ATV

Author: G.O.

  • Kryeministri slloven paralajmëron masa ndaj Izraelit nëse BE nuk vepron për krizën në Gaza

    Kryeministri slloven paralajmëron masa ndaj Izraelit nëse BE nuk vepron për krizën në Gaza

    Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka paralajmëruar Bashkimin Evropian për të marrë masa konkrete brenda dy javëve të ardhshme për të adresuar krizën humanitare në Gazë, shkruan Gazeta Sinjali.

    Nëse BE nuk vepron, ai tha se Sllovenia së bashku me vende të tjera do të ushtrojnë presion të vërtetë ndaj Izraelit.

    Në një deklaratë gjatë samitit të liderëve të BE-së në Bruksel, Golob kritikoi mungesën e përgjigjes efektive nga BE-ja dhe theksoi se disa shtete, madje edhe ato me rëndësi, po vendosin interesat e tyre para të drejtave të njeriut.

    Në përfundimet e samitit, liderët evropianë dënuan përkeqësimin e situatës humanitare në Gazë, kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e pakushtëzuar të pengjeve. Ata i bënë thirrje Izraelit të respektojë detyrimet ndërkombëtare dhe të mbrojë civilët dhe infrastrukturën civile.

    Megjithatë, propozimet për pezullimin e marrëveshjes tregtare të BE-së me Izraelin, të mbështetura nga Spanja dhe Irlanda, nuk gjetën konsensus në samit.

    Që nga fillimi i fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë në 2023, mbi 56,000 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 100,000 janë plagosur, shumica gra dhe fëmijë.

    Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa 1.9 milion palestinezë vazhdojnë të përballen me mungesa të theksuara humanitare.

  • Dështon edhe përpjekja e 39-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

    Dështon edhe përpjekja e 39-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

    Ka zgjatur vetëm rreth dy minuta seanca e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës, duke prodhuar edhe një tjetër dështim në përpjekjen për konstituimin e legjislaturës së re.

    Deputetët nuk votuan as këtë herë për themelimin e komisionit për votim të fshehtë, i cili është kusht për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ky është dështimi i 39-të me radhë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.

    Sipas rezultateve zyrtare të votimit, vetëm 54 deputetë votuan pro themelimit të këtij komisioni – numër që nuk mjafton për ta çuar procesin përpara.

    Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, nuk ka arritur ende të sigurojë shumicën parlamentare për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparlamentare. Edhe propozimi për komisionin e fshehtë është refuzuar vazhdimisht nga partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar.

    Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit është caktuar të mbahet të martën, me fillim nga ora 11:00.

  • Gjykata refuzon të shtyjë gjykimin kundër Netanyahut

    Gjykata refuzon të shtyjë gjykimin kundër Netanyahut

    Një gjykatë në Izrael refuzoi kërkesën e kryeministrit Benjamin Netanyahu, për të shtyrë dëshmimin e tij në gjyqin për korrupsion, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ky rast gjyqësor duhet të anulohet.

    Të enjten, avokati i Netanyahut i kërkoi gjykatës që të mos e thërriste kryeministrin për të dhënë dëshminë për dy javë, duke thënë se atij i duhet të përqendrohet në “çështje të sigurisë” pas luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Gjykata e qarkut në Jerusalem tha në vendimin e publikuar online se “forma aktuale [e kërkesës së Netanyahut] nuk ofron bazë apo justifikim të detajuar për anulimin e seancave dëgjimore”.

    Trump tha të enjten se gjykimi kundër Netanyahut ishte një “gjueti shtrigash”, duke shtuar se gjykimi “duhet të anulohet menjëherë ose të falet ky hero i madh”.

    Netanyahu e ka falënderuar Trumpin për mbështetjen e tij në luftën e shkurtër të Izraelit kundër Iranit, që përfundoi me një armëpushim të arritur më 24 qershor.

    Kryeministri izraelit ka mohuar çdo keqbërje dhe mbështetësit e tij e kanë përshkruar gjykimin si të motivuar politikisht.

