    Fillimisht, nga avokati i Veselit, Rodney Dixon dëshmitari u pyet se a ka marrë ndonjëherë urdhër nga nivelet më të larta, siç janë zonat dhe Shtabi i Përgjithshëm për të arrestuar dhe vrarë kolaboracionist.

    “Kurrë, asnjëherë”, tha Tara.

    Ai mohoi se i ka thënë UNMIK-ut se UÇK-ja i ka rrëmbyer kolaboracionistët, i ka vrarë në vend ose ndonjëherë ua ka djegur trupat dhe i ka lënë që të ua hanë egërsirat.

    “Jo që kam thënë, por as që jam pyetur”, tha ai.

    Gjithashtu, mohoi se ka thënë që UÇK-ja i ka vrarë të gjithë të burgosurit që kishte ndaluar.

    “As që i ka vrarë të gjithë, e as që i ka vrarë asnjërin, unë se di”, tha ai.

    Dëshmitari përsëriti edhe njëherë që nuk është takuar me Ana Vanozin (nga UNMIK) për të dhënë dëshmi dhe se një dëshmi të tillë nuk e ka dhënë ndonjëherë.

    Me kaq mbaruan pyetjet e Dixon për dëshmitarin, për të vazhduar më pas me pyetjet e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, avokatit Aiden Ellis.

    Ai sërish theksoi se nuk është takuar me Ana Vanozin për të diskutuar për gjërat që u përmendën më lartë.

    “Në qoftëse ajo më njeh mua, unë nk e njoh. Kurrë nuk e kam parë”, tha Tara.

  • Kremlini thotë se e ka pranuar kërkimfaljen e Vuçiqit për mbështetjen e rezolutës së OKB-së

    Kremlini thotë se e ka pranuar kërkimfaljen e Vuçiqit për mbështetjen e rezolutës së OKB-së

    Rusia ka thënë se e ka pranuar kërkimfaljen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi udhëheqësi serb deklaroi se si pasojë e një “gabimi teknik” u dha një “votë e gabuar” për një rezolutë për Ukrainën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    “Reagimi i shpejtë rreth votimit aksidental të vendit të tij në favor të një rezolute antiruse në OKB e ka gëzuar Moskën”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë për media, më 25 shkurt, raporton agjencia ruse e lajmeve Interfax.

    Peskov ka theksuar se Rusia e kupton se ky ishte “një gabim i vërtetë”.

    “Gabimet teknike ndodhin”, ka shtuar ai.

    Të hënën, më 24 shkurt, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një projektrezolutë ukrainase-evropiane në përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës, duke riafirmuar mbështetjen për Ukrainën dhe për integritetin e saj territorial.

    Serbia votoi në favor të miratimit të tekstit të rezolutës.

    Vuçiq tha më pas se delegacioni serb kishte votuar “gabimisht” për rezolutën, dhe se duhej të kishte abstenuar.

    Ai u kërkoi falje qytetarëve të vendit të tij, dhe tha se “e bart vetë përgjegjësinë për këtë”.

    Serbia, bashkë me Turqinë, është vendi i vetëm kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk i është bashkuar sanksioneve të Brukselit kundër Rusisë./REL

  • Policia me aksion kundër fajdes në Prizren, arreston dy persona – konfiskon para dhe automjete

    Policia me aksion kundër fajdes në Prizren, arreston dy persona – konfiskon para dhe automjete

    Policia është duke realizuar sot një aksion kundër fajdes në rajonin e Prizrenit.

    Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.

    “Po është realizuar një operacion, dy persona janë arrestuar, si dhe janë konfiskuar dy automjete, para, dhe prova tjera materiale”, deklaroi ai.

    Kryeziu gjithashtu njoftoi se operacioni është duke vazhduar.

    Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka thënë se të dyshuarit në këtë rast në vazhdimësi kanë ushtruar presion ndaj viktimës me qëllim të marrjes se interesit nga veprimtaria e fajdes duke e detyruar të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë se tij.

    “Sektori Rajonal i Hetimeve te DRP- Prizren pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot me datë 25.02.2025, ka filluar realizimin e operacionit policor për arrestimin e dy personave të dyshuar , të përfshirë në veprën penale ‘Fajde’ nga neni 331 par 3 i KPRK-së dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 par. 1 i KPRK-së. Të dyshuarit në këtë rast në vazhdimësi kanë ushtruar presion ndaj viktimës me qëllim të marrjes se interesit nga veprimtaria e fajdes duke e detyruar të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë se tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës”, theksoi Bytyqi.

