ATV

Author: G.O.

  • Murati me akuza të forta: Dikur 120% dalje në votime – sot PDK-ja flet për hajni, po rrëfejnë mëkatet e veta

    Murati me akuza të forta: Dikur 120% dalje në votime – sot PDK-ja flet për hajni, po rrëfejnë mëkatet e veta

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas kritikave të Partisë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se Kosova prej vitesh njihet për zgjedhje të lira e pa probleme të theksuara.

    Ai tha se për këtë meritë të madhe i takon Lëvizjes Vetëvendosje, me komisionerët dhe vëzhguesit e saj që kanë mbrojtur votën ndër vite.

    Murati shtoi se para përfshirjes së Vetëvendosjes në garat zgjedhore, proceset shoqëroheshin me “vjedhje industriale të votave”, kryesisht në bastionet e PDK-së. Ai e quajti “turp” përpjekjen e kësaj partie për të kërkuar shfajësim pas dështimeve të saj.

    Reagimi i plotë:

    Tash e sa vite Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara, dhe për këtë merr edhe lëvdata nga ndërkombëtarët.

    Një meritë e madhe për këtë i shkon pikërisht Lëvizjes Vetëvendosje! me komisionerët dhe vëzhguesit e saj, të cilët ndër vite kanë mbrojtur votën dhe integritetin e zgjedhjeve qoftë edhe me trupat e tyre.

    Këtë meritë tashmë na e kanë pranuar publikisht edhe kundërshtarët tanë politikë.

    Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së.

    Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet “kapeni hajnin”, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë.

    Partia që do të hyjë në histori se i nxorri simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin.

    Turp!

  • Si t’i lani siç duhet xhaketat e dimrit që të duken si të reja: Mjafton të ndiqni këta hapa

    Si t’i lani siç duhet xhaketat e dimrit që të duken si të reja: Mjafton të ndiqni këta hapa

    Me disa hapa të thjeshtë, xhaketa e dimrit mund të duket si e sapoblerë – pa kimikate, pa dëm dhe pa humbur butësinë

    Xhaketat e dimrit janë ndër rrobat që lahen më rrallë. Zakonisht i mbajmë për muaj të tërë, pastaj i varim në dollap dhe bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por sapo të fillojë të ftohtë, kuptojmë se xhaketa ende mban aromën e dimrit të kaluar, të transportit publik dhe të gjithë një sezoni të jetës.

    Lajmi i mirë është se shumica e xhaketave të dimrit mund të lahen në shtëpi, pa frikën se mbushja do të ngjitet ose do të humbasë formën. Mjafton të bëni disa gjëra ndryshe.

    Larja e xhaketës së dimrit kërkon ndjekjen e këtyre hapave

    Së pari, kontrolloni etiketën. Nëse shkruan se xhaketa është e mbushur me pupla ose mikrofibër, kjo do të thotë se mund të lahet në rrobalarëse, por jo në program agresiv. Zgjidhni programin për rroba delikate ose larje me dorë, me ujë të vakët. Mos përdorni pluhur larës, por detergjent të lëngshëm, sepse pluhuri ngjitet pas mbushjes dhe krijon toptha, transmeton Telegrafi.

    Problemi më i madh nuk është larja, por tharja

    Nëse xhaketa thjesht vendoset mbi radiator apo në teshat e lagura, mbushja mbetet e ngjitur dhe xhaketa duket e hollë, si të ishte veshur për pesë dimra me radhë. Pikërisht për këtë ekziston truku me topat e tenisit. Kur e thani xhaketën në makinë tharëse, futni dy deri në tre topa tenisi të pastër bashkë me të. Ndërsa daullja rrotullohet, topat godasin xhaketën dhe e shpërndajnë mbushjen, duke i rikthyer vëllimin dhe butësinë. Rezultati: një xhaketë që duket si e sapoblerë.

    Nëse nuk keni makinë tharëse, shtrijeni xhaketën në sipërfaqe të sheshtë, mbi një peshqir të thatë. Çdo gjysmë ore tundeni me dorë, sidomos pjesën e kapuçit dhe shpatullave. Nuk është proces i shpejtë, por funksionon në mënyrë të përkryer.

    Gabimi më i zakonshëm gjatë larjes së xhaketës së dimrit

    Gabimi më i madh është përdorimi i ujit të nxehtë dhe varja e xhaketës direkt mbi radiator. Nxehtësia dëmton materialin dhe rrëzon mbushjen, duke e bërë xhaketën të duket e përdorur dhe pa formë. Pak durim bën diferencën mes një xhakete që duket e lodhur dhe një xhakete që duket si e re.

