ATV

Author: G.O.

  • Vdes në rrethana misterioze ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë

    Vdes në rrethana misterioze ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë

    Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë, Nkosinathi Emmanuel Mthethwa, është gjetur i vdekur jashtë një hoteli shumëkatësh në Paris, të martën, sipas autoriteteve lokale.

    Zyra e prokurorit të Parisit ka hapur një hetim mbi rrethanat e vdekjes së 58-vjeçarit, i cili ishte raportuar i zhdukur nga bashkëshortja e tij një ditë më parë, pasi kishte marrë prej tij një mesazh shqetësues.

    Mthethwa kishte rezervuar një dhomë në katin e 22-të të hotelit Hyatt Regency, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se dritarja e sigurisë së dhomës ishte hapur me forcë, sipas prokurorisë.

    Qeveria e Afrikës së Jugut konfirmoi lajmin dhe shprehu dhimbjen për “vdekjen e parakohshme” të ambasadorit. Ministri i Marrëdhënieve dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Ronald Lamola, deklaroi se humbja e Mthethwa-s përfaqëson “jo vetëm një humbje kombëtare, por edhe një tronditje për komunitetin diplomatik ndërkombëtar.”

    Nkosinathi Mthethwa ka mbajtur disa poste të larta në qeverinë e Afrikës së Jugut, përfshirë atë të ministrit të Arteve dhe Kulturës (2014–2019) dhe më pas si ministër i Sportit, Arteve dhe Kulturës (2019–2023).

    Ai ishte emëruar ambasador në Francë në shkurt të vitit 2024 dhe shërbente gjithashtu si delegat i përhershëm i Afrikës së Jugut në UNESCO.

  • Mercedes G63 me vlerë 160 mijë euro sekuestrohet në Suharekë, dyshohet se pronari kishte detyrime të pashlyera në Gjermani

    Mercedes G63 me vlerë 160 mijë euro sekuestrohet në Suharekë, dyshohet se pronari kishte detyrime të pashlyera në Gjermani

    Një operacion i suksesshëm i Policisë së Kosovës ka përfunduar me gjetjen dhe sekuestrimin e një automjeti luksoz me vlerë rreth 160 mijë euro në qytetin e Suharekës.

    Bëhet fjalë për një veturë të tipit Mercedes G63 të vitit 2022, e cila dyshohet se ishte larguar ilegalisht nga Gjermania për t’iu shmangur detyrimeve financiare të pronarit.

    “Sekuestrimi i automjetit është bërë me kërkesë të autoriteteve gjermane, pasi ekziston dyshimi se pronari i tij kishte detyrime të pashlyera lidhur me këtë automjet. Në vend që t’i përgjigjej kreditorit, pronari kishte larguar automjetin nga Gjermania, ndërsa i njëjti është gjetur në Kosovë, konkretisht në qytetin e Suharekës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Sipas policisë, vetura është sekuestruar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe për veprimet e mëtejme do të veprohet sipas udhëzimeve të institucioneve përgjegjëse të drejtësisë.

    “Ky operacion paraqet një shembull të qartë të bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare, veçanërisht me ato të vendeve të Bashkimit Evropian. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për drejtësi dhe siguri”, përfundon njoftimi.

  • Një objekt ‘misterioz’ bie nga qielli në fushën e një fermeri në Argjentinë – duke shkaktuar panik te banorët

    Një objekt ‘misterioz’ bie nga qielli në fushën e një fermeri në Argjentinë – duke shkaktuar panik te banorët

    Një objekt misterioz cilindrik ka rënë nga qielli në një fushë në Puerto Tirol, Argjentinë, duke shkaktuar panik te banorët.

    Objekti, rreth 1.7 metra i gjatë dhe 1.2 metra i gjerë, ishte i përbërë nga fibra dhe metali, dhe fillimisht u dyshua si mjet shpërthyes.

    Pas ekspertizës së policisë dhe njësive të çminimit, u konfirmua se bëhej fjalë për një “kapsulë rezervuari karburanti hapësinor”.

    Specialistët e identifikuan si një lloj rezervuari i lehtë dhe rezistent që përdoret për mbajtjen e lëngjeve nën presion të lartë.

    Dyshohet se kapsula ka rënë nga një raketë kineze, e lëshuar vetëm një ditë më parë nga brigjet e Kinës.

