ATV

Author: G.O.

  • Pse personat e zënë duken gjithmonë më tërheqës? Fenomeni mori shpjegim

    Pse personat e zënë duken gjithmonë më tërheqës? Fenomeni mori shpjegim

    Një fenomen i çuditshëm, i quajtur “kopjimi i zgjedhjes së partnerit”, tregon se arsyeja nuk lidhet vetëm me psikologjinë, por ka edhe rrënjë evolutive

    A keni vënë re një model të çuditshëm? Ndoshta keni qenë gjatë vetëm, por sapo hyni në një lidhje, telefoni papritmas mbushet me mesazhe.

    Ose, ndoshta shpesh kapni veten duke u tërhequr pas personave që janë tashmë të zënë. Nëse kjo ju ndodh, mos u shqetësoni, shkenca ka një shpjegim për këtë fenomen.

    Çfarë është “kopjimi i zgjedhjes së partnerit”?

    Bëhet fjalë për fenomenin e njohur si “kopjimi i zgjedhjes së partnerit”. Edhe pse tingëllon e ndërlikuar, në të vërtetë është shumë i thjeshtë dhe nuk jemi të vetmit që përballemi me të. I njëjti proces mendor është vërejtur edhe tek kafshët.

    Psikologia Eloise Skinner e shpjegoi për Metro: “Kopjimi i zgjedhjes së partnerit përkufizohet si rritja e mundësisë për të zgjedhur një partner për shkak se një tjetër person e ka zgjedhur tashmë atë. Me fjalë të tjera, individi kopjon zgjedhjet e të tjerëve.”

    “Nëse dikujt tjetër i pëlqen një person, gjasat janë më të mëdha që edhe ju të ndjeni tërheqje, sepse ai person tërheq më shumë njerëz dhe jo vetëm ju. Kjo mund të tingëllojë e thjeshtuar, por ka prova biologjike”, shtoi ajo, transmeton Telegrafi.

    Rrënjët evolutive të tërheqjes

    Ky fenomen është dokumentuar te shumë specie, nga peshqit dhe zogjtë deri te primatët, konfirmon psikologia e marrëdhënieve Limor Gottlieb. Sipas saj, nëse një burrë është “zgjedhur” tashmë nga një grua, kjo sinjalizon se ai zotëron cilësi të dëshirueshme dhe është partner “i vlefshëm”.

    Edhe pse fenomeni vlen si për burrat, ashtu edhe për gratë, Gottlieb thotë se gratë janë më të ndjeshme ndaj këtij ndikimi:

    “Në mjedisin tonë prehistorik, zgjedhja e partnerit ishte një vendim me rrezik të lartë për shkak të investimit të madh amësor, nga shtatzënia, lindja e deri te vitet e rritjes së fëmijës. Kësisoj, gratë kërkonin tek burrat cilësi të fshehura dhe shenja si përkushtimi, besnikëria, aftësia për të siguruar siguri dhe inteligjenca, të cilat nuk duken menjëherë.”

    Nga ana tjetër, sipas saj, burrat janë fokusuar më shumë te shenjat e dukshme si rinia dhe shëndeti. Prandaj zgjedhja e partnerit nga gratë është më e ndjeshme ndaj ndikimit shoqëror, ndërsa ajo e burrave është më shumë e kalibruar vizualisht.

    Kur kopjimi i zgjedhjes bëhet kurth

    Skinner vëren se personat me më pak përvojë në marrëdhënie ose ata që kërkojnë shpesh konfirmim nga të tjerët janë më të prirë ndaj këtij fenomeni. Megjithatë, kjo sjell edhe rreziqe.

    “Mund të ndihmojë në përshpejtimin e vendimmarrjes, por nuk garanton përputhshmëri,” paralajmëron Gottlieb. “Dikush mund të duket i dëshirueshëm në publik, por të mos jetë partner i shëndetshëm afatgjatë në privatësi.”

    Çdo marrëdhënie e qëndrueshme, thekson ajo, kërkon vlera të përbashkëta dhe përkushtim.

    “Pa përmendur faktin se, nëse dikush lë partnerin për ju, ekziston gjithmonë rreziku që ta përsërisë këtë sjellje.”

