ATV

Author: G.O.

  • Kryetarja e bashkisë në Gjermani qëllohet 13 herë me thikë para shtëpisë, në gjendje të rëndë shëndetësore

    Kryetarja e bashkisë në Gjermani qëllohet 13 herë me thikë para shtëpisë, në gjendje të rëndë shëndetësore

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Herdecke, në rajonin e Westfali të Gjermanisë.Kryebashkiakja e Herdecke, Iris Stalzer, e cila sapo ishte zgjedhur, është goditur disa herë me thikë nga disa persona të panjohur dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

    Sipas gazetës Bild, politikania 57-vjeçare është gjetur e gjakosur në shtëpi nga djali i saj. Ajo u ka treguar personave që i dhanë ndihmën e parë se ishte goditur nga disa persona para hyrjes së banesës.

    Iris Stalzer është goditur plot 13 herë në stomak dhe në shpinë, ku 57-vjeçarja iu nënshtrua menjëherë një operacioni urgjent.

  • Ndarja e 100 eurove nga qeveria, Cakolli: Përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale

    Ndarja e 100 eurove nga qeveria, Cakolli: Përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale

    Sot Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për studentët.

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se qeveria të cilën ai udhëheq, e ka për bazë interesin e qytetarëve dhe se rritjen ekonomike e ndan me qytetarët.

    Lidhur me këtë vendim ka reaguar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

    Sipas Cakollit, ky vendim përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.

    Postimi i plotë:

    Ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për weverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë.

    Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral.

    Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.

    Një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos te grupet e ndjeshme si studentët.

  • A po humbni shumë flokë? Ja si ta kuptoni sipas shkencës

    A po humbni shumë flokë? Ja si ta kuptoni sipas shkencës

    Rënia e flokëve është një proces natyral që ndodh çdo ditë, por ndonjëherë mund të sinjalizojë një problem më të thellë. Sipas ekspertëve, humbja e 50 deri në 100 fije floku në ditë është normale, veçanërisht kur i shihni në jastëk në mëngjes apo në kulluesen e dushit. Por kur kjo sasi rritet ndjeshëm, është koha të kushtoni vëmendje.

    Faktorët që ndikojnë në rënien e flokëve përfshijnë gjatësinë dhe trashësinë e tyre, llojin e jastëkut, si dhe stilin e jetesës. Jastëkët pambuku, për shembull, thithin lagështinë nga flokët dhe mund t’i bëjnë më të brishtë.

    Një test i thjeshtë për të kuptuar nëse po humbni më shumë flokë sesa duhet është ky: mbështillni rreth 60 qime tek gishti dhe tërhiqni butësisht. Nëse bien vetëm 3 fije, nuk ka arsye për shqetësim. Por nëse numri është më i lartë, mund të jetë shenjë e rrallimit.

    Gjithashtu, kontrolloni kokën për zona pa flokë, vëzhgoni dyshemenë e banjës pas dushit dhe shikoni jastëkun në mëngjes. Nëse shihni më shumë se 20 fije floku, sidomos çdo ditë, mund të jetë koha për të konsultuar një dermatolog.

  • Banka Botërore: Ngadalësohet zhvillimi ekonomik në Kosovë

    Banka Botërore: Ngadalësohet zhvillimi ekonomik në Kosovë

    Banka Botërore ka bërë të ditur që zhvillimi ekonomik në Kosovë, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor sivjet ka pasur ngadalësim dhe se ritmi parashikohet të vazhdojë.

    Sipas raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të vjeshtës 2025, nga 4.4 për qind sa ka qenë rritja ekonomike më 2024, në vitin 2025 rritja do të jetë 3.8 për qind.

    Në këtë matje për sivjet rënien më të madhe do ta ketë Serbia nga 3.9 për qind në 2.8.

    Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të kenë zhvillim më pozitiv në krahasim me 2024-n.

    Ndërsa në nivel të përgjithshëm, Ballkani Perëndimor do të ketë rritje ekonomike në shkallë prej 3.0 për qind sivjet, në krahasim me 3.6 sa ishte një vit më herët.

    Edhe parashikimet për vitet 2026 dhe 2027 tregojnë se Kosova do të ketë ngadalësim të zhvillimit ekonomik në 3.8 dhe 3.9 për qind.

    Në raport për inflacionin në Kosovë është përmendur edhe vendosja e tarifave energjetike.