    Ai tha se gjatë operacionit policor është kontrolluar shtëpia dhe objektet tjera përcjellëse të të dyshuarve, me ç‘rast janë sekuestruar dëshmi, dy automjete dhe dy armë, që mund të kenë lidhje me rastin.

    “Ndaj të dyshuarit, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren i caktohet masa e ndalimit për 48 orë”, ka thënë ndër të tjera Bytyqi.

  • Bastisen disa OJQ që bashkëpunuan me USAID-in në Serbi

    Bastisen disa OJQ që bashkëpunuan me USAID-in në Serbi

    Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd ka njoftuar se ka hapur një rast në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të fondeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nga disa organizata joqeveritare në Serbi.

    Prokuroria serbe konfirmoi se të martën e 25 shkurtit policia ka nisur “të mbledhë informata” për punën e katër OJQ-ve: Qendrës për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), Inicitivave Qytetare, Qendrës për Politika Praktike, dhe Fondacionit Trag.

    “Për të verifikuar akuzat dhe për të grumbulluar prova në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të fondeve të USAID-it, për keqpërdorim të fondeve dhe për shpëlarje të mundshme parash, Departamenti Special për Luftimin e Korrupsionit i ka kërkuar Policisë të mbledhë informatat e nevojshme”, ka thënë kryeprokurori Publik, Nenad Shtefanoviq.

    Ai ka shtuar se “tani për tani” është urdhëruar nxjerrja e të gjitha dokumenteve në lidhje me donacionet e USAID-it nga katër OJQ-të, si dhe marrja në pyetje e personave përgjegjës.

    CRTA dhe Iniciativat Qytetare kanë konfirmuar se Policia ka bastisur zyrat e tyre në mëngjesin e 25 shkurtit.

    Aksioni i autoriteteve serbe erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kufizoi punën e USAID-it, duke urdhëruar një ngrirje 90-ditëshe të shpenzimeve të tij, më 24 janar, para një auditimi të agjencisë, e cila u themelua më 1961, me qëllim koordinimin më të mirë të ndarjes së ndihmave amerikane jashtë vendit.

    Që prej kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij dhe njerëz të afërt me të e kanë quajtur vazhdimisht USAID-in “organizatë kriminale”.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do t’i ndihmojë Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) në hetimet e saj rreth financimit të OJQ-ve serbe nga USAID-i dhe nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci (NED).

    “Pa dyshim se ne do të bashkëpunojmë ngushtë me FBI-në për këtë çështje”, ka thënë Vuçiq për televizionin Happy, duke shtuar se FBI do të marrë çfarëdo informate që ka nevojë nga Serbia.

    Shoqata Iniciativat Qytetare njoftoi, përmjes një komunikate për media, se policia ka hyrë në zyrat e saj më 25 shkurt.

    “Këtë mëngjes, rreth 20 zyrtarë policorë kanë bastisur zyrat e Iniciativave Qytetare, duke thënë se kanë urdhër nga prokuroruia për të hetuar punën e organizatës, por nuk kanë dashur ta tregojnë dokumentin”, u tha në komunikatë.

    Kjo shoqatë shtoi se policia ka bastisur edhe Qendrën për Politika Praktike, një organizatë që, sipas saj, nuk ka pasur ndonjë projekt me USAID-in.

    “Ky është sulm serioz ndaj të drejtave themelore qytetare dhe vazhdim i trysnisë së paligjshme ndaj shoqërisë civile në Serbi. Strukturat qeverisëse po përpiqen të zbatojnë mekanizma të frikësimit dhe ndjekjes, pa miratimin e Ligjit për Agjentët e Huaj”, u tha në komunikatën e shoqatës Iniciativat Qytatare.

    OJQ-ja tjetër, CRTA, teksa konfirmoi bastisjen e zyrave të saj, pohoi se është “duke bashkëpunuar plotësisht me autoritetet qeveritare. Pyetja jonë tani është se si tabloidet e publikuan këtë informacion para se policia të vinte në zyrat tona”.

    Pasi presidenti amerikan kufizoi punën e USAID-it, administrata presidenciale amerikane po shqyrton futjen e agjencisë nën ombrellën e Departamentit të Shtetit, si pjesë e një riorganizimi të madh që do të reduktonte numrin e punonjësve.

    Sipas shifrave të fundit, USAID-i ka rreth 10.000 punonjës, dy e treta e të cilëve punon jashtë SHBA-së.

    Në vitin fiskal 2023, USAID-i shpërndau ndihma me vlerë prej 43.79 miliardë dollarësh.

