ATV

Author: G.O.

  • Osmani takohet me presidentin e Senegalit, flasin për mundësitë e bashkëpunimit në fusha strategjike

    Osmani takohet me presidentin e Senegalit, flasin për mundësitë e bashkëpunimit në fusha strategjike

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me presidentin e Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, në New York, ku kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha strategjike.

    Përmes një njoftimi në Facebook, Osmani e cilësoi partneritetin mes dy shteteve si një shembull të miqësisë dhe bashkëpunimit.

    “Me Presidentin e Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, zhvilluam një takim në New York për të diskutuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha strategjike. 🇽🇰🇸🇳 Partneriteti ynë i qëndrueshëm përbën një shembull të miqësisë dhe bashkëpunimit, të cilin do të vazhdojmë ta forcojmë”, tha Osmani.

  • Cikloni potencial mund të sjellë edhe borë në viset malore në fillim të tetorit

    Cikloni potencial mund të sjellë edhe borë në viset malore në fillim të tetorit

    Temperaturat kanë shënuar ulje dhe vranësira të dendura kanë përfshirë territoret tona. Në disa vise ka intervale kohore me diell, në veçanti në jug të Kosovës dhe disa rajone të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut.

    Temperaturat do të vazhdojnë të pësojnë ulje graduale edhe gjatë orëve të ardhshme dhe gjatë fundjavës ku herë pas here lokalisht do të ketë edhe periudha me shi vende-vende në formë të rrebesheve me vetëtima dhe bubullimë.

    Gjendja sinoptike po ndryshon në favor të vjeshtës së vërtetë gradualisht, por ajo çfarë është interesante është gjendja sinoptike në fillim të Tetorit.

    Fillimi i Tetorit

    Në Skandinavi parashihet të krijohet një bllok i fuqishëm anticiklonik dhe kjo do të mundësojë që nga verilindja dhe lindja të depërtojnë masa mjaft të ftohta ajrore në drejtim të Ballkanit. Në anën tjetër kemi një potencial real që diku në jug të Italisë dhe Detin Jon të kemi krijimin e një cikloni mjaft të fuqishëm edhe sipërfaqësor që do të sjellë reshje të dendura atmosferike.

    Pas reshjeve të herëpashershme, lokale që priten këto ditë, në fillim të muajit Tetor do të fillojnë reshje të reja shiu të cilat me uljen e ndjeshme të temperaturave do të shndërrohen në reshje bore në viset e larta malore. Sipas ecurive aktuale sinoptike gjasat janë rreth 60 për qind që kjo të realizohet nga tani.

    Atmosferë e vërtet vjeshtore pritet të përfshijë gati të gjitha viset tona që nga e tërë Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore dhe Lugina e Preshevës, ndërsa atmosferë e hershme dimërore mund të përfshijë viset e larta malore.

    Pasi që kemi disa ditë përpara trajektorja e ciklonit ende mund të pësojë ndryshime, por kemi një sinjal mjaft të fortë, prandaj po e shkruajmë këtë artikull. Ndryshimi i trajektores së ciklonit mund të ndryshojë sasinë e reshjeve në të mirë dhe në të keq.

    Pas një vere shumë të gjatë dhe të nxehtë, veshta ka filluar të shfaqet edhe faktikisht me ulje të temperaturave, reshje lokale dhe vranësira.

    Sipas ecurive aktuale sinoptike reshje atmosferike më intensive priten në shumë vende të Ballkanit, madje ka disa gjasa që reshje bore të ketë edhe në disa zona të ulëta të Ballkanit dhe kjo mbetet mjaft interesante të ndjeket sepse jemi krejt në fillim të vjeshtës.

    Kjo sigurisht se është një ekstrem dhe mund të ndodhë që modelet të zbusin pak situatën në përditësimet e tyre të ardhshme, por mbetet jashtëzakonisht interesante gjendja sinoptike në fillim të Tetorit në aspektin meteorologjik./MeteoBallkan

  • Dikur deklaronte se “të bësh tatuazh është si t’i vendosësh një tiketë Bentleyt” – sot Kim Kardashian tregon tatuazhin e fshehur nën buzë

    Dikur deklaronte se “të bësh tatuazh është si t’i vendosësh një tiketë Bentleyt” – sot Kim Kardashian tregon tatuazhin e fshehur nën buzë

    Kim Kardashian, e njohur për qëndrimin e saj se kurrë nuk do ta “vendoste një tiketë mbi një Bentley”, duke iu referuar trupit të saj, ka thyer më në fund këtë rregull personal dhe ka bërë një tatuazh.