    Nëse veprimi bazohet tek “kopjimi i zgjedhjes”, kjo kalon në të ashtuquajturin “gjueti partnerësh”, një përpjekje aktive për të marrë partnerin e dikujt tjetër. Gottlieb shton se një e pesta e lidhjeve të reja fillon pikërisht në këtë mënyrë.

    “Ata që merren me ‘gjueti partnerësh’ rezultojnë më të lartë në narcizëm, ekstraversion, tradhti dhe hapje ndaj përvojave të reja,” përfundon ajo, duke e cilësuar këtë si një strategji afatshkurtër. /Telegrafi/

  • Cila është mënyra më e lehtë për të ruajtur siç duhet qepët në kuzhinën tuaj?

    Cila është mënyra më e lehtë për të ruajtur siç duhet qepët në kuzhinën tuaj?

    Qepët janë një përbërës thelbësor në çdo kuzhinë, por shumë njerëz nuk dinë si t’i ruajnë siç duhet.

    Nëse fillojnë të mbijnë, të zbuten ose të zhvillojnë myk, kjo është një shenjë se nuk po i ruani siç duhet ose se po i ruani në vendin e gabuar.

    Ruajtja e duhur e ushqimit do të thotë shumë në kuzhinë, jo vetëm për bananet dhe patatet, por edhe për zgjatjen e afatit të ruajtjes së qepëve. Shumica e njerëzve i mbajnë qepët në frigorifer, së bashku me perime të tjera, por ky nuk është vendi më i mirë.

    Eksperti Jerry James Stone ka zbuluar një metodë të provuar për t’i mbajtur qepët të forta dhe të freskëta, jo të buta.

    “Nëse i ruani qepët siç duhet, ato mund të zgjasin deri në gjashtë muaj. Gjëja më e rëndësishme është të mos i mbani kurrë në frigorifer sepse aty do të prishen dhe do të zbuten”, shpjegoi ai.

    Arsyeja është se i ftohti dhe lagështia e frigoriferit nuk janë të përshtatshme për qepët, pasi ato kërkojnë kushte krejtësisht të ndryshme. Si rezultat, ato thithin lehtësisht lagështinë dhe shpejt zbuten dhe prishen në frigorifer. Përjashtim bëjnë qepët e qëruara dhe të grira, të cilat duhet të ruhen në frigorifer.

    “Shmangni sirtarët e mbyllur dhe unë rekomandoj ta mbani në një qilar ose diku me shumë ajër. Ventilimi është çelësi në të gjithë këtë sepse vetë qepët lëshojnë lagështi”, pohon Jerry.

    Një këshillë shtesë është që të mos i ruani kurrë qepët pranë patateve sepse ato lëshojnë lagështi, gjë që përshpejton mbirjen e patateve.

    Përveç kësaj, nëse blini qepë në qese plastike, duhet t’i nxirrni sepse plastika ruan lagështinë dhe kontribuon në formimin e mykut.

    Që të qëndrojnë të freskëta, qepët duhet të “marrin frymë”, kështu që është mirë t’i ruani në një qese rrjete ose shportë, ku ajri qarkullon lirshëm.

    Për ruajtje afatshkurtër, mjafton ta vendosni në një enë në banakun e kuzhinës ose në një dollap, por për ruajtje afatgjatë, një vend i freskët, i thatë dhe i errët si bodrum ose garazh, ku nuk ka dritë të drejtpërdrejtë, është ideal.

  • Talibanët i ndalin shërbimet e komunikimit dhe internetit në gjithë Afganistanin

    Talibanët i ndalin shërbimet e komunikimit dhe internetit në gjithë Afganistanin

    Talibanët i kanë ndalur shërbimet e telekomunikimit dhe internetit në gjithë Afganistanin, duke e shkëputur vendin nga pjesa tjetër e botës.

    Grupi islamik radikal e bllokoi qasjen në internetin me fibër optike në të gjithë Afganistanin më 29 shtator.

    Rrjetet e telefonisë mobile, të cilat funksionojnë në të njëjtin sistem, gjithashtu u fikën pothuajse tërësisht.

