ATV

Author: G.O.

  • SBAShK-u paralajmëron se shtatori mund të nisë me grevë të përgjithshme

    SBAShK-u paralajmëron se shtatori mund të nisë me grevë të përgjithshme

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka paralajmëruar se viti i ri shkollor mund të nisë me greva të përgjithshme.

    Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se SBAShK-u ka analizuar situatën aktuale politike, nga ku ka kritikuar qasjen e partisë fituese të zgjedhjeve.

    Kjo sindikatë ka theksuar se për shkak të mosformimit të institucioneve po lihen anash interesat e punëtorëve të sektorit publik e privat.

    “Në vend të trajtimit serioz të kërkesave të grupeve të punësuar, përfshirë edhe ato të punëtorëve të arsimit, kjo parti po i jep më shumë rëndësi çështjeve të emërimeve sesa zgjidhjes së problemeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Si pasojë, është krijuar një boshllëk institucional, ku nuk ka se kujt t’i adresohen kërkesat e punëtorëve arsimor”, thuhet në njoftim.

    Bëhet e ditur se SBASHK-u ka intensifikuar komunikimin me udhëheqësit sindikalë nëpër komunat e vendit, nga çerdhet, shkollat fillore e të mesme, deri te universitetet, dhe unanimisht është vendosur që të nisin përgatitjet për mbajtjen e një Kongresi të jashtëzakonshëm.

    “Ky Kongres do të ketë karakter vendimmarrës për veprime të mëtejshme sindikale. Në të do të shqyrtohet dhe vendoset qartë nëse muaji shtator do të shënojë fillimin e vitit të ri shkollor, apo do të jetë fillimi i veprimeve sindikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme në tërë sistemin arsimor të Kosovës. SBASHK-u mbetet i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e çdo punëtori të Arsimit dhe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të veprojnë me përgjegjësi, të hapin rrugë dialogut dhe të japin zgjidhje konkrete për kërkesat e punëtorëve arsimorë”, thuhet në njoftim.

  • Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Presim që zgjidhja të bëhet nëpërmjet insistimit për shumicë politike

    Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Presim që zgjidhja të bëhet nëpërmjet insistimit për shumicë politike

    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.

    Ai u shpreh se presim që zgjidhja të bëhet nëpërmjet insistimit për shumicë politike.

    “Tashmë e dini dhe pozicionin tonë të Lidhjes Demokratike të Kosovës rreth çështjes aktuale të konstituimit të institucioneve të Republikës. Ne kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë sa i përketë mënyrës së votimit, por mbi të gjitha është i qartë sa i përketë thelbit të problemit”.

    “Thelbi i problemit është se i takon partisë së parë, grupit më të madh parlamentar, deputetit Kurti si prijës i këtij grupi që të propozojë, por njëkohësisht edhe të krijojë shumicën parlamentare dhe në këtë vijë ne presim që zgjidhja të bëhet nëpërmjet insistimit për shumicë politike e më pas për respektim të domosdoshëm të procedurave kushtetuese që tashmë janë edhe rregulla ligjore”, u shpreh ai.

  • Shtyhet procesi gjyqësor ndaj Netanyahut, shkak vizita në ShBA

    Shtyhet procesi gjyqësor ndaj Netanyahut, shkak vizita në ShBA

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk do të dëshmojë javën e ardhshme në procesin gjyqësor penal kundër tij, për shkak të një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara. Shtyrja e dëshmisë u kërkua nga ekipi i tij mbrojtës dhe u miratua nga prokuroria, e cila aktualisht ndodhet në fazën e marrjes në pyetje të kryeministrit.

    Megjithatë, prokuroria kërkoi shtimin e ditëve të gjyqit për të kompensuar vonesën, duke pasur parasysh se gjykatat izraelite do të hyjnë në pushim veror nga 21 korriku deri më 5 shtator. Sipas vendimit të mëparshëm të gjykatës, Netanyahu do të dëshmonte më 21 dhe 22 korrik, por këto data tani janë në pikëpyetje, raporton Euronews.al.

    Netanyahu pritet të udhëtojë të dielën drejt Uashingtonit dhe të kthehet në fund të javës. Gjatë vizitës, ai ka të planifikuar takime me një sërë zyrtarësh të lartë amerikanë, përfshirë Presidentin Donald Trump, Zëvendëspresidentin JD Vance, Sekretarin e Shtetit, Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare Marco Rubio, si dhe të dërguarin për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, dhe përfaqësues të Senatit dhe Kongresit amerikan.

    Netanyahu po përballet me akuza për korrupsion, mashtrim dhe abuzim me besimin publik, në një proces gjyqësor që ka zgjatur disa vite dhe që ka dominuar skenën politike izraelite.