    Sipërmarrësja 44 vjeçare zbuloi detajet gjatë një interviste në “The Tonight Show” me Jimmy Fallon. Kur moderatori e pyeti nëse thashethemet për tatuazhin ishin të vërteta, Kim e konfirmoi pa hezitim.

    Ajo ngriti buzën e poshtme dhe tregoi një tatuazh të vogël me shenjën e pafundësisë, që e kishte bërë për të festuar debutimin e saj si moderatore në emisionin “Saturday Night Live” në vitin 2021.

    Megjithatë, Kardashian pranoi se tatuazhet nuk kanë qenë kurrë pjesë e stilit të saj. Për vite me radhë ajo ishte mbështetur tek një moto, të cilin më pas e theu: “Isha e njohur për shprehjen time: Kurrë nuk duhet të vësh një ngjitës mbi një Bentley”, kujtoi ajo, duke theksuar se gjithmonë kishte qenë kundër tatuazheve.

    “E bëra brenda gojës që askush të mos e shihte dhe e bëra bashkë me shoqet e mia”, tha Kim. Fallon u interesua nëse procedura kishte qenë e dhimbshme, por ajo e habiti me përgjigjen: “Jo! Unë kam një prag shumë të lartë të dhimbjes”.

    Duke qenë se tatuazhi është i fshehur, moderatori e pyeti nëse ndodh që ta harrojë. “Po, shpesh. Është shumë qesharake sepse ndonjëherë kur përdor fillin dentar, shoh diçka të errët në gojë dhe them: O Zot, çfarë është kjo”, tregoi ajo duke qeshur.

    Edhe pse tani ka folur hapur për të, Kim e ka zbuluar për herë të parë tatuazhin në një episod të “The Kardashians” në nëntor 2023. Teksa parukieri i saj Chris Appleton po i rregullonte flokët, ajo iu drejtua kamerës duke thënë: “Djem, ka diçka që nuk e dini për mua”, dhe më pas e tërhoqi buzën për ta treguar. /Telegrafi/

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për dy persona të dyshuar për nxitje përçarjeje fetare dhe mbështetje të ISIS-it

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për dy persona të dyshuar për nxitje përçarjeje fetare dhe mbështetje të ISIS-it

    Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër D.B dhe E.B për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Të pandehurit akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstreme fetare dhe duke përkrahur publikisht veprimet e organizatës terrorsite ISIS.

    Sipas aktakuzës, D.B dhe E.B., përmes rrjetit social “Facebook” dhe “Tik –Tok” , kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse, me thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad.

    Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë vendosur flamuj të ISIS-it mbi kulmin e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, me të cilat veprime potencialisht mund të prishet rendi publik.

    D.B., sipas provave ka qenë refuzues ndaj të gjithëve që nuk e praktikojnë fenë sipas mënyrës së tij, dhe ka postuar e shpërndarë materiale me gjuhë fyese ndaj shumicës së hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës.

    Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë sipas ligjeve në fuqi, dhe t’iu vazhdohet masa e paraburgimit ndaj D.B. dhe ajo e arrestit shtëpiak ndaj E.B.

  • Akuza për korrupsion, caktohet seanca ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

    Akuza për korrupsion, caktohet seanca ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar për 8 tetor seancën e shqyrtimit fillestar ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, lidhur me akuzat për korrupsion të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

    Një gjë e tillë është bërë e ditur nga udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Media të kësaj gjykate, Milinda Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve F.M. dhe H.M. është caktuar të mbahet më 08.10.2025, në ora 09:30”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

    Në këtë seancë, Mujka dhe Muzliukaj pritet të deklarohen lidhur me fajësinë.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, dhe Muzliukaj, në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit, nuk kishte deklaruar shumën prej 60 mijë e 50 euro që iu sekuestruan në shtëpi.

     

  • Tetë emrat e vërtetë e të të famshmëve që do t’ju befasojnë

    Tetë emrat e vërtetë e të të famshmëve që do t’ju befasojnë

    Të famshmit shpeshherë krijojnë emra artistikë që i shoqërojnë gjatë gjithë karrierës.

    Për ta, ndryshimi i emrit mund të jetë një veprim i fuqishëm edhe në mbrojtjen e privatësisë.

    Në këtë artikull do të lexoni tetë yje emrat e të cilëve janë ndryshuar pas daljes në skenë.

    Marilyn Monroe

    Emri i vërtetë i Marilyn Monroe është Norma Jeane Mortenson. Më vonë ajo mori mbiemrin e nënës, Baker. Në vitin 1946, 20-vjearja filloi ta përdorte emrin skenik Marilyn Monroe, i zgjedhur nga drejtori ekzekutiv i “20th Century Fox” Ben Lyon, i cili besonte se Marilyn Monroe tingëllonte më bukur për një yll. Ajo e ndërroi emrin ligjërisht në Marilyn Monroe më 1956, një dekadë pasi nisi karrierën e filmave.

