ATV

Author: G.O.

  • Numri i viktimave nga tërmeti në Mianmar arrin në mbi 3.300

    Numri i viktimave nga tërmeti në Mianmar arrin në mbi 3.300

    Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm në Mianmar është rritur në mbi 3.300, raportoi media shtetërore më 5 prill, teksa shefi për ndihmë në Kombet e Bashkuara i ka bërë thirrje botës që të ndihmojë Mianmarin.

    Tërmeti i 28 marsit rrafshoi ndërtesa dhe shkatërroi infrastrukturë në mbarë shtetin dhe shkaktoi 3.354 viktima dhe 4.508 persona të lënduar. Po ashtu, sipas shifrave të publikuara nga media shtetërore, edhe 220 persona konsiderohen të zhdukur.

    Më shumë se një javë nga fatkeqësia, shumë persona në Mianmar janë ende të pastrehë dhe shumë nga ta janë të detyruar që të flenë në rrugë për shkak se shtëpitë e tyre ose janë shkatërruar plotësisht ose ka rrezik që të shemben.

    Sipas vlerësimeve të OKB-së, më shumë se 3 milionë persona mund të jenë prekur nga tërmeti 7.7 ballësh.

    Zyrtari kryesor në OKB për ndihmë, Tom Fletcher, të shtunën u takua me të prekurit nga tërmeti në qytetin Mandalaj të Mianmarit dhe ai pa nga afër dëmet e shkaktuara në këtë qytet.

    “Shkatërrimi është i madh”, shkroi ai në X.

    “Bota duhet të ndihmojë popullin e Mianamarit”, shtoi ai, raporton REL.

    Që nga puçi ushtarak i vitit 2021, Mianmari udhëhiqet nga junta, duke nxitur një konflikt civil. Junta raportohet se ka kryer dhjetëra sulme që nga tërmeti, përfshirë edhe 16 sulme që kur u shpall një armëpushim i përkohshëm të mërkurën, tha OKB-ja një ditë më parë.

    Vite të luftës kanë bërë që ekonomia e Mianmarit dhe infrastruktura të shkatërrohet, duke paraqitur pengesë të madhe për përpjekjet ndërkombëtare për të ofruar ndihmë për këtë shtet pas tërmetit të fuqishëm.

    Kina, Rusia dhe India ishin ndër shtetet e para që ofruar mbështetje, duke dërguar ekipe në Mianmar për të ndihmuar në gjetjen e të mbijetuarve.

    Shtetet e Bashkuara thanë të premten se po e rrisin ndihmën për Mianmarin, duke bërë që ndihma të arrijë në vlerë prej 9 milionë dollarësh./REL

  • Posta nis shpërndarjen e gjobave digjitale për shkeljet në trafik

    Posta nis shpërndarjen e gjobave digjitale për shkeljet në trafik

    Posta e Kosovës bëri të ditur se ka nisur shpërndarjen e gjobave digjitale për shkeljet e trafikut. Kjo nismë, sipas Postës, do të rrisë sigurinë dhe përgjegjësinë në vend.

    Gjobat dërgohen drejtpërdrejt në adresat e qytetarëve, duke ofruar një mundësi më të përshtatshme dhe më të thjeshtë për të realizuar pagesat.

    “Ky hap modernizues e bën procesin më të shpejtë dhe më të thjeshtë për qytetarët, duke siguruar një menaxhim efikas të detyrimeve të tyre”.

    Për më tepër, qytetarët mund të paguajnë gjobat në çdo zyrë postare të Postës së Kosovës, duke u dhënë fleksibilitet dhe komoditet.

    “Ky shërbim inovativ mbështet angazhimet e Policisë së Kosovës dhe të komunave, duke kontribuar në një trafik më të sigurt dhe një mjedis më të rregullt. Ky është një hap përpara në krijimin e një infrastrukture më të sigurt dhe më të besueshme për të gjithë qytetarët. Posta e Kosovës – besim, shërbim, siguri në çdo hap!”, ka njoftuar Posta e Kosovës.

  • ​Rutte: Rusia do të mbetet një kërcënim për NATO-n edhe pas përfundimit të luftës në Ukrainë

    ​Rutte: Rusia do të mbetet një kërcënim për NATO-n edhe pas përfundimit të luftës në Ukrainë

    Brenda NATO-s, askush nuk ushqen iluzione për qëllimet e Rusisë dhe aleanca ushtarake e sheh Rusinë si një kërcënim afatgjatë – edhe pas përfundimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

    Këtë e tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte në një konferencë për shtyp të premten në Bruksel, pas takimit dyditor të ministrave të jashtëm të NATO-s, transmeton Ukrinform.