  • Pas Kurtit, Osmani nis takimin me Krasniqin

    Pas Kurtit, Osmani nis takimin me Krasniqin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në kuadër të përpjekjeve për të tejkaluar ngërçin politik që ka bllokuar konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

    Takimi me kryetarin e PDK-së vjen pas atij të zhvilluar me kryeministrin në detyrë dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

    Pas takimit me Osmanin, Kurti: Do të bëjmë çmos ta konstituojmë Kuvendin në frymën e bashkëpunimit

  • Pas takimit me Osmanin, Kurti: Do të bëjmë çmos ta konstituojmë Kuvendin në frymën e bashkëpunimit

    Pas takimit me Osmanin, Kurti: Do të bëjmë çmos ta konstituojmë Kuvendin në frymën e bashkëpunimit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se synojnë që Kuvendi i ri të konstituohet brenda muajit korrik, në përpjekje për të kapur afatin kushtetues dhe për të hapur rrugën drejt formimit të institucioneve të reja.

    Deklaratat Kurti i bëri pas takimit që zhvilloi për afro dy orë me presidenten Vjosa Osmani, të mërkurën, në kuadër të raundit të takimeve që ajo po zhvillon me liderët politikë për të tejkaluar krizën institucionale që ka bllokuar Kuvendin.

    “Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re”, deklaroi Kurti pas takimit.

    Ai tha se me presidenten u diskutuan të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit dhe vlerësimin e situatës aktuale politike.

    Kurti shtoi se është e rëndësishme që të përfundojnë takimet e presidentes me përfaqësuesit e partive tjera për të parë nëse mund të arrihet një përparim i qëndrueshëm.

    “Besoj duhet t’i japim shans edhe takimeve të tjera, e më pas të shohim cili është progresi”, u shpreh Kurti.

  • Hovenier: Kosovën e ndihmuam të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit fashist të Millosheviqit

    Hovenier: Kosovën e ndihmuam të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit fashist të Millosheviqit

    USAID përmbyll misionin e saj historik pas gjashtë dekadash shërbimi global, ndërsa ish-ambasadori i SHBA-së në Prishtinë e cilëson Kosovën si një shembull të suksesit të agjencisë amerikane, veçanërisht pas luftës së vitit 1998-1999.

    Pasi Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) njoftoi se ka përmbyllur aktivitetet e saj, ish-ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, reagoi duke shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e rëndësishëm që USAID ka pasur në zhvillimin dhe ngritjen e Kosovës pas luftës.

    “Dua të shpreh solidaritetin dhe mirënjohjen time për të gjithë kolegët, veçanërisht ata nga USAID-i, për gjithçka që kanë bërë për këtë komb, sidomos në një vend si Kosova, popullin e të cilit e kemi ndihmuar të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit të ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviqit, dhe për të ndërtuar një shoqëri funksionale, demokratike dhe të suksesshme,” ka deklaruar Hovenier.

    Po ashtu, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka njoftuar se USAID-i ka përmbyllur zyrtarisht aktivitetet e saj, duke shënuar një fund historik për agjencinë e ndihmës së jashtme të SHBA-së pas më shumë se gjashtë dekadash shërbimi global.

    USAID-i ka luajtur një rol kyç në Kosovë, dhe që nga paslufta ka investuar mbi 1 miliard dollarë në vend, duke financuar një sërë aktivitetesh, përfshirë mbështetjen e forcimit të sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe demokracisë, krahas përmirësimit të arsimit, gjithpërfshirjes e llogaridhënies, si dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

  • Rriten për 3% remitencat në Kosovë në periudhën janar–maj

    Rriten për 3% remitencat në Kosovë në periudhën janar–maj

    Të hollat nga diaspora në Kosovë arritën në 530 milionë euro gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025, nga 513 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëri të ditur Banka Qendrore, duke cituar të dhëna paraprake.

    Vetëm gjatë muajit maj, dërgesat nga jashtë u rritën për 7% në baza vjetore, duke kapur shumën prej 126.6 milionë eurosh, thuhet në publikimin e të dhënave të së martës nga Banka Qendrore.

    Krahasuar me muajin prill, dërgesat në maj shënuan një rritje prej 13%.

    Gjatë vitit 2024, dërgesat e huaja në Kosovë ishin rritur me 1.1%, duke arritur në gjithsej 1.35 miliardë euro.

  • Kulla e Eiffelit mbyllet për turistët për shkak të të nxehtit përvëlues

    Kulla e Eiffelit mbyllet për turistët për shkak të të nxehtit përvëlues

    Një valë e të nxehtit detar në Detin Mesdhe po kombinohet me një “kupolë të nxehtësisë” shumë të fuqishme, duke bërë që Europa të përvëlohet nga një valë e të nxehtit të egër që ka nisur që në fillim të verës.

    Ky është një model që po përsëritet gjithnjë e më shpesh me ngrohjen e planetit: ndikimi i valëve të të nxehtit detar në Mesdhe është bërë më i theksuar gjatë verave të fundit, me temperaturat e larta të detit që luajnë rol në rritjen e temperaturave në tokë, duke kontribuar në përmbytje vdekjeprurëse dhe zjarrfikëse shkatërruese.

