ATV

Author: G.O.

  • Studentët paralajmërojnë bllokada në qytetet kryesore në Serbi, protestojnë ndaj dhunës policore dhe kërkojnë zgjedhje të reja

    Studentët paralajmërojnë bllokada në qytetet kryesore në Serbi, protestojnë ndaj dhunës policore dhe kërkojnë zgjedhje të reja

    Studentët në Serbi kanë nisur sot një bllokadë të plotë të Beogradit dhe qyteteve të tjera të mëdha, në shenjë proteste ndaj dhunës dhe arrestimeve nga policia.

    Në një faqe online, ata kanë bërë thirrje për mosdhunë dhe për zhvendosje pa rezistencë në rast të ndërhyrjes së forcave të rendit.

    Si arsye të protestës përmendet dhuna ndaj studentëve ditët e fundit dhe tentimi i policisë për të hyrë me forcë në Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë, presidenti Aleksandar Vuçiç e ka cilësuar bllokadën si veprim të paligjshëm që shkel Kushtetutën dhe Kodin Penal.

    Bllokadat janë planifikuar të zhvillohen në të njëjtën kohë në dhjetëra pika të qyteteve, si pjesë e një reagimi të organizuar nga studentët dhe qytetarët, të cilët kërkojnë zgjedhje të reja parlamentare.

  • Arrestohen 4 persona për sulm fizik në Mitrovicë, dy viktima marrin trajtim mjekësor

    Arrestohen 4 persona për sulm fizik në Mitrovicë, dy viktima marrin trajtim mjekësor

    Katër persona janë arrestuar në Mitrovicën e Jugut pas një incidenti fizik të ndodhur të mërkurën paradite.

    Të dyshuarit, tre meshkuj dhe një femër, dyshohet se kanë sulmuar një burrë dhe një grua pas një mosmarrëveshjeje.

    Sipas Policisë, si pasojë e sulmit, viktimat kanë pranuar tretman mjekësor për lëndime të lehta trupore. Autoritetet kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndaluar të dyshuarit.

    Me vendim të prokurorit të rastit, dy prej të dyshuarve janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për rrethanat e konfliktit janë duke vazhduar.

  • Presidentja Osmani uron ShBA-në për Ditën e Pavarësisë: “Nga populli më pro-amerikan në botë”

    Presidentja Osmani uron ShBA-në për Ditën e Pavarësisë: “Nga populli më pro-amerikan në botë”

    Presidentja Vjosa Osmani, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar se urimi vjen “nga populli më pro-amerikan në botë”, duke theksuar lidhjet e ngushta dhe historike ndërmjet dy vendeve.

    Urime për këtë ditë kanë shprehur edhe misioni i NATO-s në Kosovë dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. KFOR-i ka kujtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga 33 shtetet që kontribuon me trupa në misionin paqeruajtës në Kosovë, ndërsa Haradinaj e ka cilësuar SHBA-në si aleate historike dhe mike të pazëvendësueshme për Kosovën.

    Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shënohet më 4 korrik, në përkujtim të ratifikimit të Deklaratës së Pavarësisë në vitin 1776. Festa kombëtare në SHBA tradicionalisht përcillet me parada, tubime publike dhe fishekzjarrë, duke simbolizuar lindjen e një shteti të ri demokratik.

  • Gjendet e vdekur një grua në Prishtinë, Policia nis hetimet

    Gjendet e vdekur një grua në Prishtinë, Policia nis hetimet

    Një grua është gjetur pa shenja jete në Prishtinë gjatë orëve të mesditës, në një rast që është cilësuar si “vdekje e dyshimtë” nga autoritetet.

    Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje, rreth orës 13:46.

    Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitet përkatëse, ku është konstatuar vdekja e viktimës nga ekipi mjekësor.

    Me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes janë duke vazhduar.

  • Dy viktima nga zjarret pyjore në Turqi – dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

    Dy viktima nga zjarret pyjore në Turqi – dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

    Zjarret masive që kanë përfshirë Turqinë perëndimore po shkaktojnë pasoja të rënda. Deri më tani janë konfirmuar dy viktima, përfshirë një operator ekskavatori, Ibrahim Demir, i cili humbi jetën duke luftuar me flakët në Izmir, dhe një 81-vjeçar që u gjet i pajetë në shtëpinë e tij të përfshirë nga zjarri.

