ATV

Author: G.O.

  • Raportohet për 19 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Raportohet për 19 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Agjencia për mbrojtje civile në Gazë raportoi se 19 persona janë vrarë më 5 shtator si pasojë e një sërë sulmesh ajrore izraelite në dhe përreth Qytetit të Gazës – vendbanim që ushtria izraelite dëshiron ta marrë nën kontroll të plotë.

    Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, tha se sulmet goditën ndërtesa dhe tenda ku strehohen palestinezët e zhvendosur në disa lagje dhe në periferi të qytetit, ku Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se një milion persona po përballen me zi të bukës.

    Izraeli ka intensifikuar bombardimet ndaj Qytetit të Gazës që kur ka deklaruar se do të nisë një ofensivë për ta marrë nën kontroll të plotë, njofton rel.

    Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Nadav Shoshani, deklaroi një ditë më parë se nuk do të ketë njoftim për nisjen e ofensivës për shkak të “ruajtjes së elementit të befasisë”.

    Ndërkaq, një zëdhënës tjetër ka thënë se Izraeli veçse kontrollon 40 për qind të qytetit.

    Izraeli pret që ofensiva e re të detyrojë rreth një milion persona të zhvendosen drejt jugut të Rripit të Gazës.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

    Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 64.000 palestinezë sipas shifrave të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë që udhëhiqet nga Hamasi – shifra që nga OKB-ja vlerësohen të besueshme.

  • Shën Nënë Tereza nderohet me meshë solemne në 9-vjetorin e saj të shenjtërimit

    Shën Nënë Tereza nderohet me meshë solemne në 9-vjetorin e saj të shenjtërimit

    Në 9-vjetorin e shenjtërimit të saj, Shën Nënë Tereza është nderuar me një meshë solemne në katedralen e Prishtinës që mban emrin e saj.

    Të pranishëm në këtë meshë ishin besimtarë të shumtë, Ipeshkvi Dodë Gjergji dhe i Dërguari i ri i Posaçëm i Atit të Shenjtë, Luigj Bardhi.

    Ipeshkvi Dodë Gjergji tha se misioni i delegatit të posaçëm të Atit të Shenjtë në Kosovë, Luigj Bardhi, nis me ndërmjetësimin e Nënë Terezës.

    Ai theksoi përkushtimin e Kishës për ta mbajtur gjallë trashëgiminë shpirtërore të saj.

    Ndërkohë, Bardhi përcolli bekimin e Papa Leonit XIV dhe vlerësoi praninë e hershme e të vazhdueshme të fesë së krishterë në Kosovë.

    Shën Nënë Tereza, e lindur më 1910 në Shkup, ishte humaniste dhe fituese e çmimit Nobel për Paqen.

    Ajo u shpall e bekuar nga Vatikani më 2003 dhe u shenjtërua në vitin 2016.

  • Dy kosovarë humbin jetën në bregdetin e Velipojës

    Dy kosovarë humbin jetën në bregdetin e Velipojës

    Policia e Shkodrës ka njoftuar për dy ngjarje të rënda të ndodhura ditën e djeshme në plazhin e Velipojës, ku dy shtetas kosovarë kanë humbur jetën në rrethana tragjike.

    Sipas njoftimit zyrtar, një 72-vjeçar nga Kosova, Z. J., është mbytur aksidentalisht teksa po lahej në det. Materialet për këtë rast janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme procedurale.

    Ndërkohë, një tjetër ngjarje ka ndodhur po dje, në të njëjtin plazh. Shtetasi kosovar Gj. K., 80 vjeç, ka ndërruar jetë pasi dyshohet se ka pësuar arrest kardiak sapo ka dalë nga deti.

    Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtyre ngjarjeve, ndërsa u bën thirrje pushuesve për kujdes të shtuar, veçanërisht në temperaturat e larta të ditëve të fundit. /Euronews.al/

  • Këngëtari kosovar i kushton këngë Zhegrovës, madje e bën edhe pjesë të klipit

    Këngëtari kosovar i kushton këngë Zhegrovës, madje e bën edhe pjesë të klipit

    Këngëtari kosovar Kidda ka ardhur dje me një projekt jo fortë të zakonshëm.