    Xhaketa e dimrit është mbrojtje, është ngrohtësi, është strehë kur gjithçka përreth ngrin. Vlen t’i kushtoni gjysmë ore kujdes, sepse ajo ua kthehet me ngrohtësi gjatë gjithë dimrit. /Telegrafi/

  • ShBA-ja lejon Sirinë të rihapë ambasadën në Uashington

    ShBA-ja lejon Sirinë të rihapë ambasadën në Uashington

    Qeveria amerikane njoftoi të hënën se do t’i lejonte qeverisë de facto siriane të rihapë ambasadën e saj në Uashington, pas vizitës së Presidentit të përkohshëm sirian Ahmed al-Sarrah dhe takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me Donald Trump.

    “Shtetet e Bashkuara po i lejojnë Sirisë të rifillojë aktivitetet e ambasadës së saj në Uashington me qëllim forcimin e koordinimit në luftën kundër terrorizmit, sigurisë dhe ekonomisë”, tha një zyrtar i administratës Trump, i cili foli në kushte anonimiteti.

    Siria po ashtu do t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar anti-xhihadist të udhëhequr nga SHBA-të kundër Shtetit Islamik, tha një zyrtar amerikan të hënën, duke folur në kushte anonimiteti, mes një vizite të Presidentit të përkohshëm sirian Ahmed al-Sarrah në Uashington dhe takimit të tij me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    “Siria do të bëhet anëtari i 90-të i koalicionit kundër ISIS-it, duke punuar me SHBA-në për të eliminuar qelizat e fundit të ISIS-it dhe për t’i dhënë fund fluksit të luftëtarëve të huaj”, tha zyrtari i administratës Trump.

    Informacioni u konfirmua nga ministri i Informacionit i qeverisë de facto të Sirisë, Hamza al-Mustafa, nëpërmjet X. “Marrëveshja është politike dhe deri më tani nuk ka aspekte ushtarake”, sqaroi ai.

  • Çmimet po rriten sërish në Kosovë – Ja cilat produkte janë shtrenjtuar

    Çmimet po rriten sërish në Kosovë – Ja cilat produkte janë shtrenjtuar

    Çmimet e produkteve esenciale buka, qumështi, djathi, vaji, vezët dhe artikuj të tjerë ushqimor në vendin tonë po vazhdojnë të shënojnë ngritje, bashkë me to është shtrenjtuar edhe energjia elektrike me mbi 20 për qind për qytetarët në Kosovë.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në tetor çmimet e konsumit u rritën në një mesatare 5.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por për produktet ushqimore dhe energjinë elektrike.

    Përveç rrymës, shtrenjtime kanë pësuar edhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri dhe peleti me 8 për qind.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pushime të organizuara (23,7%), biletat e fluturimeve (21,0%), energjia elektrike (20,3%), pemët (15,3%), kafja, çaji dhe kakao (13,1%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (12,4%), shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (12,4%), mishi (12,3%), shërbimet hoteliere (9,0%), shërbimet ambulantore (8,9%), pajisjet terapeutike (8,4%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (8,0%), qumështi, djathi dhe vezët (7,5%),vajrat dhe yndyrnat (6,2%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,7%), duhani (5,6%), buka dhe drithërat (5,3%),prodhimet ushqimore (5,2%)”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

    Për këtë perudhë, tetor 2025 me tetor 2024, rënie e çmimeve vërehet te grupet e COICOP-it: karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-2,6%) dhe blerja e automjeteve (-1,2%) për qind në IHÇK-it me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0,2) për qind në IHÇK-it.

    Ndërsa, inflacioni mujor ishte 0,6% në muajin tetor 2025, krahasur me muajin shtator të këtij viti.

    “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,6 % në muajin Tetor 2025 krahasuar me muajin Shtator 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (8,4%), energjia elektrike (3,3%), perimet (2,2%), duhani (2,2%), buka dhe drithërat (1,2%), shërbimet hoteliere (0,9%), mishi (0,7%) dhe karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (0,6%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,7 për qind në IHÇK-it”, thuhet në raport.

    Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupet e COICOP-it: biletat e fluturimeve me 6,8% dhe pemët 3,8% me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,1) për qind në IHÇK-it.

