ATV

Author: G.O.

  • Sunderland emëron zyrtarisht Xhakën si kapiten të skuadrës

    Sunderland emëron zyrtarisht Xhakën si kapiten të skuadrës

    Granit Xhaka është emëruar kapiten i Sunderland përpara sezonit të ri 2025-26.

    Mesfushori kosovar me pasaportë zvicerane, i njohur për lidershipin e tij në fushë, ka mbajtur më parë shiritin e kapitenit te Borussia Mönchengladbach, Arsenal, si dhe në disa raste gjatë karrierës së tij te Bayer Leverkusen.

    Ai është gjithashtu kapiten i Kombëtares së Zvicrës që nga viti 2020.

    Xhaka pasi mori shiritin e kapitenit u shpreh krenar për besimin që i ka dhënë klubi.

    “Më bën jashtëzakonisht krenar që jam kapiten i këtij klubi dhe i kësaj skuadre. Shpresoj të tregoj lidershipin tim brenda dhe jashtë fushës, duke ndihmuar shokët e mi të skuadrës në qendrën stërvitore dhe në të gjithë klubin”.

    “Të jem pjesë e historisë së Sunderlandit, së bashku me disa nga emrat që kanë mbajtur shiritin e kapitenit më parë, është një nder. Njerëzit që më njohin e dinë saktësisht se çfarë do të marrin, unë jam dikush që kërkon shumë. Jam fitues dhe dua të fitoj dhe pres të njëjtën gjë nga shokët e mi të skuadrës”, deklaroi Xhaka për faqen zyrtare të klubit.

    Trajneri i Sunderland, Regis Le Bris tregoi arsyen pse vendosi që t’ia besoj shiritin e kapitenit Xhakës.

    “Në Ligën Premier, do të jetë e rëndësishme të kesh qëndrueshmëri, pjekuri dhe përvojë. Granit sjell të gjitha këto cilësi. Sjellja e tij deri më tani ka qenë shumë mbresëlënëse dhe në fushë niveli i tij duket qartë”.

    “Të tjerët përreth tij mund ta ndiejnë ndikimin e tij, dhe lidershipi i tij do të mbështesë ekipin ndërsa përshtatemi me një mjedis të ri dhe përballemi me sfida dhe mundësi të reja. Roli i Granit do të jetë gjithashtu pjesë e një ekipi të ri udhëheqës, i cili do të finalizohet pas përfundimit të afatit kalimtar të verës”, deklaroi Le Bris.

  • Lëshohet urdhër-arrest ndërkombëtar për ish-gruan e Feros, modelen Arbenita Ismajli

    Lëshohet urdhër-arrest ndërkombëtar për ish-gruan e Feros, modelen Arbenita Ismajli

    Gjykata Themelore në Gjilan ka lëshuar urdhër-arrest dhe letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj Arbenita Ismajlit.

    Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Sabit Shkodra, udhëheqës i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjilan.

    “Po, është e vërtetë që kemi lëshuar urdhër-arrestin dhe letrën e rreshtimit ndërkombëtar. Në ditën që është bërë kërkesa nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, konform kompetencave ligjore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Shkodra.

    Fero dhe Arbenita Ismajli (Foto: Arkiv)

    Prokuroria Themelore në Gjilan kishte filluar hetimet ndaj Ismajlit në qershor të këtij viti, pas dyshimeve se ajo nuk kishte zbatuar një vendim gjykate për takimet e vajzës së saj me babanë biologjik, Feronit Shabani. Sipas aktvendimit, babai kishte të drejtë ta takonte vajzën dy herë në muaj përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, por prokuroria pretendon se Ismajli ka penguar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

    Më 10 korrik 2025, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj saj për veprën penale “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës” dhe për “Mospërfillje të gjykatës”. Sipas prokurores së rastit, Ismajli dyshohet se nga shtatori i vitit 2024 ka larguar vajzën nga Kosova dhe ka qëndruar me të në vende të ndryshme të Evropës dhe Lindjes së Afërt, duke ia pamundësuar babait ushtrimin e të drejtës prindërore.