    John Legend

    Emri i vërtetë i këngëtarit është John Roger Stephens. Emri i tij i skenës iu dha nga poeti J. Ivy, i cili tha se Stephens tingëllonte si i vjetër, si emër legjendash. Më pas “Legend” qarkulloi nëpër studio dhe në fund u mor nga John. Ai e ka përdorur këtë emër që nga viti 2000.

    Nicolas Cage

    Si nip i regjisorit legjendar Francis Ford Coppola, Nicolas Cage e ndryshoi mbiemrin qysh në fillim të karrierës për t’iu shmangur asaj që puna e tij të dukej se kishte lidhje me nepotizmin. Cage ka thënë se ky emër e ka ndihmuar të fokusohet në merita më shumë se në lidhjet familjare.

    Bruno Mars

    Emri i tij i lindjes është Peter Gene Hernandez, por ylli i muzikës pop e zgjodhi “Bruno” sipas një nofke që kishte si fëmijë. Më pas i shtoi mbiemrin Mars, për të cilin tha se ishte unik dhe neutral.

    Natalie Portman

    Aktorja Natalie Portman quhej Neta-Lee Hershlag. Kur nisi aktrimin ajo e mori mbiemrin Portman, sipas gjyshes së saj, për ta mbajtur jetën personale të ndarë nga ajo publike.

    Whoopi Goldberg

    Caryn Elaine Johnson e mori emrin skenik “Whoopi Goldberg” si reflektim ndaj personazhit të saj komik. Ajo e shtoi edhe “Goldberg” për t’i dhënë vetes një emër më skenik.

    Lady Gaga

    Emri i saj i vërtetë është Stefani Joanne Angelina Germanotta

    Emri skenik i Lady Gagës u inspirua nga kënga e Queen “Radio Ga Ga”. Sipas producentit Rob Fusari, emri erdhi nga një gabim që ndodhi në një mesazh ku në vend të “Radio Ga Ga” u dërgu si “Lady Gaga”.

    Michael Keaton

    Ai quhej Michael John Douglas. Atij iu deshtë ta ndërronte emrin pasi kur iu bashkua grupit të aktorëve, veçse ishte një Michael Douglas në industri. Ai zgjodhi “Keaton” rastësisht.

  • ​Bërnjak: Policia kontrollon veturën e një personi, gjen sprej dhe shufër metalike

    ​Bërnjak: Policia kontrollon veturën e një personi, gjen sprej dhe shufër metalike

    Policia e Kosovës ka ndaluar një person të dyshuar për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, në Bërnjak.

    Sipas Policisë, gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit me shtetësi kosovare, janë gjetur dhe konfiskuar një sprej dhe një shufër metalike.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari lirohet dhe rasti shkon në procedurë të rregullt

  • Shefi i NATO-s ironizon Kremlinin: “Ariu s’ka nevojë të shpallë veten ari”

    Shefi i NATO-s ironizon Kremlinin: “Ariu s’ka nevojë të shpallë veten ari”

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka ironizuar reagimet e Moskës pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, se Rusia është një “tigër prej letre”.

    “Ai që është ari, nuk ka pse të theksojë se është ari – do ta kuptojnë të gjithë vetë. Kjo tregon shumë dobësi nga ana ruse. Është e qartë që presidenti Trump e goditi në pikë”, tha Rutte për Fox News.

    Reagimet e Moskës kishin ardhur pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, komentoi fjalët e Trumpit duke thënë se Rusia është ari, jo tigër, dhe se “nuk ekziston ari prej letre”.

    Peskov gjithashtu iu përgjigj pretendimit të Trumpit se Ukraina mund të rikthejë të gjithë territorin e okupuar, duke theksuar se forcat ruse po përparojnë në të gjitha frontet dhe se dinamika e luftës është e dukshme.

    Ai shtoi se një takim midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, pa përgatitje adekuate, do të ishte thjesht një shfaqje propagandistike me fat të parakohshëm dështimi.

  • Trazira në burgun e Ekuadorit lë 17 persona të vdekur

    Trazira në burgun e Ekuadorit lë 17 persona të vdekur

    Të paktën 17 njerëz u vranë gjatë trazirave në një burg në qytetin verior të Ekuadorit, Esmeraldas, afër kufirit me Kolumbinë, tha të enjten agjencia ekuadoriane e burgjeve.

