ATV

Author: G.O.

  • Kushtet ekstreme të motit, dy viktima nga vala e nxehtë në Itali

    Kushtet ekstreme të motit, dy viktima nga vala e nxehtë në Itali

    Dy persona kanë humbur jetën në Itali si pasojë e kushteve ekstreme të motit, ndërsa një valë intensive të nxehti ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës.

    Një 47-vjeçar ndërroi jetë në Bolonjë pasi u sëmur gjatë punës në një kantier ndërtimi. Sindikatat Cgil Bologna dhe Fillea-Cgil kanë kërkuar masa urgjente për mbrojtjen e punëtorëve të ekspozuar ndaj temperaturave ekstreme, duke theksuar se kriza klimatike po i përkeqëson ndjeshëm kushtet e punës në ambiente të hapura.

    Ndërkohë, në Bardonecchia, pranë Torinos, një 70-vjeçar humbi jetën pasi u përfshi nga një përmbytje e menjëhershme. Sipas raportimeve të mediave lokale, ai u mbyt pasi u rrëmbye nga uji pasi kishte dalë nga makina e tij.

    Autoritetet lokale janë në gatishmëri për shkak të kushteve ekstreme të motit që parashikohet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

  • Sot vendosen gurthemelët për dy ura mbi lumin Ibër, pjesëmarrës edhe Kurti

    Sot vendosen gurthemelët për dy ura mbi lumin Ibër, pjesëmarrës edhe Kurti

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pritet të vendosë sot gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, në Mitrovicë. Ai do të shoqërohet nga ministra të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut.

    Ceremonia nis në orën 17:00 me vendosjen e gurthemelit për urën e automjeteve në pjesën veriore, për të vijuar me ecjen e përbashkët drejt lokacionit të urës për këmbësorë, pranë kopshtit “Gëzimi ynë” në jug. Urat janë pjesë e një marrëveshjeje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe dy komunave.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian, në një përgjigje për ATV-në, ka konfirmuar se është duke kryer një vlerësim teknik të urës kryesore mbi Ibër, duke theksuar se çdo vendim duhet të bazohet në të dhëna të sakta dhe në marrëveshjet e dialogut me Serbinë.

    BE-ja ka paralajmëruar qeverinë që të shmangë veprimet e njëanshme në veri, përfshirë edhe ndërtimin e këtyre dy urave.

  • Konstituimi i Kuvendit dështon për herë të 40-të

    Konstituimi i Kuvendit dështon për herë të 40-të

    Për herë të 40-të me radhë ka dështuar konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë, por mungesa e kuorumit për votimin e komisionit që mundëson votimin e fshehtë e bëri të pamundur vazhdimin e seancës.

    Kryesuesi Avni Dehari u kërkoi partive politike të propozojnë emrat për përbërjen e komisionit, por diskutimi u shoqërua me tensione në sallë. Mikrofonët iu ndërprenë disa deputetëve që kërkuan fjalën jashtë pikës së rendit të ditës.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i bëri thirrje Deharit të respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kolegu i saj nga LDK, Armend Zemaj, përsëriti të njëjtën kërkesë.

    Në mbështetje të tyre reagoi edhe deputetja Sala Jashari, e cila kundërshtoi ndërprerjen e fjalës së kolegëve.

    Në fund, deputetja Time Kadrijaj njoftoi se AAK ka ndryshuar qëndrim dhe propozon Albin Kurtin si anëtar të komisionit.

    Pavarësisht 51 votave pro, komisioni nuk mori mbështetjen e nevojshme. Seanca u ndërpre, ndërsa Dehari njoftoi se Kuvendi do të mblidhet sërish më 3 korrik në orën 11:00, në përputhje me afatin 30-ditor të vendosur nga Kushtetuesja.

  • Profesori Krasniqi deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për ngacmim seksual

    Profesori Krasniqi deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për ngacmim seksual

    Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, profesori i pezulluar Xhevat Krasniqi është deklaruar i pafajashëm lidhur me akuzën për ngacmim seksual.

    “Absolutisht i pafajshëm”, u deklarua Krasniqi.

    Deklarimin lidhur me fajësinë, i akuzuari e bëri pasi që prokurori Blerim Igrishta e lexoi aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Pas kësaj, gjyqtari i rastit Bujar Ahmeti ndërpreu seancën dhe njoftoi të akuzuarin për afatin e kundërshtimin të provave.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 10 prill 2025, Xhevat Krasniqi ngarkohet se në cilësinë e profesorit të matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, gjatë periudhës kohore nga janari i vitit 2022 në vazhdimësi deri në dhjetor të vitit 2023 në objektin e Fakultetit në Universitetin e Prishtinës, është përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër. Ngarkohet se katër studente i ka ngacmuar seksualisht me fjalë.

    Për këtë, Krasniqi ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ngacmimi seksual” nga neni 183, paragrafi3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

    Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” më 23 prill 2024 ka njoftuar se pas rekomandimit nga Këshilli i Etikës së Universitetit, është marrë vendim të pezullullohet nga puna profesor Xhevat Krasniqin, i denoncuar për ngacmim seksual.

  • 4 vjet burg për zyrtarin policor që e goditi për vdekje Zana Gjevukajn

    4 vjet burg për zyrtarin policor që e goditi për vdekje Zana Gjevukajn

    Sot është bërë shpallja e aktgjykimit ndaj zyrtarit policor, Argjend Kastrati, i akuzuar për aksidentin me fatalitet ku vdiq 26-vjeçarja Zana Gjevukaj.