    Në rastin e parë penal, ai dhe gruaja e tij, Sara, akuzohen se kanë pranuar më shumë se 260.000 euro në formë të dhuratave luksoze sikurse cigare, bizhuteri dhe shampanja nga miliarderë në këmbim të favoreve politike.

    Në dy raste të tjera, Netanyahu akuzohet se tentoi të negocionte mbulim më favorizues nga dy media izraelite.

    Gjatë mandatit aktual, që e ka nisur në fund të vitit 2022, Qeveria e Netanyahut kishte propozuar një sërë reformash gjyqësore që kritikët thanë se ishin të dizajnuara që të dobësonin rolin e gjykatave.

    Netanyahu ka kërkuar disa herë shtyrje që kur nisi gjykimi ndaj tij në maj të vitit 2020, duke përmendur si arsyetim luftën në Gazë që nisi më 2023 dhe më pas luftimet në Liban, si dhe gjatë këtij muaji konfliktin me Iranin./REL

  • IKShPK-ja paralajmëron: Temperaturat ekstreme rrezikojnë shëndetin, më të rrezikuarit fëmijët dhe punëtorët në terren

    IKShPK-ja paralajmëron: Temperaturat ekstreme rrezikojnë shëndetin, më të rrezikuarit fëmijët dhe punëtorët në terren

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka paralajmëruar për rreziqet shëndetësore që vijnë nga temperaturat e larta, sidomos gjatë muajve të verës, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj grupeve më të ndjeshme të popullatës.

    Sipas IKSHPK-së, më të rrezikuar nga valët e të nxehtit janë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit, si dhe personat me sëmundje kronike. Në këtë listë përfshihen gjithashtu punëtorët që punojnë në ambiente të hapura si në bujqësi, ndërtimtari, mirëmbajtje të rrugëve apo në sektorin emergjent.

    Njoftimi i plotë:

    Informata mbi masat mbrojtëse ndaj ekspozimeve në temperaturat e larta në mjedise të jashtme dhe të brendshme të punës. Temperaturat e larta që mbretërojnë gjatë periudhës së verës ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut e sidomos te grupet e ndjeshme të popullatës siç janë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të sëmurët kronik, të moshuarit dhe punëtorët.

    Këtij rreziku i nënshtrohen edhe personat që punojnë në mjedise të hapura si bujqësi, pylltari, ndërtimtari, pastrim dhe mirëmbajtje të parqeve, mirëmbajtje dhe rregullim të rrugëve, punonjësit e shërbimeve emergjente si dhe profesioneve tjera që ndikohen nga rritja e temperaturave të ambientit të jashtëm.

    Punëtorët në ambiente të brendshme gjithashtu mund të jenë në rrezik, sidomos nëse punojnë në industri të ngarkuara me nxehtësi ose kryejnë punë fizike, ata që punojnë në makineri që operohen nga kabina pa ftohje (p.sh. vinça), ata që kryejnë punë fizike të rëndë ose ata që duhet të përdorin pajisje mbrojtëse personale në kushte të nxehta.

    Mbi kohën e lejuar për punë në ambiente të jashtme në temperatura të larta rekomandojmë që ti referoheni Rregullores MPMS Nr.01/2020 për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, faqe 41 dhe 42, të vendosur në këtë vegëz https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=10181

    Për më tepër informata për mbrojtjen e të punësuarve gjatë temperatura të larta, rekomandojmë që ti referoheni dokumentit “Nxehtësia në punë – Udhëzues për vendet e punës”; të vendosur në këtë vegëz https://mfpt.rks-gov.net/…/b46f1215-2a3c-43b9-8153…

    Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë, efektet në shëndet manifestohen në prishjen e komfortit, djersitje, skuqje dhe djegie të lëkurës, goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellë me ngërçe, vjellje, barkqitje, komplikime më të shpeshta në sistemin kardiovaskular, pulmonar, insuficiencë renale dhe goditje në tru.