    Artisti ka publikuar këngën e tij më të re të quajtur Zhegrova, kënga është dedikim si duket për futbollistin e Kombëtare së Kosovës, Edon Zhegrova.

    Pos tekstit, interesant dhe goxha vëmendje mori edhe realizimi i videoklipi i këngës, pasi në të është edhe Edon Zhegrova.

    Zhegrova, së fundi, ka arritur një kontratë me Juventus dhe do të mbajë numrin 11-të.

  • Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme për Kuvendin, deri më 30 shtator

    Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme për Kuvendin, deri më 30 shtator

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka miratuar kërkesën e Listës Serbe, duke vendosur një masë të përkohshme që pezullon të gjitha procedurat për formimin e Qeverisë së re.

    Ky vendim hyn në fuqi nga dita e sotme dhe bllokon çdo veprim të mëtejmë institucional.

    Në aktgjykimin e saj, Gjykata urdhëron ndalimin e çdo veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, si dhe çdo procedure tjetër që lidhet me themelimin e ekzekutivit.

    Masa e pezullimit do të mbetet në fuqi deri më 30 shtator 2025.

    Kjo do të thotë se asnjë hap nuk mund të ndërmerret për caktimin e mandatarit apo votimin e kabinetit qeveritar deri në këtë datë, ose deri në një vendim tjetër të Gjykatës.

    Lajmi duke u përditësuar…

  • Detaje nga sulmi në Gjermani: Policia qëllon me armë 18-vjeçarin nga Kosova që dyshohet për therjen e mësueses

    Detaje nga sulmi në Gjermani: Policia qëllon me armë 18-vjeçarin nga Kosova që dyshohet për therjen e mësueses

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shkollë profesionale në Esen, në perëndim të Gjermanisë, ku një mësuese është sulmuar me thikë nga një nxënës. Autoritetet lokale bëjnë të ditur se sulmuesi i dyshuar është nga Kosova.

    Mësuesja ka pësuar lëndime të rënda në stomak, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë. Nuk ka persona të tjerë të plagosur në shkollë, dhe hetuesit besojnë se sulmuesi e kishte shënjestruar mësuesen qëllimisht.

    Sipas mediave gjermane, sulmuesi 18-vjeçar iku menjëherë pas incidentit, por më pas u lokalizua nga policia në një park. Teksa forcat e rendit iu afruan për ta arrestuar, ai vrapoi drejt tyre me thikë në duar, dhe policia e qëlloi me armë zjarri. I dyshuari po trajtohet aktualisht në spital pas plagëve të marra.

    Në shkollën profesionale në Esen u panë një numër i madh policësh, përfshirë edhe të njësive speciale. Një zëdhënës i qytetit bëri të ditur se shkolla ka rreth 1.780 nxënës.

    LEXONI EDHE:

    Theret me thikë një mësuese në Gjermani, Bild: Sulmuesi dyshohet se është një 18 vjeçar nga Kosova

  • Kjo është gruaja që shënoi rekord botëror duke vrapuar zbathur mbi tulla Lego

    Kjo është gruaja që shënoi rekord botëror duke vrapuar zbathur mbi tulla Lego

    Një grua nga Zelanda e Re tregoi forcën e shputave të këmbëve të saj kur vrapoi zbathur mbi 100 metra mbi tulla Lego në 24.75 sekonda.

    Gabrielle Wall theu rekordin botëror Guinness për 100 metrat më të shpejtë këmbëzbathur mbi tulla Lego.

    Pista ishte e mbuluar me tulla të dhuruara nga Imagination Station, një organizatë jofitimprurëse e Zelandës së Re që përdor Lego për edukimin e robotikës dhe mekanikës.