    “Për presidentin Trump që hyn për të thënë ‘Unë dua të bëj maksimumin për ta çuar këtë luftë në një fund të drejtë dhe të qëndrueshëm’, mendoj, është e lavdërueshme. Dhe kjo është ajo që po them. Dhe ata po punojnë pa u lodhur, pa u lodhur për ta bërë këtë. Për NATO-n është e qartë. Për të gjithë NATO-n, Rusia është kërcënimi afatgjatë, edhe nëse Rusia nuk do t’i japë fund kësaj lufte naive. tha Rutte, transmeton KosovaPress.

    Ai tha se tani nevojiten përpjekje më të mëdha për të ndihmuar në përfundimin e luftës, për të punuar në koordinim të ngushtë me Ukrainën, për të angazhuar dhe informuar popullsinë. evropiane dhe për të mbështetur përvojën dhe udhëzimet shumë praktike të ofruara nga Mbretëria e Bashkuar në lidhje me hapat që mund të pasojnë pasi të arrihet përfundimisht një armëpushim ose marrëveshje paqeje.

    “Unë mendoj se kjo është pikërisht mënyra se si Aleanca duhet të funksionojë, duke punuar së bashku, duke u përpjekur t’i kryejë gjërat. Duke u siguruar dhe duke pranuar, se ky nuk është vetëm një konflikt evropian, por me Kinën dhe Korenë e Veriut dhe Iranin që janë të përfshirë këtu, duke mbështetur përpjekjet luftarake të Rusisë, është një sulm ndaj Ukrainës. Dhe se është me të vërtetë një çështje globale,” shtoi Rutte.

    Ai shprehu besimin se regjimet autoritare në mbarë botën po vëzhgojnë nga afër se si përfundon lufta në Ukrainë — veçanërisht udhëheqja e Kinës, e cila gjithashtu ka çështje të pazgjidhura territoriale me fqinjët e saj.

    Ministrat e jashtëm të NATO-s u takuan në Bruksel për të diskutuar mënyrat për të forcuar mbrojtjen dhe qëndrimin parandalues të NATO-s dhe për të rritur ndihmën për Ukrainën.

    Më 3 prill, Këshilli NATO-Ukrainë u mblodh me pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm të Ukrainës Andrii Sybiha.

  • Rusia pretendon se Ukraina ia ka sulmuar një ndërtesë industriale

    Rusia pretendon se Ukraina ia ka sulmuar një ndërtesë industriale

    Një ndërtesë industriale në rajonin e Mordovias në Rusi është goditur nga dronët e Ukrainës më 5 prill, tha guvernatori i këtij rajoni përmes një deklarate në Telegram.

    Guvernatori Artyom Zdunov tha se ekipet emergjente kanë dalë në vendngjarje, por ai nuk tregoi se cila ndërtesë industriale është sulmuar apo nëse ka viktima nga sulmi.

    Baza, një kanal në Telegram që ka lidhje me forcat ligjzbatuese ruse, tha se është sulmuar një fabrikë e fibrave optike në qytetin Saransk, 820 kilometra larg nga kufiri me Ukrainën.

    Në këtë kanal u publikua edhe një video që tha se shfaq sulmet me dronë ndaj kësaj fabrike.

    Ndërkohë, autoritetet në Kiev thanë se mbrojtjet ajrore ukrainase kanë rrëzuar 51 nga 92 dronët që Rusia lëshoi gjatë natës.

    Përmes një deklarate, Forcat Ajrore ukrainase thanë se 31 dronë të tjerë “u humbën” – referencë për përdorimin e pajisjeve elektronike për të penguar operimin e dronëve, raporton REL.

    Ukraina, që po përballet me luftën e nisur nga Rusia që nga viti 2022, tha se si pasojë e sulmeve të fundit ruse janë shkaktuar dëme në rajonet e Kievit, Zhytomirit, Sumit dhe Dnipropetrovskit.

    Njoftimet për sulme të reja në Ukrainë dhe Rusi vijnë një ditë pasi forcat e Moskës kryen sulme vdekjeprurëse në Ukrainë.

  • Sot dy përballje interesante në Superligën e Kosovës

    Sot dy përballje interesante në Superligën e Kosovës

    Java e 27-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll vazhdon sot me dy përballje interesante.

    Pas dy ndeshjeve të djeshme (e premte), ku Drita shënoi një fitore 1-0 ndaj Feronikeli ’74 dhe Malisheva triumfoi po ashtu 1-0 përballë Prishtinës, sot sytë do të jenë të fokusuar në dy takime të tjera.

    Ndeshja më e shumëpritur do të zhvillohet në Suharekë, ku Ballkani do të presë Suharekën në një derbi lokal.