  • Hill: Nuk besoj dhe nuk kam dëgjuar që Thaçi ka urdhëruar aktivitete të paligjshme, e ndjeva të dëshmojë

    Hill: Nuk besoj dhe nuk kam dëgjuar që Thaçi ka urdhëruar aktivitete të paligjshme, e ndjeva të dëshmojë

    Ish-i dërguari i posaçëm të Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë periudhës së luftës, Christopher Hill ka vazhduar edhe sot dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka dëgjuar se Hashim Thaçi është përfshirë apo të ketë dhënë urdhër për aktivitet të paligjshme.

    Hill ka deklaruar kështu teksa u pyet se pse ka pranuar të jetë dëshmitar i thirrur për këtë rast, e ku e theksoi se e ndejnte të thoshte atë që dinte për këtë.

    “Koha nuk i shëron të gjitha plagët , por mendoj që pas 25 vitesh është kohë e madhe të mendohen gjërat dhe nuk kam arsye të besoj që zotëri Thaci është përfshirë në aktivitete të tilla, nuk kam arsye. Madje as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitet të tilla, apo veprimtari të paligjshme. Siç e kuptojë unë, ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar për këtë çështje. Pra e ndjeva sikur mu kërkua kjo gjë. Nuk kontaktova njerëz, njerëzit më kontaktuan mua dhe e ndjeva që duhet të thoja atë që dija në lidhje me situatën”.

    Sot është dita e dytë e dëshmisë së tij në Hagë. Në ditën e parë, atë e mori në pyetje avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Misetiq.

    Hill dje ka thënë ditën e parë të dëshmisë se Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në dhe që ajo nuk kishte strukturë me organizim hierarkik.

  • Kushtetuesja e kthehu në detyrë, Erion Veliaj jep urdhrin e parë nga qelia për Tiranën

    Kushtetuesja e kthehu në detyrë, Erion Veliaj jep urdhrin e parë nga qelia për Tiranën

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dhënë këtë të martë urdhrin e parë pas rikthimit në detyrë, duke kërkuar nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për festat e fundvitit në kryeqytet.

    Sipas dokumentit zyrtar, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve do të marrë masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike, “duke respektuar standardet më të larta të sigurisë, si edhe kriteret teknike dhe estetike të përcaktuara për këtë qëllim”.

    Në urdhër theksohet gjithashtu se, në zbatim të vendimit nr. 420, datë 8 qershor 2006 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, do të merren masa për dekorimin e godinave të ministrive sipas kërkesave të institucioneve përkatëse.

  • PDK-ja do të ankohet në PZAP për votat në Mitrovicë

    PDK-ja do të ankohet në PZAP për votat në Mitrovicë

    Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa rreth dyshimeve për manipulim me vota në Mitrovicë.

    Kjo është bërë e ditur me anë të një postimi në Facebook nga anëtari i kësaj partie, Betim Gjoshi i cili njoftoi se ankesën do ta dorëzojnë sot.

    “Sot, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë brenda afatit ligjor ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, ka shkruar ai

    “Vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve”, ka shkruar ai.

    Njoftimin për ankesë e ka bërë të ditur mbrëmë edhe Valon Brahimi nga ky subjekt politik.

    Në “Edicionin Special” në Klan Kosova, ai tha se PDK-ja nuk po e trajton rastin vetëm në aspektin penal, por do të ndjekë edhe rrugën institucionale zgjedhore.

    “Ne nuk do të ndalemi vetëm te pjesa penale. Ne nesër (e martë) do ta dorëzojmë ankesën tonë në PZAP për rastin në fjalë. Do të vazhdojmë t’i marrim të gjitha veprimet ligjore, sepse në sistemin demokratik të Kosovës jemi të interesuar që të mos cenohet legjitimiteti i votës së qytetarëve dhe të mos dëmtohet ligjshmëria”, ka deklaruar ai.

  • A shkaktojnë antidepresivët gjithmonë shtim në peshë? Ja çfarë duhet të dini

    A shkaktojnë antidepresivët gjithmonë shtim në peshë? Ja çfarë duhet të dini

    Shënim nga të gjithë mjekët është se kurrë nuk duhet ta ndryshojmë apo ta ndërpresim vetë terapinë

    Antidepresivët janë ilaçe që mund të jenë jetikë, por edhe të çojnë në reagime të padëshiruara. Është e mundur që pas përdorimit të tyre të ndihemi më mirë, të jemi më të gatshëm për t’u përballur me të gjitha sfidat e jetës, por edhe të kemi disa kilogramë më shumë.

