ATV

Author: G.O.

  • ​Lamine Yamal rikthehet nga lëndimi

    ​Lamine Yamal rikthehet nga lëndimi

    Lamine Yamal ka njoftuar se do të jetë i gatshëm për Barcelonën në ndeshjen e së dielës në LaLiga kundër Real Sociedad, pas një mungese prej katër takimesh për shkak të një lëndimi në ijë.

    Sulmuesi 18-vjeçar nuk ka luajtur që para pushimit të shtatorit për kombëtare, duke humbur fitoret e Barçës ndaj Valencias, Newcastle United, Getafes dhe Real Oviedos.

    “Hey! Jam kthyer,” shkroi Yamal në rrjetet sociale të premten, duke shoqëruar postimin me një video të disa prej momenteve më të mira të karrierës së tij deri tani.

    Para lëndimit, talenti spanjoll e kishte nisur sezonin në formë të shkëlqyer, duke shënuar dy gola dhe asistuar dy herë në tri ndeshjet e para të LaLigës. Ai gjithashtu asistoi tri herë në fitoret e Spanjës ndaj Bullgarisë dhe Turqisë në kualifikimet e Kupës së Botës.

    Megjithatë, paraqitjet e tij me kombëtaren nuk u pritën mirë nga trajneri i Barcelonës, Hansi Flick. Yamal iu bashkua Spanjës me një shqetësim të vogël në ijë dhe e përkeqësoi gjendjen gjatë grumbullimit, gjë që e bëri Flick-un të akuzojë “La Roja” për mospërkujdesje ndaj lojtarëve të rinj.

  • Teherani dhe Moska me marrëveshje miliardëshe për ndërtimin e centraleve bërthamore në Iran

    Teherani dhe Moska me marrëveshje miliardëshe për ndërtimin e centraleve bërthamore në Iran

    Irani dhe Rusia kanë nënshkruar një marrëveshje në vlerë prej 25 miliardë dollarësh për ndërtimin e centraleve bërthamore në Republikën Islamike, raportoi media shtetërore iraniane më 26 shtator.

    Ky njoftim vjen para se të rivendosen sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit.

    “Një marrëveshje për ndërtimin e katër centraleve bërthamore në vlerë prej 25 miliardë dollarësh në Sirik, Hormozgan është nënshkruar mes kompanisë së Iranit, Hormoz dhe Rosatom-it”, tha televizioni shtetëror, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Irani ka vetëm një central funksional me energji bërthamore në Bushehr, i cili ka kapacitet prej 1.000 megavatësh – duke mbuluar vetëm një pjesë shumë të vogël të nevojave të shtetit për energji.

    Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, IRNA, çdo centrali i ri që do të ndërtohet do të ketë kapacitet prej 1.225 megavatësh, edhe pse nuk është dhënë ndonjë afat kohor se kur do të ndërtohen.

    Kjo lëvizje vjen në kohën kur priten të rivendosen sanksionet e OKB-së. Shtetet evropiane, që ishin nënshkruese të marrëveshjes bërthamore me Iranin të vitit 2015 kanë aktivizuar mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve. Ato priten të rivendosen të shtunën.

    Britania, Franca dhe Gjermania aktivizuan mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve muajin e kaluar, duke e akuzuar Iranin se ka shkelur zotimet e marrëveshjes.

    Shtetet perëndimore e akuzojnë Iranin se po synon të ketë armë bërthamore, por Teherani vazhdimisht mohon këtë akuzë, duke thënë se ka të drejtë që të ketë program bërthamor për qëllime civile.

    SHBA-ja ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin më 2018 dhe kishte rivendosur sanksionet dhe më pas Teherani nisi që të shkelte pikat e marrëveshjes./REL

  • Flota me ndihma për Gazën do të niset drejt lindjes nga Greqia

    Flota me ndihma për Gazën do të niset drejt lindjes nga Greqia

    Një flotë anijesh ndërkombëtare me ndihma humanitare pritet të niset nga ujërat greke drejt Rripit të Gazës të premten, thanë organizatorët.

    Ata i kanë shpërfillur paralajmërimet nga Izraeli se autoritetet izraelite do ta përdorin çdo mjet për t’ia ndaluar hyrjen anijeve në enklavën e shkatërruar nga lufta.

