ATV

Author: G.O.

  • Kjo simptomë në vesh mund të jenë sinjal paralajmërues i një forme të rrezikshme të kancerit

    Kjo simptomë në vesh mund të jenë sinjal paralajmërues i një forme të rrezikshme të kancerit

    Një ndjesi e zakonshme që shumë e përjetojnë – veshë të bllokuar ose ndjenjë sikur keni qenë në ujë – mund të mos jetë aq e pafajshme sa duket. Kjo simptomë, që shpesh lihet pas dore, mund të jetë një shenjë e hershme e njërit prej tumoreve më agresivë në botë.

    Tumoret malinje të kokës dhe qafës po shënojnë rritje shqetësuese, sidomos tek të rinjtë, ndërsa mjekët e studiuesit po përpiqen të identifikojnë arsyet e këtij trendi.

    Onkologu Dr. Jiri Kubes nga Qendra për Terapinë me Protone në Pragë ka ngritur alarmin se mungesa e ndërgjegjësimit për këtë formë kanceri është një faktor shtesë rreziku.

    “Diagnoza e hershme është thelbësore. Sa më shpejt të identifikohet kanceri i kokës dhe qafës, aq më të mëdha janë gjasat për trajtim të suksesshëm,” ka theksuar ai për gazetën britanike Mirror.

    Sipas Dr. Kubes, ndjesia e vazhdueshme e veshëve të bllokuar mund të sinjalizojë një problem serioz në zonën përreth kokës dhe qafës, dhe nuk duhet injoruar.

    “Dhimbja e vazhdueshme e veshit mund të jetë një tjetër shenjë paralajmëruese e pranisë së tumorit,” ka shtuar ai.

    Lista e simptomave që mund të sinjalizojnë praninë e një tumori përfshin gjithashtu:

    dhimbje në mishrat e dhëmbëve,

    ulcera në gojë që nuk shërohen,

    dhimbje të dhëmbëve të pashpjegueshme,

    njolla të bardha ose të kuqe në gojë.

    “Mos e neglizhoni dhimbjen – bëni një kontroll tek mjeku i familjes, pasi mund të jetë një lezion kanceroz,” ka këshilluar më tej Dr. Kubes.

    Alarm për kujdes të shtuar ngre edhe në rastet kur dhimbja e fytit zgjat më shumë se dy javë, apo kur ndodhin ndryshime të papritura në zë, përfshirë ngjirjen.

    “Këto janë shenja të qarta që nuk duhet të injorohen,” përfundon onkologu.

  • BARCELONA – REAL MADRID – Rivaliteti më i madh në historinë e futbollit!

    BARCELONA – REAL MADRID – Rivaliteti më i madh në historinë e futbollit!

    BARCELONA – REAL MADRID – Rivaliteti më i madh në historinë e futbollit!

    Dy gjigandë, një rivalitet i përjetshëm!

    Kur Camp Nou dhe Santiago Bernabéu takohen, futbolli arrin nivel tjetër!

    Përballje mes Barcelonës dhe Real Madridit, e njohur si “El Clásico”, është një nga ndeshjet më emocionuese dhe të ndjekura në botë. Hera e parë që këto dy skuadra u përballën daton më 13 maj 1902, plot 123 vjet më parë në Kupën e Mbretit, ku Real Madridi fitoi 3-1.

    Që atëherë, këta dy gjigandë kanë shkruar histori të paharrueshme në futboll, duke numëruar 261 ndeshje zyrtare.

    Në duelet mes tyre Los Blancos numërojnë 105 fitore, por Katalunasit vetëm një më pak 104.

    Numri total i golave në histori të El Clásico kalon 700 në të gjitha kompeticionet
    E fitoren më të thellë mes tyre e posedon Barcelona, në ndeshjen e vitit 1943, duke e fituar me shifrat 11-1.

    Lionnel Messi është golashënuesi më i mirë në histori të El Clásico, me 26 gola, ndërsa Cristiano Ronaldo e ndjek me 18.