    Psikiatrja dr. Divya Singh thotë se shtimi në peshë ndodh tek 25 deri 30 pacientë, megjithëse disa të dhëna tregojnë se kjo reagim i padëshiruar ndaj përdorimit të antidepresivëve vërehet tek pothuajse 55 deri 65 persona.

    Nuk varet gjithçka nga ilaçi

    Shtimi në peshë, megjithatë, nuk është shoqërues i pashmangshëm i antidepresivëve. Ekziston mundësia e madhe që të gjendet ilaçi i përshtatshëm dhe që ai të ndikojë minimalisht në peshën trupore.

    – Shtimi në peshë nuk varet vetëm nga ilaçi; tek personat me simptoma depresioni apo ankthi shpesh ndodhin ndryshime të oreksit dhe të nivelit të aktivitetit fizik, shpjegon dr. Singh.

    Vaktet e bollshme si ngushëllim

    Në gjendje depresioni, trupi dhe truri tashmë kalojnë nëpër ndryshime që mund të ndikojnë në peshën trupore. Ndodh që dikush të hajë më shumë ose më pak se zakonisht, të lëvizë më pak, dhe në të njëjtën kohë të ketë nevojë të fortë për ushqime kalorike me shumë kripë, yndyra dhe sheqer. Disa persona zhvillojnë modele të teprimit me ushqim si mënyrë për t’u përballur me dhimbjen emocionale, shton dr. Singh.

    Antidepresivët janë vetëm një shtresë shtesë që i shtohet ndryshimeve ekzistuese. Këto ilaçe ndikojnë në sekretimin e neurotransmetuesve serotonin dhe dopamin, të cilët kanë rol kyç në rregullimin e humorit dhe oreksit. Me kalimin e kohës, këto ndryshime mund të çojnë në rritje të ndjenjës së urisë ose ngadalësim të metabolizmit.

    Nuk ndikojnë të gjithë antidepresivët njësoj në peshë

    Nëse keni dëgjuar se të gjithë antidepresivët shkaktojnë shtim në peshë, kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Gjithçka varet nga lloji i ilaçit dhe kohëzgjatja e përdorimit, thekson dr. Singh. Ilaçet që më shpesh lidhen me shtimin në peshë janë antidepresivët triciklikë, inhibitorët e monoaminooksidazës, inhibitorët selektivë të rimarrjes së serotoninës (SSRI) dhe antidepresivi tetraciklik mirtazapin.

    – Një analizë e madhe e 27 studimeve, në të cilën morën pjesë më shumë se 450.000 persona, tregoi se këta ilaçe, bashkë me disa SSRI të tjerë, ndikuan më shumë në rritjen e peshës trupore deri në 5 për qind, thotë dr. Singh.

    Nga ana tjetër, disa antidepresivë mund të çojnë edhe në humbje të peshës trupore. Për shembull, bupropioni mund të ndikojë në përmirësimin e humorit dhe të çojë në humbje kilogramësh, transmeton Telegrafi.

    Llojet e antidepresivëve dhe rreziku nga shtimi në peshë

    Antidepresivët triciklikë
    Janë ndër llojet më të vjetra të antidepresivëve; sot përshkruhen më rrallë, sepse mund të shkaktojnë më shumë reagime të padëshiruara, përfshirë shtimin në peshë.

    Inhibitorët e monoaminooksidazës
    Janë gjithashtu lloj më i vjetër i antidepresivëve, zakonisht përdoren nëse terapitë e tjera nuk japin rezultat. Shpesh shkaktojnë shtim në peshë.

    Inhibitorët selektivë të rimarrjes së serotoninës (SSRI)
    Mund të shkaktojnë rritje të lehtë të peshës pas disa muajsh ose vitesh përdorimi.

    Inhibitorët e rimarrjes së serotoninës dhe noradrenalinës (SNRI)
    Mund të rrisin rrezikun nga shtimi në peshë.

    Antidepresivi tetraciklik (mirtazapin)
    Njihet për faktin se rrit oreksin dhe çon në shtim në peshë.

    Bupropioni
    Është zgjedhja më e përshtatshme në aspektin e peshës trupore; madje mund të çojë në humbje të lehtë të peshës.

    Vilazodoni
    Një antidepresiv më i ri që ka rrezik më të vogël për rritje në peshë.

    Cilat pacientë janë në rrezik më të lartë për shtim në peshë?

