ATV

Author: G.O.

  • Komunat e Kosovës në rrezik humbjeje të miliona eurove për shkak të bllokadës institucionale

    Komunat e Kosovës në rrezik humbjeje të miliona eurove për shkak të bllokadës institucionale

    Moskonstituimi i institucioneve në Kosovë po rrezikon seriozisht zhvillimin ekonomik të komunave dhe njëherësh humbjen e dhjetëra milionë eurove nga fondet ndërkombëtare.

    Kështu paralajmëroi në një intervistë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi.

    Ai tha se moskonstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës ka pasoja të drejtpërdrejta për komunat, si në aspektin financiar, ashtu edhe legjislativ.

    “Edhe te komunat mosfunksionalizimi i institucioneve qendrore do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë.

    Së pari në aspektin financiar, ku marrë parasysh që BE-ja i ka paraparë disa qindra miliona euro për Planin e Rritjes, ku nëse Kosova nuk e konstituon Parlamentin, atëherë këto mjete financiare mund të mos merren.

    Shumica absolute të atyre mjeteve janë të dedikuara për komunat e Kosovës. Janë të parapara investime në infrastrukturë lokale, në digjitalizim, në ngritje të kapaciteteve e të tjera. Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në komunat e Kosovës”, tha ai.

    Ibrahimi shtoi se investimet e parapara në infrastrukturë lokale, digjitalizim dhe ngritje të kapaciteteve janë në pikëpyetje, ndërkohë që mungesa e institucioneve pengon edhe miratimin e ligjeve kyçe për funksionimin komunal.

    Në këtë situatë, tri komuna, Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku, sipas tij, pasi nuk kanë arritur të aprovojnë me kohë buxhetet e tyre, tani si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, janë të detyruara që edhe këtë vit të mbështeten në buxhetin e vitit paraprak dhe të mos zbatojnë projekte të reja.

    “Moskonstituimi i parlamentit dhe qeverisë gjithashtu do të sjellë pasoja sa i përket mosamandamentimit të shumë ligjeve të cilat janë tejet të rëndësishëm për komunat, siç është projektligji për financa lokale, projektligji për prokurim publik, projektligji për prokurim publik, projektligji për planifikim hapësinor. Të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të komunave.

    Moskonstituimi i parlamentit gjithashtu është një problem edhe për tri komunat, të cilat nuk kanë mundur që me kohë t’i aprovojnë buxhetet e tyre, siç janë komuna e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut. Dhe këtë vit, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, ata nuk mund të zhvillojnë apo të zbatojnë projekte të reja. Gjithmonë duhet të thirren në buxhetin e vitit paraprak. Duhet marrë parasysh që ky vit është edhe vit zgjedhor edhe në nivelin lokal dhe komunat me padurim e presin që sa më shpejt institucionet e nivelit qendror të konstituohen, në mënyrë që të rikthehet normaliteti i zhvillimeve të jetës”, tha ai.

    Ibrahimi tërheq vëmendjen edhe për një rrezik të menjëhershëm humbjeje të 15 milionë eurove për komunat e Kosovës nga fondet e Komisionit Evropian, të dedikuara komunave të Republikës së Kosovës, në kuadër të thirrjes IPA III “EU for Good Governance”, për shkak të, siç e quajti, neglizhencës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

    “Një ndër problemet që është ngritur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes komunave të Kosovës është edhe mundësia e humbjes së mjeteve financiare nga BE-ja deri në 15 milionë euro.

    Kjo mundësi është bërë për shkak të neglizhencës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila nuk i ka marrë parasysh disa rekomandime të dala nga takimet me Komisionin Evropian sa i përket garantimit të skemës së performancës. 15 milionë euro ato mjete janë të dedikuara për komunat e Kosovës e jo për MAPL-në dhe për këtë arsye ne kërkojmë që niveli qendror, përkatësisht MAPL të jetë më transparente ndaj komunave në hartimin e projekteve që kanë përfitim komunat e Kosovës. Në këtë rast, MAPL-ja në takime që ka pasur me Komisionin Evropian, nuk i ka përmbushur kërkesat e BE-së dhe është një rrezik potencial që komunat e Kosovës si pasojë e papërgjegjësisë institucionale të MAPL-së mund t’i humbasin deri në 15 milionë euro e që këta miliona euro së bashku me mjetet financiare nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim, nga SIDA suedeze, nga Ambasada Norvegjeze, kanë pasur një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, por gjithashtu edhe në përmirësimin e jetës së qytetarit”, tha për EO Ibrahimi.