    Ky duel i luajtur me shumë pasion dhe rivalitet të zjarrtë në fushë, në historinë e saj, janë dhënë mbi 40 kartona të kuq.

    E kush është lojtari që kryeson?

    Padyshim, Sergio Ramos. Mbrojtësi luftarak I cili është ndëshkuar plot 5 herë.

    Ndërsa, kartonat e verdhë janë shumë më të zakonshëm, me mesatarisht 7-10 të dhënë në çdo ndeshje.

    Po ashtu, numër të lartë numërojnë edhe faullet. Me rreth 30-35 të shkaktuar për ndeshje.

    Madje, në disa prej tyre, kjo shifër ka arritur deri në 50 faulle, veçanërisht në sezonet më të tensionuara.

    Ndeshja me më shumë spektatorë është ajo në Santiago Bernabéu, 31 vite më pare, ku mbi 120,000 tifozë ishin prezentë, një nga më të mëdhatë në historinë e futbollit europian.

    Ndërsa shikueshmëria e kësaj ndeshje arriti deri në 650 milionë ndjekës nga 182 vende të botës.

    Ndërsa trajneri me më së shumti fitore në El Clásico është legjenda Miguel Muñoz i Real Madrid, me 16 fitore.

    E kush e ka shënuar golin më të shpejtë?

    Karim Benzema, në vetëm 21 sekonda.

    Por, padyshim legjendat që kanë shkëlqyer janë Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

    Sepse kur këta dy takoheshin, shikohej një spektakël futbolli me emocione të papërshkrueshme, gola të bukur dhe momente që mbeten në memorien e çdo tifozi.

    Por, ju jeni me Barcelonën apo Real Madridin? Tregoni në komente

  • Statujë e artë me Trump me bitcoin në dorë shfaqet pranë Kapitolit në Washington DC

    Statujë e artë me Trump me bitcoin në dorë shfaqet pranë Kapitolit në Washington DC

    Një statujë e artë 3.5 metra e gjatë e presidentit amerikan Donald Trump duke mbajtur një bitoin në dorë – është vendosur pranë Kapitolit në Washington DC.

    Statuja u sponsorua nga investitorët e kriptovalutës e cila tashmë ka zgjuar interesim tek miliona njerëz në mbarë botën, transmeton Telegrafi.

    Organizatorët thanë se ky veprim synon të inkurajojë debatin rreth monedhës digjitale, politikës monetare dhe rolit të qeverisë federale në tregjet financiare.

    Ata shtuan se kjo gjithashtu pasqyron mbështetjen publike të Trump për kriptomonedhën, dhe pritet të tërheqë vëmendjen e kalimtarëve.

    Instalimi përkoi me njoftimin e Rezervës Federale për një ulje prej 25 pikësh bazë të normës së saj bazë të interesit, duke e ulur atë nga 4.3% në rreth 4.1%.

    Kjo ishte ulja e parë e normës që nga dhjetori 2024. Banka qendrore parashikoi gjithashtu dy ulje të tjera këtë vit dhe vetëm një në vitin 2026, një veprim që mund të zhgënjejë Wall Street. /Telegrafi/

  • “Walk of Shame” – Aksion simbolik me 120 emra deputetësh kundër bllokadës politike në Kosovë

    “Walk of Shame” – Aksion simbolik me 120 emra deputetësh kundër bllokadës politike në Kosovë

    Para hyrjes së Kuvendit të Kosovës janë vendosur në tokë 120 fletë të bardha me emrat e deputetëve të legjislaturës aktuale, mbi të cilët është vizatuar një X me ngjyrë të kuqe dhe mbi ta është vendosur mbishkrimi “Walk of Shame”.

    Ky aksion simbolik është organizuar si protestë kundër moskonstituimit të institucioneve dhe bllokadës politike në vend. Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Kosova vazhdon të mbetet pa institucione vendimmarrëse, duke krijuar vakum politik e institucional.