    Situata mbetet kritike, pasi zjarret janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave ekstreme, lagështisë së ulët dhe erërave të forta. Deri tani janë evakuuar mbi 50.000 persona dhe janë dëmtuar rreth 200 banesa në zonat e prekura, përfshirë edhe Antalian turistike dhe periferitë e Stambollit.

    Ndërkohë, një grup i panjohur më parë me emrin “Fëmijët e Zjarrit”, ka marrë përgjegjësinë për dhjetëra zjarrvënie në gjashtë qytete të Turqisë, duke pretenduar lidhje me PKK-në – organizatë e shpallur terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE. Deri tani, PKK nuk ka dhënë asnjë koment mbi këtë pretendim.

    Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ibrahim Yumakli, tha se vetëm javën e kaluar kanë shpërthyer 624 zjarre, nga të cilat 621 janë vënë nën kontroll, ndërsa për pjesën tjetër po punohet me helikopterë dhe avionë në terrene të vështira malore.

    Autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë dhe i bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e emergjencës.

  • Organizata Botërore Meteorologjike: Valët e nxehtësisë do të bëhen më të shpeshta, bota duhet të mësohet me to

    Organizata Botërore Meteorologjike: Valët e nxehtësisë do të bëhen më të shpeshta, bota duhet të mësohet me to

    Vala e nxehtësisë që ka përfshirë Evropën Jugore tash e disa ditë ka shkaktuar edhe viktimat e para, me 6 persona që kanë humbur jetën në Itali dhe Spanjë, si pasojë e temperaturave ekstreme.

    Temperaturat e larta, që arritën deri në 34 gradë në Napoli, kanë prekur qytetet më të mëdha, ndërsa shkalla e lagështisë ka arritur nivele të rrezikshme, veçanërisht gjatë natës.

    Temperaturat e sipërfaqes së detit në Mesdhe kanë arritur nivele rekord për muajin qershor, duke shënuar 26.01°C më 29 qershor, sipas të dhënave të Copernicus. Vala e nxehtësisë po vazhdon të përhapej drejt lindjes, duke goditur qytete të tilla si Paris, Romë, Berlin, dhe Vjenë, që po përjetojnë temperatura rekord.

    Në ndërkohë, Organizata Botërore Meteorologjike ka paralajmëruar se këto valë të nxehtësisë do të ndodhin më shpesh dhe me intensitet më të lartë, si pasojë e ndryshimeve klimatike, dhe se bota duhet të mësohet të jetojë me normalitetin e ri të valëve ekstreme të nxehtësisë.

    LEXONI EDHE:

    I nxehti ekstrem shkakton viktima në Itali e Francë, alarm në shumë qytete

  • Konfirmohet rasti i parë i murtajës së rumanitëve të vegjël në Kosovë, AUV-i merr masa

    Konfirmohet rasti i parë i murtajës së rumanitëve të vegjël në Kosovë, AUV-i merr masa

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar prezencën e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në një fermë në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.

    Pas marrjes së njoftimit për dyshimet e para, janë dërguar menjëherë inspektorët e mjekësisë veterinare, të cilët kanë kufizuar lëvizjen në fermën e dyshuar dhe kanë marrë mostrat për testim.

    Përmes një njoftimi të publikuar, AUV ka bërë të ditur se Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar praninë e sëmundjes mëngjesin e datës 3 korrik 2025. Mostrat e marra nga fermat përreth kanë rezultuar negative.

    Pas konfirmimit të sëmundjes, fshati Landovicë është shpallur si vatër e infektuar, ndërsa një zonë karantine është vendosur në një perimetër prej 3 km përreth fermës së prekur.

