ATV

Author: G.O.

  • Trump shpall tarifa të reja për ilaçet, kamionët dhe mobiljet – hyjnë në fuqi nga 1 tetori

    Trump shpall tarifa të reja për ilaçet, kamionët dhe mobiljet – hyjnë në fuqi nga 1 tetori

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar një raund të ri tarifash të ashpra ndaj disa mallrave të importuara, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas dhe nxitjen e zhvendosjes së fabrikave në territorin amerikan.

    Njoftimi u bë publik përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, ku Trump bëri të ditur se masat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 tetor 2025.

    Sipas planit, të gjitha ilaçet e markës dhe ato të patentuara që importohen në SHBA do të përballen me një tarifë prej 100%, përveç rasteve kur kompania importuese është duke ndërtuar ose ka filluar ndërtimin e një fabrike prodhuese brenda SHBA-së.

    Trump tha se kjo masë synon t’i detyrojë kompanitë farmaceutike të transferojnë kapacitetet e tyre prodhuese në tokën amerikane, në mënyrë që të ulet varësia nga tregjet e huaja dhe të rritet siguria kombëtare.

    Përveç industrisë farmaceutike, masa të reja tarifore do të aplikohen edhe në sektorë të tjerë. Trump njoftoi vendosjen e një tarife prej 25% mbi të gjithë kamionët e rëndë të importuar, duke argumentuar se ky sektor është jetik për infrastrukturën kombëtare dhe për mirëqenien e ekonomisë amerikane.

    Ai shtoi se masa do të ndihmojë kompanitë prodhuese amerikane si Peterbilt, Kenworth dhe Freightliner, të mbrohen nga ajo që ai e quajti “konkurrencë e padrejtë nga jashtë”.

    Tarifat e reja do të prekin gjithashtu edhe sektorin e mobilieve dhe pajisjeve të shtëpisë. Një tarifë prej 50% do të vendoset për dollapët e kuzhinës dhe lavamanët e banjove, ndërsa mobiljet dhe tapiceritë do të përballen me një tarifë prej 30%.

    Sipas presidentit, këto produkte po “përmbytin tregun amerikan” dhe po dëmtojnë prodhuesit vendas, ndaj është e nevojshme të ndërmerren masa të forta për mbrojtjen e industrisë kombëtare.

  • Parashikimi i motit për ditën e sotme: I vranët, priten reshje shiu

    Parashikimi i motit për ditën e sotme: I vranët, priten reshje shiu

    Sot parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët, ku pritet herë pas here të ketë reshje lokale shiu, të cilat në momente të veçanta pritet të jenë në formë të rrebesheve, sidomos orëve të pasditës dhe mbrëmjes, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 10-35 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 12 deri në 15°C, ndërsa ato maksimale prej 19 deri në 24°C.

  • Si mund të merrni mjaftueshëm vitaminë D gjatë vjeshtës dhe dimrit?

    Si mund të merrni mjaftueshëm vitaminë D gjatë vjeshtës dhe dimrit?

    Vitamina D luan një rol të rëndësishëm në shëndetin e përgjithshëm, por mund të jetë e vështirë të merret në sasi të mjaftueshme – veçanërisht në muajt më të ftohtë.

    Një ekspert nga Baylor College of Medicine jep këshilla se si të mbani nivelin e vitaminës D gjatë vjeshtës dhe dimrit.

    “Vitamina D njihet mirë për mbështetjen e shëndetit të kockave, por gjithashtu ka ndikim në shëndetin e zemrës dhe të traktit tretës,” tha Dr. Mike Ren, profesor ndihmës në Departamentin e Mjekësisë Familjare dhe Komunitare në Baylor.

    “Është më e vështirë ta marrësh sepse shumë nga përthithja dhe mënyra se si vitamina shndërrohet në një substancë të përdorshme në trupin tonë vjen nga dielli. Ju duhet dielli kur është lart në qiell, jo gjatë lindjes ose perëndimit, që trupi të përthithë vitaminën D në mënyrë efektive”.

    Disa peshq yndyrorë dhe fruta deti përmbajnë natyrshëm vitaminë D, por ajo nuk gjendet zakonisht në ushqimet e tjera, ndaj njerëzit zakonisht nuk marrin mjaftueshëm vitaminë D nga ushqimi. Ekspozimi ndaj diellit ndihmon, por në muajt e vjeshtës dhe dimrit, kur ka më pak dritë dielli, mungesat janë më të shpeshta.