    Flota Globale Sumud, e cila përbëhet nga rreth 50 anije civile, synon ta thyejë bllokadën detare të Izraelit ndaj Gazës, një përpjekje të cilën Izraeli e kundërshton fuqishëm.

    Shumë juristë, parlamentarë dhe aktivistë, përfshirë aktivisten suedeze të klimës, Greta Thunberg, janë duke udhëtuar në këto anije, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Kalimi i flotës përmes Mesdheut ka rritur tensionet ndërkombëtare, sidomos pasi ajo njoftoi këtë javë se ishte sulmuar nga dronët.

    Nuk pati të lënduar në ato sulme, por Italia dhe Spanja kanë dërguar anije luftarake për të ofruar ndihmë për shtetasit e tyre dhe ata evropianë që ndodhen në flotë.

    Greqia tha se do të garantojë lundrim të sigurt të flotës në ujërat e saj, por nisja e së premtes do ta çojë atë sërish në ujërat ndërkombëtare të Mesdheut lindor. Organizatorët thanë se anijet synojnë të mbërrijnë në fillim të javës së ardhshme.

    Izraeli, i cili ka vendosur një bllokadë detare ndaj Gazës, tha se flota nuk do të lejohet të kalojë dhe se projekti do të ndihmonte vetëm Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

    Flota ka fajësuar Izraelin për një sulm me dronë. Ministria e Jashtme izraelite nuk është përgjigjur për këto akuza, por e ftoi flotën që të dorëzojë ndihmat humanitare tek Izraeli, në mënyrë që të dërgohen në Gazë, në të kundërtën do të përballet me pasoja.

    “Ne nuk po dërgojmë vetëm ndihmë humanitare. Po tentojmë të dërgojmë shpresë dhe solidaritet, të dërgojmë një mesazh të fuqishëm që bota qëndron me Palestinën”, tha Thunberg teksa qëndronte në bordin e anijes që gjendej në Kretë të enjten.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

    Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 65.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara./REL

  • KFOR: Nuk kemi identifikuar shkelje përmes dronëve që mund ta cenojnë sigurinë në Kosovë

    KFOR: Nuk kemi identifikuar shkelje përmes dronëve që mund ta cenojnë sigurinë në Kosovë

    KFOR-i ka deklaruar se nuk ka identifikuar asnjë shkelje të hapësirës ajrore të Kosovës përmes përdorimit të dronëve që do të përbënin rrezik për sigurinë në vend.

    Në një përgjigje zyrtare, misioni i NATO-s në Kosovë thekson se çdo aktivitet ajror koordinohet me KFOR-in me qëllim që të shmangen tensionet dhe të garantohet siguria.

    “Ne nuk kemi identifikuar shkelje përmes dronëve që mund ta cenojnë sigurinë në Kosovë. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, prandaj KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe kapaciteteve që ka në dispozicion”, thuhet në njoftim.

    KFOR-i gjithashtu ka theksuar se mbetet në kontakt të ngushtë me institucionet e sigurisë së Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

  • Aksident tragjik në Pejë: Një i vdekur dhe një i lënduar

    Aksident tragjik në Pejë: Një i vdekur dhe një i lënduar

    Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në fshatin Qungur të Pejës.

    Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një katërçikletë.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informatës, njësitë përkatëse dhe autoambulanca kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e njërit prej të përfshirëve, ndërsa personi tjetër ka marrë lëndime dhe është dërguar për trajtim në QKUK.

    Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Identiteti i viktimës nuk është bërë ende i ditur.

     

  • Deri më 7 tetor afati për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhje

    Deri më 7 tetor afati për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhje

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave për monitorimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

    KQZ-ja ka bërë të ditur se afati për dorëzimin e kërkesave online për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare, i cili ka filluar më 1 korrik, do të përmbyllet më 7 tetor.

    KQZ ka sqaruar hapat që duhet të ndjekin mediet për t’i akredituar përfaqësuesit e tyre për ditën zgjedhore.