    Ky incident vjen mes shqetësimeve në rritje për mbeturinat hapësinore, të cilat po shtohen ndjeshëm për shkak të bumit të satelitëve. /Telegrafi/

  • Spotify fshin plot 75 milionë këngë

    Spotify fshin plot 75 milionë këngë

    Spotify ka njoftuar një goditje gjithëpërfshirëse kundër keqpërdorimit të inteligjencës artificiale, duke thënë se ka hequr më shumë se 75 milionë këngë “spam” gjatë vitit të kaluar.

    Platforma ka bërë të ditur se ky hap është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mbrojtur artistët nga paraqitjet e rreme, mashtrimet dhe përhapja e materialeve të dobëta të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Spotify ka prezantuar gjithashtu rregulla dhe mjete të reja, të dizajnuara për të mbrojtur identitetin e artistëve dhe për të rritur transparencën për dëgjuesit.

    Këto ndryshime vijnë në një kohë kur teknologjia gjenerative e AI po transformon industrinë e muzikës, duke ngjallur shqetësime për përmbajtjen e padëshiruar, vokalet “deepfake” dhe ngarkimet mashtruese.

    Spotify ka miratuar një politikë të re që ndalon veçanërisht klonët e AI-së dhe incizimet “deepfake”. Imitimi i paautorizuar i zërit të një artisti nuk do të lejohet, përveç rasteve kur është i licencuar zyrtarisht. Kompania gjithashtu po zgjerohet me masa që synojnë të ndalin publikimet e rreme që prezantohen si vepra të artistëve të tjerë.

    Për të parandaluar manipulimet, këtë vjeshtë Spotify do të prezantojë një sistem të ri për zbulimin e përmbajtjes së padëshiruar. Ky filtër do të identifikojë llogaritë që përdorin taktika si duplikimet, këngët artificialisht të shkurtra dhe strategji të tjera mashtruese, dhe më pas do të ndalojë rekomandimin e këtyre materialeve.

    Gjithashtu, Spotify po mbështet një standard të ri industrial për etiketimin e AI në listat e autorëve. Kjo do t’u mundësojë artistëve dhe shtëpive botuese të tregojnë se si është përdorur AI gjatë krijimit të një kënge, nga vokalet deri te instrumentalet. Këto etiketa do të shfaqen në aplikacion, ashtu siç i dorëzojnë distributorët dhe partnerët.

    Që në qershor, përdoruesit e Spotify shkruanin për një grup të ri të quajtur The Velvet Sundown, ndërsa shumëkush dyshoi shpejt se ishte gjeneruar plotësisht nga inteligjenca artificiale. Grupi madje e mohoi këtë në rrjetet sociale, por më vonë doli në pah se publiku nuk është edhe aq lehtë për t’u mashtruar – gjithçka kishte qenë vërtet e krijuar nga AI. /Telegrafi/

  • Kosova nis hetime paraprake për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi

    Kosova nis hetime paraprake për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi

    Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë i Kosovës, Përparim Kryeziu i ka thënë të martën Radios Evropa e Lirë se autoritetet i kanë nisur hetimet paraprake për identifikim të autorëve të mundshëm për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi, për çka autoritetet malazeze i kanë dërguar notë verbale Ambasadës së Kosovës në Podgoricë.

    Mali i Zi ka thënë se të shtënat me armë zjarri dyshohet se janë nisur nga pjesa e Kosovës në zonën pranë qendrës malazeze të skijimit, Hajlla-Shtedim, afër kufirit mes dy shteteve.

    Incidenti i parë ka ndodhur në korrik të vitit të kaluar, kur janë vërejtur dëmtime në kabinën e qendrës së skijimit, ndërsa, incidenti i dytë ka ndodhur më 24 gusht të këtij viti, kur janë regjistruar të shtëna në drejtim të një objekti të qendrës së skijimit. Autoritetet malazeze kanë hapur lëndë dhe po kryejnë hetime për rastet.

    Kryeziu ka thënë se shteti i Kosovës është njoftuar përmes kanaleve diplomatike nga shteti malazez për incidentet dhe që Policia Kufitare e Kosovës ka nisur të patrullojë menjëherë në zonën e Shtedimit, por që aty nuk janë gjetur dëshmi materiale që konfirmojnë vendin apo rrethanat e incidentit.

