ATV

Author: G.O.

  • Dy tërmete me magnitudë 6.2 dhe 5.8 në Turqi dhe pranë Rodosit

    Dy tërmete me magnitudë 6.2 dhe 5.8 në Turqi dhe pranë Rodosit

    Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë goditi gjatë natës pranë ishujve Dodekanezë, përgjatë kufirit të Turqisë në Mesdhe.

    Tërmeti goditi në orën 23:17 sipas kohës lokale, 18 kilometra nga ishulli i Rodosit, në një thellësi prej 68 kilometrash, tha EMSC.

    Një tërmet me magnitudë 5.8 ka goditur zonën përballë Marmarisit në Muğla, sipas të dhënave nga AFAD, raporton Haberler.

    Tërmeti, që ndodhi rreth orës 02:17 të mëngjesit, është ndjerë fuqishëm në qytetet përreth si İzmir, Manisa, Aydın, Denizli dhe Antalya. Sipas të dhënave zyrtare, thellësia e tërmetit ishte 67.91 kilometra.

    Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, njoftoi se si pasojë e panikut humbi jetën një vajzë 14-vjeçare me emrin Afranur Günlü, ndërsa 69 persona të tjerë u plagosën.

    Kryetari i Bashkisë së Marmarisit, Acar Ünlü, deklaroi se tërmeti u ndje me intensitet të lartë dhe se ekipet e emergjencës janë në terren. Deri tani nuk ka raportime për dëme të mëdha materiale apo viktima të tjera.

  • Qeverisë e ZRrE-së i kërkohet shtyrja e afatit të daljes në tregun e lirë

    Qeverisë e ZRrE-së i kërkohet shtyrja e afatit të daljes në tregun e lirë

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka ngritur alarmin për pasojat që mund të shkaktojë vendimi i fundit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve jo-shtëpiake në tregun e lirë të energjisë elektrike.

    Përmes një reagimi publik, kjo shoqatë kërkon rishqyrtim urgjent të vendimit, duke e cilësuar të nxituar dhe të padrejtë, për shkak se, sipas tyre, po zbatohet pa periudhë tranzicioni dhe pa përgatitje institucionale e tregtare.

    “Bazuar në të dhënat tona, me një vendim të tillë rrezikohen mbi 1240 kompani aktive, përfshirë 130 kompani prodhuese, të cilat punësojnë në total mbi 143,000 qytetarë të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LBK-së, duke theksuar se ky segment është jetik për zhvillimin industrial dhe qëndrueshmërinë sociale.

    Shoqata kritikon edhe mënyrën se si janë kategorizuar bizneset, duke thënë se ndarja vetëm sipas numrit të të punësuarve krijon pabarazi të theksuar.

    “Vendimi aktual, i cili kategorizon bizneset në mënyrë të padrejtë vetëm mbi bazën e numrit të të punësuarve, krijon padrejtësi të dukshme. Ilustrim konkret i kësaj pabarazie është rasti i dy kompanive me të njëjtin aktivitet prodhues: Kompania A me 43 të punësuar, e cila mbetet në tregun e rregulluar, dhe Kompania B me 57 të punësuar, e cila detyrohet të dalë në tregun e lirë dhe të përballet me rritje çmimi mbi 240%”, thekson LBK.

    Kjo ndarje arbitrare, siç e quan LBK, jo vetëm që cenon konkurrencën e drejtë në tregun vendor, “por e bën të pamundur konkurrueshmërinë e bizneseve tona në tregun evropian, në të cilin pretendojmë të integrohemi”.

    LBK thotë se kërkesa e tyre është e qartë dhe e argumentuar në baza ekonomike dhe praktike.

    “Të shtyhet zbatimi i vendimit deri në vitin 2027, duke ofruar kohë të mjaftueshme për përgatitjen e tregut, ndërtimin e infrastrukturës institucionale dhe mbështetjen e bizneseve në këtë tranzicion”.

    “Të krijohet një fazë tranzicioni me standarde të qarta, që ofron stabilitet dhe parashikueshmëri për bizneset dhe që garanton barazi të trajtimit për të gjithë operatorët ekonomikë”.

    “Të përfshihen institucionet ekonomike dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në hartimin e modelit të liberalizimit të tregut, në mënyrë që ky proces të jetë funksional, i drejtë dhe në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm”, janë tri prej kërkesave të LBK-së.

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës thotë se nuk është kundër liberalizimit të tregut të energjisë – “përkundrazi, bizneset tona janë të gatshme të operojnë në kushte tregu të hapur dhe konkurrues, por kjo duhet të ndodhë vetëm kur ekzistojnë kushtet reale për funksionim të barabartë dhe të drejtë”.