    Kjo situatë po ndihmon në shtimin e lagështisë që lëviz drejt veriut dhe po mban temperaturat të larta edhe gjatë natës në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit.

    Kjo valë e të nxehtit, e cila përfshin edhe rrjedhjen e ajrit të nxehtë nga Afrika drejt veriut, po e përforcon njëkohësisht edhe valën e të nxehtit detar përmes një cikli reagimi të ndërsjellë.

    Në Spanjë dhe Portugali janë thyer rekorde temperaturash, ndërsa shumë zona të Europës pritet të përballen me rekorde të reja deri të mërkurën, me përshkallëzimin e valës së të nxehtit.

    E gjithë Franca është përfshirë nga të nxehtit përvëlues. Sipas të dhënave paraprake të Météo France, disa qytete dhe fshatra përjetuan temperatura mbi 38°C të hënën.

    Një paralajmërim i kuq për valën e të nxehtit – niveli më i lartë i alarmit – është në fuqi të martën për 16 rajone administrative franceze (départements), përfshirë edhe Île-de-France, ku ndodhet Parisi. Kulla Eiffel është mbyllur për vizitorët në majën e saj të martën dhe të mërkurën, ndërsa stafi i ka kërkuar turistëve të marrin masa mbrojtëse gjatë kësaj të nxehtës ekstreme.

    “Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar”, shkruan stafi në faqen zyrtare të monumentit. “Gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta, ju lutemi mbrojeni veten nga dielli dhe qëndroni të hidratuar në mënyrë të rregullt”.

    Edhe Mbretëria e Bashkuar po përvëlohet, duke përjetuar aktualisht valën e dytë të të nxehtit për këtë verë. Temperaturat kanë kaluar 32°C të hënën, duke krijuar kushte shumë të vështira, sidomos në një vend ku më pak se 5% e shtëpive janë të pajisura me ajër të kondicionuar.

    “Vala aktuale e të nxehtit nga fundi i qershorit deri në korrik po i ekspozon miliona europianë ndaj stresit të lartë nga nxehtësia”, tha Samantha Burgess, drejtuese strategjike për klimën në Qendrën Europiane për Parashikime Afatmesme të Motit (ECMWF), në një deklaratë.

    “Temperaturat që kemi parë kohët e fundit janë më të zakonshme për muajt korrik dhe gusht, dhe zakonisht ndodhin vetëm disa herë gjatë verës”.

    Rekorde të reja temperaturash pritet të thyhen të martën dhe të mërkurën edhe në Gjermani, ndërsa kupola e të nxehtit po shtrihet drejt lindjes, përpara se një sërë frontesh të ftohta të fillojnë të hyjnë nga Europa Veriperëndimore për të sjellë pak freski.

    Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po bëjnë që valët e të nxehtit të bëhen më të shpeshta, më intensive dhe më të zgjatura. Europa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, duke u ngrohur dyfish më shpejt se pjesa tjetër e globit. Po ashtu, ndryshimet klimatike po çojnë edhe në valë të nxehtit detar më të shpeshta dhe më të forta.

  • Ngërçi politik në Kuvend, Presidentja Osmani takohet me Kurtin

    Ngërçi politik në Kuvend, Presidentja Osmani takohet me Kurtin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës.

    Ky është takimi i dytë që presidentja po zhvillon me subjektet politike, pas konsultimeve të para që ishin mbajtur në një format të përbashkët me të gjithë liderët partiakë. Ndryshe nga hera e kaluar, kësaj radhe takimet po mbahen ndaras me secilin lider.

    Pas takimit me kryetarin Kurti, presidentja Osmani pritet të zhvillojë takime të ndara edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

  • Polici bën apel: Shmangni ndezjen e zjarreve në këto temperatura të larta

    Polici bën apel: Shmangni ndezjen e zjarreve në këto temperatura të larta

    Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për kujdes të shtuar nga rreziku i zjarreve, të cilat çdo vit shkaktojnë pasoja serioze në jetë njerëzish, mjedis dhe pronë.

    Autoritetet kërkojnë nga qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies në mënyrë të menjëhershme.

    Policia paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj kujtdo që, me qëllim apo nga pakujdesia, shkakton rrezik për jetën ose pronën publike dhe private.

    Policia e rajonit të Pejës bën thirrje për kujdes maksimal në çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr.

    “Duke iu referuar temperaturave të larta, dhe përvojave nga vitet e kaluara, zjarret shkaktojnë rrezikim të përgjithshëm dhe pasoja të rënda kudo që shfaqen. Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë apo lajmërojnë autoritetet për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të tilla të zjarrvënieve. Policia e Kosovës do të ndërmerr masa ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht apo përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme”, thuhte në njoftimin e Policisë së Kosovës.