ATV

Author: G.O.

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj ministrit Fikrim Damka – dyshohet për keqpërdorim të mbi 1 milion eurove

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj ministrit Fikrim Damka – dyshohet për keqpërdorim të mbi 1 milion eurove

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Lajmi është bërë i ditur të enjten përmes një njoftimi zyrtar të publikuar në faqen e Prokurorisë Speciale.

    Sipas këtij njoftimi, përveç Damkës, i akuzuar është edhe B.K., ushtrues detyre i sekretarit të kësaj ministrie, për të njëjtën vepër penale.

    “Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.D. dhe B.K. për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’. F.D., në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, dhe B.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, akuzohen se, nga data 16.08.2021 deri më 24.03.2022, kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, ‘Germin’ dhe ‘Caritas Zviceran’”, thuhet në njoftim.

    Sipas aktakuzës, ministri Damka ka financuar këto organizata pa shpallur thirrje publike, duke tejkaluar kompetencat ligjore dhe duke dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë mbi 1 milion euro.

    “Sipas aktakuzës të pandehurit, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, dhe në kundërshtim me kompetencat e Ministrisë, kanë tejkaluar limitet e mundësisë së financimit të OJQ-ve nga fondet publike, duke financuar organizatat e përmendura pa organizuar thirrje publike. Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 1,040,000 euro”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim efektiv dhe gjobë.

    “Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim efektiv, pasi vetëm me këto lloje dënimesh do të arrihet qëllimi i paraparë me nenin 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, theksohet më tutje.

  • ​Auditori gjen parregullsi në ndërmarrjet publike, ZKA: Në Trepçë evidentohen shkelje ligjore dhe menaxheriale

    ​Auditori gjen parregullsi në ndërmarrjet publike, ZKA: Në Trepçë evidentohen shkelje ligjore dhe menaxheriale

    Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, ka ngritur shqetësime për gjendjen në ndërmarrjet publike, duke veçuar ndërmarrjen “Trepça” si njërën nga më problematiket. Në një konferencë për media të premten, më 4 korrik, ajo ka theksuar se janë hasur shkelje ligjore, dështime menaxheriale dhe keqpërdorime të theksuara.

    Sipas saj, kjo njësi ka akumuluar borxhe tatimore që nga viti 2020 në vlerë prej 14 milionë euro, përfshirë interesat dhe ndëshkimet. Duke shtuar se për rreth 104 punonjës në njësinë e Leposaviqit nuk është bërë deklarimi në Administratën Tatimore të Kosovës për shkak të mungesës së dokumentacionit.

    “Nëse krahasojmë ndërmarrjet publike, një gjendje më e rënduar është vërejtur tek ndërmarrja publike Trepça. Bordi Mbikëqyrës i Trepçës nuk ka arritur t’i ushtrojë kompetencat e veta në të gjitha njësitë biznesore të Ndërmarrjes. Njësia Biznesore, minierat në Flotacion Kopaonit Leposaviq nga aspekti organizativ, rregullativ dhe financiar ka operuar jo në përputhje të plotë me kornizën ligjore, ndërmarrja nuk ka kryer pagesat për tatimin në paga dhe kontribute që nga viti 2020 duke akumuluar detyrime për prej 14 milionë euro, përfshirë interesa dhe ndëshkime. Po ashtu, përreth 104 punonjës në njësinë e Leposaviq nuk është bërë deklarimi në Administratën Tatimore të Kosovës për shkak të mungesës së dokumentacionit. Ndërmarrja kishte lidhur kontratë në vlerë prej 773 mijë euro me një operator ekonomik të palicencuar për tregtim të derivateve. Po ashtu, kontrata ishte nënshkruar vetëm nga drejtori për Blerje dhe Shitje dhe drejtori i Shërbimeve Financiare, ndërkohë që sipas Ligjit për Prokurimin Publik, nënshkrimi duhet të bëjë nga kryeshefi ekzekutiv apo nga zyrtari kryesor administrativ i ndërmarrjes”, ka nënvizuar Spanca.