    “Jam krenare që e kam shtyrë veten drejt kufijve të rinj”, tha Wall për Guinness World Records

  • Gjashtë simptoma të tensionit të lartë të gjakut që nuk duhet t’i injoroni kurrë

    Gjashtë simptoma të tensionit të lartë të gjakut që nuk duhet t’i injoroni kurrë

    Tensioni i lartë i gjakut, i njohur edhe si hipertension, është një problem serioz shëndetësor që shpesh kalon pa u vënë re.

    Edhe pse shumë nuk e perceptojnë si të rrezikshme derisa të shfaqen simptoma të rënda, është një gjendje që mund të ketë pasoja serioze shëndetësore – duke përfshirë atakun në zemër dhe goditjen në tru, si dhe ndërlikime të tjera.

    Një nga sfidat më të mëdha në luftën kundër hipertensionit është se ai shpesh zhvillohet gradualisht dhe pa shenja të dukshme. Kjo është arsyeja pse quhet “vrasësi i heshtur” për një arsye. Domethënë, shumë të prekur as nuk e dinë që kanë tension të lartë të gjakut për një kohë të gjatë, sepse simptomat – nëse shfaqen – mund të jenë të lehta, jo specifike ose t’i atribuohen gabimisht ankesave të tjera.

    Pikërisht për këtë arsye, matja e rregullt e tensionit të gjakut, të paktën një herë në vit, është thelbësore për zbulimin në kohë të sëmundjes. Sot, mund ta bëni shumë lehtë, madje edhe në shtëpi, me ndihmën e pajisjeve dixhitale që gjenden lehtësisht në farmaci dhe dyqane të pajisjeve mjekësore.

    Gjashtë simptoma që mund të tregojnë tension të lartë të gjakut – edhe pse njerëzit shpesh nuk i shoqërojnë ato me këtë gjendje:

    Dhimbje koke

    Edhe pse mund të ketë shumë shkaqe, dhimbjet e kokës nga hipertensioni shpesh ndodhin në pjesën e prapme të kokës ose në majë të kokës. Nëse këto dhimbje koke janë të shpeshta, rekomandohet kontrolli i presionit të gjakut.

    Shikim i turbullt

    Tensioni i lartë i gjakut mund të dëmtojë enët e gjakut në sytë tuaj, duke rezultuar në shikim të turbullt. Nëse vini re një përkeqësim të menjëhershëm të shikimit tuaj, sigurohuni që të vizitoni një mjek.

    Vështirësi në frymëmarrje

    Ndjenja e gulçimit, edhe me një sforcim minimal, mund të tregojë se zemra është nën një ngarkesë shtesë. Kjo simptomë nuk duhet injoruar, veçanërisht nëse shfaqet në qetësi.

    Dhimbje gjoksi

    Presioni në gjoks ose dhimbja gjatë aktivitetit mund të sinjalizojë se zemra nuk është në gjendje të përmbushë nevojat e trupit për shkak të presionit të lartë të gjakut. Në raste të tilla, është i nevojshëm një vlerësim i menjëhershëm mjekësor.

    Gjakderdhje nga hunda

    Edhe pse nuk është vërtetuar drejtpërdrejt se gjakderdhja nga hunda lidhet me hipertensionin, shfaqja e shpeshtë e saj mund të jetë një shenjë se diçka nuk shkon – dhe duhet të hetohet.

    Urinë me shkumë

    Nëse urina juaj ka një pamje të shkumëzuar, kjo mund të nënkuptojë që proteina po nxirret nga trupi juaj, gjë që mund të jetë rezultat i dëmtimit të veshkave të shkaktuar nga presioni i lartë i gjakut. Mos e vononi vizitën te mjeku nëse vini re këtë ndryshim.

  • Tajlanda zgjedh kryeministrin e tretë brenda dy viteve

    Tajlanda zgjedh kryeministrin e tretë brenda dy viteve

    Parlamenti i Tajlandës ka zgjedhur Anutin Charnvirakul si kryeministër të vendit – i treti brenda dy vjetësh, pasi një tjetër udhëheqës u shkarkua nga detyra.