    Ky vendim ka shkaktuar kaos në Afganistan, duke ndërprerë fluturimet dhe duke i shkëputur njerëzit nga sistemet bankare, tregtia elektronike, si edhe nga punët dhe shkollat online.

    Vëzhguesi i internetit NetBlocks tha më 29 shtator se Afganistani është “në mes të një ndërprerjeje totale të internetit”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Talibanët nuk kanë dhënë arsye zyrtare për vendim.

    Por, ndalja e shërbimeve të komunikimit ndodhi disa javë pasi grupi kishte filluar të ndalonte qasjen në internetin me fibër optike në disa provinca.

    Grupi tha se ky veprim synon ta parandalojë “imoralitetin”, pasi Talibanët më herët kishin shprehur shqetësim për pornografinë dhe intimitetin online mes burrave dhe grave.

    Por, kritikët thonë se ky vendim është pjesë e një shtypjeje më të gjerë ndaj lirive individuale dhe qarkullimit të lirë të informacionit.

    Qëkurse e morën pushtetin në vitin 2021, talibanët kanë kufizuar rëndë të drejtat e afganëve, sidomos të grave, dhe kanë shtypur dhunshëm çdo kundërshtim.

    Talibanët kanë përdorur interpretimin e tyre të ligjit islamik të sheriatit për t’i arsyetuar politikat e tyre ekstreme. Por, dijetarët islamë thonë se nuk ka baza fetare për vendimin e grupit për ta ndaluar internetin.

    Ndalja e shërbimeve të komunikimit ka prekur qytetarët e thjeshtë, bizneset private dhe zyrat qeveritare.

    Shërbimi i gjurmimit të fluturimeve Flightradar24 tha se të paktën tetë fluturime – të planifikuara për t’u nisur ose për të mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit më 29 shtator – janë anuluar.

    Ishaq Atmar, analist afgan me bazë në Gjermani, tha se ndërprerja e komunikimit do të ketë pasoja të mëdha.

    “Është një humbje e madhe si për popullin afgan, ashtu edhe për ekonominë e këtij vendi”, i tha ai Radios Azadi të Radios Evropa e Lirë.

    “Nëse e fikni internetin, kjo do të thotë se e keni fikur jetën, sepse asgjë nuk është e mundur pa internet”, shtoi ai.

    Interneti ka qenë shpëtim për gratë afgane, shumë prej të cilave humbën të drejtën për të punuar dhe studiuar pas ndalimit të vendosur nga talibanët në vitin 2022.

    Ky vendim pritet ta përkeqësojë krizën ekonomike në Afganistan, ku varfëria po rritet, uria është e përhapur dhe papunësia është e lartë.

    Ndërkohë, organizatat që mbrojnë median kanë dënuar ndalimin e internetit si një përpjekje për të ndaluar qarkullimin e lirë të informacionit.

    Haroon Basir, gazetar afgan me bazë në Francë, i tha Radios Azadi se nuk ka arritur të kontaktojë me familjen e tij në Afganistan që prej 29 shtatorit.

    “Kjo është dhimbje e madhe për mua”, tha ai. “Është një sfidë e madhe për mijëra afganë që janë jashtë Afganistanit dhe nuk mund të kontaktojnë me familjet e tyre”./REL

  • Netanyahu: Nuk do të ndodhë tërheqja e ushtrisë izraelite nga Gaza

    Netanyahu: Nuk do të ndodhë tërheqja e ushtrisë izraelite nga Gaza

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se nuk do të ndodhë tërheqja e ushtrisë izraelite nga Gaza.

    “Ata vazhdojnë të thonë ‘ti duhet t’i pranosh kushtet e Hamasit’. Tërhiqi të gjithë. Ushtria duhet të largohet dhe Hamasi të ripërtërihet dhe të rehabilitohet në Rripin e Gazës”.

    “Nuk do të ndodhë”, ka thënë ai.

    Netanyahu ka thënë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dhënë Izraelit mbështetjen e tij të plotë në rast se Hamasi e refuzon planin 20-pikësh për paqe.

    “Kompletoni operacionet ushtarake për eliminimin e Hamasit. Dhe mendoj se në të gjitha sferat ishte një vizitë e mrekullueshme”.