  • Bajrami: 26 milionë euro për blerje votash, Prokuroria të veprojë ndaj uzurpatorëve të pushtetit

    Bajrami: 26 milionë euro për blerje votash, Prokuroria të veprojë ndaj uzurpatorëve të pushtetit

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për blerje të votave me para të taksapaguesve, duke e cilësuar këtë veprim si një skemë të pastër të korrupsionit publik.

    Në një reagim publik, Bajrami ka thënë se kostoja e këtyre veprimeve, sipas saj, kap vlerën prej 26 milionë eurosh, të cilat, sipas saj, janë përdorur nga LVV për të siguruar mbështetje elektorale për zgjedhjet lokale që mbahen më 12 tetor.

    “Prokuroria është vonuar t’i nxjerrë nga zyra këta uzurpatorë që blejnë vota me taksat e qytetarëve. Kjo është një skemë e korrupsionit publik,” ka deklaruar Bajrami.

    Deputetja e LDK-së ka paralajmëruar se qytetarët do të reagojnë përmes votës, duke ndëshkuar ata që, sipas saj, kanë keqpërdorur paratë publike për përfitime politike.

    “Qytetarët do t’i ndëshkojnë keqpërdoruesit më 12 tetor,” përfundon deklarata e saj.

  • Shqipëria e dënon komunikatën e Serbisë për Kosovën: Historia nuk rishkruhet me retorikë

    Shqipëria e dënon komunikatën e Serbisë për Kosovën: Historia nuk rishkruhet me retorikë

    Shqipëria ka thënë të martën se e ka parë me “keqardhje të thellë” një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Serbisë në fundjavë lidhur me Kosovën, duke thënë se “historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi”.

    Reagimi i Ministrisë shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme vjen pasi Ministria serbe hodhi një sërë akuzash ndaj Kosovës dhe presidentes së saj, Vjosa Osmani, në një komunikatë më 4 tetor.

    Osmani e kishte kritikuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se po bënte “thirrje të pamatura për luftë”, pasi lideri serb kishte thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë”.

    Ministria shqiptare tha se komunikata e Ministrisë së Jashtme serbe “përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes”.

    Ajo tha se dëshiron “t’ia kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre”.

    Forcat serbe i vranë mbi 13.000 civilë gjatë luftës në Kosovë më 1998 dhe 1999.

    Mbi 1.600 njerëz vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë – ndërsa ishin dëbuar më forcë mbi 800.000 të tjerë.

    Në komunikatën e saj, Ministria serbe pretendoi “vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet gjakderdhjes dhe persekutimit të vërtetë të serbëve, të cilat Institucionet e Përkohshme në Prishtinë duan qartë ta fshehin. Duke filluar me rastin e ‘Shtëpisë së Verdhë’ në Shqipëri, ku serbët dhe joshqiptarët e tjerë u rrëmbyen gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999, me akuza të rënda për trafik organesh”.

    Shqipëria i hodhi poshtë këto pretendime duke shprehur “keqardhje që Serbia mbështetet ende mbi një raport tashmë të diskredituar të Dik Martyt, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike”.

    Ish-senatori zviceran, Dick Marty, përmendi akuza për “trafikim të organeve” nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës së fundit, të cilat u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011.

    Megjithëse ky raport ishte pikënisja e thirrjeve për themelimin e Dhomave të Specializuara më 2015, aktakuza në këtë gjykatë në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk i ngarkon ata me krime të tilla.

    Këto pretendime u hetuan nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 bëri të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

    “Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi”, tha Ministria shqiptare.

    Shqipëria tutje e akuzoi Serbinë se po përpiqet ta përmbysë të vërtetën dhe t’i ndërroj rolet e viktimës me të agresorit, duke thënë se kjo është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton.

    Ajo bëri thirrje për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit.

  • Qeveria në detyrë subvencionon faturat e energjisë

    Qeveria në detyrë subvencionon faturat e energjisë

    Edhe këtë vit Qeveria do të bëjë subvencionimin e faturave të energjisë elektrike. Kështu ka thënë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media, pas mbledhjes së kabinetit qeveritar.“Siç e dini, parvjet ka qenë pilotimi i programit. Vitin e kaluar ka qenë zbatimi i rregullt i programit për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për familjet e cenueshme, ku kanë qenë mbi 80 mijë familje përfituese. Edhe këtë vit do të vazhdojë programi i njëjtë”, deklaroi Murati.Sipas Muratit subvencionoi do të fillojë në muajin tetor e do të zgjasë deri në mars të 2026-ës.“Siç e dini ose siç mund ta dini prej zbatimit të mëhershëm, programi zbatohet për muajt e stinës së dimrit. Pra fillon në muajin tetor dhe mbaron në muajin mars, kësisoj që të mbulohet apo koncentrimi i subvencionimi të bëhet në muajt kur edhe shpenzimi i faturave të energjisë elektrike mund të jetë më i lartë, në mënyrë që të ketë mbulueshmëri dhe të ketë lehtësi sa më të madhe për familjet”, nënvizoi Murati.

