ATV

Author: G.O.

  • Sekuestrohet arsenal armatimi në Prishtinë, lidhet me një rast të mëhershëm të vrasjes në tentativë

    Sekuestrohet arsenal armatimi në Prishtinë, lidhet me një rast të mëhershëm të vrasjes në tentativë

    Policia ka bastisur shtëpinë e një personi të dyshuar për vrasje në tentativë, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme armatimi dhe pajisjesh.

    Operacioni policor u zhvillua të mërkurën në Prishtinë, si pjesë e hetimeve intensive lidhur me një rast që kishte ndodhur disa muaj më parë.

    Gjatë kontrollit në pronën e të dyshuarit, njësitet hetimore kanë gjetur dhe konfiskuar një armë automatike AK-47.

    Sipas Policisë, kjo armë dyshohet të jetë përdorur në rastin e vrasjes në tentativë që ndodhi më 12 maj të këtij viti në rrugën “Bardhyl Qaushi” në kryeqytet.

    Përveç armës së zjarrit, janë gjetur edhe dy jelekë anti-plumb, një helmetë dhe një palë pranga.

  • Britania në fundjavë do ta njohë shtetin palestinez

    Britania në fundjavë do ta njohë shtetin palestinez

    Britania e Madhe do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës këtë fundjavë, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump të përfundojë vizitën e tij shtetërore, raportoi të mërkurën “The i Paper”, duke cituar burime qeveritare, transmeton Anadolu.

    Në korrik, kryeministri Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do ta njohë shtetësinë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York në shtator, nëse Izraeli nuk ndërmerr “hapa thelbësorë” për të adresuar situatën humanitare në Gaza dhe për të rënë dakord për një armëpushim.

    Arsyeja për shtyrjen e njoftimit deri pas largimit të Trumpit nga Mbretëria e Bashkuar është sepse “mund të kishte rrezikuar thellimin e tensioneve me Washingtonin, pasi Trump dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio ofruan mbështetje të fortë për ofensivën tokësore të Izraelit në Gaza”, thuhet në raport.

    Zëdhënësi i kryeministrit tha se njohja ishte hartuar për të mbrojtur qëndrueshmërinë e një zgjidhjeje me dy shtete.

    “Shtetësia është e drejtë e patjetërsueshme e popullit palestinez dhe është absolutisht thelbësore në mbrojtjen e qëndrueshmërisë së një zgjidhjeje me dy shtete që ta bëjmë të qartë këtë të drejtë të patjetërsueshme”, shtoi ai.

    Vitin e kaluar, Irlanda, Norvegjia dhe Spanja iu bashkuan një liste prej 147 vendesh që tani e njohin zyrtarisht Palestinën.

    Franca njoftoi planet për të njohur shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke u bërë shteti i parë anëtar i G7-ës, një forum joformal i shtatë vendeve dhe demokracive kryesore të industrializuara, që e bën këtë.

  • Shtyhet seanca ndaj Simiqit për sulmin ndaj gazetarëve në veri

    Shtyhet seanca ndaj Simiqit për sulmin ndaj gazetarëve në veri

    Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është shtyrë seanca fillestare lidhur me aktakuzën ndaj deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe Urosh Vuksanoviq, për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq në qershor të vitit 2023.

    Gjykata më pas vendosi që seanca të shtyhet për 9 tetor, duke nisur nga ora 13:30.

    Avokatët e dy të akuzuarve thanë se njëri nga të pandehurit nuk i ka pranuar shkresat nga prokurori, ndërkaq tjetri i ka pranuar vetëm pjesërisht.

    Prokurorja e rastit, Ajtene Zoti, tha se avokatët janë njoftuar disa herë përmes telefonit për të marrë shkresat e lëndës, por ajo tha se ata nuk kishin shkuar për t’i marrë.

    Pas shtyrjes së seancës, Simiq gjatë një deklarimi për gazetarë i hodhi poshtë akuzat dhe tha se “misioni im jetësor është të promovoj paqen, bashkëjetesën, dialogun dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve përmes institucioneve, dhe kurrsesi e kundërta”.