    Në një postim të veçantë në rrjetet sociale këtë mëngjes, Netanyahu ka shpërndarë një video të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, e cila përmban pamje nga takimi i tij me presidentin Trump një ditë më parë.

  • Babai i ish-policit Spahiu: Ai po vuan, po mbahet padrejtësisht në burg

    Babai i ish-policit Spahiu: Ai po vuan, po mbahet padrejtësisht në burg

    Fatmir Spahiu, babai i ish-policit Arbnor Spahiu, në protestën ku u kërkua reagim vendor e ndërkombëtar, ka treguar se e kanë dorëzuar dokumentet ku tregojnë qartazi që ai nuk ishte i angazhuar si polici në shtatorin e 2023.

     “Me Arbnorin janë takuar shoqja dhe nëna e Arbnorit. Arbnori sa i përket gjendjes fizike është mirë, për shkak gjendjes emocionale dihet se është i lodhur, i mërzitur nga padrejtësia që po i bëhet, ndërsa me u maltretu nuk është maltretuar, sjellja ka qenë korrekte, mirëpo ai po e vuan atë pasi që është duke u mbajtur në mënyrë të padrejtë”.

    “Policinë e Kosovës e ka lënë me një nëntor në 2022, ndërsa ky akuzohet për rastin që ka ndodhur me 24 shtator 2023 ka udhëtuar më herët, nuk është ndaluar. dokumentacionin e kam dorëzuar te avokati dhe avokati i ka dorëzuar në prokurori, institucionet janë angazhuar mirëpo ne kërkojmë që të angazhohen më tepër”, tha ai.

  • Shembet shkolla islame në Indonezi, dhjetëra studentë të bllokuar, 3 të vdekur dhe 99 të plagosur

    Shembet shkolla islame në Indonezi, dhjetëra studentë të bllokuar, 3 të vdekur dhe 99 të plagosur

    Ekipet e shpëtimit në Indonezi po garojnë me kohën për të shpëtuar dhjetëra studentë dhe punëtorë të bllokuar nën rrënojat e një shkolle islame që u shemb të hënën në mbrëmje në qytetin Sidoarjo të Javas Lindore.

    Të paktën tre persona kanë humbur jetën, ndërsa 99 të tjerë janë shtruar në spital, disa në gjendje kritike, sipas autoriteteve vendase. Shifrat mund të rriten pasi të paktën 38 persona, shumica djem adoleshentë, mbeten të zhdukur nën rrënoja.

    Ngjarja ndodhi në Shkollën Islamike me Konvikt Al Khoziny, ku studentët ishin mbledhur për lutje kur godina dykatëshe u shemb. Vajzat ndodheshin në një pjesë tjetër të objektit dhe fatmirësisht shpëtuan.

    Mediat e huaja raportojnë se ndërtesa kishte themele të paqëndrueshme dhe nuk ishte projektuar për dy kate shtesë që ishin ndërtuar pa leje.

    Familjarët e të zhdukurve kanë ngritur kampe pranë shkollës dhe po presin me ankth lajme për të fëmijet e tyre.

    Drejtuesi i shkollës, KH Abdus Salam Mujib, kërkoi falje ndaj familjeve të viktimave, duke e quajtur ngjarjen “vullnet i Zotit” dhe shprehu shpresën që Zoti do t’i shpërblejë humbjet me diçka më të mirë.

    Autoritetet lokale deklaruan se shkolla nuk kishte marrë leje ndërtimi për shtesat e reja, duke ngritur shqetësime serioze për mbikëqyrjen e institucioneve fetare edukative në vend.

    Al Khoziny është një shkollë tradicionale islame me konvikt, e cila fokusohet në mësimin e Kuranit dhe ligjit islam, por që gjithashtu ofron arsim të përgjithshëm.

  • Dugolli i LVV-së intervistohet nga Prokuroria Speciale për nxitje të urrejtjes

    Dugolli i LVV-së intervistohet nga Prokuroria Speciale për nxitje të urrejtjes

    Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka njoftuar sot përmes një deklarate publike se është intervistuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës në cilësinë e të paditurit për nxitje të urrejtjes.