  • Ndahen edhe 2.5 milionë euro për përmbylljen e rimbursimit për tekstet shkollore

    Ndahen edhe 2.5 milionë euro për përmbylljen e rimbursimit për tekstet shkollore

    Në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë të Kosovës, është miratuar edhe kërkesa e MASHTI-t për ndarjen edhe të 2 milionë e 500 mijë euro shtesë për të përmbyllur procesin e rimbursimit të teksteve dhe materialeve shkollore.

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati theksoi se është e rëndësishme që të përmbyllet ky proces.

    “Bëhet fjalë për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 2.5 milionë euro që është kërkesë e MASHTI-t në mënyrë që të përmbyllet edhe pjesa e mbetur e rimbursimeve për blerjen e materialeve dhe teksteve mësimore”, tha Murati.

    Ndryshe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka njoftuar të gjithë koordinatorët e shkollave se platforma për verifikimin e aplikimeve për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore në e-Kosova do të qëndrojë e hapur deri të premten, më datën 10 tetor 2025, ora 23:59./Telegrafi/

  • Kurti e akuzon Serbinë se po ndërhynë në zgjedhjet lokale në Kosovë

    Kurti e akuzon Serbinë se po ndërhynë në zgjedhjet lokale në Kosovë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të martën se po ndërhynë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare.

    Duke folur në një mbledhje të Qeverisë në detyrë, Kurti tha se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.

    “Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.

    Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet e Kosovës dhe ta sanksionojë Serbinë për këtë.

  • Jo çdo shok është përgjithmonë… por çdo shok i ngushtë është një pjesë e përhershme e historisë suaj

    Jo çdo shok është përgjithmonë… por çdo shok i ngushtë është një pjesë e përhershme e historisë suaj

    A keni pas ndonjëherë një shok të ngushtë… atë shokun që e mendonit se do ta keni gjithmonë afër?
    Shokun me të cilin keni kalu orë të tëra duke qeshur, duke ndarë sekrete, duke u betuar se do të mbeteni shokë për jetë…
    Dhe sot? Ndoshta nuk e dini as kur keni shkruar për herë të fundit.

    Studimet tregojnë se 91% e njerëzve nuk janë më në kontakt me një shok shumë të afërt të së kaluarës.
    Jo sepse nuk kanë qenë miq të mirë, por sepse jeta ndryshon.
    Dikush shpërngulet, dikush tjetër krijon familje… dhe dalëngadalë, rrugët ndahen.

    Por, e bukura është kjo edhe nëse nuk jeni më bashkë, ai shok ka lënë një gjurmë që s’fshihet kurrë.
    Ai ka qenë aty në kapitujt më të bukur të jetës suaj.
    Dhe shpesh mjafton një takim i rastësishëm, ose një mesazh i thjeshtë, që të rikthejë përsëri atë afërsi brenda sekondës.

    E megjithatë, humbja e shoqërive të ngushta ka ndikim serioz.
    Vetmia mund te jete shkaktar I depresionit, problemeve me zemrën, humbjes së kujtesës dhe madje edhe vdekjes së hershme.
    Disa studiues madje e krahasojnë vetminë kronike me efektet e pirjes së duhanit.

    Në anën tjetër, miqësitë e forta përmirësojnë shëndetin emocional, ulin stresin dhe e bëjnë jetën më të gjatë e më të lumtur.
    Të rinjtë shpesh e kanë të vështirë të mbajnë shoqëri të qëndrueshme, ndërsa të moshuarit kanë më pak miq, por më të thellë e më të vërtetë.
    Kjo tregon se cilësia e miqësisë ka po aq rëndësi sa sasia.

    Pra, edhe nëse miqësia është në rënie në përgjithësi, rëndësia e saj nuk ka qenë kurrë më e qartë.
    Edhe një rreth i vogël miqsh të sinqertë mjafton për të na mbrojtur shëndetin, për të sjellë gëzim dhe për të na dhënë ndjenjën e përkatësisë.

    E mos harroni, jo çdo shok është përgjithmonë… por çdo shok i ngushtë është një pjesë e përhershme e historisë suaj