    Kastrati është dënuar me 4 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Pejë.

    Në seancën e fundit, polici shprehu pendesën dhe i kërkoi falje familjes së vajzës për rastin tragjik.

    Aksidenti ndodhi më 1 prill, në Qyshk të Pejës, ku i akuzuari goditi për vdekje me veturë të ndjerën, duke i shkaktuar plagë të rënda.

  • Gresa Behluli shuan thashethemet për ndarje nga bashkëshort

    Gresa Behluli shuan thashethemet për ndarje nga bashkëshort

    Këngëtarja e njohur Gresa Behluli ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin “The Elite Way” në “ATV”, ku përveç muzikës ka prekur edhe disa detaje nga jeta e saj personale.

    Gresa, e cila prej vitesh mban një profil të rezervuar sa i përket jetës private, ka vendosur të sqarojë zërat që kanë qarkulluar kohëve të fundit.

    Prej disa javësh, kanë qarkulluar thashetheme për një ndarje të mundshme mes këngëtares dhe bashkëshortit të saj, i cili nuk është i ekspozuar në publik. Megjithatë, Gresa ka mohuar këto zëra gjatë intervistës.

    E njohur për karrierën e saj në skenën muzikore shqiptare dhe për ruajtjen e privatësisë, Gresa Behluli vazhdon të mbetet një ndër emrat e dashur për publikun, duke i lënë jetës personale hapësirë larg vëmendjes mediatike.

     

  • Ngërçi politik në Kuvend – Osmani i fton sërish në takim liderët e partive politike

    Ngërçi politik në Kuvend – Osmani i fton sërish në takim liderët e partive politike

    Në mungesë të një marrëveshjeje politike mes partive, presidentja Vjosa Osmani ka ftuar sërish në një takim konsultativ liderët e partive kryesore në vend, për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit.

    Takimi pritet të mbahet më 3 korrik.

    Ndryshe gjatë ditës së djeshme këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, tha se Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditës. Ndërsa shtoi se presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë, nëse ka nevojë.

    Takimi i parë i ftuar nga Osmani për të njëjtën çështje, u mbajt para gjashtë javësh.

  • Kos: Kosova duhet të formojë qeverinë për të avancuar në procesin e anëtarësimit

    Kos: Kosova duhet të formojë qeverinë për të avancuar në procesin e anëtarësimit

    Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, tha për Kosovën se po presin formimin e qeverisë së re “për t’u fokusuar me energji të plotë në procesin e anëtarësimit”.

    Tek foli për Planin e Rritjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor, rreth 6 miliardë euro në formë granti nga BE-ja dhe një pjesë në formë kredie, ajo tha se tani gjithçka është në duart e shteteve të Ballkanit.

    Kosova parashihet të marrë rreth 900 milionë euro nga kjo pako. Procesi është bllokuar në mungesë të konstituimit të Kuvendit.

    Kos shtoi se shtetet e Bashkimit Evropian kanë konsensus për zgjerim tani.

    “Ka konsensus për zgjerim tani. Por dritarja e mundësisë, mund të mos jetë aty përherë. Po shohim përparim”, tha ajo, teksa theksoi përparimin e Shqipërisë me hapjen e negociatave muajve të fundit.

  • E mitura denoncon të fejuarin për dhunë, dyshohet se dhuna ndodhi gjatë qëndrimit të saj në Gjermani

    E mitura denoncon të fejuarin për dhunë, dyshohet se dhuna ndodhi gjatë qëndrimit të saj në Gjermani

    Një vajzë 17-vjeçare nga fshati Shalë ka raportuar në Polici një rast të rëndë të dhunës në familje, duke denoncuar të fejuarin e saj për keqtrajtim fizik dhe psikik.

    Sipas viktimës, dhuna dyshohet se ka ndodhur gjatë dy vizitave në Gjermani, ku ndodhej i fejuari.

    Ajo ka deklaruar se dhuna kishte nisur në muajin mars dhe kishte përshkallëzuar më 19 maj, gjatë qëndrimit të dytë në shtëpinë e të fejuarit. Pas kthimit në Kosovë, e mitura ka pranuar trajtim mjekësor dhe ka paraqitur rastin në Stacionin Policor më 30 qershor.

    Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, është iniciuar rasti për veprën penale “dhunë në familje”, ndërsa janë nisur veprimet për sigurimin e pranisë së të dyshuarit, i cili aktualisht gjendet jashtë vendit.

  • Ndalet me BMW X6 në Pejë, 19-vjeçarit i gjendet armë e mbushur nën ulësen e shoferit

    Ndalet me BMW X6 në Pejë, 19-vjeçarit i gjendet armë e mbushur nën ulësen e shoferit

    Një 19-vjeçar është ndaluar nga Policia e Kosovës në Pejë, pasi në veturën që ai po drejtonte u gjet një armë zjarri me municion. Rasti ka ndodhur mbrëma pas mesnate, në rrugën “Besnik Lajqi”.

    Gjatë kontrollit rutinë të një veture të tipit BMW X6, të cilën e drejtonte i riu me inicialet Gj.K., policia ka gjetur nën ulësen e shoferit një armë zjarri të mbushur me karikator dhe fishekë. I dyshuari nuk posedonte leje, andaj arma është konfiskuar.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është hapur procedurë për veprën penale “Mbajtje pa leje e armës”. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitë përkatëse.