    “Principet e mia themelore, kodi im politik, bazohet në atë se gazetari është ishenjtë dhe askush nuk duhet ta prekë gazetarin, dhe kështu kam vepruar ndaj gazetarëve, si në veri, ashtu edhe në jug”, deklaroi ai, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Për çfarë akuzohet deputeti Simiq?
    Më 13 qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngriti aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Simiq akuzohet për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

    Sipas Prokurorisë, Simiq më 16 qershor të vitit 2023 gjatë protestave kundër vizitës të ministrit, tashmë në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi “me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat”.

    Në njoftimin për ngritjen e aktakuzës, Prokuroria tha se sulmi vazhdoi në drejtim të gazetarëve, fillimisht me shok bomba, e më pas turma u godit me grushte, shqelma, mjete të forta, tulla betoni, e gjësende të tjera. Gjatë këtij sulmi pësuan lëndime të rënda trupore dy gazetarë, tha Prokuroria.

    Ndërkaq, të pandehurin Urosh Vuksanoviq, Prokuroria e akuzon për përfshirje “të drejtpërdrejtë në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve të Kosovës”.

    Ai akuzohet për veprat penale “sulmi” dhe “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

    Pasi u ngrit aktakuza, Lista Serbe deklaroi se Simiq kishte tentuar “të mbrojë të gjithë të pranishmit, përfshirë ekipet mediale”.

    Sulmi i 16 qershorit të vitit 2023 ishte dënuar nga politikanë vendorë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Atë vit, në Leposaviq dhe në tri komunat e tjera në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, gazetarët ishin cak i disa sulmeve teksa ata po mbulonin protestat e serbëve lokalë kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave.

    Zgjedhja e kryetarëve shqiptarë erdhi pasi kryetarët serbë ishin tërhequr dhe më pas partitë serbe bojkotuan zgjedhjet që u mbajtën në prill.

    Protestat më 2023 kulmuan me përplasjen mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan më 29 maj. Gjatë kësaj përplasjeje u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe protestues. NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë./REL

  • Suspendimi i katër zyrtarëve policorë, Shala: Vendimi rrezikon të dëmtojë imazhin e institucionit

    Suspendimi i katër zyrtarëve policorë, Shala: Vendimi rrezikon të dëmtojë imazhin e institucionit

    Suspendimi i katër zyrtarëve të Njësisë për Reagim të Shpejtë, pas një shakaje të pretenduar për kryeparlamentarin Dimal Basha, po konsiderohet si ndërhyrje politike.

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se ky vendim është rezultat i një presioni të jashtëm politik mbi Policinë e Kosovës.

    Tutje ai tha se kjo rrezikon të dëmtojë imazhin e Policisë së Kosovës.

    Sipas tij, veprime të tilla mund të demoralizojnë stafin policor dhe të ndikojnë në funksionimin e strukturave të sigurisë.

    “Fakti që shumica e zyrtarëve policorë tanimë edhe me pjesën e përcaktimit të pagës, pjesën e përcaktimit të rrezikshmërisë dhe baraspeshimi në aspekte të ndryshme administrative ka krijuar një pakënaqësi të madhe, interferimet dhe marrja e masave, të themi administrative, të ndikuara dhe të motivuara politikisht mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit, sepse ne kemi një element krucial. Elementi i asaj që nuk po kemi mundësi ta mbulojmë pjesën e nevojave tona me zyrtarë të rinj policorë për arsye që po janë të njohur me problematikën brenda strukturave policore, sepse problemet brenda policisë së Kosovës janë shumë më të thella dhe shumë më të rënda se ndoshta janë në shqyrtim të parë, për arsye që janë të mbingarkuar, kanë një mospërkrahje institucionale. Por, nevojat e tyre dhe të gjitha këto reflektojnë në një veprim ndoshta të motivuar, që sipas të gjitha gjasave politikisht, për suspendimin e zyrtarëve policorë”, tha Shala.

