ATV

Author: G.O.

  • “Kundër padrejtësisë në Hagë”- Më 17 tetor mbahet protestë në Tiranë, njofton OVL-UÇK

    “Kundër padrejtësisë në Hagë”- Më 17 tetor mbahet protestë në Tiranë, njofton OVL-UÇK

    Kryetari i Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati, në një konferencë për media të mbajtur në Tiranë, ka njoftuar se protesta e radhës në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të mbahet pikërisht në kryeqytetin shqiptar, pas atyre të mbajtur në Prishtinë dhe Hagë.

    Kjo protestë do të mbahet në sheshin ‘Skënderbej’ më 17 tetor, me fillim nga ora 17:00, me moton “Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë”.

    “Arsyeja tashmë është e qartë. Padrejtësia që po ushtrohet nga Gjykata Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne, bashkëluftëtarët dhe kategoritë e dala nga lufta shprehim mirënjohje të përhershme për shtetin shqiptar, për përkrahjen dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj kësaj çështje madhore kombëtare. Mesazhi ynë është i qartë: Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë që po iu bëhet atyre”, deklaroi Gucati në këtë konferencë.

    “Prandaj sot, nga kjo tryezë, iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e veprojnë, partive politike shqiptare, sidomos në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni: bashkohuni me ne në këtë protestë paqësore në Tiranë. Kjo nuk është çështje e disa individëve, por çështje dinjiteti, sakrifice dhe e së vërtetës sonë historike. Le të ngrihemi të gjithë si një zë i vetëm për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët tanë dhe për t’iu kundërvënë padrejtësisë. Ju mirëpresim të gjithëve në Tiranë”, theksoi ai.

    ““Ne jemi shqiptarë dhe na bashkon një gjuhë e një flamur. Ai flamur është flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në sheshin ‘Skënderbej’, më 17 tetor nga ora 17:00, bashkohemi të gjithë të protestojmë kundër padrejtësisë që po bëhet në Hagë”, tha Gucati.

  • Bislimi takohet me ambasadorin e ri të Sllovenisë në Kosovë

    Bislimi takohet me ambasadorin e ri të Sllovenisë në Kosovë

    Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim ambasadorin e ri të Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.

    Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet të kenë diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

    “Zëvendëskryeministri e informoi ambasadorin Blaj edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të nivelit të kryenegociatorëve të zhvilluar në Bruksel më herët gjatë muajit, ku përsëri u pa qartazi destruktiviteti i Serbisë në proces, tërheqja e saj nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit dhe bllokimi i formimit të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur me dhunë”, thuhet tutje në komunikatën për media.

    Njoftimi i plotë:

    Në vijim diskutuan rreth procesit të integrimit evropian të Kosovës. Zëvendëskryeministri e falënderoi shtetin e Sllovenisë për partneritetin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në këtë rrugëtim, gjersa shprehu se vendi ynë vazhdon të ketë objektiv kryesor dhe të synojë marrjen e statusit të vendit kandidat. Zëvendëskryeministri e informoi ambasadorin Blaj edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të nivelit të kryenegociatorëve të zhvilluar në Bruksel më herët gjatë muajit, ku përsëri u pa qartazi destruktiviteti i Serbisë në proces, tërheqja e saj nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit dhe bllokimi i formimit të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur me dhunë.

  • Zbulohen dy lokacione ku grumbulloheshin mallra të kontrabanduara, kapen mbi 300 kg duhan

    Zbulohen dy lokacione ku grumbulloheshin mallra të kontrabanduara, kapen mbi 300 kg duhan

    Dy lokacione që shërbenin si pika grumbullimi të mallrave të kontrabanduara janë identifikuar në Ferizaj.

    Task Forca në kuadër të Drejtorisë Rajonale Kufitare Lindje, e përbërë nga Policia dhe Dogana, ka zhvilluar hetime për disa javë lidhur me këtë rast.

    Në lokacionin e parë janë zbuluar 100 kilogramë duhan i papërpunuar dhe 109 kilogramë duhan i përpunuar, ndërsa në lokacionin e dytë janë gjetur edhe 100 kilogramë duhan i papërpunuar.

    Malli i sekuestruar është dorëzuar në Doganën e Kosovës për procedurat e mëtejme ligjore.

    “Sipas vlerësimeve të para, të bazuara në çmimet e tregut, vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara arrin shumën prej rreth 4,500 euro, ndërsa shmangiet nga detyrimet doganore dhe akciza llogariten të jenë rreth 15,000 euro.”, thuhet në njoftimin e Doganës.

  • Sulmet izraelite vrasin mbi 70 palestinezë në Rripin e Gazës

    Sulmet izraelite vrasin mbi 70 palestinezë në Rripin e Gazës

    Numri i viktimave nga sulmet izraelite në qytetin e Gazës dhe rrethinat e tij ka arritur në 77, ndërsa 265 persona të tjerë janë plagosur, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e enklavës palestineze.