  • Moti për sot: I vranët dhe me reshje shiu

    Moti për sot: I vranët dhe me reshje shiu

    Sot parashikohet mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu, ku lokalisht mund të jenë intensive. Reshjet më të pakta pritet të jenë në zonat perëndimore, veriperëndimore dhe veriore, ndërsa më të theksuara në jug, juglindje dhe lindje.

    Era do të fryjë kryesisht nga veriu dhe verilindja, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-40 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje drastike, me minimale që do të lëvizin prej 8 deri në 12°C, ndërsa ato maksimale prej 10 deri në 14°C.

  • Kosova nikoqire e “Defender Europe 2025”, Ministria e Mbrojtjes kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për lëvizjet ushtarake në Gjakovë

    Kosova nikoqire e “Defender Europe 2025”, Ministria e Mbrojtjes kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për lëvizjet ushtarake në Gjakovë

    Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës “Defender Europe 25”, nga data 26 maj deri më 9 qershor.

    Përmes një njoftimi, Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë kësaj periudhe kohore, do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbanimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës. Për këtë arsye, Ministria ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, thuhet tutje në njoftim.

  • Prokuroria e Kosovës ngre aktakuzë ndaj një të dyshuari për spiunazh për inteligjencën serbe

    Prokuroria e Kosovës ngre aktakuzë ndaj një të dyshuari për spiunazh për inteligjencën serbe

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të premten kundër një burri, të cilin e akuzon se kishte spiunuar për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, për kohë të papërcaktuar.

    Të dyshuarin, e identifikuar vetëm me inicialet A.V., prokurorët e ngarkojnë me dy vepra penale, spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

    Sipas aktakuzës, i dyshuari kishte “mbledhur të dhëna dhe dokumente të rëndësishme, të cilat, më pas dërgoi në cilësinë e Agjentit Rezident BIA-s serb”, duke e “cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës si dhe jetën e zyrtarëve shtetëror dhe të qytetarëve të saj”.

    Ai dyshohet se e ka kryer veprën për kohë të papërcaktuar deri në arrestimin e tij në qershor të vitit 2024.

    “Nga provat e siguruara… A.V kishte krijuar një rrjet të punësuarve në organizatat ndërkombëtare në Kosovë të nacionalitetit serb, nga të cilët kishte pranuar informacione dhe raporte të punës së këtyre organizatave që ndërlidheshin me aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe kishte mbledhur informacione, për persona të nacionalitet serbë, me qëllimin që t’i paraqiste si bashkëpunëtorë të strukturave të sigurisë së Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

    Ai dyshohet se të dhënat dhe dokumentet e siguruara ia kishte “dorëzuar zyrtarit të lart të BIA-së, R.G, shef i njërës prej Qendrave të BIA-së në territorin e Serbisë, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike”.

    Prokuroria tha se në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një armë dhe një spërkatës gaz lotsjellës, gjatë një bastisjeje policore.

    Prokurorët kanë kërkuar që ai të mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit.

    Prokuroria nuk dha më shumë hollësi rreth identitetit apo kombësisë së A.V., por vitet e fundit serbë e shqiptarë janë arrestuar në Kosovë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

    Derisa shpeshtohen rastet, njohësit e sigurisë thonë se inteligjenca serbe ka shtrirë rrënjët në tërë territorin e Kosovës ndër vite.

  • Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të arrijnë në Kosovë në prillin e 2027-ës

    Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të arrijnë në Kosovë në prillin e 2027-ës

    Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se ata pritet të vendosen në burgun e qytetit të Gjilanit në prillin e 2027-s.

    Ky transferim është pjesë e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare mes Kosovës dhe Danimarkës, e cila parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.

    Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.

    Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen më 23 maj 2024, dy vite pasi ajo ishte nënshkruar.

    Përgatitjet infrastrukturore dhe administrative

    Drejtori i SHKK-së, Dibrani, thekson se, sipas marrëveshjes, Kosova duhet të përmbushë standardet daneze, si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në trajnimin e stafit korrektues.