    Shtimi në peshë nuk varet vetëm nga ilaçi, por nga e gjithë mënyra e jetesës. E rëndësishme është gjenetika dhe indeksi fillestar i masës trupore, personat që kanë pasur tepricë kilogramësh para terapisë, më lehtë shtojnë në peshë. Stili i jetesës ulur, me aktivitet fizik minimal dhe ushqime me shumë kalori, mund të forcojë efektet e ilaçit.

    – Pacientët me diabet ose funksion të ulët të tiroides, që marrin terapi me antidepresivë, kanë rrezik më të lartë nga shtimi në peshë, thotë dr. Singh.

    Zakone që mund të ndihmojnë

    Edhe pse ndonjëherë nuk është e mundur të kontrollohen të gjithë shkaqet e shtimit në peshë që lidhen me antidepresivët, zakonet e përditshme mund të ndihmojnë shumë.

    Rekomandohet që ushqimi të bazohet në fruta, perime, proteina të dobëta dhe drithëra integrale. Kufizoni sheqernat dhe ushqimet e përpunuara. Jini aktivë, të paktën 30 minuta aktivitet fizik në shumicën e ditëve të javës, ecje, vallëzim apo çdo lëvizje që ju pëlqen.

    Ekspertët këshillojnë të flini 7 deri në 9 orë në natë, sepse mungesa e gjumit rrit dëshirën për ushqim. Kontrolloni peshën trupore, por pa u fiksuar pas shifrave. Kontrolloni stresin, meditimi, joga ose psikoterapia mund të ndihmojnë.

    Kurrë mos e ndërprisni terapinë vetë

    Shënim nga të gjithë mjekët është se kurrë nuk duhet ta ndryshojmë apo ta ndërpresim vetë terapinë. Në marrëveshje me mjekun, është e mundur të zëvendësohet ilaçi ose të përshtatet doza e ilaçit ekzistues, si dhe të kontrollohet funksioni i tiroides.

    Kombinimi i terapisë së mirë dhe zakoneve të përditshme të shëndetshme sjell rezultatin më të mirë. Trajtimi i simptomave të depresionit, ankthit dhe çrregullimeve të tjera mendore mund të përmirësojë ndjeshëm çdo aspekt të jetës.

    Dr. Singh thekson se antidepresivët mund të çojnë në shtim në peshë tek disa persona, por shton se arsyet janë të ndërlikuara dhe mund të kontrollohen me sukses. /Telegrafi/

  • Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Vetëm në 24 orëshin e fundit, janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje si dhe një lëndim i lehtë trupor, ku një grua është sulmuar nga bashkëshorti i saj në Mitrovicë të Veriut.

    Në raportin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rastet kanë ndodhur në Obiliq, Fushë Kosovë, Lipjan, Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë.

    Lëndim i lehtë trupor

    Mitrovicë Veri 10.11.2025 – 02:00. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Dhunë në familje

    ·         Obiliq 10.11.2025 – 04:30. Ka ndodhur rasti ‘dhunë në familje’, ku të përfshirë kanë qenë bashkëshortët,  lëndime ka pësuar bashkëshorti dhe të njëjtit i është ofruar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Fushë Kosovë 10.11.2025 – 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht tre anëtarë të familjes. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Lipjan 10.11.2025 – 11:00. Është raportuar se viktima femër kosovare ka pësuar dhunë nga i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin bashkëjeton. Viktima është strehuar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Prishtinë  09.11.2025 – 15:00 – 18:00. Me 10.11.2025 viktima e mitur femër kosovare, ka raportuar se një ditë më parë babai i saj, i dyshuari mashkull kosovar kishte ushtruar dhunë fizike. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari i cili më pas me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Prishtinë  10.11.2025-13:00. Janë shoqëruar dy meshkuj (vëllezër) njëri si i dyshuar dhe tjetri viktimë, në stacion policor për intervistim, pasi të njëjtit për shkak të një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete. Rasti duke u hetuar.

    Ferizaj 10.11.2025 – 15:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se në gjendje të dehur në shtëpi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Gjakovë  10.11.2025 – 14:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht viktimën-bashkëshorten e tij. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa me vullnetin e saj është kthyer tek familja e vet. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Një i lënduar nga aksidenti mes dy automjeteve në rrugën Ferizaj-Prishtinë

    Një i lënduar nga aksidenti mes dy automjeteve në rrugën Ferizaj-Prishtinë

    Një aksident mes dy automjeteve ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në rrugën Ferizaj-Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

    Për pasojë, një person është lënduar.

    Lajmin e ka konfirmuar, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.

    “Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal.”, tha ajo.