ATV

Author: G.O.

  • Japonezët po shpikin një metodë për të harruar kujtimet e hidhura

    Japonezët po shpikin një metodë për të harruar kujtimet e hidhura

    A keni ndonjë kujtim nga jeta juaj që keni dashur me gjithë shpirt ta harroni, por sado që kalojnë vitet, ai kujtim vazhdon të ju ndjekë?

    Një moment i vështirë, një traumë, një ngjarje që ju dhemb ende edhe sot…

    E pra, shkencëtarët në Japoni janë duke punuar mbi një teknikë që mund t’i dobësojë këto kujtime të rënda.

    Deri tani, eksperimentet janë bërë vetëm te kafshët, dhe rezultatet kanë treguar diçka shumë interesante: duke manipuluar disa qeliza specifike në tru, ata kanë arritur të bllokojnë ruajtjen e kujtimeve të frikës, ndërkohë që kujtimet afatshkurtra dhe të përditshme mbeten të paprekura.

    Pra, qëllimi i tyre nuk është të fshihen kujtimet, por të gjendet një mënyrë për t’i bërë ato më të lehta, më pak të dhimbshme, që njerëzit të mund të jetojnë pa barrën e së shkuarës.

    Kjo ide ka një synim shumë të qartë: të ndihmojë ata që vuajnë nga trauma dhe çrregullimet e stresit post-traumatik si psh ushtarët e kthyer nga vijat e fronit, ku kujtimet e rënda prishin jetën e përditshme, marrëdhëniet dhe qetësinë shpirtërore.

    Po ashtu, një avancim me kete terapi po bëhet edhe tek personat me varesi te ndryshme, pra kjo teknikë u ndihmon atyre t’I harrojnë apo të paktën u ndihmon të mos ndjejnë mungesen e burimit të varësisë së tyre…

    Por, sigurisht, kjo hap edhe një debat të madh, a është në rregull të ndërhyjmë në kujtime? A rrezikojmë të ndryshojmë vetveten, identitetin tonë?

    Imagjinoni sikur një ditë kjo teknologji të zbatohej edhe te njerëzit – a do të ishte një shpëtim për miliona njerëz që jetojnë me dhimbje, apo një hap i frikshëm që mund të ndryshojë mënyrën se si ne e përjetojmë jetën?

    Çka mendoni ju – është kjo një arritje që duhet pritur me shpresë, apo një zhvillim që na tremb?

  • 60 aksidente në 24 orët e fundit – 19 me të lënduar, mijëra gjoba trafiku 

    60 aksidente në 24 orët e fundit – 19 me të lënduar, mijëra gjoba trafiku 

    Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë regjistruar plot 60 aksidente trafiku, prej të cilëve 19 kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 41 të tjerë vetëm me dëme materiale.

    Sipas statistikave të përgjithshme të Policisë së Kosovës, në këtë periudhë janë shqiptuar mbi 2 mijë gjoba trafiku për shkelje të ndryshme të rregullave rrugore. Policia apelon për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, për të parandaluar aksidente të tilla.

    Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë arrestuar nëntë persona për vepra të ndryshme penale, ndërsa një tjetër është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme ligjore.

    Autoritetet po vazhdojnë me kontrolle të shtuara në rrugë me qëllim rritjen e sigurisë dhe disiplinës në trafik.

  • Përfitimet shëndetësore nga konsumimi i kanellës në mbrëmje

    Përfitimet shëndetësore nga konsumimi i kanellës në mbrëmje

    Kanella është përdorur si erëz në kuzhinë dhe në mjekësinë tradicionale, por së fundi shkencëtarët po studiojnë efektet e saj kur konsumohet rregullisht në sasi të vogla.

    E zakonshme është përzierja e një luge çaji kanellë në ujë të ngrohtë para gjumit. Edhe pse nuk është ndonjë “ilaç mrekullie”, studimet sugjerojnë se kjo mund të ndihmojë në balancimin e sheqerit në gjak, tretjen si dhe mirëqenien e përgjithshme.