    Megjithatë, procesi i renovimeve ende nuk ka nisur.

    “Ne, si Kosovë, mund ta shpallim tenderin që sot, por kemi kërkesa të reja nga pala daneze. Premtimet e tyre janë që deri në fund të qershorit të na dërgojnë kërkesat përfundimtare, dhe ne më pas do ta hapim tenderin gjatë muajit korrik”, thotë Dibrani për REL-in.

    Tenderi pritet të përfshijë renovimin e qelive ekzistuese dhe punëtorive, krijimin e hapësirave të reja për vizitorë, si dhe trajnimin e stafit për të përmbushur standardet evropiane.

    Muajin e ardhshëm, 20 oficerë korrektues kosovarë do të udhëtojnë drejt Danimarkës për të ndjekur trajnim bazik dhe punë praktike në institucionet daneze.

    Aktualisht, burgu i Gjilanit shërben si qendër paraburgimi për më shumë se 200 persona nga Kosova. Pasi të përfundojnë renovimet, në këtë institucion do të vendosen të burgosur me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

    “Për këtë duhet të ndërtohen punëtori të reja, për të siguruar punësim për të burgosurit që do vijnë”, sqaron Dibrani.

    Sipas marrëveshjes, personat që do të transferohen nuk do të jenë shtetas të Danimarkës.

    Danimarka është zotuar se nuk do të sjellë të burgosur me rrezikshmëri të lartë.

    Ata nuk do të jenë të dënuar për krime lufte a terrorizëm, apo persona me çrregullime të rënda mendore.

    Nga Ministria e Drejtësisë e Danimarkës nuk u janë përgjigjur pyetjeve lidhur me fillimin e përdorimit të qelive.

    Më herët, kjo ministri kishte deklaruar për REL-in se të burgosurit të cilët do t’i dërgojë në burgun e Gjilanit janë persona të dënuar me dëbim nga Danimarka.

    “Sipas traktatit, të burgosurit duhet patjetër t’i kryejnë dënimet e tyre në kushte të njëjta siç do t’i kishin kryer në një burg danez, përfshirë kushtet fizike në përputhje me kushtet në një burg danez”, ka thënë ministria daneze.

    Shqetësimet për transparencë dhe të drejtat e njeriut

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka ngritur shqetësime në lidhje me transparencën dhe zbatimin e marrëveshjes.

    “Një vit pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, ende nuk është e qartë se ku do të sistemohen të paraburgosurit kosovarë që aktualisht ndodhen në burgun e Gjilanit”, thotë Mehmet Musaj nga QKRMT, organizatë kjo që monitoron sistemin korrektues në Kosovë.

    Sipas SHKK-së, të paraburgosurit aktualë do të zhvendosen gradualisht në institucione të tjera, pasi sistemi korrektues ka kapacitete të mjaftueshme.

    Musaj ngre edhe shqetësimin për respektimin e të drejtave të njeriut të të burgosurve nga Danimarka, të cilët nuk janë danezë.

    “Cili do të jetë modeli i komunikimit – a njihet gjuha angleze nga të gjithë, a njohin gjuhën angleze edhe oficerët tanë, si do të menaxhohen dosjet dhe shërbimet mjekësore”, thotë ai për REL-in.

    Për marrëveshjen ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës shqetësime shprehën edhe aktivistët e të drejtave të njeriut në Danimarkë.

    Çfarë parasheh marrëveshja?

    Kosova do të vërë në dispozicion kapacitete për 300 të burgosur për një periudhë 10-vjeçare.

    Qelitë do të jenë individuale ose të përbashkëta (maksimumi 2 persona), jo më pak se gjashtë metra katrorë për qelitë individuale dhe jo më pak se tetë metra katrorë për qelitë e përbashkëta.

    Gjuha e punës në burg do të jetë gjuha angleze, ndërsa dokumentet zyrtare, sipas nevojës, mund të përkthehen edhe në gjuhën daneze.

    Pagesat dhe transparenca financiare

    Nga 200 milionë euro që pritet të përfitojë Kosova, një pjesë do të investohet në Shërbimin Korrektues, ndërsa pjesa tjetër në energji të ripërtërishme.

