ATV

Author: G.O.

  • Tre policë humbin jetën nga një shpërthim i qëllimshëm në Itali

    Tre policë humbin jetën nga një shpërthim i qëllimshëm në Itali

    Tre oficerë të policisë kanë humbur jetën dhe të paktën 15 persona të tjerë janë lënduar pas një shpërthimi të fuqishëm gazi, që dyshohet se është shkaktuar qëllimisht, në një shtëpi në Italinë veriore.

    Ngjarja ka ndodhur në një zonë pranë Veronës, në momentin kur policia dhe zjarrfikësit kishin hyrë në shtëpi për të zbatuar një urdhër dëbimi ndaj dy vëllezërve dhe një motre.

    Sipas raportimeve të BBC-së, tre viktimat që kanë ndërruar jetë ishin pjesëtarë të policisë ushtarake italiane, Karabinierët.

    Një burrë dhe një grua janë arrestuar në vendngjarje, ndërsa një tjetër burrë që kishte ikur pas shpërthimit është kapur pak më vonë. Të tre janë dërguar në spital për trajtim.

    Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa është dëgjuar deri në 5 kilometra larg, ndërsa imazhet nga vendi i ngjarjes tregonin shtëpinë të shndërruar plotësisht në rrënoja.

    Kreu i rajonit të Venetos, Luca Zaia, ka bërë të ditur se urdhri i dëbimit ndaj tre personave ishte lëshuar për shkak të borxheve të shumta që ata kishin grumbulluar.

    Mediat italiane raportojnë se në vendngjarje ishin dërguar edhe ndërmjetësues për të biseduar me familjarët e bllokuar në shtëpi. Megjithatë, në momentin që karabinierët hynë brenda, dyshohet se njëri prej tyre ndezi bombolën e gazit që çoi në shpërthimin tragjik.

    “Me të hyrë në shtëpi, u përballëm me një akt çmendurie absolute,” ka deklaruar komandanti i policisë provinciale, Claudio Papagno, për agjencinë e lajmeve Ansa.

    “Një bombol gazi ishte ndezur dhe shpërthimi goditi drejtpërdrejt oficerët tanë,” ka shtuar ai.

    Sipas Ansa-s, në mesin e të plagosurve janë 11 karabinierë, tre oficerë të policisë shtetërore dhe një zjarrfikës.

  • Von der Leyen në Srebrenicë, bën homazhe për viktimat e gjenocidit

    Von der Leyen në Srebrenicë, bën homazhe për viktimat e gjenocidit

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërriti në Bosnjë dhe Hercegovinë ku edhe e nisi vizitën në këtë vend në Qendrën Memoriale të Srebrenicës.

    Ajo në Potoçari bëri homazhe për viktimat e gjenocidit.

    Gjatë ditës, Von der Leyen do të zhvillojë takime në Sarajevë, raporton Vijesti.ba.

    Në kuadër të kësaj vizite, është planifikuar që presidentja e Komisionit Evropian të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe më pas me kryetaren e Këshillit të Ministrave atje, Borjana Krishto.

    Nesër, zyrtarja e lartë evropiane do ta vizitojë Kosovën.

  • Protesta e 17 tetorit, Gucati: Merr pjesë edhe Edi Rama

    Protesta e 17 tetorit, Gucati: Merr pjesë edhe Edi Rama

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, sot e ka mbajtur një konferencë për media ku është folur për protestën 17 tetorit që do të mbahet në sheshin “Skënderbej” në kryeqendrën shqiptare në Tiranë, me fillim nga ora 17:00.

    Kryetari Hysni Gucati, tha se kanë gjetur mbështetje të madhe nga institucionet e shtetit shqiptar.

    Ai deklaroi se në këtë protestën në përkrahje të luftës së UÇK-së do të marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

    “Jemi duke pritur sot ose nesër na lajmëron edhe për fjalim. Nuk besoj se do të na refuzon fjalimin të paktën, por krejt varet nga agjenda. Na ka thënë edhe mbrëmë se do të marrë pjesë në protestën e 17 tetorit”, deklaroi ai para mediave.

    Gucati tha se përkrahje të madhe të qytetarëve ka edhe nga Kosova.