    Padi kundër tij është ngritur nga pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, i biri i Ajet Istogut.

    “Sot u intervistova në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në cilësinë e të paditurit për “nxitje të urrejtjes…”. Padia është ngritur nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, djali i ish-oficerit famëkeq të UDB-së, Ajet Istogu, i njohur për torturat e rënda ndaj të rinjve, intelektualëve dhe punëtorëve shqiptarë gjatë viteve ’80.

    Në vitin 1981, unë vetë përjetova dhunën e tij fizike, psikike dhe emocionale, ndërkohë që shumë të tjerë (duke përfshi edhe vetën) vuajmë pasoja të rënda dhe të përhershme shëndetësore. Edhe pse ai ka vdekur, krimet e tij mbeten të gjalla në trupat dhe shpirtrat tanë që kemi vuajtur. Krimi mbetet i gjallë edhe sot sepse nuk është ndëshkuar kurrë, qoftë edhe simbolikisht.

    Sa për familjarët që ngrenë padi, nuk i kam kërkuar të mbrojnë krimet e të afërmit të tyre, por të tregojnë pak dinjitet, qoftë edhe në formën e heshtjes. Të vërtetën nuk mund ta mohojnë, sepse kur ne ishim në burg, ata ushqeheshin me pagën e fituar nga torturat mbi ne”, shkroi Dugolli.

    Ai thotë se deklarimi i tij publik në një emision televiziv për veprimet e tij paska “shqetësuar” familjarët e tij, “të cilët sot kanë vendosur të më padisin”.

    “Është e habitshme dhe e dhimbshme që, pas 44 vitesh, historia duket se përsëritet: atëherë, babai i tij më torturoi dhe përgatiti dosjen për aktakuzë të rëndë; sot, djali i tij më padit për “nxitje të urrejtjes”!

    Në vend që të reflektonte mbi të kaluarën, të kërkonte falje apo të shprehte keqardhje për vuajtjet e shkaktuara nga babai i tij, ai ka zgjedhur një rrugë tjetër. Por unë jam i gatshëm të përballem ballëhapur, i qetë dhe i bindur në të drejtën time. Ne luftuam për lirinë e Kosovës, për këtë liri që sot u jep mundësi të gjithëve, madje edhe atyre që nuk skuqen e nuk ndiejnë keqardhje për të bëmat e prindërve të tyre, duke ngritur padi të pabazuara.

    E di që e vërteta shpesh është e dhimbshme, por ajo nuk mund të fshihet. Pavarësisht çmimit, unë do të qëndroj gjithmonë në mbrojtje të saj”, thotë ai.

    Dugolli thotë se priti nga Prokuroria Speciale që të intervistohej si viktimë dhe dëshmitar i krimeve të rënda të kryera ndaj të burgosurve politikë dhe gjithë shqiptarëve, deri tek masakra gjenocidale e Dubravës

    “Dhe një fjalë për Prokurorinë Speciale: unë prisja të intervistohesha si viktimë dhe dëshmitar i krimeve të rënda të kryera ndaj të burgosurve politikë dhe gjithë shqiptarëve , deri tek masakra gjenocidale e Dubravës. Nuk e kam pritur kurrë të intervistohem për këso lloj pretendime, kur gjithë jetën time kam qenë viktimë e dhunës së aparatit shtypës të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj.

    Unë nuk kam çfarë të tërheq nga ajo që kam deklaruar. Përkundrazi, kam bërë denoncime publike dhe do të vazhdoj t’i bëj. Prokuroria do të duhej të merrej me këto dëshmi dhe fakte të dokumentuara, e jo me pretendime boshe, të cilat nuk më lëndojnë vetëm mua, por edhe qindra e mijëra atdhetarë që mbijetuan dhunën dhe torturat çnjerëzore të Serbisë dhe shërbëtorëve të saj”, përfundon Dugolli.

  • Aktori i filmave për të rritur, Austin Wolf dënohet me 19 vjet burg për shfrytëzim seksual të fëmijëve

    Aktori i filmave për të rritur, Austin Wolf dënohet me 19 vjet burg për shfrytëzim seksual të fëmijëve

    Ish-aktori i filmave për të rritur, Austin Wolf, emri i vërtetë i të cilit është Justin Heath Smith, u dënua të premten më 26 shtator me 19 vjet burg për shfrytëzim seksual të fëmijëve dhe përfshirje në një model aktivitetesh që përfshinin sjellje seksuale të ndaluara.