    Ai  mposhti kandidatin e partisë historikisht dominuese të familjes Shinawatra, duke i dhënë fund një jave trazirash dhe bllokimi politik në vend.

    Anutin ka qenë një figurë kyçe në politikën tajlandeze gjatë viteve të fundit, duke pozicionuar partinë e tij, Bhumjaithai, në mënyrë strategjike midis elitave politike dhe duke marrë pjesë në qeveri koalicioni. Fitorja e Anutin përbën një goditje të rëndë për partinë në pushtet, Pheu Thai, dhe për familjen Shinawatra. Ish-kryeministri Thaksin Shinawatra, figura kyçe e kësaj partie, u largua nga Tajlanda drejt Dubait mbrëmjen e së enjtes (4 shtator), vetëm pesë ditë para një vendimi gjyqësor që mund ta gjejë atë përballë një dënimi të ri me burg.

    Dorëheqja e tij erdhi një javë pasi Gjykata Kushtetuese shkarkoi vajzën e tij, Paetongtarn Shinawatra, nga posti i saj si kryeministre. Gjykata e shpalli atë fajtore për shkelje të etikës për një telefonatë me kompromentim politik me Presidentin e Senatit të Kamboxhias, Hun Sen.

    Kriza politike u thellua në qershor, pasi Anutin tërhoqi partinë e tij nga koalicioni qeverisës, duke dobësuar shumicën parlamentare dhe duke shkaktuar protesta të shumta. Fitorja e Anutin u arrit pas një pakti me Partinë Popullore, e cila u tërhoq me premtimin për mbajtjen e një referendumi për ndryshimin e kushtetutës dhe organizimin e zgjedhjeve të reja brenda katër muajsh. Kjo lëvizje pritet të sjellë stabilitet politik dhe të shënojë një kapitull të ri në historinë politike të Tajlandës.

  • Pesë këshilla për gjumin që në fakt do ta përkeqësojnë pagjumësinë: Ja çfarë nuk duhet të bëni

    Pesë këshilla për gjumin që në fakt do ta përkeqësojnë pagjumësinë: Ja çfarë nuk duhet të bëni

    Shumë nga këshillat që dëgjojmë për gjumin dhe përballimin e pagjumësisë në fakt mund të kenë efektin e kundërt, duke përfshirë mospërdorimin e telefonit dhe eliminimin e plotë të kafeinës.

    Të gjithë e dimë sa më mirë ndihemi pas një gjumi të mirë natën. Shkenca e mbështet këtë: gjumi cilësor përmirëson shëndetin kardiovaskular, funksionin imunitar, shëndetin e trurit dhe mirëqenien emocionale. Nuk është çudi që shumë njerëz duan të përmirësojnë gjumin e tyre dhe “higjiena e gjumit” është bërë një strategji prioritare.

    Higjiena e gjumit i referohet zakoneve dhe faktorëve mjedisorë që nxisin një gjumë të mirë, siç është të shkosh në shtrat rregullisht, të shmangësh ekranet para gjumit dhe të zvogëlosh konsumin e kafeinës. Këto janë këshilla të shëndosha, por për njerëzit me pagjumësi, disa praktika mund të kenë efektin e kundërt – duke e përkeqësuar pagjumësinë në vend që ta zgjidhin atë.

    Ekspertët thonë se këto pesë strategji të zakonshme të higjienës së gjumit mund të bëjnë më shumë dëm sesa dobi për njerëzit që vuajnë nga pagjumësia.

    Kalimi i më shumë kohës në shtrat

    Kur gjumi nuk të vjen lehtë, është tunduese të shkosh në shtrat më herët ose të qëndrosh zgjuar më vonë, duke shpresuar ta “kapësh ritmin”, por kjo strategji shpesh kthehet në kundërsulm. Sa më shumë kohë të kalosh në shtrat zgjuar, aq më shumë e dobëson lidhjen mendore midis shtratit dhe gjumit – dhe e forcon lidhjen midis shtratit dhe frustrimit.