    Sipas të dhënave, që nga 7 tetori 2023, në operacionet ushtarake në enklavën palestineze janë vrarë 65,926 persona dhe mbi 167 mijë të tjerë janë plagosur.

    Më 16 shtator, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi fillimin e një ofensive në qytetin e Gazës, me qëllim mposhtjen përfundimtare të lëvizjes palestineze Hamas.

    Para kësaj, ushtria izraelite kishte paralajmëruar vazhdimisht popullsinë lokale për nevojën e largimit nga zonat e luftimeve, duke përfshirë edhe shpërndarjen e fletëpalosjeve në qytet.

  • Siria lëshon fletarrestim për ish-presidentin Bashar al-Assad

    Siria lëshon fletarrestim për ish-presidentin Bashar al-Assad

    Një gjykatë siriane ka lëshuar një urdhër arresti në mungesë për ish-presidentin Bashar al-Assad për akuzat që lidhen me incidentet e vitit 2011 në Daraa.

    Gjykatësi hetues i Damaskut, Tawfiq al-Ali, i tha agjencisë së lajmeve Sana se urdhër-arresti përfshinte akuza për vrasje me paramendim, torturë që çoi në vdekje dhe privim nga liria.

    Vendimi i gjykatës hap derën për lëshimin e një urdhër-arresti përmes Interpolit dhe menaxhimin ndërkombëtar të çështjes.

    Vendimi erdhi pas një padie të ngritur nga familjarët e viktimave të Darës në lidhje me incidentet që ndodhën më 23 nëntor 2011.

  • “I doli para dhe e qëlloi”- Çfarë dihet nga vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë

    “I doli para dhe e qëlloi”- Çfarë dihet nga vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë

    Një shtetas italian është gjetur i vrarë mëngjesin e së shtunës në fshatin Salari të Tepelenës. Viktima është Edoardo Sarchi, 44 vjeç, me origjinë nga Varese, administrator i fabrikës së tullave “Tegola Edilcentro” në zonën e Laprakës në Tiranë, ku banonte prej 20 vitesh.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur Dilan, mes Nivicës dhe Salarisë, pak pas mesnatës. Sipas burimeve, Sarchi kishte shkuar për gjah së bashku me tre persona të tjerë, përfshirë ortakun e tij, Eqrem Braçe, dhe djalin e këtij të fundit, Gazment Braçe. Ata kanë udhëtuar drejt vendngjarjes me dy automjete, një Land Rover dhe një Volkswagen, të cilat u gjetën nga policia në vendin e ngjarjes.

    Sipas deklarimeve të Eqrem Braçes, një person i panjohur iu ka dalë përpara automjetit dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Braçe ka tentuar të japë ndihmën e parë viktimës dhe më pas ka njoftuar policinë. Autori dyshohet se është larguar në errësirë dhe nuk është identifikuar ende.

    Gazment Braçe, djali i ortakut, është shpallur në kërkim, pasi ndodhej në vendngjarje, por u largua para mbërritjes së policisë. Përveç tyre, një person tjetër është shoqëruar nga policia, identiteti i të cilit ende nuk dihet.

    Në terren janë angazhuar forcat e Policisë së Fierit dhe Vlorës, të cilat po kryejnë kontrolle të zgjeruara në zonë dhe në disa mjedise të dyshuara, me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e autorit.

    Deri më tani nuk dihet se me çfarë arme është qëlluar, dhe do të jetë ekspertiza që do të përcaktojë nëse ka qëne qëlluar me armë gjahu apo lloj tjetër. Prej qershorit 2023, 44-vjeçari administronte fabrikën e tullave dhe tjegullave në zonën e Laprakës në Tiranë, ‘Tegola Edilcentro’. Para emërimit të tij, banorë të zonës kanë protestuar disa herë për ndotjen që shkaktonte fabrika e tullave. /euronewsalbania/

  • Zvicra mbulohet nga bora

    Zvicra mbulohet nga bora

    Vështirësi të mëdha janë shënuar sot në trafikun rrugor si pasojë e motit të lig. Në Bettmeralp të kantonit Wallis dhe në maloren First në Grindelwald të kantonit Bern, qytetarët u zgjuan me një peizazh të mbuluar nga bora.

    Sipas “Meteo Schweiz”, kufiri i borës luhatet mes 1800 dhe 2100 metrave, ndërsa në Alpet perëndimore dhe jugore ka rënë deri në 50 centimetra borë.

    Për shkak të reshjeve, kalimi i rrugës së Gotthardit është mbyllur në të dy drejtimet, ashtu si edhe rrugët Tiefenbach–Gletsch dhe Wassen–Meiringen, të cilat mbeten të pakalueshme.