    Kjo agjenci tha se autoritetet janë duke i kryer hetimet përkatëse për ta qartësuar atë që ndodhi, raporton “Reuters”.

    Ky rast vjen pas një shpërthimi tjetër të dhunës këtë javë në një burg në pjesën jugore të vendit, ku u vranë 14 njerëz.

    Ekuadori është ballafaquar me një valë të dhunës në burgje viteve të fundit. Qindra të burgosur e kanë humbur jetën.

    Qeveria e presidentit Daniel Noboa, e cila është zotuar për shtypjen e krimit, për këto trazira e fajëson garën mes bandave për territor dhe kontroll brenda sistemit të burgjeve.

  • Policia e Kosovës shkatërron mbi 760 armë ilegale

    Policia e Kosovës shkatërron mbi 760 armë ilegale

    Policia e Kosovës ka organizuar sot ceremoninë e shkatërrimit të armëve të vogla dhe të lehta ilegale, mbi 760 sosh, në fshatin Prelez të Ferizajt. Pas shkatërrimit, nga materiali i armëve që shkrihen do të krijohen kapak të pusetave.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se procesi i shkatërrimit të armëve bëhet me qëllim për të ofruar sa më shumë siguri për qytetarët. Hoxha potencoi se nuk janë të rralla rastet ku armët ilegale janë përdorur gjatë rasteve kriminale.

    Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të përdorin sa më pak armët. Hoxha bëri të ditur se nga viti 1999 deri më tani, janë konfiskuar mbi 36 mijë armë ilegale.

    Ndërkaq, nga viti 2005 deri tani janë shkatërruar rreth 16 mijë armë të gjata dhe të shkurta.

    “Është një proces i vazhdueshëm që Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, në mbështetje të vazhdueshme te UNDP-së, por edhe vendeve partnere mike të Kosovës po vazhdoj me shkatërrimin e armëve të vogla dhe të mesme me qëllim që të krijohet sa më shumë siguri për qytetarët dhe vendin tonë…Gjatë këtyre viteve nuk kemi pasur jo pak raste kur armët ilegale janë përdorur gjatë rasteve dhe veprave kriminale. Shumë jetë janë humbur për shkak të përdorimit të armëve ilegale. Iu bëjmë thirrje gjithë qytetarëve tonë që të qëndrojnë larg armëve ilegale…Policia e Kosovës që nga viti ‘99 e deri më sot ka konfiskuar rreth 36 mijë e 36 armë. Përafërsisht i bie rreth 1 mijë e 100 armë që janë konfiskuar çdo ditë. Që nga viti 2005 e deri më sot ka shkatërruar 15 mijë e 904 armë të shkurtra dhe të gjata”, tha Hoxha.

    Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros tha se qëllimi i shkatërrimit të armëve është promovimi i një shoqërie paqësore, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

    Ai potencoi se armët e vogla dhe të lehta të paligjshme shkaktojnë pasiguri, dëmtojnë civilët, minojnë institucionet dhe shpesh përdoren në dhunë bazuar në gjini dhe dhunë në familje.

    “Qëllimi ynë është të promovojmë shoqëri paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, dhe kjo kërkon një reduktim të konsiderueshëm të flukseve të paligjshme të armëve në të ardhmen tonë…Vetëm gjatë kohës që kemi qenë këtu, janë kryer dy akte dhune me armë, pa llogaritur luftërat dhe situata të tjera. Kjo tregon se armët e vogla dhe të lehta të paligjshme shkaktojnë pasiguri, dëmtojnë civilët, minojnë institucionet dhe shpesh përdoren në dhunë bazuar në gjini dhe dhunë në familje. Policia, Ministria e Punëve të Brendshme dhe autoritetet e tjera relevante kanë treguar një angazhim të jashtëzakonshëm për të luftuar trafikun e paligjshëm, posedimin dhe keqpërdorimin e armëve. Por mund të jeni të sigurt se ne, si UNDP, dhe ekipi im i pranishëm sot, do të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe jemi shumë krenarë që jemi partneri juaj i besuar në këto përpjekje”, tha Queiros.

    Ky aktivitet mbështetet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përmes Programit për Siguri dhe Siguri në Kosovë (KSSP), me mbështetje financiare nga Gjermania, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Holanda dhe Norvegjia, si dhe përmes Vendimit të Këshillit (PESK) 2024/3006 të datës 2 dhjetor 2024, në mbështetje të aktiviteteve të çarmatimit dhe kontrollit të armëve të SEESAC në Evropën Juglindore, me qëllim zvogëlimin e kërcënimit nga armët e vogla dhe armët e lehta (SALW) të paligjshme dhe municionit të tyre.