ATV

Author: G.O.

  • Rrugëtimi drejt së ardhmes evropiane përmes Kartës Rinore Evropiane në Kosovë

    Rrugëtimi drejt së ardhmes evropiane përmes Kartës Rinore Evropiane në Kosovë

    Karta Rinore Evropiane është një dokument i rëndësishëm që ka për qëllim promovimin e të drejtave, mundësive dhe zhvillimit të rinisë në Evropë.

    Ngjarja zyrtare e lansimit të Kartës Rinore Evropiane në Kosovë është një hap i rëndësishëm për fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e mundësive të reja për ta.

    Lansimi i kartës rinore evropiane në Kosovë ka për qëllim të fuqizojë, lehtësojë dhe të lidh rininë më mundësi të shumta në fusha të ndryshme të jetës.

    Një nga pikat kyçe të këtij eventi ishte analizimi i politikave rinore dhe nxitja e dialogut ndërmjet të rinjve dhe institucioneve për t’u siguruar që politikat dhe projektet të jenë në përputhje me nevojat dhe aspiratat e rinisë.

    Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

    Karta rinore evropiane në Kosovë është një hap tjetër drejt krijimit të një Evrope më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të rinjtë e saj.

  • AUV: E kemi konfirmuar, mishi i bardhë në tregun e Kosovës është i sigurt

    AUV: E kemi konfirmuar, mishi i bardhë në tregun e Kosovës është i sigurt

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se të gjitha rezultatet e analizave konfirmojnë se mishi i bardhë i pulës qe tregtohet në Kosovë është i sigurt.

    Pas ngritjes së dyshimeve se mishi i pulës me origjinë nga Brazili kishte rezultuar pozitiv në Shqipëri, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte ndërmarrë veprime për të hequr dyshimet për konsumatorët kosovarë.

    “Me një gjurmim të plotë, duke vendosur masa shtesë kontrolli, përfshirë edhe marrjen e mostrave, kufizime të shitjes deri në konfirmim përmes rezultateve të analizave laboratorike”, thuhet në njoftim.

    Sot janë nxjerrë rezultatet, të cilat kanë konfirmuar, se mishi i cili ka qenë duke u tregtuar dhe ai qe ishte duke u importuar, është i sigurt për konsum dhe i plotëson kriteret ligjore për tregtim.

    “Mostrat e mishit të pulës (fileto-breast) me origjinë nga Brazili janë testuar në aspektin mikrobiologjik, në parametrat e prezencës se Salmonella Typhimurium dhe Salmonella Enteritidis. Testet janë kryer me ANSR metodë e avancuar për amplifikimin e ADN-së se Salmonelles spp. Të njëjtat janë konfirmuar edhe me metodën klasike e bazuar në ISO 6579-1. Limitet të përcaktuara sipas rregullores për kriteret mikrobiologjike në produktet ushqimore Nr. 27/2012 , si dhe plotësim ndryshimit 09/2018”.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, gjithmonë do të veprojë konform legjislacionit në fuqi, për të hequr dyshimet e konsumatorit mbi çdo pasiguri në produkte. Po punojmë çdo ditë qe për sigurinë e ushqimit në vend, të besohet si fakt dhe si perceptim”, thuhet më tej.

  • Merret vendim për dy serbët e ndaluar të dielën në Prizren, Prokuroria Themelore i liron ata

    Merret vendim për dy serbët e ndaluar të dielën në Prizren, Prokuroria Themelore i liron ata

    Pas ndalimit të dy të pandehurve serb për 48 orë që u arrestuan në vikend në Prizren, prokurori i çështjes ka analizuar të gjitha provat dhe rrethanat e paraqitura gjatë fazës fillestare të hetimit.

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se bazuar në këtë vlerësim profesional dhe të pavarur, është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë.

    Prokurori i çështjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet tjera hetimore duke përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurve.

  • Po vazhdon edhe sot kërkimi për 26-vjeçarin e humbur në Pashtrik

    Po vazhdon edhe sot kërkimi për 26-vjeçarin e humbur në Pashtrik

    Po vazhdon edhe sot kërkimi për 26-vjeçarin e humbur në Pashtrik.