    Sipas marrëveshjes, Danimarka ka premtuar një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh për të mbuluar periudhën e tranzicionit, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes deri në funksionalizimin e plotë të burgut.

    Pas kësaj, pagesat do të bëhen në baza tremujore, në varësi të numrit të të burgosurve të pranishëm në institucion.

    Radio Evropa e Lirë ka kërkuar konfirmim nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave e Kosovës lidhur me pranimin e shumës fillestare, por nuk ka marrë përgjigje — edhe pse tashmë ka kaluar një vit nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.

    Sipas SHKK-së, në të gjitha burgjet e Kosovës aktualisht ndodhen rreth 1.800 të burgosur, ndërsa 1.000 vende janë të lira — çka, sipas autoriteteve, krijon hapësirë të mjaftueshme për riorganizimin e të paraburgosurve aktualë.

    Drejtori i SHKK-së, Dibrani, bëri të ditur se edhe disa shtete të tjera evropiane kanë shprehur interesim për të dërguar të burgosurit e tyre në Kosovë, por këto kërkesa nuk janë pranuar.

    Ai nuk specifikoi se për cilat shtete bëhej fjalë. /REL

  • Kosova aranzhon miqësoren e dytë për muajin qershor

    Kosova aranzhon miqësoren e dytë për muajin qershor

    Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se është aranzhuar ndeshja miqësore Kosovë – Komoret. Kjo përballje do të zhvillohet më 9 qershor, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Kombëtarja e Komoreve renditet aktualisht në vendin 105 të ranglistës së FIFA-s. Komoret kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën finale të Kupës së Kombeve të Afrikës 2025, që do të mbahet në Marok gjatë muajit dhjetor dhe gjithashtu kanë ambicie për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026.

    Kjo miqësore vjen si pjesë e përgatitjeve të Kombëtares sonë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit, që nisin në shtator.

    Të kujtojmë se miqësorja ndaj Armenisë, e cila është konfirmuar më herët, do të luhet më 6 qershor, po ashtu në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Këto dy përballje do t’i shërbejnë përzgjedhësit Franco Foda për të testuar ekipin dhe për të ndërtuar formacionin më të mirë për sfidat që e presin Kosovën në ciklin e ardhshëm kualifikues.

  • EULEX-it i zgjatet mandati edhe për dy vjet

    EULEX-it i zgjatet mandati edhe për dy vjet

    Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, ka bërë të ditur se mandati i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) do të zgjatet edhe për dy vjet të tjerë, deri në qershor të vitit 2027.

    Kallas e bëri këtë njoftim gjatë një fjalimi përpara stafit të EULEX-it.

    “Për të gjitha këto arsye, po e zgjasim mandatin e EULEX-it edhe për dy vjet. Vlera juaj e shtuar është qartazi e dukshme për të gjithë. EULEX-i është misioni më i madh civil CSTP dhe i vetmi që operon në Ballkan Perëndimor. Kjo pasi që një Kosovë e sigurt dhe me prosperitet është thelbësor për sigurinë e gjerë në Evropë. Dhe është tregues i vendosmërisë së BE-së për Kosovën dhe rrugën e tyre drejt anëtarësimit”, ka thënë Kallas.

    Kallas ka theksuar se puna e EULEX-it ka qenë kyç edhe në ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve dhe në rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

    “Është kënaqësi që jam këtu në këtë ditë me diell dhe shoh vetë punën e rëndësishme që po bëni. Për 17 vjet, EULEX-i ka dëshmuar vlerat në vazhdimësi. Po ndihmoni në forcimin e sigurisë, sundimin e ligjit dhe pajtimin mes komuniteteve lokale. Qoftë kjo në monitorimin ditor të zonave të ndjeshme, trajtimit të të ndaluarve në ambiente të dala nga konflikti ose në këshillimin e institucioneve të sundimit të ligjit se si t’u shërbejnë në mënyrë më të mirë komunitetit. Ose në punën tuaj mjekoligjore, për të qartësuar fatin e të të pagjeturve dhe të që keqbërësit të vihen para përgjegjësisë. Kjo punë është e rëndësishme në ndërtimin e besimit mes komuniteteve dhe besimin në institucione, por edhe ndihmon familjet e pikëlluara që të kthejnë një faqe, që është e rëndësishme për pajtimin.