    “Megjithatë, me udhëzim të Prokurorisë Themelore në Pejë, kanë nisur hetimet paraprake për identifikimin e autorëve të mundshëm, duke u mbështetur edhe në informacione nga burime lokale”, ka bërë të ditur Kryeziu.

    Ai ka thënë se institucionet e sigurisë, përkatësisht Policia e Kosovës, ka shprehur gatishmëri për organizimin e një takimi me autoritetet kufitare malazeze me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e informacionit operativ dhe parandalimin e dukurive negative përgjatë vijës kufitare, dhe që vetëm këtë vit, dy vendet i kanë kryer 30 patrullime të përbashkëta në zona kufitare.

    Fadil Gashi nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se nuk ka asnjë informacion për incidente të sigurisë në kufirin me Malin e Zi, dhe që policia rajonale është më shumë e angazhuar “për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, e jo për incidente ndërkombëtare.

    Mali i Zi dhe Kosova e kanë nënshkruar Marrëveshjen për demarkacionin në vitin 2015. Mali i Zi e ka ratifikuar atë në të njëjtin vit, ndërsa Kuvendi i Kosovës tre vjet më vonë./REL

  • Kushtetuesja publikon vendimin: Seanca konstituive nuk ka përfunduar

    Kushtetuesja publikon vendimin: Seanca konstituive nuk ka përfunduar

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.

    Kushtetuesja po ashtu ka obliguar deputetët që të kryejnë edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komuniteti brenda 12 ditësh, sipas afatit nga aktgjykimi i shkuar.

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

    TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme;

    TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

    TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;

    TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;

    TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;

    T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

    TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

    TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë.

  • Nga data 12 tetor në disa pika kufitare të Bashkimit Evropian do të nis zbatimi i sistemit EES

    Nga data 12 tetor në disa pika kufitare të Bashkimit Evropian do të nis zbatimi i sistemit EES

    Nga 12 tetori do të nisë zbatimi i Sistemit të hyrje/daljes në disa pika kufitare të Bashkimit Evropian.

    Ministria e Punëve të Brendshme nëpërmjet një komunikate për media thonë se ky sistem synon përshpejtimin e kontrolleve kufitare dhe eliminimin e vulave në pasaportë.

    “Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se, nga data 12 tetor 2025, do të nisë zbatimi i Sistemit të Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES), në disa pika kufitare kryesore të Bashkimit Evropian. Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ky sistem do të nisë së zbatuari gradualisht në të gjitha pikat kufitare të BE-së. Entry/Exit System – EES, është një sistem biometrik i cili regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, duke mbledhur të dhëna: si shenjat e gishtërinjve dhe fotografi. Ky sistem synon përshpejtimin e kontrolleve kufitare dhe eliminimin e vulave në pasaportë”, thuhet në komunikatë për media.

  • Deputetja e Shqipërisë merr foshnjën në Kuvend

    Deputetja e Shqipërisë merr foshnjën në Kuvend

    Konstituimi i komisioneve në parlamentin e Shqipërisë nuk solli vetëm debate dhe përplasje politike, por edhe tinguj të një fëmijë të lindur pak javë më parë.

    Anëtari më i ri në Kuvend ditën e sotme ishte Blini, fëmija i katërt i deputetes socialiste Ilva Gjuzi, i cili shoqëronte mamanë e tij në punë.

    Deputetja e re socialiste, e zgjedhur më 11 maj në Kavajë, u shfaq në Komisionin e Burimeve Natyrore së bashku me djalin e saj një muajsh të lidhur rreth trupi të saj.

    Ledhatimet mes mamasë deputete dhe bebes së saj janë një shfaqje për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë, një miksim i punës si deputete dhe prindërimit që në parlamentet europiane nuk është më prej kohësh tabu.

    Pak ditë më parë, një deputete e Partisë së Gjelbër në Gjermani, Hanna Steinmüller, pasi u bë e para deputete në Bundestag që mban fjalim në podium teksa mbante foshnjën e saj në krah, raporton A2Cnn.

    Pamje të ngjashme janë parë disa herë edhe në Parlamentin Europian, apo të shteteve të tjera të BE-së.