    Times of India ka shkruar gjashtë arsye të mbështetura nga studimet pse disa njerëz e kanë futur këtë ritual të thjeshtë në rutinën e tyre të natës

    Mund të ndihmojë në stabilizimin e sheqerit në gjak

    Një lugë çaji kanellë me ujë të ngrohtë nuk zëvendëson ilaçet, por shumë studime dhe analiza kanë treguar se kanella mund ta ulë nivelin e glukozës dhe ta përmirësojë mënyrën se si trupi e përdor sheqerin, veçanërisht te personat me para-diabet ose diabet të tipit 2. Efekti shihet kur kanella merret rregullisht, jo rastësisht.
    (Burimi: “Journal of Medicinal Food”, “Annals of Family Medicine”)

    Mund të ngadalësojë tretjen dhe të ulë rritjen e shpejtë të sheqerit në gjak pas ushqimit

    Sipas studimeve, kanella mund të vonojë zbrazjen e stomakut pas ngrënies së vakteve të pasura me karbohidrate, duke ndihmuar kështu në shmangien e rritjeve të menjëhershme të sheqerit në gjak. Kur merret në darkë, ky mekanizëm mund të ndihmojë në mbajtjen më të qëndrueshme të nivelit të glukozës gjatë natës.
    (Burimi: “American Journal of Clinical Nutrition”)

    Ka efekt antioksidues dhe ul lehtë inflamacionin

    Kanella është e pasur me polifenole, si cinnamaldehyde dhe acid cinnamic, që kanë veti antioksiduese dhe anti-inflamatore. Këto substanca ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit të lehtë kronik në organizëm, duke përmirësuar ndjesinë e përgjithshme të mirëqenies.

    Mund të ndihmojë në ekuilibrin e baktereve në gojë dhe zorrë

    Studimet laboratorike kanë treguar se vajrat esencialë dhe ekstraktet e kanellës mund të ndalojnë rritjen e disa baktereve dhe kërpudhave të zakonshme, prandaj përdoret edhe si konservues ushqimor. Një lugë kanellë në ujë të ngrohtë para gjumit nuk është trajtim mjekësor, por mund të ndihmojë në mbajtjen e higjienës natyrale të gojës dhe tretjes.

    Mund të mbështesë metabolizmin dhe kontrollin e peshës trupore (në afat të gjatë)

    Hulumtimet në kafshë dhe qeliza tregojnë se përbërësit aktivë të kanellës mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi ruan dhe djeg yndyrën, si dhe në hormonet e urisë. Studimet te njerëzit japin rezultate të përziera, por disa kanë treguar përmirësime të vogla në nivelet e yndyrave në gjak dhe në funksionimin e metabolizmit. Kjo ndodh me përdorim të rregullt dhe afatgjatë, jo menjëherë.

  • Ja çfarë i ndodh trupit tuaj kur hani një qese patate të skuqura – Efektet që nuk i mendoni

    Ja çfarë i ndodh trupit tuaj kur hani një qese patate të skuqura – Efektet që nuk i mendoni

    Kur mendoni për ushqime të lehta, ka shumë të ngjarë që menjëherë të mendoni për një qese me patate të skuqura.

    Ato janë krokante, të yndyrshme dhe shumë të shijshme, dhe është e lehtë të hani një qese të tërë me patate të skuqura menjëherë. Por sa të mira janë për trupin tuaj?

    Sipas EatThis, ka disa arsye pse duhet të kufizoni konsumin tuaj të përditshëm të patateve të skuqura. Në këtë drejtim, ato zbulojnë se çfarë do t’i ndodhë trupit tuaj nëse hani një qese patate të skuqura.

    Mund të shtoni në peshë

    Nëse ju pëlqen të hani patate të skuqura çdo ditë, ka shumë mundësi që të filloni të shtoni në peshë. Studiuesit e Universitetit Deakin zbuluan se ata që konsumojnë shumë kripë përfundojnë duke dëshiruar ushqime të yndyrshme dhe duke ngrënë më shumë ushqime të yndyrshme.

    Sa më shumë patate të skuqura të kripura të hani, aq më shumë do t’i dëshironi, gjë që çon në shtim në peshë. Për më tepër, një studim i Harvardit zbuloi se pjesëmarrësit që hanin patate të skuqura si pjesë të dietës së tyre shtonin në peshë çdo vit që testoheshin.

    Mund të bëhesh i varur

    A ju ka ndodhur ndonjëherë të hani pa menduar një qese me patate të skuqura, vetëm për të parë poshtë thërrime? E keni arritur me sukses fundin e qeses, mjaft shpejt. Në fakt, ka një arsye pse, dhe e gjitha ka të bëjë me tingullin “kërcitës” që bëjnë patatet e skuqura.