    EULEX-i ka dëshmuar kapacitetet për t’u përshtatur në rrethanat, në vitin 2018 për shembull me transferimin e përgjegjësive ekzekutive tek autoritetet lokale, që ishte një arritje e madhe, duke nënvizuar efektshmërinë e raporteve tuaja me autoritetet vendore.

    Së voni, serbët u tërhoqën nga institucionet kosovare dhe tensionet u kthyen sërish. Dhe EULEX-i sërish, me shpejtësi u përshtat, dhe dua t’u përgëzoj për punën, në veçanti për njësitë e policisë këtu në Mitrovicë, ku rendi publik ka qenë më në rrezik, si edhe në pjesë të tjera të vendit.

    Incidentet e dhunshme në Zveçan dhe në Banjskë më 2023, ishin dëshmi për këtë. Dhe nuk mund të harroj punën tuaj në zgjedhjet e shkurtit. Ju siguruat që BE-ja te jetë e dukshme përgjatë gjithë Kosovës gjatë një periudhe të tensionuar, duke siguruar pjesëtarët e të gjitha komuniteteve për sigurinë e tyre. Dje fola me liderët e partive politike kryesore këtu në Kosovë dhe i inkurajova që ta shfrytëzojnë momentumin, t’i themelojnë institucionet. Mbi të gjitha, EULEX-i ka treguar se si duket bashkëpunimi i mirë me NATO-n në praktikë, duke u angazhuar bashkë”, ka shtuar Kallas.

  • Policia në Pejë sekuestron 14 motoçikleta e shqipton 40 gjoba për kundërvajtje

    Policia në Pejë sekuestron 14 motoçikleta e shqipton 40 gjoba për kundërvajtje

    Policia në Pejë ka bërë të ditur se ka sekuestruar 14 motoçikleta tё llojeve tё ndryshme, ndёrsa pёr kundёrvajtёsit janё shqiptuar gjoba pёr kundёrvajtjet ‘mosposedimi i lejes pёr vozitje’, ‘mosposedimi i kategorisё pёrkatёse’, ‘ngasje e mjetit pa regjistrim’ dhe kundёrvajtje tjera.

    Policia tha se janё shqiptuar 40 gjoba ndaj këtyre kundёrvajtёsve.

    Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejë tha se ka hartuar planin operativ “Motoçikletat 2025”, i cili ёshtё duke u realizuar nga data 20.05.2025, nё qytetin e Pejёs.

    Nё kёtё plan operativ, i cili ёshtё duke vazhduar edhe nё ditët nё vijim, janё tё angazhuar zyrtarë nga Stacioni Policor Pejё dhe Njёsia Rajonale e Komunikacionit Rrugor DRP Pejё.

    “Aktivitete dhe detyra të shumta policore, që janë të planifikuara në kuadër të Drejtorisё Rajonale tё Policisё në Pejë, do të vazhdojnë në mënyrë intensive në ditët në vijim, pa asnjë tolerim ndaj secilit kundërvajtës. Krejt kjo në të mirë të rregullimit të komunikacionit, si dhe parandalimit të aksidenteve”, tha policia.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, e veçanërisht tek ngasësit e motoçikletave, tё respektojnë rregullat e komunikacionit.

  • KOMF: Moskonstituimi i Kuvendit ndikon në shumë procese të mbrojtjes së fëmijëve

    KOMF: Moskonstituimi i Kuvendit ndikon në shumë procese të mbrojtjes së fëmijëve

    Në shenjë pakënaqësie rreth moskonstituimit të Kuvendit dhe ndikimit të kësaj bllokade në shumë procese të mbrojtjes së fëmijëve, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka mbajtur aktivitetin “Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve”.

    Në njoftim thuhet se qëllimi i këtij aktiviteti është të nxisë reflektim dhe përgjegjësi institucionale të deputetëve ndaj realitetit të vështirë me të cilin përballen shumë fëmijë në Kosovë dhe nevojave të tyre.