    Një i rritur mesatar ka nevojë për 800 njësi ndërkombëtare vitaminë D në ditë, që përkthehet në rreth 15 deri në 30 minuta ekspozim të mirë dhe të drejtpërdrejtë ndaj diellit. Nuk ka nevojë të vishni rroba plazhi për të marrë diell. Mund të jeni të veshur plotësisht, me diellin që ndriçon fytyrën ose duart, dhe kjo është e mjaftueshme. Sigurohuni që të merrni diell gjatë orëve kur dielli është më i fortë, jo në lindje ose perëndim.

    Disa dimra janë të butë, por të tjerët kërkojnë që të mbuloheni plotësisht për t’u ngrohur, duke lënë pak ose aspak lëkurë të ekspozuar ndaj diellit. Nëse jeni plotësisht i mbuluar me rroba dimri që mbulojnë duart dhe fytyrën, nuk do të merrni të njëjtin nivel rrezatimi UV dhe vitaminë D sikurse dikush që kalon kohë jashtë në një klimë më të ngrohtë.

    Nëse kaloni shumë kohë brenda, veçanërisht në hapësira pa dritare, Dr. Ren rekomandon marrjen e një suplementi vitaminë D pa recetë.

    “Nëse merrni suplemente, ju duhet më shumë se 800 njësi ndërkombëtare në ditë, sepse nuk do të përthithni 100% të dozës nga suplementi, prandaj merrni si bazë 5000 njësi ndërkombëtare,” tha ai. “Është një suplement dhe është i sigurt për t’u marrë. Nëse ka pak tepri, trupi e nxjerr jashtë.”

    Mungesa e vitaminës D është e zakonshme tek njerëzit që kalojnë shumë kohë brenda dhe pak kohë jashtë. Një efekt anësor i zakonshëm i operacioneve për humbje peshe, si gastric sleeve, është ulja e përthithjes së vitaminës D, kështu që këta njerëz mund të kenë nevojë për më shumë suplemente se mesatarja. Njerëzit me fibrozozë cistike ose sëmundje të veshkave dhe mëlçisë kanë probleme me përthithjen, sepse këto organe ndihmojnë në metabolizmin e vitaminës D. Dr. Ren sugjeron që ata të kontrollojnë nivelet dhe të konsiderojnë suplementim shtesë.

    Vitamina D njihet për rolin e saj në përthithjen e kalciumit dhe shëndetin e kockave, por studimet e fundit tregojnë edhe lidhje midis vitaminës D dhe shëndetit të zemrës, si dhe uljen e rrezikut për disa kancere.

    “Disa studime të reja po tregojnë gjithashtu se vitamina D është e rëndësishme për funksionin e duhur të muskujve, si zemra që rreh vazhdimisht, dhe për uljen e rrezikut nga shumë lloje kanceresh,” tha ai. “Janë studime të reja, ndaj nuk dua t’i teproj rëndësinë, por as nuk dua që njerëzit t’i nënvlerësojnë dhe të thonë që nuk janë të rëndësishme.”

  • Burak Ozçivit hedh poshtë spekulimet që është ndarë nga Fahriye Evcen: Jemi lodhur nga këto gënjeshtra

    Burak Ozçivit hedh poshtë spekulimet që është ndarë nga Fahriye Evcen: Jemi lodhur nga këto gënjeshtra

    Burak Ozçivit dhe Fahriye Evcen, të cilët prej vitesh kanë një martesë të lumtur, kohët e fundit janë vënë në qendër të spekulimeve mediatike për një ndarje të mundshme.

    Çifti, që u njoh në vitin 2013 gjatë xhirimeve të serialit “Çalikusu” dhe u martua në vitin 2017, kanë dy djem: Karanin, lindur në vitin 2019, dhe Keremin, lindur në vitin 2023.

    Megjithatë, thashethemet se ata po shkonin drejt divorcit prishën qetësinë e çiftit.

    Sidomos zërat se aktori do të shiste gjithë pasurinë e tij bënë që durimi i tyre të soset.