    Shala shtoi se deri tani ky mekanizëm ka funksionuar në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime politike, duke ruajtur imazhin dhe llogaridhënien brenda Policisë së Kosovës.

  • Zgjedhjet lokale të 12 tetorit, KQZ nis dërgimin e fletëvotimeve për votuesit nga diaspora

    Zgjedhjet lokale të 12 tetorit, KQZ nis dërgimin e fletëvotimeve për votuesit nga diaspora

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 44 mijë votues jashtë vendit.

    Këtë shërbim KQZ-ja po e ofron për herë të parë për zgjedhjet lokale, ndërsa synon ta përfundojë të gjithë procesin e shpërndarjes së pakove me fletëvotime brenda kësaj jave.

  • Njerëzit vunë re një ‘detaj ofendues’ nga pritja e Donald dhe Melania Trump në Mbretërinë e Bashkuar

    Njerëzit vunë re një ‘detaj ofendues’ nga pritja e Donald dhe Melania Trump në Mbretërinë e Bashkuar

    Presidenti i ShBA-së, Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar të martën në mbrëmje për një vizitë shtetërore dy-ditore.

    Aeroplani presidencial, Air Force One, u ul në aeroportin Stansted të Londrës pak pas orës 21:00 sipas orës lokale.

    Çifti u prit nga Sekretarja e Jashtme Britanike Yvette Cooper, Ambasadori i ShBA-së në Mbretërinë e Bashkuar Warren Stephens dhe, në emër të Mbretit Charles III, Viscount Hood.

    Pas uljes në aeroport, Trump dhe Melania u transportuan me helikopter Marine One në rezidencën e ambasadorit, Winfield House në Regent’s Park, ku do të qëndrojnë gjatë vizitës së tyre.

    Me të mbërritur, Trump shprehu kënaqësinë e tij për vizitën.

    Megjithatë, menjëherë pas mbërritjes, publiku në rrjetet sociale vuri re një detaj që shumë e përshkruan si një ‘fyerje’ ndaj presidentit – mungesa e një qilimi të kuq gjatë daljes nga avioni.

    “Presidenti amerikan Trump mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar për një vizitë zyrtare… por nuk ka qilim të kuq për të në Londër, vetëm një pistë ajrore dhe disa ushtarë”, shkroi një përdorues.

    Një tjetër shtoi: “Asnjë trajtim me qilim të kuq për Trumpin ndërsa ai mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar me Airforce 1. Çfarëdo që të mendoni për Trumpin, kjo thjesht nuk është protokoll dhe është një fyerje”. Një i tretë komentoi: “Asnjë qilim i kuq për Trumpin në Angli. Turp të kesh, Starmer”.

    Edhe pse nuk është shpjeguar zyrtarisht pse mungonte qilimi, supozohet se vendosja e tij në Aeroportin e Stansted nuk është pjesë e protokollit standard dhe se një pritje më formale dhe festive do të mbahet sot në Kështjellën Windsor. /Telegrafi/

  • Pesë vendet më të sigurta në botë për vitin 2025

    Pesë vendet më të sigurta në botë për vitin 2025

    Në një vit të shënuar nga konflikti, pesë vende vazhdojnë të renditen ndër më paqësoret në botë, sipas BBC.

    Në vitin 2025, paqja mund të ndihet si një komoditet i rrallë. Luftërat globale po përshkallëzohen, siguria kufitare po forcohet dhe tensionet tregtare vazhdojnë të rriten.

    Sipas Indeksit Global të Paqes (GPI) të vitit 2025, numri i konflikteve shtetërore ka arritur nivelin më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore, me tre luftëra të tjera që shpërthyen vetëm këtë vit.

    Shumë vende po përgjigjen me militarizim në rritje.

    Megjithatë, pavarësisht këtyre statistikave të zymta, disa vende vazhdojnë t’i japin përparësi paqes.

    GPI, i prodhuar nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe, gjurmon 23 tregues, nga konfliktet e jashtme dhe shpenzimet ushtarake deri te masat e sigurisë si terrorizmi dhe vrasjet.