    “Mendoj se numri i qytetarëve do të jetë bukur i madh. Vetëm nga Kosova deri më tani janë të konfirmuara 60 autobusë”, deklaroi ai para mediave.

  • ‘E shikoj qiellin tuj fluturue, oj Kosovë sa fort të dua…’

    ‘E shikoj qiellin tuj fluturue, oj Kosovë sa fort të dua…’

    HISTORI! HISTORI! HISTORI!
    Ah, Kosovë na i kënaqe zemrat mbrëmë!
    Kombëtarja e Kosovës në futboll më 13 tetor mori një ndër fitoret më të rëndësishme të historisë së saj.

    Dardanët mposhtën për herë të dytë në këto kualifikime Suedinë dhe tashmë, jo një ëndërr, por me të vërtetë janë gjasat që të prekim Kampionatin Botëror.

    Asllani u tregua fisnik, shënoi një gol të bukur, të parin me fanellën e Kosovës dhe ishte tejet i rëndësishëm.

    “Qeky gol u kon për krejt shqiptarët nëpër botë”, tha ai.

    E pas këtij triumfi festa nuk kishte të ndalur.

    Edhe prononcimi i të parit të futbollit në vend ishte plot emocion

    “Falenderoj stafin teknik, dhe veçanërisht, lojtarët që treguan veten, kualitetin dhe treguan se si luftohet për ekip kombëtar”, deklaroi kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

    Me këtë triumf, Kosova ka 7 pikë nga 4 ndeshje dhe renditet e dyta në Grupin B.

    Ndërsa Suedia mbetet me vetëm 1 pikë, në fund të tabelës.

    Në krye të grupit aktualisht janë zviceranët me 10 pikë, ndërsa Sllovenët të tretit me po aq pikë.

    Në nëntor kthehen sërish emocionet e Kombëtares, ku Kosova më 15 nëntor është mysafire e Sllovenisë ndërsa në ndeshjen e fundit të këtyre kualifikimeve presin Zvicrën në shtëpi më 18 nëntor.

    Cilat janë pritshmëritë e juaja, na tregoni në komente:

  • Sa më shumë shpenzoni për dasmë, aq më të mëdha janë gjasat për divorc… Studimi qe po habit të gjithë

    Sa më shumë shpenzoni për dasmë, aq më të mëdha janë gjasat për divorc… Studimi qe po habit të gjithë

    A e dini se sa me shumë shpenzoni për dasmën aq më të mëdha shansat për divorc.

    Një studim nga ekonomistët e Universitetit Emory zbuloi se çiftet që shpenzonin më shumë për unazat e martesës dhe të fejesës kishin më shumë gjasa të divorcoheshin krahasuar me ata që shpenzonin më pak, veçanërisht ata që shpenzonin mbi 20,000 dollarë.

    Ky korrelacion shpesh i atribuohet stresit financiar dhe barrës së mundshme të borxhit nga dasmat luksoze, të cilat mund ta tendosin një martesë në fillim.

    Ky studim përfshiu rreth 3,151 persona dhe zbuloi një që këto çifte mund të kenë një rrezik 3.5 herë më të lartë për divorc krahasuar me ata që shpenzojnë më pak.
    Nga ana tjetër, çiftet që planifikojnë dasma më modeste, pra nën 1,000 dollarë, kanë treguar probabilitet më të ulët për t’u ndarë.

    Për ne shqiptarët dihet se shifrat për dasmë janë mjaftë të mëdha e me 1 mijë dollarët amerikan nuk mund ta blesh as dekorin e tavolinave nganjëherë, e krejt kjo duket se është ëndrra e thuajse çdo vajze.

    Edhe pse nuk janë bërë konkretisht studime mbi statistikat e popullit tone lidhur me këtë çështje, jemi kurioz te dëgjojmë se çfarë mendoni a vlen kjo edhe për ne?

  • Von der Leyen: Mali i Zi është afër anëtarësimit në BE

    Von der Leyen: Mali i Zi është afër anëtarësimit në BE

    “Synimi që Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian është me të vërtetë pranë arritjes”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa hapi konferencën e parë për investime Mali i Zi-BE në vendpushimin turistik Lushtica, pranë Tivatit.