    Ndeshja do të startojë në orën 15:00.

    Ndërkohë, në një përballje po aq të rëndësishme, Gjilani do të presë Ferizajn në një duel të nxehtë që ka rëndësi të madhe për të dyja ekipet, veçanërisht për Ferizajn, që kërkon me çdo kusht të largohet nga zona e rrezikshme e tabelës.

  • ShBA-ja nis zbatimin e tarifës prej 10 për qind

    ShBA-ja nis zbatimin e tarifës prej 10 për qind

    Doganat e Shteteve të Bashkuara kanë nisur të mbledhin tarifën prej 10 për qind të vendosur nga presidenti Donald Trump, ndaj të gjitha importeve të shumë shteteve, përfshirë nga Kosova.

    Ndërkaq, tarifat më të larta për mallrat nga 57 partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së do të nisin që të zbatohen javën e ardhshme.

    Vendimi për tarifën fillestare bazë prej 10 për qind nisi së zbatuari në portet detare, aeroportet dhe magazinat doganore të SHBA-së në orën 12:01 të mëngjesit (06:00, sipas kohës lokale në Kosovë).

    Kosova është në mesin e vendeve që u është vendosur tarifë bazë prej 10 për qind për importe nga Trump më 2 prill.

    Përfaqësues të odave ekonomike kanë paralajmëruar se kjo tarifë do të ketë ndikim të madh tek eksportuesit kosovarë, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë tarifën prej 10 për qind që ka për mallrat nga SHBA-ja dhe të ndihmojë bizneset kosovare të prekura nga vendimi i Trumpit.

    “Kjo është ndër veprimet tregtare më të mëdha në jetën tonë”, tha Kelly Ann Shaw, avokate tregtare në Hogan Lovells dhe ish-këshilltare tregtare në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trumpit.

    Shaw tha se ajo pret që tarifat të evoluojnë me kalimin e kohës, teksa vendet do të përpiqen të negociojnë norma më të ulëta.

    “Por, kjo është e madhe. Është një ndryshim tepër i rëndësishëm dhe tronditës në mënyrën si tregtojmë me çdo vend në botë”, shtoi ajo, raporton REL.

    Njoftimi i Trumpit për vendosjen e tarifave ndaj importeve nga të gjitha shtetet e botës më 2 prill tronditi tregjet globale të aksioneve.

    Ndërkaq, të mërkurën do të hyjnë në fuqi tarifat më të larta reciproke të Trumpit që variojnë nga 11 deri në 50 për qind. Importet nga Bashkimi Evropian do të goditen me një tarifë prej 20 për qind, ndërkaq mallrat kineze me një tarifë prej 34 për qind, duke e çuar në total në 54 për qind tarifën e re për Kinën.

    Kanadaja dhe Meksika janë përjashtuar nga tarifat më të fundit të Trumpit, pasi ato janë ende subjekt i një tarife prej 25 për qind, që u vendos lidhur me krizën e fentanilit në SHBA.

    Trump ka përjashtuar nga tarifat e reja mallrat që janë subjekt i tarifave të veçanta prej 25 për qind për arsye të sigurisë kombëtare. Këtu hyjnë çeliku dhe alumini, makinat, kamionët dhe pjesët për automjete.

    Administrata amerikane publikoi gjithashtu një listë me mbi 1.000 kategori produktesh që janë përjashtuar nga tarifat e reja. Këtu përfshihen nafta e papërpunuar, produktet e naftës dhe importe të tjera të energjisë, barnat farmaceutike, uraniumi, titani, lëndë drusore, gjysmëpërçuesit dhe bakri.

  • Osmani takon presidentin e Bullgarisë: Diskutuam forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve

    Osmani takon presidentin e Bullgarisë: Diskutuam forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka realizuar një takim të rëndësishëm me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, gjatë të cilit kanë diskutuar për forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve, me fokus të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit në nivele të tjera.

    Pas këtij takimi, Osmani ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale, ku ka theksuar se Bullgaria vazhdon të jetë një partnere dhe aleate e fortë e Kosovës në shumë drejtime.

    Ajo ka theksuar se gjatë diskutimeve kanë biseduar për mundësitë e forcimit të lidhjeve bilaterale dhe rritjen e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja, siguria dhe zhvillimi i marrëdhënieve në përgjithësi.

    Presidentja Osmani po ashtu ka shprehur falënderimet e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës.

    “Bullgaria është partnere dhe aleate e vazhdueshme e Kosovës. Në takim bilateral me Presidentin Rumen Radev, diskutuam forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve, veçanërisht në fushën e mbrojtjes. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për rrugëtimin tonë euro-atlantik”, ka shkruar presidentja Osmani në postimin e saj.