    Në vend të kësaj, përpiqu të kufizosh kohën që kalon në shtrat. Shko në shtrat pak më vonë dhe zgjohu në të njëjtën kohë çdo mëngjes. Kjo rrit presionin e gjumit – dëshirën natyrale të trupit tënd për të fjetur – dhe ndihmon në rivendosjen e shtratit si sinjal për gjumë, jo për zgjim.

    Shmangie e rreptë e ekranit

    Shpesh na thuhet të heqim qafe ekranet para gjumit, sepse drita blu që ato lëshojnë pengon melatoninën, një hormon që ndihmon në rregullimin e gjumit. Megjithatë, kjo këshillë mund të jetë shumë e thjeshtëzuar.

    Në realitet, njerëzit që vuajnë nga pagjumësia mund të përdorin telefonat e tyre sepse nuk mund të flenë – jo anasjelltas. Të qëndrosh në errësirë ​​pa asgjë për të zënë mendjen mund të krijojë një stuhi të përsosur për ankth dhe mendime të tepërta, të cilat të dyja nxisin pagjumësinë.

    Në vend që ta ndaloni plotësisht përdorimin e ekranit, merrni në konsideratë përdorimin e tij strategjik. Zgjidhni përmbajtje qetësuese dhe jo stimuluese, përdorni modalitetin e natës dhe shmangni lëvizjen pa menduar. Një podcast i qetë ose një dokumentar i lehtë mund të jetë një shpërqendrim i vërtetë për t’ju ndihmuar të relaksoheni.

    Eliminimi i plotë i kafeinës

    Kafeina bllokon adenozinën, neurotransmetuesin që na bën të përgjumur. Megjithatë, jo të gjithë e përpunojnë kafeinën në të njëjtën mënyrë – gjenetika luan një rol në shpejtësinë me të cilën e metabolizojmë atë.

    Disa njerëz mund të zbulojnë se një kafe në mëngjes i ndihmon të largojnë inercinë e gjumit (ndjesinë e lodhjes që ndjeni kur zgjoheni) dhe t’i japë energji, gjë që mund të mbështesë një cikël të shëndetshëm gjumë-zgjim. Nëse jeni të ndjeshëm ndaj kafeinës, është e mençur ta shmangni atë më vonë gjatë ditës – por ndërprerja e saj plotësisht nuk është gjithmonë e nevojshme. Të kuptuarit e reagimit tuaj individual është thelbësore.

    Po përpiqesh shumë për të “optimizuar” gjumin tënd.

    Ndërsa shumë nga produktet e ofruara për të përmirësuar gjumin tuaj mund të jenë me qëllime të mira, ato mund të kontribuojnë në gjendjen moderne të njohur si ortosomi: ankthi i shkaktuar nga përpjekja për të fjetur në mënyrë perfekte.

    Është e rëndësishme të mbani mend se gjumi është një funksion autonom, si tretja ose presioni i gjakut. Ndërsa mund ta ndikojmë gjumin me zakone të shëndetshme, nuk mund ta detyrojmë atë të ndodhë. Obsesioni për cilësinë e gjumit mund t’i përkeqësojë gjërat në mënyrë paradoksale.

    Pritet e njëjta sasi gjumi çdo natë

    Gjumi i shëndetshëm nuk është një numër i caktuar orësh – ai është dinamik dhe përshtatet me jetën tonë. Faktorë si stresi, shëndeti fizik, mosha, mjedisi dhe madje edhe përgjegjësitë prindërore ndikojnë të gjitha në gjumë. Për shembull, foshnjat duhet të hanë çdo disa orë dhe modelet e gjumit të të rriturve përshtaten me këtë nevojë. Fleksibiliteti në gjumin tonë ka qenë gjithmonë një tipar mbijetese.

    Të presësh qëndrueshmëri të ngurtë nga gjumi krijon pritshmëri jorealiste. Disa netë do të jenë më të mira se të tjerat – dhe kjo është normale.