    Vendet e renditura në krye të indeksit kanë qenë jashtëzakonisht të qëndrueshme për gati dy dekada, duke treguar stabilitetin që politikat paqësore mund të sjellin në planin afatgjatë.

    BBC foli me banorët në disa nga qarqet më paqësore të botës për të mësuar se si këto politika formësojnë jetën e përditshme – dhe çfarë u jep atyre një ndjenjë unike sigurie dhe qetësie.

    Islanda

    E renditur në vendin e parë që nga viti 2008, Islanda mbetet kombi më paqësor në botë, duke kryesuar në të tre fushat: siguria dhe mbrojtja, konflikti i vazhdueshëm dhe militarizimi.

    Madje ajo regjistroi një përmirësim prej 2% këtë vit, duke zgjeruar hendekun nga vendi i vendit të dytë në listë.

    Për vendasit, kjo ndjenjë sigurie ndihet në jetën e përditshme.

    “Ndërsa kushtet e vështira të motit, veçanërisht në dimër, mund të mos krijojnë gjithmonë një ndjenjë sigurie, komuniteti është i sigurt.

    Ju mund të ecni vetëm natën pa u shqetësuar; të shihni foshnje që flenë të qeta në karroca jashtë kafeneve dhe dyqaneve, ndërsa prindërit e tyre shijojnë një vakt ose janë duke bërë punë të ndryshme; dhe policia lokale nuk mban armë.

    Irlanda

    Edhe pse e prekur nga konfliktet gjatë fundit të shekullit të 20-të, Irlanda e sotme vazhdon ta vërë paqen në plan të parë.

    Ajo mori rezultate veçanërisht të larta për uljen e militarizimit të saj vit pas viti – dhe u rendit si një nga vendet me më pak konflikte të vazhdueshme vendase dhe ndërkombëtare.

    Ajo gjithashtu u rendit në 10 vendet e para për sigurinë shoqërore, me perceptime të ulëta të krimit dhe dhunës.

    Zelanda e Re

    Këtë vit Zelanda e Re u ngjit dy vende më lart, në vendin e tretë, falë përmirësimeve në fushën e sigurisë, si dhe më pak demonstratave dhe ndikimeve të lidhura me terrorizmin.

    Si një vend ishullor në Paqësor, gjeografia e Zelandës së Re i jep asaj mbrojtje natyrore nga konflikti i jashtëm, por politikat e saj të brendshme u japin banorëve gjithashtu një ndjenjë paqeje.

    Ligjet e Zelandës së Re për armët janë ndër më të rreptat në botë, gjë që kontribuon absolutisht në ndjenjën e sigurisë.

    Gjithashtu është një vend ku fëmijët ecin për në shkollë, njerëzit i lënë dyert e tyre të hapura dhe shoferët ndalen për të ndihmuar nëse një automjet prishet në anë të rrugës.

    Ekziston një besim i përgjithshëm tek të tjerët dhe në sistemet përreth – gjë që krijon një ndjenjë të vërtetë komuniteti në jetën e përditshme.

    Austria

    Austria këtë vit, u rendit në vendin e katërt, por ende lart në të gjitha fushat.

    Ashtu si Irlanda, Austria miraton një politikë neutraliteti të mandatuar nga kushtetuta, duke e penguar atë të bashkohet me aleanca ushtarake si NATO.

    Kjo i mundëson vendit të përqendrojë vëmendjen dhe burimet e tij brenda vendit.

    Singapori

    Duke ruajtur pozicionin e tij në vendin e gjashtë, qytet-shteti i Singaporit është i vetmi vend aziatik në 10 vendet e para (Japonia dhe Malajzia renditen përkatësisht në vendet e 12-të dhe të 13-të).

    Ai renditet veçanërisht lart për sigurinë, edhe pse ruan një nga nivelet më të larta të shpenzimeve ushtarake për frymë në botë, të tejkaluara vetëm nga Koreja e Veriut dhe Katari.