  • Qeveria ndan mjete për mërgatën dhe Luginën e Preshevës

    Qeveria ndan mjete për mërgatën dhe Luginën e Preshevës

    Ndërkohë, Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 4 milionë euro për të subvencionuar polisat e sigurimit për bashkatdhetarët që hyjnë në Kosovë me automjete gjatë verës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se nga 1 korriku, të gjithë mërgimtarët do të marrin polisën falas në kufi.

    Subvencionimi vlen për automjetet me deri në nëntë ulëse dhe është pjesë e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Vendimi është miratuar unanimisht nga kabineti qeveritar dhe zbatohet për të pestin vit me radhë.

    Po ashtu, Qeveria ka ndarë 626 mijë euro për mbështetje të shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Fondet përfshijnë bursa studentore, ndihmë për nxënës dhe financim të lobimit ndërkombëtar për të drejtat e tyre.

  • Kurti: Serbia mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan

    Kurti: Serbia mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se Serbia mund të përdorë “elemente destruktive” për të nxitur incidente gjatë festës serbe Vidovdan të shtunën në Gazimestan, rreth 10 kilometra nga kryeqyteti Prishtinë.

    Duke folur në një mbledhje të Qeverisë në detyrë, Kurti tha se Serbia do të përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga protesta antiqeveritare që pritet të zhvillohet të shtunën në Beograd, duke nxitur incidente në Kosovë.

    Serbët nga Kosova, Serbia dhe rajoni tradicionalisht e shënojnë Vidovdanin më 28 qershor në Gazimestan, një monument historik pranë Prishtinës.

    Kurti tha se – sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës – ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë “sa më masiv, prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër”.

    “Grupet e tilla kanë qenë tradicionalisht provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu kundër vlerave demokratike dhe evropiane”, tha Kurti.

    Ai tha se festa e Vidovdanit, “megjithëse me karakter fetar, fatkeqësisht vazhdimisht është përcjell me retorikë politike, nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë”.

    Javë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e shfuqizoi vendimin e Komunës së Graçanicës për shfaqjen e flamurit të Serbisë për nder të Vidovdanit më 2024.

    Në arsyetimin e gjykatës thuhet se komuna ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi ka miratuar një vendim për shfaqjen e flamurit të Serbisë më 28 qershor – ditë që nuk është e përcaktuar si festë zyrtare në Kosovë.

    Kurti tha se tubimet për Vidovdan duhet të mbahen në përputhje me ligjin, “jo të shndërrohen në mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd”.

    Tubimi zakonisht sigurohet nga Policia e Kosovës, ndërsa gjatë viteve të fundit nuk është lejuar të futen flamuj të Serbisë apo simbole të tjera kombëtare, përveç atyre kishtare, pasi përkujtimi organizohet edhe nga Kisha Ortodokse Serbe në nderim të betejës së vitit 1389 kundër ushtrisë osmane.

    Javën e kaluar, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, bëri thirrje për respektimin e të drejtave të komunitetit serb sa i përket përdorimit të simbolit të tyre.

    Ai tha se përdorimi flamurit serb nga serbët “nuk përbën kërcënim ndaj identitetit të askujt, por është dëshmi e përkushtimit të Kosovës si një shoqëri demokratike e bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e akuzoi Kurtin se gjatë seancave në Kuvendin e Kosovës shfaq flamurin kombëtar të Shqipërisë.

    Në një deklaratë, ajo kërkoi nga gjykata që të përdorë “të njëjtat standarde dhe të zbatojë të njëjtin arsyetim edhe në rastet që lidhen me flamurin shqiptar”.

    Vitin e kaluar, festimet e Vidovdanit në Gazimestan kaluan pa ndonjë incident.

    Por, në vitet paraprake ka pasur edhe arrestime për nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare, ndërsa më 2023, Vidovdani nuk u festua në Gazimestan – vendin ku festohet tradicionalisht – për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.

    Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”.

    Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

    Në të njëjtën ditë në vitin 2001, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin e Hagës, i cili e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006, para gjykimit përfundimtar./REL

  • Ngrihet aktakuzë kundër një personi për krime lufte në Gjakovë

    Ngrihet aktakuzë kundër një personi për krime lufte në Gjakovë

    Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit D.R., për veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Hetimet zbuluan se gjatë periudhës 7-10 maj të vitit 1999, i pandehuri ka marrë pjesë në sulm të gjerë dhe të organizuar të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare në Gjakovë, thuhet në njoftim.

    Aty bëhet e ditur se ai ka vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë.

    “Aktakuza e ngarkon të pandehurin me përgjegjësi për vrasjen e tre civilëve shqiptarë, të cilët më pas janë keqtrajtuar fizikisht, si dhe për dëbimin e dhunshëm të civilëve nga shtëpitë e tyre, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronave në disa lagje të qytetit”, bëri të ditur prokuroria.

    Provat kundër të pandehurit përfshijnë dëshmi të viktimave dhe dëshmitarëve okularë, identifikimin e tij përmes fotografive, raporte të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe materiale të tjera të mbledhura gjatë hetimeve.

    I pandehuri ndodhet në paraburgim, ndërsa prokuroria tha se ka kërkuar vazhdimin e kësaj mase, për shkak të rrezikut të arratisjes.

    Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

    Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende në kërkim.

    Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.

    Dhjetë ditë më parë, një person u dënua me 15 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës.

  • Gjermania pezullon për dy vite bashkimin familjar për refugjatët pa status të plotë azili

    Gjermania pezullon për dy vite bashkimin familjar për refugjatët pa status të plotë azili

    Deputetët gjermanë kanë miratuar një ligj të ri që pezullon për dy vite të drejtën e bashkimit familjar për refugjatët që nuk kanë status të plotë azili.

    Sipas raportimit të AFP-së, kjo masë është pjesë e politikave të reja të qeverisë së kancelarit Friedrich Merz, të cilat synojnë të frenojnë emigracionin në Gjermani.

    Sipas ligjit të miratuar në Bundestag, refugjatët që gëzojnë mbrojtje dytësore nuk do të kenë të drejtë që për dy vjet t’i sjellin familjarët e tyre në Gjermani.

    AFP sqaron se mbrojtja dytësore u jepet atyre që nuk përmbushin kriteret për azil politik, por që përballen me rrezik torture apo dënimi me vdekje në vendet e tyre të origjinës, ndaj u lejohet qëndrimi i përkohshëm për arsye humanitare.

    Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, ka deklaruar në Bundestag se ky vendim reflekton prioritetin e qeverisë për “njerëzi dhe rregull” në politikat e migrimit.

    “Ndërkohë që Gjermania mbetet e hapur ndaj botës, kapacitetet e sistemeve tona sociale kanë kufijtë e tyre,” ka thënë Dobrindt.

    Ai ka shtuar më tej se sistemet e arsimit, strehimit dhe kujdesit shëndetësor janë nën presion të madh, ndaj emigracioni duhet të kufizohet në përputhje me kapacitetet që ekzistojnë.

  • Gruda: PDK-ja kërkon rikthim të votimit të hapur

    Gruda: PDK-ja kërkon rikthim të votimit të hapur

    Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, tha Lëvizja Vetëvendosje nuk po bën asnjë veprim drejt zhbllokimit të situatës në konstituimin e Kuvendit.

    Gruda tha se takimi i thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk është kompromis politik.

    Sipas tij, zgjidhja është kthimi në votim të hapur pasi sipas tij, këtë frymë e përfaqëson edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese./REL

  • LDK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Kurti

    LDK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Kurti

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se LDK-ja do të marrë pjesë në takimin e liderëve të ftuar nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

    Megjithatë, Bajrami ka kritikuar mungesën e bashkëpunimit nga VV, duke thënë se Kurti nuk u përpoq të vinte nga salla plenare në sallën ku ishin të pranishëm liderët e partive të tjera.

    “LDK-ja do të marrë pjesë nesër në takim pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Vetëm para pesë minutave Kurti nuk e mori mundin që të vinte nga salla plenare deri te salla numër 10, ku ishin prezentë të gjithë liderët e partive politike,” tha ajo.