    Evcen dhe Ozçivit i kanë hedhur poshtë me vendosmëri këto zëra, duke theksuar se martesa e tyre e lumtur po vazhdon.

    Pas një pushimi në Londër, gjatë të cilit u panë duke kaluar momente të këndshme, ata u kthyen në Stamboll dhe u përballën me pyetje të shumta nga gazetarët e showbizit.

    Të pranishëm në ekspozitën “Contemporary Istanbul”, ata reaguan ashpër ndaj thashethemeve për divorc.

    Ozçivit u shpreh: “U lodhëm nga këto gënjeshtra, mos e sillni më këtë temë absurde në rend të ditës”.

  • Si ndikon orari i mëngjesit në shëndetin tuaj afatgjatë?

    Si ndikon orari i mëngjesit në shëndetin tuaj afatgjatë?

    Shpesh thuhet se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Studimi i ri në Massachusetts, ka sugjeruar të njëjtën gjë.

    Sipas studimit, koha kur konsumohet ushqimi i mëngjesit ka shumë rëndësi dhe ndikon në shëndet e jetëgjatësi, thuhet në uebfaqen e kuzhinieres së famshme, Martha Stewart.

    Studimi, që është publikuar në Communications Medicine, ka analizuar lidhjen mes orarit të vakteve dhe shëndetit tek të moshuarit.

    Studiuesit kanë ndjekur për më shumë se 20 vjet 2,945 persona të moshës 42 deri 94 vjeç në Britani, duke analizuar edhe mostrat e gjakut.

    Ata vunë re se me kalimin e viteve, të moshuarit fillonin të hanin më vonë mëngjesin dhe darkën, ndërkohë që ngushtonin orarin e përgjithshëm të ushqimit gjatë ditës.

    Mëngjesi i vonuar dhe rreziqet për shëndetin

    Studimi tregoi se ngrënia e mëngjesit më vonë lidhej rregullisht me probleme shëndetësore fizike dhe mendore, si depresioni, lodhja dhe problemet me shëndetin oral. Gjithashtu, u vu re se oraret e vona të ushqimit lidhen me vështirësi në përgatitjen e vakteve, gjumë më të dobët dhe, më së shumti, me rrezik më të lartë të vdekshmërisë gjatë periudhës së studimit.

    Edhe pasi studiuesit morën parasysh faktorët e moshës, ata zbuluan se “koha e mëngjesit të vonuar ishte e lidhur me rrezik më të lartë të sëmundjeve të shumta dhe mortalitetit”.

    “Studimi ofron informacionin që ka munguar mbi mënyrën si ndryshon koha e ushqimit në jetën e mëvonshme dhe se si ky ndryshim ndikon në shëndet dhe jetëgjatësi. Ne gjetëm se oraret e vona të vakteve, veçanërisht mëngjesi i vonuar, lidhen me sfida shëndetësore dhe rritje të vdekshmërisë tek të moshuarit”, ka thënë Hassan Dashti, shkencëtar e biolog në spitalin e Massachusetts (i lidhur me Harvardin).

    Pse ka rëndësi koha e ushqimit?

    Tradicionalisht, hulumtimet mbi ushqyerjen janë përqendruar tek ajo që hamë. Por ky studim nxjerr në pah rëndësinë e shkencës që studion kohën e vakteve, si faktor i mundshëm për të parandaluar probleme shëndetësore.

    “Studimi ynë sugjeron se ndryshimet në kohën kur të moshuarit hanë, veçanërisht mëngjesin, mund të shërbejnë si tregues i thjeshtë për gjendjen e tyre të përgjithshme shëndetësore”, ka shpjeguar Dashti.

    Ai ka shtuar se inkurajimi i të moshuarve për të pasur orare të qëndrueshme vaktesh mund të bëhet pjesë e strategjive më të gjera për të nxitur plakje të shëndetshme dhe jetë më të gjatë.

  • Kush është Përparim Thaçi? – Historia e futbollistit që la topin për pushkën dhe u bë hero i Kosovës

    Kush është Përparim Thaçi? – Historia e futbollistit që la topin për pushkën dhe u bë hero i Kosovës

    Kosova, në vitet e zymta të okupimit, kërkonte bij që nuk frikësohen nga errësira. Kërkonte zemra që guxojnë të ndriçojnë, edhe kur flaka e tyre digjet për t’u bërë dritë për të tjerët. Në mesin e këtyre zemrave ishte një djalë nga Landovica e Prizrenit – Përparim Thaçi.