    Nga Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, kanë konfirmuar se ende nuk është arritur të lokalizohet vendndodhja e tij.

    Personi i humbur raportohet se kishte dalë për gjueti, dhe nuk ka arritur të kthehet më.

    I njëjti ka telefonuar babanë e tij dhe ka kërkuar ndihmë.

     

  • Kallas nga Tirana: Kosova dhe Serbia nuk mund të vazhdojnë rrugën evropiane, pa normalizim të raporteve

    Kallas nga Tirana: Kosova dhe Serbia nuk mund të vazhdojnë rrugën evropiane, pa normalizim të raporteve

    Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, nga Tirana, ka dhënë mesazh për dialogun Kosovë-Serbi.

    Ajo ka thënë se nuk mund të ketë rrugë përpara evropiane, pa normalizim – për asnjërin prej shteteve.

    “Ajo që është e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë nuk mund të ketë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënies ndërmjet këtyre dy vendeve”.

    “Do të shkoj në Bosnje e Hercegovinë dhe do të takohem me të gjithë palët atje në mënyrë që të qetësohet situata atje”, tha Kallas.

    “Ky është një proces i vazhdueshëm, ne kemi Përfaqësuesin e ri Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe do të ulemi me të edhe për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Ajo që është e rëndësishme për ne është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse pa këtë asnjëra prej tyre nuk mund të vazhdojë në rrugën e tyre europiane”, tha ajo.

  • Takimi me Konjufcën – kryetarët e partive nuk do të marrin pjesë, dërgojnë përfaqësues

    Takimi me Konjufcën – kryetarët e partive nuk do të marrin pjesë, dërgojnë përfaqësues

    Kryetari i Kuvendit në detyrë, Glauk Konjufca sot do të mbajë një takim të përbashkët me partitë politike ku do të diskutohet për seancën konstitutive të Kuvendit.

    Ky takim do të mbahet në orën 12:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

    Ndonëse ishte paraparë që takimi të mbahet me kryetarët e partive, të njëjtit nuk do të jenë prezent.

    Kështu kanë konfirmuar zëdhënësit e partive.

    Në takim do të jetë vetë një pikë në rendin e ditës: “Përgatitjet për Seancën konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

    Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill, siç ka vendosur presidentja Vjosa Osmani.

    Duke kërkuar formimin e qeverisë “sa më parë që të jetë e mundur”, presidentja konsideron se deri më 15 prill “ka kohë të mjaftueshme për partitë politike që t’i kryejnë diskutimet e nevojshme”.

    Ajo ka uruar që “ai proces të shkojë sa më mirë që është e mundshme dhe që konstituimi të kryhet po me atë datë”.

    Po atë ditë, LVV synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç ka deklaruar kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.

    LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit – që nënkupton se asaj do t’i nevojitet një partner nga ana e opozitarëve për të qëndruar më tej në pushtet.

    Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë).

    Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma).

    Së bashku, opozitarët kanë më shumë mandate (52) sesa partia e parë.

  • Hajdari nënshkruan vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës

    Hajdari nënshkruan vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës

    Me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencës së ndershme në tregun vendor, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendimin për rregullimin e çmimeve dhe vendosjen e masave të tjera mbrojtëse, për produktet e naftës të përdorshme në transport.

    Në njoftim thuhet se ministrja në detyrë Hajdari theksoi se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se, ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi i produkteve të naftës.

    “Këto të dhëna janë nga evidencat e përditshme të Doganës së Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Sipas këtij vendimi, përcaktohet: marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë në 2 eurocentë për litër dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë në 12 eurocentë për litër”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, sipas MINT, ky vendim i detyron subjektet për t’u furnizuar me produkte dhe për të ofruar për shitje produktet e naftës, pa ndërprerje, si dhe të respektojnë çmimet me marzhën tregtare maksimale të lejuar dhe tjera masa mbrojtëse të përcaktuara.

    “Po ashtu, zbatimi i këtij vendimi parasheh mbikëqyrje të shtuar inspektuese, paraqitjen e rasteve të dyshimta te Autoriteti i Konkurrencës, si dhe bashkëpunim të ngushtë të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Ministrja Hajdari gjithashtu theksoi se ky vendim është një hap tutje drejt promovimit të konkurrencës së ndershme të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve, duke parandaluar sjelljet antikonkurruese, duke siguruar transparencë dhe kushte të barabarta në tregun e Republikës së Kosovës.