  • 26 vjet nga Masakra e Rezallës ku 98 persona u ekzekutuan nga forcat serbe

    26 vjet nga Masakra e Rezallës ku 98 persona u ekzekutuan nga forcat serbe

    Sot shënohen 26 vjet nga masakra e tmerrshme e Rezallës së Skenderajt, e cila ndodhi më 5 prill të vitit 1999, ku forcat serbe ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth.

    Ata nuk u ndalën me kaq, pasi pas ekzekutimeve, forcat serbe edhe zhdukën kufomat e të vrarëve, duke lënë pas një tragjedi të madhe.

    Një pjesë e trupave të viktimave u gjetën më vonë në Rudnicë të Rashkës, në shtetin serb, dhe iu dorëzuan familjarëve.

    Ky akt barbar dhe i pafalshëm ka shënuar një nga episodet më të dhimbshme të luftës në Kosovë, dhe masakra e Rezallës mbetet një ndër ngjarjet më të rënda të periudhës së luftës.

    Më 5 prill 1999, serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe qëlluan pa mëshirë mbi burrat dhe djemtë e rinj, duke lënë pas një shkatërrim të tmerrshëm dhe një tragjedi të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

  • Sot protestohet në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Sot protestohet në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Shtrenjtimi i energjisë elektrike po vazhdon të ngjallë reagime të ashpra në vend. Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka paralajmëruar një rritje prej 15% të çmimit të rrymës, gjë që ka nxitur organizimin e një proteste nga qytetarët në Prishtinë.

    Protesta do të mbahet sot dhe është thirrur nga grupi “Asnjë cent më shumë”, përmes të cilit organizatori Luan Hasanaj ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve.

    Përmes një deklarate, Hasanaj ka kërkuar edhe nga bizneset që, në shenjë solidarizimi, të mbyllin lokalet e tyre nga ora 15:00 deri në 16:00.

    Ai ka theksuar se rritja e çmimit të energjisë nuk përbën barrë vetëm për qytetarët, por godet rëndë edhe bizneset, duke ndikuar në rritjen e kostove të operimit dhe duke rrezikuar qëndrueshmërinë e aktiviteteve ekonomike.

  • Pas rasteve në Shqipëri, AUV-i shton kontrollet për mishin nga Brazili në Kosovë

    Pas rasteve në Shqipëri, AUV-i shton kontrollet për mishin nga Brazili në Kosovë

    Pas rastit alarmues në Shqipëri, ku u zbuluan tetë tonë mish pule të kontaminuar me salmonellë me origjinë nga Brazili, autoritetet në Kosovë kanë shtuar masat për të garantuar sigurinë ushqimore.

    Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaqi, ka bërë të ditur se janë ndërmarrë veprime shtesë në pikat kufitare dhe në tregun e brendshëm për të eliminuar çdo dyshim për praninë e mishit potencialisht të rrezikshëm.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përmes trupave inspektuese, ka ndërmarrë të gjitha veprimet ekzekutive për të hequr dyshimet për mishin me origjinë nga Brazili. Pas lëshimit të urdhëresës për kontrolle shtesë, në import kanë ardhur 7 ngarkesa. Nga secila ngarkesë është marrë nga një mostër, ku sipas procedurës, ngarkesat mund të bllokohen deri në daljen e rezultateve. Po ashtu, në kontrollin e brendshëm janë realizuar dy kontrolle në pika shitjeje, nga të cilat janë marrë dy mostra nga lote të ndryshme prodhimi”, tha Thaqi.

    AUV ka realizuar kontrolle shtesë në import dhe në pika shitjeje, duke marrë mostra për testim.

    Sasitë e dyshuara janë tërhequr dhe bllokuar deri në daljen e rezultateve.

    “Sasitë e lotëve të mostruar janë tërhequr dhe bllokuar deri në rezultate. Është inspektuar edhe depoja e operatorit ekonomik importues, ku përveç masës së ndalimit të përkohshëm të nxjerrjes në treg të produktit në stok, është marrë një mostër për testim. Të gjitha mostrat janë mbledhur nga pikat kufitare dhe kontrolli i brendshëm. Ato janë në laborator dhe ka nisur procesi i testimit. Për kohën e nxjerrjes së rezultateve, nuk mund të japim afat ose datë tani. Gjithçka varet nga dinamika e procesit të testimit nga laboratori. Në momentin e parë të nxjerrjes së rezultateve, do ta informojmë publikun me të gjeturat”, shtoi ai për EO.

    Tutje, Thaçi bën të ditur se kontrolli vazhdon në kufij dhe brenda vendit për të siguruar konsumatorët dhe për të garantuar sigurinë ushqimore.