    Von der Leyen tha se janë bërë hapa pozitivë dhe se ka ardhur koha të investohet në Mal të Zi.

    “Ju jeni shumë ambiciozë dhe kjo na pëlqen”, tha shefja e Komisionit Evropian.

    Siç theksoi zyrtarja evropiane, duhet të përshpejtohen reformat në fushën e sundimit të ligjit, të ketë transparencë në prokurimet publike dhe në këtë mënyrë të dërgohet një sinjal se Mali i Zi është një vend i besueshëm për zhvillimin e biznesit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, vlerësoi se BE-ja është partnerja më e rëndësishme strategjike dhe investuesja më e madhe në Mal të Zi.

    Ai njoftoi për një cikël investimesh që e presin Malin e Zi në vitet e ardhshme.

    “Një cikël që do t’i tërheqë mbi 3 miliardë euro. Ky është mesazhi kryesor që nga sot: Mali i Zi është i hapur për biznes dhe se tani është koha për të investuar”.

    Spajiq përsëriti qëndrimin se Mali i Zi është në prag të anëtarësimit në BE.

    “Deri në fund të vitit 2026 do t’i mbyllim të gjithë kapitujt e negociatave, në mënyrë që të bëhemi anëtar i bllokut deri në fund të vitit 2028”, tha Spajiq.

    Ai theksoi, gjithashtu, se kjo është një mundësi për BE-në që të tregojë se politika e zgjerimit “është gjallë”.

    Në konferencë, e cila iu kushtua zhvillimit të qëndrueshëm, do të prezantohen katër projekte të investimeve evropiane në ekonominë e Malit të Zi dhe do të nënshkruhen dhjetë memorandume mirëkuptimi në fusha të ndryshme.

    Brukseli vlerëson politikën e jashtme të Podgoricës
    Në konferencën për media pas hapjes së konferencës, Von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian e vlerëson shumë përafrimin e Malit të Zi me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Brukselit, veçanërisht sa u përket raporteve me Rusinë.

    “Agresioni rus kundër Ukrainës e ka riformësuar kontinentin tonë. Çdo komb evropian duhet të zgjedhë vendin dhe anën e tij, dhe Mali i Zi e ka bërë tashmë këtë zgjedhje shumë qartë. Ju jeni plotësisht të harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. E vlerësojmë thellësisht vendimin për të dërguar ushtarë malazezë për të mbështetur misionin tonë të trajnimit për Ukrainën”, tha von der Leyen.

    Ajo e inkurajoi Malin e Zi që t’i shfrytëzojë 380 milionë eurot nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe po ashtu njoftoi se vitin e ardhshëm do të hiqet roaming-u mes Malit të Zi dhe BE-së.

    “Mali i Zi tani do t’i marrë 8 milionë euro pasi i ka përmbushur kushtet, por duhet të vazhdojë me reformat për të arritur te kushtet për shfrytëzimin e të gjithë fondit prej 380 milionësh që është paraparë për Malin e Zi”, tha zyrtarja e lartë evropiane.

    Raport i ri i Progresit i BE-së, më 4 nëntor
    Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, tha se raporti i Komisionit Evropian për progresin e Malit të Zi pritet të publikohet më 4 nëntor.

    “Është një pasqyrë reale e gjendjes, do të reflektojë rezultatet e mëdha që janë arritur në periudhën e kaluar, por do të tregojë edhe sfidat dhe detyrat që duhet të përmbushim në periudhën e ardhshme”.

    Në atë raport do të vlerësohet përmbushja e kritereve për anëtarësim, me fokus në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit, në fushën e demokracisë dhe përafrimit me ligjet e BE-së.

    Që nga raporti i vitit të kaluar, Mali i Zi i ka mbyllur katër kapituj negociues, i fundit në qershor, që ka të bëjë me prokurimin publik.

    Më herët, në dhjetor 2024, mbylli tre – kapitullin 7 (E drejta dhe pronësia intelektuale), 10 (Shoqëria informatike dhe mediat) dhe 20 (Ndërmarrësia dhe politika industriale).