    Nga ana tjetër, po e njëjta prokurori ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Feronit Shabanit për tri vepra penale: dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje, të cilat pretendohet se i ka kryer ndaj Arbenita Ismajlit në periudhën qershor–tetor 2024.

  • Qetësohet situata në fshatrat e Gramshit, banorët po kthehen në shtëpi

    Qetësohet situata në fshatrat e Gramshit, banorët po kthehen në shtëpi

    Paraqitet më e qetë situata këtë mëngjes në fshatrat e Gramshit të cilët prej tre ditësh janë përfshirë nga flakët.

    Ulja e temperaturave, ulja e intensitetit të erës, por dhe puna e qindra ekipeve të terrenit kanë bërë që sot situata të jetë më e qetë. Ka ende vatra aktive në fshatrat e Skënderbegasit dhe Kodovjatit, por ato po mbahen nën monitorim nga autoritetet dhe po punohet për fikjen e tyre.

    Kanë filluar ndërkohë të kthehen në banesat e tyre banorët, pasi rrugët janë të hapura dhe nuk përbën rrezik.

    Më vonë ekipet do të kthehen në fshatra për evidentimin e dëmeve dhe do të kemi një statistikë paraprake.

    Paralelisht po punohet për groposjen e bagëtive të djegura për evitimin e çdo epidemie të mundshme.

    Kujtojmë se 3 njësi administrative në Gramsh u përfshinë nga flakët. Në Skëndërbegas u dogjën 7 fshatra, u prek nga zjarri fshati i 8, Narta, por fatmirësisht autoritetet arritën ta shpëtojnë këtë fshat.

    Zjarri në Gramsh shënoi dhe viktimën e parë në vend, një 80 vjeçar i cili dyshohet të jetë dhe autori i këtij zjarri.

  • Të paktën 22 të vdekur pas fundosjes së dy anijeve me migrantë në Itali

    Të paktën 22 të vdekur pas fundosjes së dy anijeve me migrantë në Itali

    Të paktën 22 migrantë kanë humbur jetën pas fundosjes së dy anijeve në Mesdhe të mërkurën, ndërsa rreth 60 persona janë shpëtuar dhe shumë të tjerë janë ende të zhdukur. Anijet ishin nisur nga Zavija dhe Tripoli në Libi.

    Kryqi i Kuq raportoi se 56 burra dhe 4 gra kanë mbijetuar, por numri i personave në të dy anijet nuk është ende i qartë. Sipas mediave italiane, disa migrantë u zhvendosën nga një anije në tjetrën, e cila u mbingarkua dhe u fundos.

    ANSA njoftoi se ndër të parët që u dërguan në morgun e Lampedusës ishin trupa të një të sapolinduri, tre fëmijëve dhe disa të rriturve. Zëdhënësi i UNHCR-së, Filippo Ungaro, njoftoi se 20 trupa janë gjetur dhe po aq persona janë ende të zhdukur.

    Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, konfirmoi se ngjarja ndodhi 14 milje larg Lampedusës dhe theksoi nevojën për të parandaluar udhëtimet e rrezikshme detare. Ky vit ka regjistruar deri tani 675 viktima mes migrantëve në tentativë për të kaluar Mesdheun, ndërsa 38.263 kanë mbërritur në brigjet italiane.

    Qeveria italiane ka bashkëpunuar me vendet e Afrikës së Veriut për të ndaluar nisjen e migrantëve drejt Italisë, duke ofruar fonde dhe trajnime.

  • I dyshuari për krime lufte del para Gjykatës Themelore në Prishtinë

    I dyshuari për krime lufte del para Gjykatës Themelore në Prishtinë

    I dyshuari për “Krime lufte kundër popullsisë civile”, me inicialet R.M sot ka dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ai u arrestua ditë më parë në Prishtinë nga Policia e Kosovës.