  • Williams: Në Rambuje telefoni i Hashim Thaçit binte vazhdimisht, kishte trysni dhe presion ideologjik

    Williams: Në Rambuje telefoni i Hashim Thaçit binte vazhdimisht, kishte trysni dhe presion ideologjik

    Dëshmitari i mbrojtjes, Paul Williams, i cili ka qenë këshilltar për delegacionin kosovar në Rambuje deklaroi se Hashim Thaçi u raportonte komandantëve të zonës dhe se ai kontrollohej nga jashtë. Ai në Dhomat e Specializuara në Hagë tha se gjatë qëndrimit në fshatin Rambuje të delegacionit nga Kosova, Hashim Thaçi kishte “trysni dhe presion ideologjik”.

    Dëshmitari i mbrojtjes, Paul Williams, i cili ka qenë këshilltar për delegacionin kosovar në Rambuje deklaroi se Hashim Thaçi u raportonte komandantëve të zonës dhe se ai kontrollohej nga jashtë.

    Ai në Dhomat e Specializuara në Hagë tha se gjatë qëndrimit në fshatin Rambuje të delegacionit nga Kosova, Hashim Thaçi kishte “trysni dhe presion ideologjik”.

    Mbrojtja e Thaçit, Luka Mishetiq gjatë pyetjeve të tij ka paraqitur një dokument ku thuhej se “Thaçi kontrollohej nga jashtë” për çka Williams tha se një gjë të tillë e ka vërejtur gjatë bisedave në Rambuje.

    “Baza për këtë përfundim [se Thaçi kontrollohej nga jashtë], janë disa faktorë, biseda të shumta përmes thirrjeve telefonike që realizonte Hashim Thaçi me persona të ndryshëm nga jashtë kështjellës. Telefoni i tij binte në mënyrë të vazhdueshme, që shpesh nënkuptonte që atij i duhej ose të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës. Delegacioni i Kosovës ishte në katin përdhese, kështu që mund të dilje lehtësisht në oborrin e kështjellës…Ti mund ta lexoje pak edhe nga gjestikulacioni ose nga paraqitja. Ndonjëherë ke një koklavitje ose një përzierje të aktorëve edhe ka shumë aktorë apo palë të tjera të cilët mua më kanë bërë që shkoj në këtë përfundim. Pra, krijohej përshtypja që dikush ishte në kontroll të negociatave ose në kontroll të pjesshëm të negociatave”, deklaroi ai.

    Tutje, ai tha se përshtypja e tij ishte që “Thaçi nuk kishte kontroll të plotë mbi negociatat dhe se ai “përfaqësonte interesat nga jashtë”.

    Williams tha se e kishte të qartë se Hashim Thaçi ishte “përfaqësues dhe zëri i UÇK-së nĽ atë kështjellë”.

    Misetiç: A ju kujtohet që ju keni vënë re zotëri Thaçi u raportonte në mos u nënshtrohej komandantëve të zonës?

    Williams: Po, kështu më kujtohet dhe mua.

    Misetiç: Si dolët në këtë konkluzion që ai ju raportonte në mos u nënshtrohej komandantëve të zonës?

    Williams: Ata e telefonin, ai e hapte telefonin, bisedonin në telefon për një periudhë të caktuar kohore edhe më pas ai komentonte për procesin, jepte feedback për procesin, prandaj thash që ai u raportonte atyre. Prandaj erdha në këtë përfundim.

    Misetiç: Ju flisnit shqip.

    Williams: Shpesh, meqë isha në kështjellë, shpesh ju kërkoja kolegëve shqiptarë të Kosovës, ju thosha ‘me kë po flet Hashimi, tërë kohën me kë është në telefon’, më thonin ‘me ekipin e tij, me shqiptarët, kosovarët’ dhe ata vet më kanë thënë që po flet me komandantët lokal.

    Misetiç: Ju kujtohet ndonjë person konkret nga delegacioni që ua ka thënë këtë?

    Williams: Blerim Shala, Dugi nuk më kujtohet edhe mbiemri, ai madje më ndihmonte për përkthime dhe Edita Tahiri”, u përgjigj Williams.