    Gjithashtu, ai mori 10 vjet lirim të mbikëqyrur dhe një gjobë prej 40,000 dollarësh (34,000 euro).

    Prokurori i SHBA-së për Distriktin Jugor të New York-ut, Jay Clayton, e quajti veprën e Smith “të tmerrshme” dhe theksoi se autoritetet janë të përqendruara në largimin e individëve që shfrytëzojnë seksualisht fëmijët nga rrugët, shkruan People.

    Smith fillimisht u akuzua për pranim dhe shpërndarje të pornografisë me fëmijë dhe posedim të saj. Në qershor 2025, ai u deklarua fajtor për joshjen e një të mituri për t’u përfshirë në aktivitet seksual.

    Arrestimi i tij i parë ndodhi në prill 2024, kur autoritetet bastisën apartamentin e tij në Manhattan dhe gjetën afërsisht 200 video me përmbajtje pornografike me fëmijë.

    Prokurorët thanë se Smith kishte përndjekur dhe u përpjekur të shfrytëzonte seksualisht viktima të mitura që nga viti 2023, duke përfshirë takime të organizuara me të mitur të moshës 7 deri 15 vjeç.

    Ai gjithashtu shkëmbeu imazhe seksuale me të mitur dhe planifikoi takime për abuzim të mëtejshëm, përfshirë një rast ku një person i ofroi Smithit fëmijën e tij 7-vjeçar për shfrytëzim.

    Gjatë bastisjes, autoritetet zbuluan gjithsej 1,291 skedarë që përmbanin pornografi me fëmijë, duke përfshirë rreth 75 skedarë me foshnje ose fëmijë të vegjël, dhe disa video që tregonin përdhunimin e dhunshëm të fëmijëve të vegjël. Smith gjithashtu shpërndau pornografi me fëmijë tek të paktën 15 persona të tjerë. /Telegrafi/

  • DASh: Kosova bëri përpjekje, por jo mjaftueshëm kundër trafikimit me njerëz

    DASh: Kosova bëri përpjekje, por jo mjaftueshëm kundër trafikimit me njerëz

    Shtetet e Bashkuara e renditën Kosovën në Nivelin 2 në raportin e fundit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore.

    Kjo kategori përfshin vendet ku qeveritë bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar trafikimin me njerëz, por ende nuk arrijnë të përmbushin plotësisht standardet minimale ndërkombëtare.

    Në të njëjtën kategori renditen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.

    Raporti, i publikuar më 29 shtator nga Departamenti amerikan i Shtetit, vë në pah se Kosova ka intensifikuar përpjekjet për të luftuar trafikimin krahasuar me vitin e kaluar, duke përfshirë ndjekjen penale të një numri më të madh personash të dyshuar për trafikim dhe identifikimin e më shumë viktimave.

    Gjithashtu, është rritur edhe financimi për mbështetjen e viktimave, si dhe fondi për kompensimin e tyre, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Megjithatë, Qeveria nuk i ka përmbushur disa standarde minimale në fusha kyçe, ndaj Kosova mbetet në Nivelin 2, sikurse edhe në raportimin e mëparshëm. Mangësitë kryesore përfshijnë: dënimin e paktë të trafikantëve dhe shqiptimin e dënimeve nën minimumin e parashikuar me ligj.

    Raporti, gjithashtu, thekson se rastet e fëmijëve të detyruar nga prindërit për të lypur rrugëve, trajtohen shpesh si neglizhencë ose keqtrajtim, e jo si trafikim, duke ngritur shqetësime për identifikimin e pasaktë të viktimave.

    “Qeveria nuk ka pasur kapacitet për të ofruar ndihmë afatgjate dhe ka ndarë më pak fonde për fushatat e ndërgjegjësimit”, thekson raporti.

    Kush është më i cenueshëm ndaj trafikimit?

    Trafikimi prek të gjitha komunitetet në Kosovë, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit.