    Në të kundërtën, kjo shoqatë thotë se një zbatim i menjëhershëm dhe i pakonsultuar i këtij vendimi do të çojë në rritje të mbylljeve të ndërmarrjeve prodhuese, rritje të papunësisë, rritje të inflacionit përmes kostove të transferuara te qytetarët, dhe rënie të konkurrueshmërisë ekonomike të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.

    “Ky është një moment kritik për të ndërmarrë një vendim të përgjegjshëm, të matur dhe të bazuar në interesin kombëtar ekonomik. Ne apelojmë për dialog të hapur, bashkëpunim institucional dhe shtyrje të zbatimit të këtij vendimi, për të parandaluar pasojat e pariparueshme për ekonominë e vendit”, përfundoi reagimi i LBK-së.

  • Turqia lëshon fletarrestime për dhjetëra zyrtarë të Stambollit

    Turqia lëshon fletarrestime për dhjetëra zyrtarë të Stambollit

    Autoritetet turke kanë lëshuar 47 fletarrestime për zyrtarët e komunës dhe stafit të Stambollit, kryetari i të cilit – rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan – është në burg që nga marsi, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu më 31 maj.

    Fletarrestimet bazohen “në katër hetime të ndara për korrupsion në Stamboll”, raportoi Anadolu, pa dhënë informacione se sa njerëz janë paraburgosur.

    Arrestimi më 19 mars i kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, nxiti protestat më të mëdha në Turqi në dekadat e fundit.

    Policia turke veçse ka arrestuar pothuajse 70 persona në bastisjet që ndodhën lidhur me dyshimet për korrupsion në Komunën e Stambollit. Në mesin e të arrestuarve janë edhe sekretari privat i Imamoglut dhe roja e tij private.

    Sipas Anadolu, fletarrestimet e fundit shënjestrojnë një ish-ligjvënës opozitarë dhe pesë kryetarë të qarqeve të Stambollit.

    Televizioni privat, Halk, që shihet si e afërt me Partinë Popullore Republikane (CHP) të Imamoglut, tha se kryetarët e nëntë qarqeve – nga 39 qarqe gjithsej – janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim.

    CHP, që e ka nominuar Imamoglun si kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, nuk ka komentuar ende për fletarrestimet e fundit./REL/

  • Petkoviq-Bislimit: Dialogu zhvillohet Prishtinë-Beograd, jo Kosovë-Serbi

    Petkoviq-Bislimit: Dialogu zhvillohet Prishtinë-Beograd, jo Kosovë-Serbi

    Kreu i ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkovic, ka reaguar ndaj një interviste që kreu i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, ka dhënë për mediumin “Deutche Welle”. Sipas Petkovicit, intervista e Bislimit “është një mashtrim i pastër”.

    Petkovic ka thënë se s’është e vërtetë që Ekipi Menaxhues s’ka paraqitur draft-statut për Asociacionin.

    Politikani serb ka dramatizuar dhe i është kapur zëvëndëskryeminstrit Besnik Bislimi edhe për formulimin që ka përdorur se dialogu po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se sipas Rezolutës së OKB-së, dialogu zhvillohet mes “Prishtinës dhe Beogradit”.

    “Është gënjeshtër që dialogu po zhvillohet midis “Serbisë dhe Kosovës” – Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e vitit 2010 vendosi një dialog midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar Petkoviq.

  • Haradinaj për Limajn: “E shkuar e harruar”, s’ka më diskutim për të

    Haradinaj për Limajn: “E shkuar e harruar”, s’ka më diskutim për të

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas dështimit të seancës së sotme të Kuvendit është pyetur nëse do të votonte Fatmir Limajn kryeparlamentar, Haradinaj për partnerin e tij të koalicionit në këto zgjedhje tha se është “e shkuar e harruar”.

    “Nuk kam koment. E kam thënë edhe më parë, e shkuar e harruar, gati se nuk ekziston emri i tij as për diskutime as për tema të tilla” tha Haradinaj për mediat.

    Ai shprehu shqetësim për situatën në vend, duke paralajmëruar pasoja serioze ekonomike nga mosfunksionimi i institucioneve, përfshirë ndikimin në prodhimtari dhe vende pune.

    “Ndryshe nuk po dimë çka me bo për besë. Por, kemi përmend tre emra. Nëse njëri prej tyre kandidohet, e votojmë. Shqetësim serioz, jo veç për faktin që fillojnë tarifat e reja të energjisë. Nuk është vetëm keqpërdorim i një situate kjo, por janë të rrezikuar shumë vende të punës në prodhim. Pra, një rënie e madhe e prodhimtarisë edhe punës në prodhim, paraja do të eksportohet, pasojat do të jenë shumë më të mëdha në vend. Kjo është një temë, por ka shumë të tilla”, tha ai.