    Organizatori i këtij aksioni, Fatmir Bytyqi, tha se tashmë 26 ditë e net është duke qëndruar para Kuvendit të Kosovës.

    Ai theksoi se qëllimi i tij është të vetëdijësojë qytetarët për të mos votuar më kurr deputetët aktualë.

    “Unë tash e 26 ditë gjindem para Kuvendit të Kosovës në shenjë proteste për mos konstituim të institucionit më të rëndësishëm të Republikës. Qëllimi im është kryesisht që t’i vetëdijësoj qytetarët që këta deputetë të mos votohen asnjëherë. Ne kemi pasur rastin në vitin 2014 kur Kuvendi nuk ka funksionuar për disa muaj, tash është ky rasti i dytë. Kjo për arsye se në 2014 nuk kemi ditur që t’i ndëshkojmë deputetët për mos punën e tyre, kjo gjendje po na përsëritet edhe tash. Këtë duhet ne qytetarët t’ia edukojmë klasës politike. Këta deputetë nuk guxojmë më asnjëherë t’i votojmë. Nuk është me rëndësi cila parti votohet, secila parti LDK, PDK, VV, por këta 120 emra nuk guxojmë që t’i votojmë. Nuk mund të luajnë me institucionet e vendit”, tha ai për EO.

  • Sveçla pas kapjes së armatimit që u kap në veri: Institucionet tona të sigurisë, janë më të forta se kurrë

    Sveçla pas kapjes së armatimit që u kap në veri: Institucionet tona të sigurisë, janë më të forta se kurrë

    Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se municioni i armëve që u gjet sot ishte në pronën e Nemanja Radivojeviq, i njohur si “Gandi”.

    Teksa publikoi edhe video nga kapja e armëve në Zveçan, Sveçla ka thënë se derisa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën e Kosovës.

    Megjithatë thekson se institucionet e sigurisë së Kosovës janë më të forta se kurrë dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimë të elemente kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën.

    “Sot, në pronën e Nemanja Radivojević – i njohur si “Gandi”, janë gjetur municion, pajisje ushtarake, policore dhe veshje kamuflazhi. Ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e Heroit të Kombit, Rreshterit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë. Për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën tonë”, ka shkruar Sveçla.

    Madje ai ka theksuar se këto pajisje armatimi janë dëshmi se ky grup kriminal i dirigjuar nga Serbia ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës.

    “Pajisjet e gjetura sot janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës. Por shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën”, përfundon shkrimi.

  • Pa fërkim të lodhshëm – Me këtë përbërës natyral hiqni lehtësisht njollat dhe gëlqeroren e fortë

    Pa fërkim të lodhshëm – Me këtë përbërës natyral hiqni lehtësisht njollat dhe gëlqeroren e fortë

    Nëse po kërkoni një zgjidhje të thjeshtë për problemet që shkaktohen nga gëlqerorja dhe shtresat e forta që s’po hiqen dot, provoni trukun që shumë njerëz e rekomandojnë

    Nëse jeni lodhur duke u munduar me shtresa kokëforta që sapo i fshini, rikthehen sërish, atëherë ka ardhur koha të përdorni një përbërës paksa të nënvlerësuar, por që bën punë më mirë se shumica e produkteve të shtrenjta.

    Me siguri e njihni mirë atë erën e rëndë nga kimikatet që ju bën të kolliteni, ju rëndon në frymëmarrje dhe, në fund, ju lodh nga pastrimi pa fund. Pikërisht për këtë arsye, acidi citrik (thartira e limonit) është zgjidhja e duhur, sepse heq gjithçka.

    Pse pikërisht acidi citrik?

    Ky është një pastrues natyral: shpërbën gëlqeroren, tret ndryshkun dhe shkrin yndyrat. Mjafton të hidhni pak mbi sipërfaqen problematike, të shtoni pak ujë të ngrohtë dhe të prisni disa minuta.

    Rezultati? Rubinetet shkëlqejnë, soba ndriçon, ndërsa kabina e dushit duket si e re, transmeton Telegrafi.