    Gratë dhe vajzat rekrutohen me premtime të rreme për martesë ose punë si këngëtare dhe valltare, por më pas trafikohen seksualisht në shtëpi private, klube nate ose qendra masazhi.

    Viktimat përfshijnë jo vetëm kosovare, por edhe gra nga Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vende të tjera evropiane.

    Kosovarët, po ashtu, shpesh detyrohen të bëjnë punë seksuale dhe të tjera në Evropë.

    Në anën tjetër, fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet fqinje shpesh shfrytëzohen për lypje të detyruar.

    Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë veçanërisht të rrezikuara, ashtu si edhe personat LGBTQ+, migrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët.

    Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit kujton se ligji në Kosovë penalizon trafikimin për qëllime seksuale dhe të punës me dënime deri në 15 vjet burg, por thekson se zbatimi i tij ka qenë i mangët.

    Vitin e kaluar, autoritetet ndoqën penalisht 17 raste të reja që përfshinin 49 trafikantë të dyshuar, krahasuar me tetë raste në vitin 2023, që përfshinin 10 trafikantë të dyshuar.

    Autoritetet vazhduan të ndiqnin penalisht edhe gjashtë raste me 14 trafikantë të dyshuar, të iniciuara në vitet e mëparshme.

    Por, gjykatat dënuan vetëm një trafikant seksual – një rënie kjo e madhe krahasuar me 14 trafikantë të dënuar në vitin 2023, thekson raporti.

    Ai u dënua me tetë muaj burgim, që ishte nën dënimin minimal prej pesë vjetësh burgim.

    Dënimet nën këtë minimum dëmtojnë përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët përgjegjës dhe nuk pasqyrojnë seriozitetin e krimit, thuhet në raport.

    Por, krahas mangësive, dokumenti nxjerr në pah edhe përmirësimet në mbrojtjen e viktimave.

    Gjatë vitit të kaluar u identifikuan 14 viktima, krahasuar me 17 viktima në vitin 2023, dhe shumica e tyre morën asistencë ligjore, mjekësore dhe psikologjike, këshillim, edukim dhe mbështetje për riintegrim.

    Qeveria, sipas raportit, ka rritur financimin për këto shërbime, duke alokuar 150.000 euro për qendrën e sigurisë për viktimat e rrezikuara, krahasuar me 75.000 euro të ndara në vitin 2023.

    Gjithashtu, fondi për kompensimin e viktimave është rritur në 200.000 euro vitin e kaluar, krahasuar me 150.000 euro në vitin 2023.

    Për periudhën e ardhshme, raporti thekson se Kosova duhet të përforcojë dukshëm përpjekjet kundër trafikimit.

    Mes rekomandimeve kryesore përmenden hetimi dhe ndjekja penale e trafikantëve dhe shqiptimi i dënimeve të rënda.

    Raporti sugjeron, gjithashtu, trajnime të avancuara për gjyqtarët, prokurorët dhe policinë për identifikimin e trafikimit dhe qasjen e përshtatshme te viktimat.

    Kapacitetet dhe financimet për qendrat sociale dhe strehimoret e organizatave joqeveritare, rekomandohet të rriten, ashtu si edhe mbështetja për trajnime profesionale dhe integrim të viktimave. /REL/

  • Arrestohet një person në Deçan, lidhet me një rast të vrasjes në tentativë

    Arrestohet një person në Deçan, lidhet me një rast të vrasjes në tentativë

    Policia ka njoftuar për arrestimin e një personi të dyshuar në Deçan, i cili lidhet me një rast të vrasjes në tentativë të ndodhur disa muaj më parë.

    I dyshuari, një mashkull kosovar, u ndalua nga njësitet policore gjatë ditës së hënë, më 29 shtator.

    Ngjarja për të cilën ai dyshohet ka ndodhur mëngjesin e 7 majit të këtij viti dhe që atëherë autoritetet kanë qenë duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorit. Hetimet intensive disamujore kanë rezultuar me lokalizimin e të dyshuarit, duke çuar në arrestimin e tij si përgjegjës i mundshëm për sulmin.

    Pas përfundimit të procedurave fillestare policore dhe intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit ai është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet janë në vazhdim.