    Një studim zbuloi se pjesëmarrësit e shoqëronin tingullin e lartë të kërcitjes me freskinë e ushqimit, duke e bërë atë më të dëshirueshëm. Një tjetër përmbledhje studimesh të botuara në revistën Appetite zbuloi se pjesëmarrësit kishin më shumë gjasa të konsumonin më shumë patate të skuqura nëse qesja ishte etiketuar si “krokante” dhe të hanin më shumë patate të skuqura kur mund ta dëgjonin tingullin e kërcitjes, krahasuar me kur kishin kufje dhe tingulli ishte i bllokuar.

    Nëse e perceptoni ushqimin si më të freskët, mendoni se është më i dëshirueshëm dhe kjo mund t’ju bëjë të hani një qese të tërë me patate të skuqura menjëherë. Kjo shpjegon pse kjo mund të ndodhë sa herë që hani patate të skuqura.

    Po konsumoni kalori boshe

    Kur shikoni ndarjen ushqyese të një qeseje standarde me patate të skuqura, do të shihni se ato kanë shumë kalori, yndyrë dhe natrium, por kanë pak lëndë ushqyese. Nuk përfitoni shumë nga patatet e skuqura sepse shpesh skuqen. Kur hani ushqime që nuk kanë asnjë vlerë të vërtetë ushqyese, në përgjithësi do të hani më shumë sepse do të keni uri më shpejt.

    Tensioni juaj i gjakut mund të bëhet i lartë

    Ka shumë prova që mbështesin idenë se marrja e lartë e natriumit shoqërohet me një rrezik më të lartë të presionit të lartë të gjakut. Një nga përbërësit kryesorë të patatinave është sasia e natriumit. Ato janë një meze tipike e kripur, kështu që nuk është çudi që janë të mbushura me kripë.

    Nëse hani rregullisht ushqime të kripura si patatina, me kalimin e kohës do ta rrezikoni veten të zhvilloni hipertension. Një studim zbuloi një lidhje midis ngrënies së patatinave dhe një rreziku në rritje të sëmundjeve të zemrës, kështu që nëse doni ta mbroni më së miri zemrën tuaj, është më mirë t’i shmangni ato.

     

  • Zbardhen detajet e vrasjes që gjyqtarit: Detektori e sinjalizoi armën, roja qëndroi në karrige

    Zbardhen detajet e vrasjes që gjyqtarit: Detektori e sinjalizoi armën, roja qëndroi në karrige

    Policia në Tiranë ka dhënë detajet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në moshën 60 vjeçare në Tiranë.

    Aty tregohet se si i dyshuari kaloi nëpër detektor me armë, dhe roja qëndronte ulur në karrigen e tij. Gjithçka thuhet të jetë vërtetuar nga pamjet e kamerave.

    “Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës”, thuhet mes tjerash.

    Njoftimi i plotë:

    Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

    Përmbyllen veprimet hetimore lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 06.10.2025, ku rreth orës 15:35, u vra me armë zjarri gjyqtari A. K., nga shtetasi E. Sh., brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë, zbardhet i plotë mekanizmi i vrasjes.

    Së bashku me  autorin e vënë menjëherë në pranga pas ngjarjes, arrestohen edhe shtetasit G. Sh. dhe B. K.

    Më datë 06.10.2025, rreth orës 15:38, është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A. K., i cili po zhvillonte seancë gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse shtetasin R. K, i shoqëruar nga djali i tij E. K., si dhe palë të paditur përmbaruesi gjyqësor T. M., Zyra Përmbarimore Shkodër, dhe palë të treta shtetasin G. Sh, i shoqëruar nga nipi i tij E. Sh.

    Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbime të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje duke marrë masa për shoqërimin e autorit si dhe të gjithë shtetasve të dyshuar ose që kishin dijeni për ngjarjen.

    Njëkohësisht, grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar me veprimet hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, marrja e deklarimeve nga dëshmitarët duke bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje, si më poshtë:

    Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

    Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

    Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi E. Sh. i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

    Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.

    Pas ngjarjes, shtetasi E. Sh. ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori E. Sh., pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë.

    Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë sipas veprave penale si më poshtë:

    •             E. Sh., 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

    •             G. Sh., 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;

    •             B. K., 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;

    Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me tre fishekë, e përdorur nga autori, si dhe prova të tjera materiale të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, që i shërbejnë dokumentimit të kësaj ngjarjeje.

    Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

  • Dy persona ndalohen në Prishtinë për falsifikim të parasë – Sekuestrohen 40 mijë euro të falsifikuara

    Dy persona ndalohen në Prishtinë për falsifikim të parasë – Sekuestrohen 40 mijë euro të falsifikuara

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, janë ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i parasë”.