    Ai dyshohet për pjesëmarrje në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Malishevës, më 1999.

    “R.M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, tha Prokuroria më herët, ndërsa theksoi se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.

    Seanca mbahet e mbyllur për media.

  • Apple Maps ka marrë një funksion të ri

    Apple Maps ka marrë një funksion të ri

    Ndërsa iOS 26 beta sjell disa risi në Apple Maps, duke përfshirë një që mëson rrugët tuaja të zakonshme, aplikacioni tani ka edhe një funksion tjetër të ri që shfaqet në versionin beta.

    Bëhet fjalë për funksionin “Kërko ashtu siç flet” (Search The Way You Talk), i cili tashmë është i pranishëm në aplikacione të tjera si App Store, Music, Photos dhe TV. Për shembull, aplikacioni Photos e ka këtë funksion që nga dalja e Apple Intelligence në iOS 18.

    Kjo mënyrë kërkimi bazohet në inteligjencën artificiale, prandaj, në vend që të përdorni fjalë kyçe, thjesht mund të flisni në mënyrë natyrale, ashtu si do t’i thonit dikujt gjatë një bisede.

    Me fjalë të tjera, kur kërkoni një vend në Apple Maps, përshkruajeni ashtu si do t’ia shpjegonit një shoku. Apple nuk e ka shpallur zyrtarisht këtë funksion për Apple Maps, por ata që përdorin versionin beta të iOS 26 mund ta kenë marrë në përditësimin e developer beta 5.

    Me funksionin “Kërko ashtu siç flet”, në vend që të shkruani ose thoni “Restorante që janë të hapura vonë”, mund të kërkoni “më trego disa restorante italiane me vlerësime të larta, që kanë verandë dhe që janë të hapura pas orës 22:00”.

    Thelbi është që ky funksion i ri ju lejon t’i bëni pyetje Apple Maps pikërisht ashtu siç do t’i thonit në të folur, pa qenë nevoja të përdorni filtra shtesë për të marrë përgjigjen që kërkoni.

    Për ndonjë arsye, Apple nuk e ka promovuar këtë funksion të ri, edhe pse tashmë shfaqet në aplikacion.

    Ndoshta nuk është më emocionuesi, por është padyshim një funksion i dobishëm nëse përdorni Apple Maps për të kërkuar vende interesante.

  • CNN: Trump u tha liderëve europianë se s’negocion për territorin ukrainas

    CNN: Trump u tha liderëve europianë se s’negocion për territorin ukrainas

    Liderët europianë i bënë thirrje presidentit amerikan Donald Trump të mërkurën të mos arrijë një marrëveshje të njëanshme paqeje për Ukrainën me homologun e tij rus Vladimir Putin gjatë takimit të tyre kokë më kokë më vonë këtë javë në Alaskë.

    Kancelari gjerman Friedrich Merz kishte thirrur samitin virtual me Trumpin, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe disa liderë europianë, pasi u shtua frika se Putin, ish-spiun i KGB-së, do të kërkonte ta bindte presidentin amerikan ta shihte luftën sipas kushteve të tij.

    Pas takimit, presidenti francez Emmanuel Macron tha se Trump ishte “shumë i qartë” se Washingtoni dëshiron ta arrijë një armëpushim dhe se çështjet territoriale të Ukrainës nuk mund të negociohen pa Zelenskyn.

    Trump, i cili e përshkroi telefonatën si “shumë të mirë”, u tha gazetarëve se nëse takimi i tij me Putin shkon mirë, një takim pasues midis presidentit rus dhe Zelenskyt mund të ndodhë “pothuajse menjëherë” më pas.

    “Ka një mundësi shumë të mirë që të kemi një takim të dytë i cili do të jetë më produktiv se i pari. Sepse i pari është: unë do të zbuloj se ku jemi, çfarë po bëjmë”, tha Trump gjatë një paraqitjeje në Qendrën Kennedy.