    Në cilat sipërfaqe funksionon?

    Rubinetet dhe kabinat e dushit të mbushura me gëlqerore
    Sipërfaqet metalike të prekura nga ndryshku
    Yndyra e grumbulluar në sobë, furrë dhe pllaka
    Qeramika në banjo
    Madje edhe për pastrimin e pajisjeve të kuzhinës
    Përzierje efikase për shtresat të forta dhe gëlqerore

    Kombinimi i thartirës së limonit me detergjent enësh ka treguar efikasitet të lartë. Kjo përzierje aplikohet direkt mbi sipërfaqen e ndotur, lihet të veprojë rreth 10 minuta dhe më pas fshihet me një leckë të lagur. Rezultati? Sipërfaqe të pastra, pa pasur nevojë për fërkim të fortë.

    Praktike, e shpejtë dhe e sigurt

    Acidi citrik nuk dëmton sipërfaqet, nuk lë shenja dhe nuk kërkon pajisje mbrojtëse gjatë përdorimit. Dhe, kur të shihni efektin e tij, do të dëshironi ta përdorni jo vetëm për pastrim, por edhe për eliminimin e aromave të pakëndshme nga frigoriferi.

  • Votohet qeveria e re në Shqipëri, Rama siguron mandatin e katërt

    Votohet qeveria e re në Shqipëri, Rama siguron mandatin e katërt

    Kuvendi i Shqipërisë ka votuar mandatin e katërt qeverisës të Edi Ramës në një seancë, e cila ishte e shkurtër dhe tensionuar.

    Për herë të parë në historinë e parlamentarizmit, programi qeverisës u miratua me 82 vota pa asnjë debat, pas protestave të ashpra të opozitës brenda sallës plenare.

    Tensionet eskaluan kur kryeministri Rama tentoi të prezantonte programin përmes ministres së inteligjencës artificiale, të quajtur “Diella”.

    Kjo lëvizje shkaktoi kaos, duke bërë që mazhoranca socialiste ta kalonte programin drejtpërdrejt në votim, ndërsa deputetë të opozitës hodhën objekte në drejtim të kabinetit qeveritar.

    Pavarësisht tenstioneve, kryeministri Rama deklaroi se objektivi kryesor i mandatit të tij të katërt mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

  • Williams e pranon se masakra e Reçakut ishte shkelje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare

    Williams e pranon se masakra e Reçakut ishte shkelje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare

    Në vijim të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale, juristi amerikan Paul Williams, është përgjigjur në pyetjet e ekipit mbrojtës, duke konfirmuar me “Po” se Masakra e Reçakut përbënte një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.

    I pyetur nëse kishte dëgjuar për këtë ngjarje, Williams u përgjigj me “Po”, para trupit gjykues.

    Po ashtu, këshilltar ligjor i delegacionit kosovar në Rambuje, pranoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës në janar të vitit 1999 kishte nevojë për fonde për të blerë armatime dhe pajisje me qëllim mbrojtjen e popullatës civile.

    Sipas tij, dihej se qeveria e Kosovës në ekzil, e udhëhequr nga Bujar Bukoshi, kishte grumbulluar një shumë të konsiderueshme parash.

    Megjithatë, në pyetjen e mbrojtjes nëse kishte ndonjë pasqyrë financiare për të dëshmuar këto të ardhura, Williams u përgjigj me “Jo”.

    Ai sot përfundoi dëshminë e tij përgjatë dy ditëve para Dhomave të Specializuara të Hagës.

  • YouTube shton funksione e reja AI për krijuesit e përmbajtjeve dhe Shorts

    YouTube shton funksione e reja AI për krijuesit e përmbajtjeve dhe Shorts

    Gjatë eventit Made on YouTube 2025, platforma prezantoi një sërë mjetesh dhe veçorish të reja të bazuara në inteligjencën artificiale, të cilat synojnë të mbështesin krijuesit e përmbajtjeve në mënyrë më efikase.