    Ai lindi më 30 gusht 1976, në një shtëpi ku dashuria për atdheun nuk ishte vetëm ndjenjë, por detyrë. Rritej me fjalët e të atit Ali dhe përqafimin e nënës Setkije, duke mësuar se flamuri kuqezi nuk është thjesht një simbol, por gjaku i derdhur për liri.

    Fëmijëria e tij ishte e mbushur me libra dhe topa futbolli. Si nxënës, shkëlqente në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren, ku studionte gjuhën angleze. Por kur vishte fanellën e skuadrës “Liria”, zemra i rrihte më fort sepse nuk ishte vetëm sport, ishte emri i një ideali.
    Në vitet ’90, Kosova nuk kishte më vend për ëndrra të zakonshme. Regjimi serb shtrëngonte gjithçka, shkollat, gjuhën, lirinë dhe vetë jetën. Dhe kur të rinjtë shqiptarë arrestoheshin për mbështetje ndaj UÇK, u bë e qartë se liria nuk do të vinte me pritje.

    Më 28 prill 1998, Përparimi hoqi fanellën e “Lirisë” dhe veshi uniformën e UÇK-së, Në fshatin Drenovc, ai nuk shkoi për t’u bërë hero. Ai shkoi sepse e dinte se pa sakrificë, nuk do të kishte të ardhme. Me shpirtin plot zjarr rinor dhe me dashurinë për tokën e tij, ai iu bashkua luftës së shenjtë për çlirim.

    Më 27 maj 1998, vetëm një muaj pas bashkimit me UÇK-në, në përleshje të ashpra në mes të Fortesës dhe Xërxës në Komunën e Rahovecit, Përparimi ra dëshmor së bashku me shokët e tij – Feim Gashi dhe Sakip Bellaqa.

    Ai nuk e kishte mbushur ende moshën 22 vjeç. Por jeta e tij e shkurtër kishte vlerë sa shekuj, sepse ai jetoi me nder dhe vdiq me lavdi. Sot, trupi i tij prehet në Landovicë, pranë tokës që e rriti dhe flamurit që e frymëzoi.

    Stadiumi i qytetit të Prizrenit, ku dikur ai shënonte gola me “Lirinë”, sot mban emrin e tij. “Përparim Thaçi”, një emër që nuk është thjesht kujtim, por frymëzim.
    Nëse ndonjëherë shkoni në atë stadium dhe shikoni djem të rinj duke luajtur futboll, mos harroni, ata luajnë sepse dikush si Përparim Thaçi vendosi të mos jetojë për vete, por për të gjithë ne.

    Ai e dha jetën që ne të mos harrojmë kurrë se liria ka një çmim. Një çmim që ai e pagoi me buzëqeshje dhe guxim, në emër të një Kosove të lirë, të drejtë dhe krenare.
    Ky është Përparim Thaçi – Futbollisti që la topin për pushkën dhe u bë hero i Kosovës.

  • Kur dikush ta nënçmon punën, kujtoje këtë: Profetët kanë qenë barinj para se me u bo prijës të njerëzimit

    Kur dikush ta nënçmon punën, kujtoje këtë: Profetët kanë qenë barinj para se me u bo prijës të njerëzimit

    A e ke ditë që krejt profetët, para se me u bo udhëheqës të mëdhenj, kanë qenë barinj deleve?

    Po, po bile edhe vet Profeti Muhamed ka thanë
    “Çdo profet ka qenë bari i deleve.”

    Edhe s’është rastësi kjo punë. Para se me udhëheq popuj, Zoti i ka çu profetët me i udhëheq delet jo për me i lodhë, po për me i përgatit.

    Profeti Muhamed, kur ka qenë i ri n’Mekë, ka punu bari, pra për pak pare ka ruajtë delet e familjes e t’komshinjeve.

    Profeti Musa pas ikjes nga Egjiptit, për vite me radhë ka punu bari në shkretinat e Medjenit. Aty e ka gjet qetësinë, forcën, durimin përpara se me u përballë me Faraonin.

    Edhe Profeti Davudi, Profeti Isa e shumë tjerë krejt kanë kalu në këtë “shkollë t’heshtun” të jetës.