    Avokati i Thaçit, Luka Misetiç u pyet edhe për një udhëtim të Thaçit në Slloveni për të takuar Adem Demaçin, gjatë kohës sa delegacioni kosovar po qëndronte në Rambuje.

    “U interesova në fakt, e bëra këtë pyetje se si na shërben kjo u thash, si i shërben kjo procesit, dhe përgjigja ishte që ‘ishte e domosdoshme për arsyeje politike dhe kulturore’. Ishte e nevojshme që Hashimi të shkonte në Slloveni dhe të vizitonte Demaçin.

    Misetiç: A zbulove pastaj se si lidhej kjo vizitë me Rambujenë, nëse kishte ndonjë lidhje?

    Williams: Gjatë kohës sa delegacioni kosovar ishte në Rambuje edhe po bënin ecuri, kishte proces për nënshkrimin e marrëveshjes, por ama kishte trysni nga jashtë të cilat i diskutuam më herët sot nga komandantë lokal por gjithashtu kishte presion ideologjik dhe kulturor prej Adem Demaçit, i cili po pengonte progresin e negociatave”, shtoi ai, duke thënë se problemi i Demaçit ishte “pavarësia”.

    Gjatë dëshmisë së tij në gjykatore, dëshmitari i dytë i mbrojtjes ka thënë që e ka përpiluar një propozim të delegacionit të Kosovës në Rambuje lidhur me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës. Ai theksoi se qëllim i delegacionit ishte që të sigurohen për të marrë angazhim konkret për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

    Dëshmitari i mbrojtjes, Paul Williams tha se Hashim Thaçi ishte i vetëdijshëm se bashkëpunimi me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë do të përfshinte hetime potenciale të UÇK-së.

    Williams: Hashim Thaçi ishte i vetëdijshëm se bashkëpunimi me Tribunalin do të përfshinte hetime potenciale të UÇK-së

    Williams: Ai e pranoi në tërësi atë dhe tha po kjo pasqyron atë që na intereson edhe neve, katër pikat këtu.

    Misetiç: A ishte Hashim Thaçi i vetëdijshëm se bashkëpunimi me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë do të përfshinte bashkëpunimin TPNJ për çështje dhe hetime potenciale lidhur me UÇK-në?

    Williams: Po.

    Misetiç: Si e dini këtë?

    Williams: Ka pasur arsyeje të ndryshme në të cilën e mbështes përgjigjen time. E para ishte se delegacioni i Kosovës, përfshirë atë që përfaqësonin UÇK-në dhe përfshirë Hashim Thaçin kishin në anën e tyre mundësinë që të shihnin se si ky Tribunal për ish-Jugosllavinë vepronte në kontekstin e Kroacisë dhe Bosnjes, ku Tribunali kishte ngritur aktakuzë për pjesëtarë të këtyre palëve dhe situata faktike ishte e tillë që Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të veçanta”, u përgjigj Williams.

    Gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Williams tha se ai bashkë me Mark Weller, i cili ka qenë këshilltar ligjor ndërkombëtar, e kanë përpiluar propozimin e delegacionit të Kosovës në Rambuje lidhur me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

    Paraprakisht, dëshmitari Paul Williams tha se ka punuar intensivisht me anëtarët e delegacionit gjatë bisedimeve në Rambuje dhe se i ishte kërkuar që të përgatis gjuhë gjithëpërfshirëse “për të siguruar që TPNJ të ishte në gjendje të kishte përgjegjësitë e veta për të zbatuar mandatin e saj”.

    Tutje, Williams tha se edhe delegacioni i Kosovës ishte në dijeni që do të përfshinte bashkëpunimin për arrestim dhe transferim në Tribunalin Penal Ndërkombëtar në ish-Jugosllavi të pjesëtarëve të UÇK-së.