    Mali i Zi i ka nisur negociatat e anëtarësimit me BE-në para 13 vjetësh dhe deri më tani i ka mbyllur shtatë kapituj negociues nga gjithsej 33./REL

  • Osmani takohet me kreun e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, flet për rolin e Kosovës dhe aspiratën për anëtarësim

    Osmani takohet me kreun e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, flet për rolin e Kosovës dhe aspiratën për anëtarësim

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello, me të cilin ka diskutuar për avancimin e rolit të Kosovës në këtë organizatë.

    Në postimin e saj, Osmani ka bërë të ditur se e ka falënderuar Perestrellon për nominimin dhe vendimin që Asambleja Parlamentare e NATO-s t’i ndajë Çmimin për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”.

    “E falënderova për nominimin e tij për çmimin për ‘Gratë, Paqen dhe Sigurinë’ si dhe vendimin e Asamblesë Parlamentare që të më ndajë këtë vlerësim, i cili njëkohësisht është edhe vlerësim për të gjitha gratë e Kosovës”, ka shkruar Osmani.

    Presidentja ka theksuar se me Perestrellon ka biseduar për rolin në rritje të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pas vendimit për avancimin e statusit të Kosovës në anëtare të asociuar, që sipas saj është një hap i rëndësishëm përpara në rrugëtimin euroatlantik të vendit.

    “Rikonfirmova se Kosova do të shfrytëzojë plotësisht këtë mundësi si pjesë e aspiratës sonë më të gjerë për anëtarësim në NATO, që mbetet njëkohësisht prioritet i politikës sonë të jashtme dhe çështje e rëndësisë së veçantë për sigurinë kombëtare”, ka përfunduar Osmani.

  • Kurti: Nuk kam nisur ende bisedimet për qeverinë, po përgatisim planin për ditët në vijim

    Kurti: Nuk kam nisur ende bisedimet për qeverinë, po përgatisim planin për ditët në vijim

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk ka zhvilluar komunikime me ndonjë parti apo deputetë lidhur me formimin e qeverisë së re, por ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të nisë një plan konkret për këtë proces, raporton Ekonomia Online.

    Kurti tha se ditët e fundit ka qenë i angazhuar me analizën e rezultateve zgjedhore dhe me vlerësimin e kontributeve të fushatave nëpër komuna, duke shtuar se për këtë arsye nuk ka pasur ende takime politike.

    “Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë,” tha Kurti.

  • Arrestohet një person në Graçanicë, nuk respektoi urdhrin mbrojtës të gjykatës

    Arrestohet një person në Graçanicë, nuk respektoi urdhrin mbrojtës të gjykatës

    Një person është arrestuar pasditen e së hënës në komunën e Graçanicës, pasi dyshohet se nuk ka respektuar një urdhër mbrojtës të lëshuar më herët nga gjykata. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, kur autoritetet janë njoftuar për shkeljen e masës së sigurisë.

    Në raportin e saj 24-orësh, Policia ka konfirmuar se i dyshuari, mashkull kosovar, ka vepruar në kundërshtim me masën e caktuar nga organi i drejtësisë. Për këtë arsye, rasti është klasifikuar zyrtarisht nga autoritetet si vepër penale e “mospërfilljes së gjykatës”. I dyshuari është shoqëruar në stacion për procedura të nevojshme hetimore, ndwrsa me vendim të prokurorit kujdestar, ai është dërguar në mbajtje.

  • Lëndoi policin për t’i ikur kontrollit, arrestohet i dyshuari në Klinë

    Lëndoi policin për t’i ikur kontrollit, arrestohet i dyshuari në Klinë

    Një person është arrestuar në Klinë të hënën paradite, pasi dyshohet se ka lënduar një zyrtar policor gjatë tentativës për t’iu shmangur një ndalese të autoriteteve.

    Incidenti ka ndodhur rreth orës 11:40, kur i dyshuari ishte ndaluar nga një patrullë policore gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

    Sipas raportit të Policisë, pasi iu komunikua se duhej t’i nënshtrohej kontrollit, ai me vrull ka nisur automjetin për t’u larguar me forcë nga vendi i ngjarjes.

    Gjatë këtij manovrimi, një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar menjëherë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    Pas një reagimi të shpejtë, njësitet policore kanë arritur ta identifikojnë dhe ta arrestojnë të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacionin policor për intervistim.

    Pas përfundimit të procedurave fillestare, me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.