    E pse bari? Se bariu nuk është veç me qit dele n’livadh. Bariu mëson qysh me u ba i durueshëm, qysh me pas përgjegjësi, qysh me udhëheq me butësi e jo me frikë. Bariu nuk ndrrohet kurrë me tupanxhi. Ai është i qetë, po i vendosur.

    Mesazhi për neve është i kjartë

    Madhështia nuk nis gjithmonë me podium, me zyre t’madhe a me Rolex n’dorë. Niset n’heshtje, me një shkop n’dorë, pak zheg mbi kokë, e ca dele përreth. E Zoti i Madh, krejt këtë rrugë, e përdor si përgatitje për diçka ma të madhe.

    Prandaj, herën tjetër kur dikush ta nënçmojë punën, a t’thotë “Qysh po merresh me këso sene të thjeshta?”, kujtoje këtë:
    Profetët kanë qenë barinj para se me u bo prijës të njerëzimit.

  • Osmani merr pjesë në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor, Serbia u përfaqësua nga Gjuriq

    Osmani merr pjesë në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor, Serbia u përfaqësua nga Gjuriq

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në takimin e punës me liderët e Ballkanit Perëndimor, i organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

    Edhe pse presidentja Osmani publikoi vetëm një fotografi me kryediplomaten e BE-së, duke mos dhënë detaje rreth takimit, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ndau informacion më të gjerë.

    Në profilin e saj në Facebook, Siljanovska-Davkova publikoi një fotografi me pjesëmarrësit e takimit dhe komentoi:

    “Mora pjesë në takimin e punës për liderët nga Ballkani Perëndimor, organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas. Vura në dukje nevojën për t’i dhënë fund përfundimisht standardeve të dyfishta sepse ato nuk janë as mënyrë europiane, as vlerë europiane, por sjellje antievropiane. Kujtova se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është kyç jo vetëm si proces zgjerimi, por si riintegrim thelbësor i rajonit në Evropë, ku historikisht dhe kulturalisht i kemi përkitur gjithmonë. Është një kurë për dilemat e sigurisë dhe ndarjet e reja që tashmë po shfaqen. Unë besoj se BE, si në kohët e vështira në të kaluarën, do të tregojë kreativitet dhe unitet. Është e rëndësishme të perceptohet Ballkani Perëndimor në tërësi, dhe nëse ka një hendek në ecjen mes vendeve, mund të shkaktojë ndarje të mëtejshme në vend të bashkimit”, shkroi ajo.

  • Sarkozy dënohet me pesë vjet burgim

    Sarkozy dënohet me pesë vjet burgim

    Një gjykatë në Paris e dënoi ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy, me pesë vjet burgim, pasi e gjeti fajtor për komplot lidhur me një skemë të supozuar për financimin e fushatës së tij presidenciale më 2007 me fonde nga Libia.

    Gjykata vendosi se ai do të burgoset edhe nëse e apelon vendimin. Por, gjykata tha se data për dërgimin e tij në burg do të caktohet më vonë.

    Gjykata e gjeti fajtor Sarkozyn për pjesëmarrje në organizatë kriminale në komplotin nga viti 2005 deri më 2007 për financimin e fushatës së tij me fonde nga Libia në këmbim të favoreve diplomatike. Por, ai u lirua nga tri akuza të tjera, përfshirë për korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe fshehje të fondeve të përvetësuara publike.

    Sarkozy, 70 vjeç, e kritikoi vendimin dhe tha se ai ishte viktimë e një padrejtësie skandaloze, duke shtuar se do ta apelojë vendimin.

    “Kjo padrejtësi është skandaloze. Kërkoj nga populli francez, pavarësisht nëse ka votuar për mua apo jo, të mendojë për këtë çfarë ndodhi. Urrejtja vërtet nuk ka kufij”, tha ai.

    Gjykata po ashtu gjeti fajtorë dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sarkozys kur ai ishte president – ish-ministrat Claude Gueant Brice Hortefeux – për të njëjtën akuzë.

    Edhe ata u liruan nga tri akuzat e tjera, sikurse ish-presidenti francez, transmeton radio evropa e lirë.