    Duke nisur me YouTube Shorts, Google po implementon mjetin gjenerues DeepMind Veo 3 Fast, i cili mund të krijojë sfonde për klipe të shkurtra me zë. Ky mjet ofron gjithashtu mundësi për redaktime AI, shtimin e objekteve në skena dhe konvertimin e dialogut në këngë ose shoqërim muzikor.

    YouTube prezantoi gjithashtu një mjet bisedor të quajtur Ask Studio, i projektuar për të ndihmuar krijuesit të optimizojnë rrjedhën e punës, të marrin sugjerime dhe të kryejnë teste A/B për angazhim më të madh të audiencës.

    Platforma ka sjellë përditësime edhe për transmetimet e drejtpërdrejta dhe podkastet. Krijuesit e podkasteve do të mund të përdorin AI-në për të prerë Shorts dhe klipe të shkurtra nga episodet e plota, ndërsa mjeti Veo mund të gjenerojë video të personalizueshme vetëm nga skedari audio.

    Në aspektin e monetizimit, YouTube ka shtuar opsione të reja që i afrojnë krijuesit dhe bizneset. Krijuesit tani mund të shtojnë lidhje direkte në faqet e markave brenda Shorts, ndërsa YouTube Shopping pritet të zgjerohet në më shumë tregje dhe shitës me pakicë, duke përfshirë edhe etiketimin automatik të produkteve për integrim më të lehtë.

    Mjetet dhe veçoritë e reja do të prezantohen gradualisht deri në fund të vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026.

  • A e dini pse shqiptari mirret me punët e huaja? – Se punët e veta i ka krejt n’terezi…

    A e dini pse shqiptari mirret me punët e huaja? – Se punët e veta i ka krejt n’terezi…

    Nëse je shqiptar, mundësia që jeta jote të jetë vetëm e jotja është tepër e vogël. Ajo është një projekt kolektiv, ku gjithë lagjja, hallat, dajallarët, dhe edhe komshiu që nuk të përshëndet kurrë, kanë të drejtë vote. Ti je thjesht ekzekutuesi i planit.

    Sipas “manualit shqiptar të jetës perfekte”: Nëse je vajzë, martesa pas të 25-ave është alarm kombëtar. “Mos po na mbetet shpi?” Nëse je djalë dhe s’je martuar deri në 30 vjet, fillojnë dyshimet: “Ka diçka, se normal tash ish dasht me konë me fëmijë në dorë ky.”

    E nëse ti guxon me thënë se do të presësh, do të krijosh karrierën e jetën njëherë, përgjigja epike ka me qenë… “Prit, ama mosha t’ik.” Ndoshta këta që të japin këshilla kanë martesa jo të shëndosha, shumë afër divorcit, kredi deri në fyt, e fëmijët që i mbajnë në TikTok 12 orë në ditë… por, çka do të thotë kjo? Ata dinë më mirë se ti. E pastaj vjen karriera. E përfundon fakultetin, shpresat i ke me u punësuar në profesionin tënd, por jo gjithçka shkon sipas planit. Je në një punë ku po të rëndohet shëndeti yt mendor, vlerësimi është 0 dhe kontributi më shumë se 100, por ti prapë rrin. Rrin, se thu “më mirë pak se hiç.” Eh, tani del te dashuria për ne… dashuria është “luksi” i fundit.

    Sepse, tek ne, rëndësi ka kur po martohesh, jo kë do. Mund të jesh me dikë që s’të bën të lumtur, por hajt, kryesorja është “mos me ta kthy fjalën dynjaja.”

    Sepse, sipas filozofisë shqiptare: më mirë një martesë pa dashuri, se një jetë pa thashetheme.

    E përfundimisht, doja t’ju thoja: Mos e cani kokën se çka mendojnë të tjerët. Kjo është jeta juaj që do të jetoni vetëm një herë. Mos lejoni që mendimet e të tjerëve të bëhen kufi i juaj.