  • Osmani: Roli i SHBA-së ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, paqen, lirinë e shtetndërtimin

    Osmani: Roli i SHBA-së ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, paqen, lirinë e shtetndërtimin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të stafit të Kongresit Amerikan, në një vizitë të organizuar nga Atlantic Council.

    Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, për marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

    Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe bipartizane nga Kongresi Amerikan, duke theksuar rëndësinë që kanë të dy dhomat e Kongresit në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

    Në njoftim thuhet më tej se Osmani ka theksuar se roli i SHBA-ve ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, për paqen, lirinë dhe procesin e shtetndërtimit.

    “Ajo nënvizoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe si dhe për anëtarësimin në NATO dhe BE, duke e cilësuar integrimin euro-atlantik si një hap kyç për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, në rajon si dhe në të gjithë kontinentin evropian”, përfundon njoftimi.

  • Pas dështimit të seancës, Kurti vazhdon të shmangë mediat

    Pas dështimit të seancës, Kurti vazhdon të shmangë mediat

    Edhe pas dështimit të 24-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është ndalur për media dhe nuk ka dhënë asnjë koment për situatën politik.

    Kurse, sot përsëri dështoi tentimi i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe
    që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk
    morën pjesë në votim.

  • Zelensky akuzon Rusinë: Po bën gjithçka për t’u siguruar që takimet e radhës të mos jenë frytdhënëse

    Zelensky akuzon Rusinë: Po bën gjithçka për t’u siguruar që takimet e radhës të mos jenë frytdhënëse

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vënë në pikëpyetje serioze sinqeritetin e Rusisë për të ecur drejt një marrëveshjeje paqësore, ndonëse Moska ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në takimin e radhës në Stamboll të hënën, raporton BBC.

    Zelensky ka akuzuar Kremlinin se po sabotojnë procesin, duke mos treguar vullnet të mirë për një rezultat konkret.

    “Që një takim të jetë kuptimplotë, agjenda e tij duhet të jetë e qartë, dhe negociatat duhet të përgatiten ashtu siç duhet”, ka deklaruar presidenti ukrainas, duke shtuar se Rusia “po bën gjithçka për t’u siguruar që takimet e radhës të mos jenë frytdhënëse”.

    Ndërkohë, pavarësisht paralajmërimit për pjesëmarrje, Moska ende nuk ka dërguar ndonjë propozim zyrtar për negociata, edhe pse kjo është një kërkesë kyçe nga pala ukrainase. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se kushtet për një armëpushim do të diskutohen në Turqi.

    Nga ana tjetër, Ukraina ka riafirmuar gatishmërinë e saj për një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar, duke i dorëzuar Rusisë propozimet e saj.

    Rundi i parë i bisedimeve që u zhvillua dy javë më parë në Stamboll nuk solli ndonjë marrëveshje përfundimtare, por palët patën rënë dakord për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve të luftës nga secila anë.

  • Çitaku: Sot do të duhej të ishim në seancë për ta shkarkuar bordin e ZRrE-së

    Çitaku: Sot do të duhej të ishim në seancë për ta shkarkuar bordin e ZRrE-së

    Ka dështuar seanca e 24-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Pas dështimit të radhës, për media ka folur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

    “Ne sot do të duhet të ishim në seancë për të shkaktuar bordin e ZRrE-së, fatkeqësisht për shkak të kryeneçësisë politike të z.Kurti dhe insistimit të tij për të legjitimuar presionin e tij politik. Nuk votohet me diktat, kemi një ngërç politik artificial. Ju bëj thirrje për reflektim”, tha Çitaku.

  • Dështon konstituimi i Kuvendit edhe për herën e 24-të

    Dështon konstituimi i Kuvendit edhe për herën e 24-të

    As gjatë seancës së sotme nuk u arrit të konstituohej Kuvendi i Kosovës, pasi propozimi për formimin e komisionit zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, dështoi sërish.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje subjekteve politike që të propozojnë përfaqësuesit për komisionin zgjedhor, por, pavarësisht kërkesës, propozimi nuk mori mbështetje dhe dështoi për të 24-tën herë.

    Ky komision, që do të mundësonte votimin e fshehtë për Albulena Haxhiun të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka kandiduar për kryetare të Kuvendit, tani mbetet i bllokuar, duke e shtyrë edhe një herë formimin e institucioneve të reja.

    Në seancë ishin 96 deputetë. Votuan 53 pro, 1 kundër dhe nuk pati abstenime.

    Pas këtij dështimi, seanca u ndërpre dhe është caktuar të vazhdojë pas 48 orësh.