    “Si pasojë e kësaj bllokade, shumë politika që ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe jetën e fëmijëve, vazhdojnë të mbesin të pa miratuara…Reformat e domosdoshme për riorganizimin dhe fuqizimin e politikave sociale kanë stagnuar. Vazhdon të mungojë miratimi i disa projektligjeve kyçe, si: Projektligji për Ndihmën Sociale; Projektligji për të Drejtat, Vlerësimin, Trajtimin dhe Njohjen e Statusit, Shërbimet dhe Përfitimet për Personat me Aftësi të Kufizuar; Projekt Kodi Civil si dhe reforma që rrjedh nga Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare. Të gjitha këto procese janë thelbësore për zbutjen e varfërisë së fëmijëve, fuqizimin e familjes dhe mbrojtjen e fëmijëve, me fokus të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm”, thuhet në reagim.

    KOMF tutje theksoj se edhe politikat në fushën e shëndetit të fëmijëve kanë stagnuar.

    “Pa një Kuvend të konstituuar, nuk mund të ketë investime domethënëse në mbrojtjen e fëmijëve. Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal mbetet i pa miratuar…. Përveç funksionit legjislativ, Kuvendi ka edhe mandat mbikëqyrës, përfshirë monitorimin e zbatimit të ligjeve të miratuara”, thuhet në reagim.

    KOMF më tej vlerëson se situata e fëmijëve në Kosovë mbetet e vështirë.

    Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, KOMF thekson se 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë forma të dhunshme të disiplinimit brenda mjediseve familjare. 5 % e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara marrin shërbime cilësore shëndetësore dhe sociale.

    “Vetëm 15% e fëmijëve në Kosovë të moshës 3 – 4 vjeç ndjekin programet e zhvillimit në fëmijërinë e hershme. Vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve të substancave narkotike ka kaluar shifrën prej 30,000, ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët përdorues vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër.

    Jashtëzakonisht shqetësues mbetet fakti që mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave është në rënie, ku nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit. Kalueshmëria në testin e arritshmërisë për vitin 2023 ishte vetëm 52.1%, ndërkaq, “PISA” e ka renditur Kosovën në vendin e 76-të nga 80 vende pjesëmarrëse. Gjatë vitit 2023, numri i fëmijëve në konflikt me ligjin që është raportuar nga Policia e Kosovës, ka qenë 2175 fëmijë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

    KOMF kërkon që deputetët të reflektojnë mbi peshën e përgjegjësisë së tyre. /Telegrafi/

  • Kallas: Duhet të dëgjojmë të gjitha anët për të kuptuar realitetin

    Kallas: Duhet të dëgjojmë të gjitha anët për të kuptuar realitetin

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, gjatë një vizite të papritur në veri të Kosovës, theksoi rëndësinë e pranisë së saj në terren për të kuptuar situatën komplekse në këtë rajon. Ajo theksoi se ka shumë narrativa të ndryshme nga palët dhe është e nevojshme të dëgjohen të gjitha.

    “Shohim shumë narrativa të ndryshme dhe është e nevojshme të jemi dëshmitarë vetë se çfarë po ndodh në terren dhe çfarë po thonë njerëzit,” tha Kallas për mediat lokale.

    Ajo shtoi se ky kontakt i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe institucionet e rajonit është kyç për të kuptuar më mirë realitetin.

    “Mendoj se këto janë informacione jashtëzakonisht të rëndësishme për mua që ta kuptoj më mirë situatën, sepse shohim që njëra palë thotë një gjë dhe pala tjetër thotë diçka tjetër,” deklaroi ajo.

    Kallas vizitoi gjithashtu gjykatën në veri, duke theksuar funksionimin e saj dhe pritjen për kthimin e gjyqtarëve serbë.

    “Gjykata është funksionale dhe jemi duke pritur që gjyqtarët serbë të kthehen,” tha ajo.

    Ndër të tjera, Kallas u takua edhe me përfaqësues të shkollave dhe forcat ndërkombëtare në veri, duke përfshirë KFOR-in dhe misionin EULEX. Ajo përfundoi me shpresën për një të ardhme të begatë dhe të qetë për të gjithë banorët e Kosovës.

    “Dhe më pas mund të shohim se çfarë mund të bëjmë më shumë në mënyrë që e ardhmja të jetë e begatë, e sigurt dhe e qetë për të gjithë në Kosovë,” tha Kallas.