    Dy diplomatë europianë të njohur me takimin virtual i thanë CNN-it se gjatë bisedës, Trump dukej se tha se do të shtynte për një armëpushim pa kushte në takimin e tij me Putin.

    Trump tha se besonte se një armëpushim do të ishte një shenjë e vullnetit të mirë nga Rusia, dhe gjithashtu tha se territori ukrainas nuk është për t’u negociuar prej tij, thanë burimet.

    Liderët e Ukrainës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Finlandës, NATO-s dhe Bashkimit Europian kanë marrë pjesë në takimin virtual me Trumpin. Ai u pasua nga një takim tjetër më i madh i “Koalicionit të të Gatshmëve”, ku mori pjesë nënpresidenti amerikan JD Vance.

    Pas takimeve, Zelensky tha se liderët ranë dakord për “pesë parime të përbashkëta” për ta përcaktuar “formatin e negociatave” që do të mbahen në Alaskë, duke përfshirë fokusin në një armëpushim dhe garanci sigurie “me të vërtetë të besueshme”.

    “Gjithçka që ka të bëjë me Ukrainën duhet të diskutohet ekskluzivisht me Ukrainën. Duhet të përgatisim një format trepalësh për bisedime. Duhet të ketë një armëpushim – kjo është numër një”.

  • Mbyllet afati, KQZ-ja mblidhet për certifikimin e 9 subjekteve politike

    Mbyllet afati, KQZ-ja mblidhet për certifikimin e 9 subjekteve politike

    Të mërkurën në mesnatë është përmbyllur afati për aplikim të subjekteve politike dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve që do të garojnë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

    Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se gjatë ditës do të publikohet lista me emrat e të gjitha subjekteve politike që kanë aplikuar për certifikim.

    Ndërkohë, sipas Elezit, gjatë ditës së enjte KQZ do të vazhdojë me mbledhjen e radhës për certifikimin e grupit të dytë të subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 12 tetorit dhe listën me kandidatët e tyre.

    Mbledhja e KQZ-së pritet të mbahet në orën 14:00 (e enjte, 14 gusht) dhe në rend dite është certifikimi i 9 subjekteve politike, prej të cilave 4 iniciativa qytetare dhe 5 kandidatë të pavarur.

    Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 66 kandidatë, prej të cilëve 4 për Kryetarë të Komunave dhe 62 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

  • Arrestohet 54-vjeçari që shtiu me armë në një aheng familjar në Lipjan

    Arrestohet 54-vjeçari që shtiu me armë në një aheng familjar në Lipjan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një 54-vjeçar me inicialet R.B., i cili dyshohet se ka shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar në fshatin Medvec të Lipjanit.

    Sipas njoftimit për media, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe po hetohet për veprat penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Policia ka theksuar se përdorimi i armëve në ndeja dhe ahengje familjare vazhdon të jetë një shqetësim serioz për sigurinë publike.

    Për këtë arsye, u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin veprime të tilla, për të ruajtur sigurinë e tyre dhe të të tjerëve dhe për të kaluar festat pa incidente.

    “Në të kundërtën, Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa konform obligimeve ligjore që ka,” thuhet në fund të njoftimit.

  • UEFA gjobit Lech Poznanin për banerin “Kosova është Serbi”

    UEFA gjobit Lech Poznanin për banerin “Kosova është Serbi”

    Klubi i futbollit Lech Poznan është gjobitur nga UEFA të enjten.

    Klubi polak është dënuar për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese të Ligës së Kampionëve kundër Cërvena Zvezdës.

    Ndër të tjera një gjobë e ka marrë edhe për banerin e madh me shkrimin “Kosova është Serbi”.

    UEFA e ka gjobitur Lech Poznanin me 10 mijë euro për banerin “Kosova është Serbi të shfaqur gjatë ndeshjes së parë të tretë kualifikues të Championsit.