    Ndryshe, aktualisht në tregun e Kosovës një litër naftë shitet nga 1 euro 19 centë deri 1.25 centë. Shoqata e naftëtarëve ka paralajmëruar rënie të çmimit për derivate pas vendosjes së tarifave nga administrata Trump për gati 200 shtete.

  • Zelensky konfirmon se ushtria ukrainase ka hyrë në rajonin rus të Belgorodit

    Zelensky konfirmon se ushtria ukrainase ka hyrë në rajonin rus të Belgorodit

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pranuar për herë të parë publikisht se trupat e shtetit të tij janë aktive në rajonin Belgorod të Rusisë.

    “Ne vazhdojmë të kryejmë operacione aktive në zonat kufitare në territorin e armikut dhe kjo është absolutisht drejtësia – lufta duhet të rikthehet aty nga erdhi”, ka thënë ai.

    Komentet e tij po ashtu i referoheshin edhe rajonit Kursk në Rusi, ku Ukraina mban ende një pjesë pas ofensivës së madhe vitin e kaluar. Moska ka kthyer shumicën e territorit.

    Zelensky ka thënë se “qëllim kryesor” ishte të mbrohen rajonet kufitare ukrainase Sumy dhe Kharkiv dhe “të lirohet presioni” në pjesët tjera të vijës së frontit, sidomos në rajonin Donetsk.

    Ushtria ruse muajin e shkuar raportoi se Ukraina ka tentuar të kalojë në rajonin Belgorod –por sipas saj, këto përpjekje kanë dështuar.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022. Moska aktualisht kontrollon rreth 20 për qind të territorit ukrainas.

    Në një videoadresim të hënën vonë, Zelensky u shpreh se ka marrë informata nga gjenerali Oleksandr Syrskyi për situatën në front “përfshirë praninë në rajonet Kursk dhe Belgorod”.

    Zelensky ka falënderuar njësitet ushtarake që mbrojnë Ukrainën, përfshirë regjimentin “225 Assault” që ka hyrë në rajonin Belgorod.

  • Balla kërkon hapjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian

    Balla kërkon hapjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian

    Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i hapë negociatat për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

    Ai foli në konferencën dyditore të organizuar nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve të Parlamentit Evropian, në Bruksel, mbi programin Willy Brandt për Zgjerimin e BE-së, ku deklaroi se Shqipëria do të anëtarësohet në BE deri në 2030-n.

    Balla ka thënë se Kosova e meriton hapjen e negociatave, e edhe Maqedonia e Veriut.

    “Ne do të donim shumë që çdo vend t’i niste negociatat. Gjithashtu, Kosova e meriton t’i nisë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur – sa më shpejt që ju të mundeni. Dhe ne duam shumë që edhe Maqedonia e Veriut t’i nisë negociatat”, deklaroi Balla, raportoi ATSH.

  • Kaja Kallas sot në Tiranë, takohet me Begajn dhe Ramën

    Kaja Kallas sot në Tiranë, takohet me Begajn dhe Ramën

    Kaja Kallas, përfaqësuesja e Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, do të zhvillojë këtë të martë një vizitë zyrtare në Tiranë, në sajë të turit të vizitës në Ballkanin Perëndimor.

    Ajo vjen në Tiranë pas vizitës në Malin e Zi, ku u takua me presidentin Jakov Millatoviq, kryeministrin Millojko Spajiq dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

    Sot Kallas do të takohet me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, ku pritet që të mbajë edhe një konferencë të përbashkët për media me kreun e qeverisë.

    Më tej takimet do të jenë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu.

    Nesër zyrtarja e lartë do të ketë një ndalesë në Bosnje e Hercegovinë, ku Kallas do të zhvillojë takime me krerët e Presidencës trepalëshe, me kryetaren e Këshillit të Ministrave dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës dhe me përfaqësuesit e forcës evropiane në Bosnje, EUFOR, duke mbyllur kështu turin e saj.