    Spanca gjithashtu ka bërë të ditur se Korporata Energjetike e Kosovës dhe KOSTT kanë lidhur kontrata me auditorë privatë për auditim financiar të vitit 2024, pavarësisht se ishin njoftuar se këto ndërmarrje do të jenë subjekt i auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

    “Ndër çështjet kryesore, të cilat kanë ndikuar në konfuzionin e pajtueshmërisë, janë mangësi në procesin e regjistrimit dhe ristrukturimit të ndërmarrjes dhe mospërcaktimi i kritereve për pozitat që konsiderohen të rëndësisë së veçantë me rastin e aplikimit të pakos për dalje vullnetare nga puna, angazhimi i shërbimeve të auditimit nga auditori privat, përkundër faktit se ndërmarrja ishte subjekt i Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, që do të thotë që pavarësisht që ne i kemi njoftuar në përputhje me kornizën ligjore para datës 30 shtator se ndërmarrjet publike do të jenë pjesë e planit auditues, auditimi i pasqyrave vjetore financiare për vitin 2024 do të kryhet nga Zyra Kombëtare e Auditimit, me atë se jam në njohuri Korporata Energjetike e Kosovës dhe KOSTT ka lidhur kontrata për shërbime të auditimit me kontraktorin privat. Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë ishte evidente, si dhe mangësi gjatë procesit të vendosjes së kritereve në dosjet e tenderit”, ka thënë Spanca.

    Auditorja Spanca konfirmoi se deri në muajin qershor janë dërguar 11 raste në Prokurorinë e Shtetit, të cilat lidhen me shkelje të identifikuara gjatë auditimeve të performancës në sezonin 2024/2025.

    “Sa i përket rasteve të cilat i kemi adresuar në Prokurori deri në muajin qershor 2025 për sezonin e auditimit 2024/2025 kemi drejtuar informacion në Prokurorinë e Shtetit për gjithsej 11 raste që lidhen me parregullsi të evidentuara në kuadër të raporteve të auditimit të performancës, të cilat i kemi publikuar. Për raportet e tjera të publikuara, jemi në proces të analizës për identifikimin dhe adresimin e çështjeve me elemente të mundshme të veprave penale për këtë sezon audituese, për të cilat do të njoftoheni…Janë tri raporte të auditimit të performancës. Është raporti që ka të bëjë me sektorin e ndërtimit në Komunën e Prishtinës, rehabilitimi e infrastrukturës hekurudhore, linja dhjetë, si dhe raporti i auditimit që ka të bëjë me kompaninë e menaxhimit të mbeturinave apo deponive, KMDK-ja. Po ashtu është edhe një rast i cili është identifikuar gjatë auditimit në një prej ndërmarrjeve publike, e cila nuk ka qenë në fushëveprimin e auditimit, por që ne e kemi vlerësuar se është në interes të vendit që të trajtohet dhe të hetohet çështja më tutje”, ka shtuar Spanca.

    Derisa, Spanca ka ftuar kryesuesit e institucioneve publike, ministrat, kryetarët e komunave që rekomandimet e dhëna t’i pranojnë si një kontribut serioz, me qëllimin kryesor përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave të tyre.

  • Tentuan të kalojnë kufirin pa deklaruar paratë, sekuestrohen rreth 120 mijë euro në Merdarë

    Tentuan të kalojnë kufirin pa deklaruar paratë, sekuestrohen rreth 120 mijë euro në Merdarë

    Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 120 mijë euro në pikën kufitare në Merdarë, në një automjet me targa të Serbisë që po tentonte të dilte nga territori i Kosovës. Paratë janë zbuluar pas një kontrolli të detajuar nga njësitet policore.

    Drejtuesi i veturës, shtetas serb, kishte deklaruar se posedonte vetëm 18 mijë euro. Por gjatë kontrollit janë zbuluar para të padeklaruara në vende të ndryshme të automjetit, përfshirë trupin e tij, një çantë në ulësen e prapme, poshtë ulëses së pasagjerit dhe në pjesën e sipërme të veturës.

    Paratë, në kartëmonedha të ndryshme, janë sekuestruar përkohësisht dhe janë dorëzuar te zyrtarët doganorë për trajtim dhe procedura të mëtejshme ligjore.

  • IPK-ja rekomandon suspendimin e tre policëve në Suharekë, pas vetëvrasjes të një të ndaluarit

    IPK-ja rekomandon suspendimin e tre policëve në Suharekë, pas vetëvrasjes të një të ndaluarit

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të tre zyrtarëve policorë të Stacionit në Suharekë, pas një rasti të rëndë ku një person i ndaluar dyshohet se është vetëvrarë brenda dhomës së ndalimit.