    “Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i medias duhet të plotësojë të dhënat e kërkuara në platformën online: https://apliko.kqz-ks.org. Hapi i dytë: Pas dorëzimit të kërkesës, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë atë dhe do të marrë vendim për miratimin ose refuzimin e saj. Në rast të miratimit, ZRCKFSP do të dërgojë përmes e-mailit kredencialet për qasjen në platformën online, të cilat i mundësojnë përfaqësuesit të autorizuar që të plotësojë edhe të dhënat për personat e medias që kërkohen të akreditohen”, ka sqaruar KQZ-ja.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se vetëm vëzhguesit e akredituar do të kenë të drejtë të vëzhgojnë procesin zgjedhor të 12 tetorit, sikurse edhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

  • Zhvillimi profesional i stafit, policia nënshkruan marrëveshje me Kolegjin AAB dhe AUK

    Zhvillimi profesional i stafit, policia nënshkruan marrëveshje me Kolegjin AAB dhe AUK

    Policia e Kosovës ka nënshkruar sot marrëveshje të reja bashkëpunimi me dy institucione të arsimit të lartë, Kolegjin AAB dhe Universitetin Amerikan në Kosovë.

    Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është ngritja e mëtejme arsimore dhe zhvillimi profesional i pjesëtarëve të policisë.

    Marrëveshjet u nënshkruan nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, dhe përfaqësues të dy institucioneve arsimore.

    Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit për të zhvilluar kapacitetet dhe burimet njerëzore brenda forcës policore përmes programeve të avancuara arsimore.

  • Paraqitet sëmundja Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, në një fermë dele në Landovicë të Prizrenit

    Paraqitet sëmundja Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, në një fermë dele në Landovicë të Prizrenit

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se pas kontrolleve të vazhdueshme është konfirmuar prania e sëmundjes PPR (Murtaja e Ruminantëve të Vegjël) në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.

    Në njoftim për media pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe zbatimit të masave për kontrollin e sëmundjes, Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar një rast me PPR në një fermë dele në këtë fshat.

    “Kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu. Megjithatë, ajo shkakton dëme të mëdha në shëndetin e kafshëve, rrit ngordhshmërinë dhe ka ndikim të rëndë në ekonominë blegtorale”, thuhet në njoftim.

    Tutje, AUV-i njofton se për masat që ka ndërmarrë si: kontrolli dhe mbikëqyrja e vazhdueshme në zonën e prekur, asgjësimi i kafshëve të prekura, kufizimi i lëvizjes së kafshëve në zonat tjera, si dhe njoftimi dhe bashkëpunimi me fermerët lokalë.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bën thirrje për fermerët dhe qytetarët që të kenë bashkëpunim të ngushtë me shërbimet veterinare.

    “Në momentin që identifikohen shenja klinike si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni apo kollitje e vazhdueshme, duhet të raportojnë menjëherë te organet kompetente. Respektoni masat dhe udhëzimet e inspektorëve dhe veterinerëve zyrtarë. Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

     

  • Një studim thotë se femrat janë lidere më të mira sesa meshkujt

    Një studim thotë se femrat janë lidere më të mira sesa meshkujt

    Një studim i ri ka arritur në përfundimin se femrat janë lidere më të mira sesa meshkujt. Studimi ka vlerësuar personalitetin dhe karakteristikat e përafërsisht 3,000 menaxherëve.

    Në pothuajse të gjitha fushat dhe aspektet, ata kanë konkluduar se femrat janë lidere shumë më të mira sesa meshkujt.

    Femrat janë treguar më të mira sesa meshkujt në katër nga pesë kategoritë të cilat hulumtuesit i kanë studiuar: komunikimin e qartë dhe iniciator; në hapuri dhe aftësisë për të shpikur gjëra të reja; në përkrahje dhe shoqëri; dhe në menaxhment metodik.

    Sidoqoftë, hulumtuesit gjithashtu kanë deklaruar se meshkujt janë më të mirë sesa femrat në ballafaqimin me stresin dhe kanë treguar nivele më të larta të stabilitetit emocional.

    Shpresojmë se rezultatet e këtyre studimeve do t’i ndryshojnë normat e vendeve të punës dhe kompanive të ndryshme.

  • Kapen në automjet me doza kanabisi gati për shitje, arrestohen dy persona në Korçë

    Kapen në automjet me doza kanabisi gati për shitje, arrestohen dy persona në Korçë

    Policia e Korçës ka arrestuar dy të rinj në qytet, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin po lëviznin, u gjetën doza kanabisi që dyshohet se ishin për t’u shitur.

    Sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë 30-vjeçari E.P. dhe 25-vjeçari S.M., të cilët akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

    “Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasve E.P. dhe S.M., si dhe gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza, gati për shitje. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E.P., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi tjetër kanabisi, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe një sasi fishekësh për armë gjahu”, thuhet në njoftimin e policisë.