    Williams: Ju kam shpjeguar delegacionit qartë dhe shprehimisht në gjuhën që më kishin kërkuar të përpiloja

    Williams: Sepse unë në cilësinë e juristit që punoja për ta ju kam shpjeguar atyre në mënyrë të qartë dhe shprehimisht gjuhën që ata kishin më kërkuar të përpiloja dhe se të bëhej pjesë e procesit të bisedimeve duke ua dorëzuar pastaj grupit kontaktit, gjithashtu edhe për nevoja të një kontrollimi të dyfishtë dhe verifikimit të dyfishtë Fehmi Agani i cili ishte jurist i tyre kryesor për çështje kushtetuese, tha pra që unë do të punoja së bashku me të për tu siguruar që ndërkohë që ne po transmetonim, po kalonim informacionet në mënyrë të drejtpërdrejt pjesëtarëve te delegacionit, që ai së bashku dhe unë do të kishim një komunikim të ndërsjellë të dispozitave që po përgatiteshin”, u përgjigj dëshmitari.

    Dëshmitari Paul Williams u pyet edhe për raportet me Veton Surroin , i cili tha se “e njihja goxha mirë në shkurt të vitit 1999, prej asaj kohe në vazhdim unë kam pasur një marrëdhënie shumë të fortë profesionale dhe personale”.

    Williams tha ai nuk i kishte thënë asnjëherë që është i kërcënuar nga Hashim Thaçi, kur ishin pjesë e delegacionit në Rambuje.

    Misetiç: Në shkurt të 99’tës, a ju ka thënë ndonjëherë zotëri Surroi që është ndjerë i kërcënuar nga Hashim Thaçi?

    Williams: Veton Surroi nuk më ka thënë asnjëherë, ose nuk më ka lënë të kuptoj në asnjë mënyrë ose nuk më ka shfaqur asnjë sjellje që do të më bënte mua të besoja që ai ishte i kërcënuar nga Hashim Thaçi apo nga askush tjetër nga delegacioni shqiptar i Kosovës”, u përgjigj Williams.

    Dëshmia e Paul Williams ka nisur sot dhe pritet të zgjas një ditë e gjysmë, mbrojtja e Thaçit ka parashikuar dy orë, ekipet tjera të mbrojtjes së bashku kanë kërkuar dy orë e gjysmë dhe ZPS dy orë e gjysmë.

    Ky është dëshmitari i dytë i mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Mbrojtja e Thaçit tha se dëshmia e Williams do të tregojë që “Thaçi nuk e kishte autoritetin për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”

  • Mozzik reagon pas raportimeve se u arrestua

    Mozzik reagon pas raportimeve se u arrestua

    Reperi i njohur kosovar, Gramoz Aliu, ka reaguar pas raportimeve në media se ai ishte arrestuar mbrëmë.

    Përmes një postimi në rrjete sociale, Mozzik tha se ka dhënë deklaratë në prezencë të avokatit të tij, Arianit Koci, për çështjen që lidhet me orën e dorës “Richard Mille”.

    Ai i quajti të pavërteta raportimet për arrestim dhe borxhe ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

    “Sapo dhashë deklaratë, në prezencë të avokatit tim Arianit Koci, lidhur me çështjen e mbrëmjes së kaluar për orën e dorës Richard Mille në airoportin e Prishtinës. Mediat që kanë raportuar për një arrestim që nuk ka ndodhur, nuk kanë vepruar drejt. Po ashtu, raportimet për një kinse borxh ndaj ATK janë të pavërteta – vetëm rrena dhe shpifje. Sulme të tilla i përballoj me qetësi, njësoj si gripin – dhe nuk kanë asnjë peshë më shumë. Ju uroj suksese të gjithëve, dhe ishalla flini të qetë sonte. Ju dua edhe juve qe po shkruani keq!”, shkroi ai.

  • Vrasja për pronë në Ferizaj, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Vrasja për pronë në Ferizaj, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit B.R., i cili dyshohet se të hënën mbrëma ka vrarë me armë zjarri djalin e axhës së tij, I.R.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Ferizajt, si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme.

    Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, krimi i rëndë ka pasur si motiv një konflikt pronësor mes dy kushërinjve.

    Pas një fjalosjeje verbale në rrugën e fshatit, i pandehuri dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

    Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë rrugës për në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

    Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e prokurorisë, duke e lënë të dyshuarin në paraburgim për 30 ditë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.