  • Ky është i ‘dashuri’ që nuk do iu tradhtojë kurrë

    Ky është i ‘dashuri’ që nuk do iu tradhtojë kurrë

    Dikur kishim frikë që robotët do na zëvendësonin në punë. Ama kurr se kemi prit qe sot… po na zëvendësojnë edhe telefonat!

    Gjiganti Meta ka shpallë që e ardhmja janë syzet me inteligjencë artificiale. E imagjinoni? Nuk ke më nevojë me nxjerrë telefon nga xhepi, as me i bë ekranit pis me gishta të yndyrshëm. Me këto syze bën thirrje, dërgon mesazhe, kërkon online, përkthen në kohë reale… Praktikisht, një sekretar personal direkt në sytë e tu. Vetëm kafe s’të qetë.

    Po problemi është që AI nuk po ndalet te syzet. Ajo tashmë po i shkruan raportet e ministrave (ndoshta edhe ma saktë se vetë ata), po lexon lajmet në vend të prezantuesve, po shkruan libra, poezi, madje edhe këngë që pastaj ne i dëgjojmë e i bëjmë ‘hit’.

    Pra, dalëngadalë, çdo rol që ka pasë njeriu po e merr një algoritëm. Nesër kur thua ‘hajde pi kafe’, nuk është çudi që shoku yt të jetë vetëm një avatar i krijuar nga syzet. Dashnori yt? Mos u mërzit AI boyfriend-i ka bateri që s’shteret kurrë, nuk të tradhton dhe është gjithmonë online.

    Këtu është ironia: teknologjia po na premton jetë më të thjeshtë, më të bukur, më ‘smart’… por në fund, s’na mbetet tjetër veçse me pyet AI-në

    Hej, pse jetojmë?’
    Edhe përgjigjja ndoshta do të jetë

    Për me i bo update syzeve çdo 6 muaj ose verzioni i frikshem i pergjigjes “Për argëtimin tonë!”

  • Si ta kuptoni që trupit tuaj i mungojnë proteinat?

    Si ta kuptoni që trupit tuaj i mungojnë proteinat?

    Edhe pse proteinat janë thelbësore për funksionimin e duhur të trupit, mungesa e tyre shpesh kalon pa u vënë re.

    Shumë njerëz pa e ditur konsumojnë shumë pak nga kjo lëndë ushqyese thelbësore, dhe simptomat që shfaqen shpesh keqinterpretohen ose injorohen plotësisht.

    Proteina ka funksione të shumta në trup, nga ndërtimi i muskujve deri te ruajtja e lëkurës, flokëve dhe thonjve të shëndetshëm. Kur nuk marrim mjaftueshëm prej saj, trupi fillon të tregojë shenja të caktuara paralajmëruese që nuk duhen injoruar.

    Çfarë simptomash mund të shkaktojë mungesa e proteinave?

    Nëse ndiheni të uritur edhe pas një vakti të pasur me kalori, kjo mund të jetë një shenjë se trupit tuaj i mungojnë proteinat. Kjo është mënyra e trupit tuaj për të sinjalizuar se i mungojnë blloqet ndërtuese që i nevojiten për të funksionuar siç duhet.

    Flokët, lëkura dhe thonjtë përbëhen kryesisht nga proteina. Mungesa e proteinave mund të çojë në rënie të flokëve, lëkurë të thatë dhe pa jetë dhe thonj të brishtë.

    Kur nuk ka proteina të mjaftueshme në dietë, trupi mund të fillojë të zbërthejë indet e veta muskulore për të prodhuar energjinë që i nevojitet. Kjo mund të rezultojë në një rënie të masës muskulore, dobësi fizike dhe një rënie të përgjithshme të energjisë.

    Rekomandimi i përgjithshëm për marrjen ditore të proteinave është rreth 0.8 gramë për kilogram të peshës trupore, por këto nevoja ndryshojnë në varësi të moshës, aktivitetit fizik dhe gjendjes shëndetësore. Gjatë fazave të caktuara të jetës, siç është perimenopauza ose rikuperimi nga sëmundja, nevojat për proteina mund të rriten ndjeshëm.

    Monitorimi i marrjes së proteinave është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit, energjisë dhe funksionit optimal të trupit. Nëse i njihni disa nga simptomat e mësipërme, merrni në konsideratë rregullimin e dietës suaj ose konsultohuni me një nutricionist në lidhje me nevojën e mundshme për shtesa ushqimore.