    Aksioni policor u zhvillua në orët e mbrëmjes të së hënës në Prishtinë, si rezultat i hetimeve disa mujore nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

    Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të këtij operacioni dhe në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë, është ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin dy të dyshuarit, me inicialet S.T dhe A.Th. Gjatë kontrollit të veturës, janë zbuluar dhe sekuestruar 40,000 euro të falsifikuara, të cilat pas testimit fillestar rezultuan jo origjinale.

    Hetuesit kanë kryer gjithashtu kontrolle në dy lokacione të tjera, përkatësisht në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve.

    Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

    Rasti mbetet në hetim.

  • Real Madridi synon transferimin e yllit të madh të PSG-së

    Real Madridi synon transferimin e yllit të madh të PSG-së

    Real Madridi po përshpejton planin e tij për të forcuar sulmin me një emër në zhvillim: Desire Doue, një sulmues i krahut të djathtë i Paris Saint-Germain që konsiderohet tashmë si një nga më të mirët në botë.

    Në moshën 20-vjeçare, Doue ka cilësitë që ngjallin entuziazëm në ‘Santiago Bernabeu’.

    Doue nënshkroi me PSG-në nga Rennes për një tarifë të konsiderueshme dhe një kontratë deri në vitin 2029. Që në sezonin e tij të parë të madh, ai ishte vendimtar në finalen e Ligës së Kampionëve, ku shënoi dy gola dhe asistoi në fitoren shkatërruese ndaj Interit, duke e konsoliduar veten si një figurë në zhvillim në Evropë.

    Real Madridi ka treguar interes konkret. Flitet për një përpjekje intensive buxhetore dhe një strategji në të cilën lojtarë si Brahim Diaz dhe Rodrygo Goes mund të largohen për të financuar marrëveshjen. Klubi beson se Doue përshtatet në mënyrë të përkryer me Vinicius Junior dhe Kylian Mbappe për të formuar një treshe sulmuese që kombinon shpërthyeshmërinë dhe shkathtësinë.

    Profili i Doue është emocionues: ai mund të luajë në të dy krahët ose si një 9 i rremë, gjë që i jep Xabi Alonsos fleksibilitet taktik. Kjo shkathtësi gjithashtu lejon që lojtarë si Franco Mastantuono të përdoren si rezervë.

    Real Madridi e sheh Douen si shkëndijën ofensive për të plotësuar çekuilibrat që tashmë i ka krijuar Vinicius Jr. Për më tepër, mbërritja e Mbappes përforcon idenë e ndërtimit të një sulmi të thellë, një kërcënim i vazhdueshëm si brenda ashtu edhe jashtë zonës.

    PSG nuk po ia lehtëson largimin talentit të ri. Burime të besueshme pohojnë se klubi parisien po refuzon kategorikisht ta shesë atë në këtë kohë, duke pasur parasysh vlerën strategjike të Doue për projektin e tyre sportiv.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuare për shpërdorim të pasurisë së huaj

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuare për shpërdorim të pasurisë së huaj

    Policia e Kosovës, Njësiti i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi.

    Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se e dyshuara kërkohet për përfshirje në veprën “Shpërdorim i pasurisë së huaj”.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e saj, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: [email protected]”, thuhet në njoftim.

  • Një grua raporton se është dhunuar në Podujevë – Rasti nën hetim nga policia

    Një grua raporton se është dhunuar në Podujevë – Rasti nën hetim nga policia

    Një grua në Podujevë ka raportuar në polici se është viktimë e një rasti dhunimi.

    Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 6 tetor 2025, ndërsa për rastin tashmë është informuar edhe prokurori kompetent.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima – një femër kosovare – ka deklaruar se është dhunuar nga një mashkull kosovar, i identifikuar si i dyshuar në këtë rast.

    Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme, ndërsa në raport thuhet se hetimet janë duke vazhduar.

  • Policia heton zhdukjen e një burri në Malishevë

    Policia heton zhdukjen e një burri në Malishevë

    Një burrë është raportuar si i zhdukur në fshatin Janqisht të Komunës së Malishevës, pasi ka dalë nga shtëpia në orët e paradites së së dielës dhe nuk është kthyer më.

    Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh, ku thuhet se rasti është raportuar nga bashkëshortja e tij.

    “Sipas ankueses, viktima – një mashkull kosovar – është larguar nga banesa dhe që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Autoritetet janë duke hetuar rastin dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e personit të zhdukur. Deri më tani nuk janë dhënë detaje të tjera rreth identitetit të tij apo rrethanave të mundshme të zhdukjes.

    Policia u bën thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion, të lajmërojnë organet kompetente sa më shpejt.