    Ndërkohë që në male ka reshje bore, në zonat e ulëta të Zvicrës ka rënë shi. Parashikimet tregojnë se e diela do të jetë kryesisht e thatë, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 18 gradë në disa zona.

  • Operacion në Veri – konfiskohen armë dhe municion në kontrollin e një podrumi

    Operacion në Veri – konfiskohen armë dhe municion në kontrollin e një podrumi

    Policia në Mitrovicë të Veriut, në bashkëpunim me zyrtarë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka zhvilluar një aksion këtë të shtunë në afërsi të sheshit “Car Lazar”, pas informacioneve se në një podrum të një ndërtese mund të ndodheshin sende të kundërligjshme.

    Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike, një pushkë gjahu, 50 fishekë, një kondak pushke, një palë pranga, një mbajtës pushke, një maskë kundër helmeve me çantën e saj, një këllëf arme si dhe pesë karikatorë të zbrazët.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëruar nisjen e hetimeve nën dyshimin për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    Policia ka bërë të ditur se nga ky operacion nuk ka të arrestuar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar personat përgjegjës dhe origjinën e armëve të gjetura.

  • Rusia kritikon planet e BE-së për një “mur për dronët”

    Rusia kritikon planet e BE-së për një “mur për dronët”

    Rusia ka kritikuar planet e Bashkimit Evropian për të forcuar mbrojtjen kundër dronëve, duke thënë se përgjigja e bllokut evropian ndaj hyrjeve të dronëve në kufijtë e saj vetëm se do të rrisë tensionet.

    Ministrat e mbrojtjes nga dhjetë vende të BE-së u pajtuan një ditë më parë që ta bënin prioritet të bllokut atë që e quajtën “mur për dronët”, pasi disa shtete anëtare janë përballur me një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore javët e fundit, për të cilat kanë fajësuar Rusinë.

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se masat do të çonin “në një rritje të tensioneve politike dhe ushtarake në kontinentin tonë”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, RIA Novosti.

    Ministria e Jashtme shtoi se planet përbënin “ambicie personale dhe lojëra politike të elitave drejtuese të BE-së”.

    Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte e para që bëri thirrje për një “mur për dronët” gjatë një fjalimi të mbajtur më herët gjatë këtij muaji disa orë pasi NATO-ja rrëzoi dronë rusë në Poloni.

    BE-ja ka thënë po ashtu se duhet të mësojë nga Ukraina e cila përballet çdo ditë me dronë rusë dhe, për rrjedhojë, ka zhvilluar zgjidhje të lira për t’iu kundërvënë sulmeve ruse.

    Moska ka mohuar se ka shkelur hapësirën ajrore të NATO-s dhe e ka cilësuar reagimin e BE-së si “histeri”, duke shtuar se pilotët rusë u përmbahen rregullave ndërkombëtare të aviacionit. Moska po ashtu ka pretenduar se nuk ka dëshmi se dronët që hynë në hapësirën ajrore evropiane ishin rusë./REL

  • Danimarka thotë se ka detektuar dronë afër objekteve ushtarake

    Danimarka thotë se ka detektuar dronë afër objekteve ushtarake

    Dronë të paidentifikuar janë parë pranë instalimeve ushtarake në Danimarkë gjatë natës, thanë Forcat e Armatosura më 27 shtator.

    Ky njoftim vjen pasi disa inkursione afër aeroporteve dhe instrastrukturës kritike janë regjistruar gjatë kësaj jave në Danimarkë.

    “Mbrojtja daneze mund të konfirmojë se dronët u panë në disa lokacione të mbrojtjes së Danimarkës mbrëmë. Disa kapacitete të mbrojtjes u dislokuan”, tha një zëdhënës i Forcave të Armatosura të Danimarkës.

    Ushtria daneze nuk specifikoi se ku saktësisht u detektuan dronët.

    Policia tha se kishte parë dronë pranë bazës ajrore Karup, në perëndim të Danimarkës, raportoi agjencia e lajmeve Ritzau.

    Ndërkaq, policia norvegjeze tha të shtunën se po heton lëvizjen e mundshme të dronëve pranë bazës ajrore Oerland, që është baza kryesore për avionët luftarakë F-35 të Novergjisë.

    “Rojet në bazë kanë bërë disa vëzhgime në perimetrin jashtë bazës mëngjesin e së shtunës”, thanë Forcat e Armatosura të Norvegjisë për agjencinë Reuters.

    Aeroporti në Kopenhagë u mbyll për disa orë të hënën pasi disa dronë u panë në hapësirën ajrore. Pesë aeroporte të tjera, civile dhe ushtarake, po ashtu u mbyllën përkohësisht në ditët pasuese.

    Autoritetet daneze i ka quajtur inkursionet sulme hibride dhe kryeministri, Mette Frederiksen, ka thënë më herët gjatë kësaj jave se ishin “sulmet më serioze ndaj infrastrukturës kritike daneze deri më tani”.