    AUV ka ndaluar lëvizjen e kafshëve, transportin dhe qarkullimin e produkteve dhe nënprodukteve të kafshëve brenda kësaj zone. Fermat përreth janë vendosur nën hetim epidemiologjik për të identifikuar burimin e infektimit dhe çdo mundësi kontakti me fermën e infektuar.

    Janë vend në zbatim masat e biosigurisë ne ferma, si dhe dezinfektimi i fermave dhe zonave përreth sipas protokolleve veterinare.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me datë 03.07.2025 ka nxjerrë ‘’Vendim’’ me nr. 01/537/2025 Për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes PPR (Murtaja e Ruminantëve të Vegjël). Bazuar në Ligjit Nr. 2004/21 për Veterinarinë.”, thuhet tutje në njoftim.

  • Temperaturat e larta, MSh-ja rekomandon masa mbrojtëse për punëtorët

    Temperaturat e larta, MSh-ja rekomandon masa mbrojtëse për punëtorët

    Ministria e Shëndetësisë iu ka rekomanduar institucioneve publike dhe atyre private t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve në temperatura të larta.

    Sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, institucionet duhet t’i përshtatin oraret për të punësuarit e tyre dhe sipas mundësisë të aplikohet orari fleksibil, duke iu lejuar punëtorëve që të nisin punën më herët ose të punojnë nga shtëpia.

    Po ashtu, në rekomandim thuhet se shtatzënat të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë. Vendimi do të jetë në fuqi deri më 10 korrik.

  • I nxehti ekstrem shkakton viktima në Itali e Francë, alarm në shumë qytete

    I nxehti ekstrem shkakton viktima në Itali e Francë, alarm në shumë qytete

    Vala rekord e të nxehtit që ka prekur Italinë dhe pjesën më të madhe të Evropës me temperatura që kalojnë 40 gradë ka shënuar viktimat e para në shtetin fqinj. Mediat italiane bëjnë të ditur se 4 persona kanë humbur jetën shkak të nxehtësisë ekstreme; dy viktima në Sardenjë, një në Lombardi dhe një tjetër në Liguria.

    Një shofer kamioni 70-vjeçar u gjet i pajetë në automjetin e tij të parkuar në autostradën A4, midis Sirmiones dhe Peschiera del Garda, në provincën e Brescias. Sipas rindërtimeve fillestare, ai u godit nga një atak në zemër dhe nuk mund të përjashtohet që temperaturat e larta kontribuan në shkaktimin e sëmundjes fatale.

    Nxehtësia ekstreme do të vijojë 3 edhe në ditët në vijim dhe autoritete në Itali kanë dhënë alarmin maksimal për rrezikun e nxehtësisë për 18 qytete.

    Ndërkohë situata është e ndryshme në Toskanë, ku vapa e madhe i ka lënë vendin stuhive dhe breshrit që, sipas parashikimeve, mund të ndodhë përsëri në ditët në vijim.

    Ndërkohë në Francë, një vajzë 10-vjeçare amerikane, me origjinë nga shteti i Virxhinias, vdiq nga një atak në zemër, ndoshta për shkak të goditjes nga nxehtësia

    Vajza e vogël ishte me pushime me familjen e saj në rajonin e Pallatit të Versajës. Ndërsa ecte në oborrin e rezidencës historike, vajza e vogël pësoi një atak në zemër. Pavarësisht ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve dhe shërbimit të urgjencës mjekësore, ekipet e shpëtimit nuk mundën ta shpëtonin atë.

    Mbrëmjen e së mërkurës nxehtësia ia la vendin stuhive në disa pjesë të Francës. Megjithatë, temperaturat mbeten të larta në disa departamente.

    Vala e të nxehtit nuk ka mbaruar ende plotësisht. 17 departamente mbeten në alarm portokalli këtë të enjte, më 3 korrik dhe sipas mediave franceze alarmi është zgjatur deri të premten.

  • Osmani nis takimin me Emilija Rexhepin

    Osmani nis takimin me Emilija Rexhepin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vazhduar takimet sot të cilat vijnë si pasojë e bllokadës në Kuvend.

    Shefja e shtetit ka pritur në Presidencë kryetaren e Nova Demokratska Stranka, Emilija Redžepi.