    Sipas komunikatës për media, bëhet fjalë një rreshter dhe dy zyrtarë policorë, për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimet apo mosveprimet e tyre mund të kenë dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare, sidomos në garantimin e sigurisë së të ndaluarit.

    Suspendimi i përkohshëm është një masë mbrojtëse që ka për qëllim të ruajë integritetin e hetimit dhe të shmangë ndikimin e mundshëm në procesin hetimor.

    Inspektorati Policor, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojë me veprime të tjera hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti, i cili trajtohet si hetim i vdekjes.

  • Kosova uron ShBA-në në 249-vjetorin e Pavarësisë

    Kosova uron ShBA-në në 249-vjetorin e Pavarësisë

    Liderët shtetërorë dhe politikë të Kosovës kanë uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Presidentja Vjosa Osmani, në një postim në Facebook, ka theksuar se urimi vjen “nga populli më pro-amerikan në botë”, duke nënvizuar lidhjet historike dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përgëzuar presidentin dhe popullin amerikan, duke e cilësuar miqësinë me Amerikën si një shtyllë të rëndësishme në ruajtjen e paqes, mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe përpjekjeve të përbashkëta për demokraci dhe liri.

    Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vlerësuar SHBA-në si “shtyllën e lirisë së Kosovës” dhe një mik të përhershëm që ishte pranë vendit në ditët më të vështira.

    Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar miqësinë me Amerikën si një themel historik dhe vizion politik të pandryshueshëm për shtetin e Kosovës.

    Urim për këtë ditë ka përcjellë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka theksuar se SHBA është aleate historike dhe mike e pazëvendësueshme për popullin e Kosovës.

    Ndërkohë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka kujtuar kontributin e Shteteve të Bashkuara si një nga 33 shtetet pjesëmarrëse me trupa në kuadër të këtij misioni paqeruajtës, duke theksuar rolin e tyre kyç në ruajtjen e stabilitetit në vend.

    Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara festohet më 4 korrik në përkujtim të ratifikimit të Deklaratës së Pavarësisë më 1776, që shënoi lindjen e një shteti të ri demokratik.

    Tradicionalisht, kjo ditë kremtohet me parada, tubime publike dhe fishekzjarrë në të gjithë vendin.

  • Murat Dernjani dënohet me 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit në Siri dhe Irak

    Murat Dernjani dënohet me 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit në Siri dhe Irak

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 20 vjet burgim Murat Dernjanin, i shpallur fajtor për krime kundër njerëzimit gjatë kohës sa vepronte në Siri dhe Irak. Vendimi është shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Violet Namani Hajra.

    Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe për mbrojtjen e të dëmtuarve. Gjykata ka konstatuar se dëshmitë e paraqitura nga viktimat dhe dëshmitarët ishin të qarta, të ndërlidhura dhe të besueshme.

    Sipas aktgjykimit, Dernjani është identifikuar si përgjegjës për akte dhune gjatë kohës sa vepronte në Siri dhe Irak, në kuadër të organizatës terroriste ISIS.

    Gjykata ka vërtetuar se veprimet e tij përbëjnë shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Kujtojmë se ai ishte dënuar më herët me 5 vjet burg për terrorizëm, në janar të vitit 2019.

  • Presidentja Osmani: Nëse s’ka konstituim të Kuvendit brenda 30 ditësh do të ketë pasoja juridike

    Presidentja Osmani: Nëse s’ka konstituim të Kuvendit brenda 30 ditësh do të ketë pasoja juridike

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, deputetët do të përballen me pasoja juridike.

    Ajo bëri të ditur se nëse nuk ndodh përmbushja e këtij detyrimi kushtetues “shumë shpejt” do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim.

    Osmani e cilësoi afatin e përcaktuar nga Kushtetuta si të detyrueshëm dhe jo opsional, duke theksuar se shkelja e tij nuk mund të kalojë pa pasoja.