    Sipas vendimit, Gjykata beson se të pandehurit kishin bërë komplot për të kërkuar fonde nga Libia për fushatën e Sarkozys më 2007, por gjykatësit nuk u bindën se vetë ish-presidenti ishte drejtpërdrejt i përfshirë në përpjekjet për financim ose nëse ndonjë fond nga Libia u përdor për fushatën e tij presidenciale.

    Kryetarja e trupit gjykues tha se Sarkozy lejoi bashkëpunëtorët e tij që të kontaktonin me autoritetet në Libi “për të marrë apo për të tentuar që të merrnin mbështetje nga Libia me qëllim financimin e fushatës”.

    Por, gjykata tha se nuk arriti të përcaktonte nëse para nga Libia ishin përdorur për financimin e fushatës së Sarkozys. Megjithatë, sipas ligjeve në Francë, një skemë e tillë konsiderohet krim edhe nëse paratë nuk janë pranuar apo nuk mund të vërtetohet se janë pranuar, shpjegoi gjykata.

    Sarkozy së bashku me bashkëshorten e tij, Carla Bruni-Sarkozy ishin të pranishëm në gjykatore.

    Sarkozy ishte zgjedhur president më 2007, por kishte humbur garën për rizgjedhje më 2012. Ai ka mohuar të gjitha akuzat gjatë gjykimit që u mbajt për tre muaj më herët gjatë këtij viti. Në këtë rast kanë qenë të përfshirë edhe 11 persona të tjerë, përfshirë tre ish-ministra.

    Akuzat u ngritën pasi më 2011, agjencia shtetërore e lajmeve në Libi dhe vetë diktatori i ndjerë, Muammar Gaddafi kishin thënë se shteti i Libisë në mënyrë sekrete kishin dërguar miliona euro për fushatën presidenciale të Sarkozys.

    Më 2012, një media në Francë publikoi një memo të inteligjencës libiane që fliste për një marrëveshje për financim prej 50 milionë eurosh. Sarkozy e kishte hedhur poshtë këtë dokument.

    Hetuesit po ashtu kanë hetuar një sërë udhëtimesh në Libi që kishin realizuar njerëz të afërt të Sarkozys kur ai kishte qenë ministër i Brendshëm nga viti 2005 deri më 2007.

    Prokurorët kanë pretenduar se Sarkozy me vetëdije kishte përfituar nga ajo që e përshkruan si “pakt korruptiv” me Qeverinë e Gaddafit.

    Diktatori i Libisë u rrëzua nga pushteti dhe u vra gjatë kryengritjes më 2011, që i dha fund sundimit të tij prej katër dekadash në këtë shtet të Afrikës së Veriut./REL

  • Rohde: Kosova duhet të tregojë seriozitet për detyrimet në dialog, të nisë zbatimin e Asociacionit

    Rohde: Kosova duhet të tregojë seriozitet për detyrimet në dialog, të nisë zbatimin e Asociacionit

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili është në ditët e fundit të mandatit të tij, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin obligimet e tyre që kanë dalë nga marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut.

    Rohde ka thënë se Kosova duhet të tregojë seriozitet për zbatimin e detyrimeve që dalin nga Dialogu, duke përmendur nisjen e zbatimit të Asociaconit të Komunave me Shumicë Serbe.

    “Siç e thashë, është në interes të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare, institucioneve të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve në Kosovë që dialogu të përparojë me shpejtësi dhe që rruga drejt pranimit në BE të hapet. Megjithatë, secila palë në dialog duhet të bëjë pjesën e saj dhe të përmbushë detyrimet e saj”.

    “Kosova është kryesisht e detyruar të krijojë një Kuvend dhe të formojë një qeveri të re. Qytetarët e Kosovës kanë pritur për më shumë se gjysmë viti që dikush t’i përfaqësojë ata, dhe vendi po humbet ngadalë gjithnjë e më shumë mbështetje financiare dhe politike sa më gjatë që i mungon përfaqësimi demokratik i qytetarëve të saj”, tha ai për Kosovo Online.

    “Më lejoni të përsëris, Gjermania dhe BE-ja janë të gatshme dhe të vullnetshme të ndihmojnë, por Kosova së pari duhet të tregojë se e merr seriozisht dialogun dhe detyrimet e saj drejt normalizimit, siç është fillimi i zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Rohde.