    Pranuesit më të mëdhenj të ndihmave më 2023 ishin Ukraina, Etiopia, Jordania, Republika Demokratike e Kongos, Somalia, Jemeni, Afganistani, Nigeria, Sudani Jugor dhe Siria./REL

  • ​Papa Françesku nuk është i shtrirë në shtrat, por gjendja e tij mbetet kritike

    ​Papa Françesku nuk është i shtrirë në shtrat, por gjendja e tij mbetet kritike

    Papa Françesku mbetet në spital dhe “pushoi mirë gjatë gjithë natës”, tha Vatikani të martën në mëngjes, një ditë pasi tha se papa 88-vjeçar tregoi “përmirësim të lehtë”, por ishte ende në gjendje kritike.

    Gjendja e Papës është “e njëjtë si dje”, që do të thotë se mbetet kritike, por Papa nuk është i shtrirë në shtrat dhe ende mund të ngrihet në këmbë, tha një burim nga Vatikani për CNN të martën në mëngjes.

    Burimi tha se Françesku pushoi gjatë natës, me kushtet e tij të njëjta si një natë më parë.

    Deklarata e Vatikanit të hënën tha: “Kushtet klinike të Atit të Shenjtë, edhe pse kritike, tregojnë një përmirësim të lehtë. Edhe sot nuk ka pasur episode të krizave respiratore astmatike; disa teste laboratorike janë përmirësuar.”

    Vatikani shtoi se problemet e lehta të veshkave të Françeskut, të njoftuara për herë të parë të dielën, “nuk shkaktojnë shqetësim” dhe se terapia e tij me oksigjen vazhdon “me flukse pak të reduktuara dhe përqindje të oksigjenit”.

    “Mjekët, duke marrë parasysh kompleksitetin e pamjes klinike, në mënyrë të kujdesshme nuk e bëjnë ende prognozën”, tha Vatikani të hënën në lidhje me Papatin 88-vjeçar, i cili po luftonte me pneumoni në të dy mushkëritë e tij.

    Të hënën në mëngjes, Françesku mori Eukaristinë dhe rifilloi punën pasdite, tha Vatikani. Në mbrëmje, ai telefonoi Famullitarin e Famullisë së Gazës, me të cilin ka qenë në kontakt të shpeshtë që kur Izraeli filloi rrethimin e tij në enklavë pas sulmeve të 7 tetorit të udhëhequr nga Hamasi.

    Papa u pranua për herë të parë në një klinikë në Romë 10 ditë më parë, duke iu nënshtruar analizave për një infeksion të rrugëve të frymëmarrjes. Më vonë ai u diagnostikua me pneumoni.

    Udhëheqësit e besimit dhe adhuruesit në mbarë botën janë mbledhur për t’u lutur për udhëheqësin argjentinas, orari i të cilit është pastruar kryesisht për shkak të trajtimit të tij intensiv mjekësor.

    Njerëzit u mblodhën në Plaza Constitución të Buenos Aires të hënën, ku Françesku mbajti meshën kur ishte kryepeshkop, për t’u lutur për shëndetin e tij. Disa u panë duke qarë ose duke mbajtur fotot e tij.

  • Policia apelon te qytetarët për rrezikun nga sulmet kibernetike: Mos hapni mesazhe dhe email-e të dyshimta

    Policia apelon te qytetarët për rrezikun nga sulmet kibernetike: Mos hapni mesazhe dhe email-e të dyshimta

    Policia e Kosovës ka lëshuar një apel të rëndësishëm për qytetarët, duke u kërkuar atyre të jenë të vëmendshëm ndaj mesazheve dhe email-eve të dyshimta që mund të përmbajnë lidhje mashtruese.

    Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Policia e Kosovës njoftoi: ” Apel për kujdes ndaj phishing-ut! Të nderuar qytetarë, ju lutemi të jeni të vëmendshëm ndaj mesazheve dhe email-eve të dyshimta që mund të përmbajnë lidhje mashtruese”

    Në apel, Policia theksoi se qytetarët nuk duhet të hapin lidhje të dyshimta dhe as të ndajnë të dhënat e tyre personale me burime të panjohura, pasi kjo mund të çojë në viktimizimin nga sulme të mundshme kibernetike.

    “Mos hapni dhe mos ndani të dhëna personale me burime të panjohura, pasi mund të bëheni viktimë e sulmeve kibernetike”, tha Policia, duke shtuar se në rast dyshimi qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës për mbështetje dhe verifikim, duke përdorur numrin e urgjencës 192.