    “Kemi pasur takime të mira, por natyrisht që partitë kryesore i kanë qëndrimet ende diametralisht të kundërta, por kjo nuk do të thotë që brenda këtij afati nuk do të ketë afrim. Ka disa gjëra që mund të ketë afrim. Bllokada e tanishme te lloji i votimit është shumë, shumë jo racionale. I kemi edhe dy ose tri lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese rreth mënyrës së votimit. Nuk e di nëse në këto lëndë është kërkuar masë e përkohshme që të mos ecë afati, nëse nuk ka masë të përkohshme për mosrrjedhjen e afatit, neve na kanë mbetur më pak se 25 ditë dhe aktgjykimi i Gjykatës nuk e lejon si opsionale konstituimin brenda 30 ditësh, por e qartësoj duke marrë për bazë edhe interpretime të shteteve të ndryshme në sistem të ngjashëm kushtetues, e sa herë që kjo është e detyrueshme. Ajo çka e kam përmendur është që kur diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetues, do të thotë se moskryerja e detyrimit nuk ec pa pasoja – do të ketë pasoja juridike. Nuk është që ne mund të presim që Gjykata do të thotë: mirë, pas 30-ditësh vazhdoni njësoj. Nuk pres që do të ketë diçka të tillë. Unë planifikoj, në qoftë se nuk ka konstituim të Kuvendit shumë shpejt, që t’i drejtohem Gjykatës me kërkesë për sqarim, lidhur me atë se çka pas 30 ditësh, sepse dua të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh”, theksoi Osmani.

  • Komuna mbyll disa parkingje pa leje në Prishtinë

    Komuna mbyll disa parkingje pa leje në Prishtinë

    Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë veprime për mbylljen e disa parkingjeve që, sipas saj, kanë funksionuar pa leje në kryeqytet.

    Aksioni është zhvilluar mëngjesin e sotëm.

    Kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka deklaruar se përmes këtij veprimi po lirohen hapësira publike që, sipas tij, kanë qenë të uzurpuara ilegalisht për vite me radhë nga parkingje private.

    Në një postim në Facebook, kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se veprimet e ndërmarra synojnë kthimin e hapësirave publike për qytetarët.

    Sipas Ramës, këto masa janë pjesë e angazhimit të komunës për të siguruar qasje më të lirë në hapësirat publike.

  • Krasniqi: ShBA, shtylla e lirisë sonë – Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse

    Krasniqi: ShBA, shtylla e lirisë sonë – Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke theksuar miqësinë e palëkundur mes dy vendeve dhe rolin vendimtar të SHBA-së në lirinë dhe shtetformimin e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

    “Sot festojmë bashkë me një mik të madh. Një aleat të vërtetë. Një shtet që na doli krah në ditët më të vështira dhe ishte me ne në ditët më të mira”, shkroi Krasniqi në një postim në rrjetet sociale.

    Ai theksoi se për Kosovën dhe popullin e saj, SHBA është shumë më tepër se një partner.

    “Është shtylla e lirisë sonë dhe shembulli më i mirë i demokracisë që frymëzon çdo ditë popujt e lirë,” u shpreh lideri i PDK-së.

    Krasniqi theksoi se PDK është krenare për këtë aleancë dhe e përkushtuar ta forcojë më tej.

    “PDK është krenare për këtë miqësi – dhe e vendosur ta thellojë më tej – vit pas viti.”

    Ai e përmbylli urimin me një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët amerikanë.

    “Urime SHBA! Urime të gjithë qytetarëve amerikanë, në Kosovë dhe kudo në botë! Gëzuar 4 Korriku!”.

  • FSK-së i shtohen kadetët e rinj, diplomon Gjenerata e 2025-ës

    FSK-së i shtohen kadetët e rinj, diplomon Gjenerata e 2025-ës

    Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është duke u mbajtur ceremonia e diplomimit të kadetëve të gjeneratës 2025 të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Në këtë ngjarje po marrin pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe familjarë e mysafirë të shumtë.

    Presidentja Vjosa Osmani vlerësoi përkushtimin dhe gatishmërinë e kadetëve për t’i shërbyer vendit me nder dhe përgjegjësi.

    “Nuk ka nder më të madh sesa t’i shërbehet atdheut me zemër, betim dhe uniformë,” tha Osmani, duke theksuar se ceremonia shënon fillimin e një përgjegjësie të shenjtë.