ATV

Author: G.O.

  • Prokurori turk kërkon mbi 2 mijë vjet burg për kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu

    Prokurori turk kërkon mbi 2 mijë vjet burg për kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu

    Një prokuror turk ka kërkuar dënim me burgim prej më shumë se 2,000 vjetësh për kryetarin e burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, për dyshimin se ka drejtuar një rrjet të gjerë korrupsioni që i ka kushtuar shtetit miliarda lira, sipas një aktakuze të parë nga Reuters.

    Imamoglu, i cili është rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan, i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij dhe ka thënë se ato janë të motivuara politikisht.

    Kryeprokurori i Stambollit, Akin Gurlek, bëri të ditur aktakuzën në një konferencë për shtyp të martën, duke thënë se ajo përmban 402 të dyshuar, përfshirë Imamoglun, dhe i akuzon ata për formimin e një organizate kriminale, ryshfet, mashtrim dhe manipulim ofertash.

    Gurlek tha se rrjeti i shkaktoi shtetit turk humbje prej 160 miliardë lirash, apo 3.8 miliardë dollarë, gjatë një periudhe 10-vjeçare.

    Aktakuza prej më shumë se 4,000 faqesh përfshin një tabelë organizative që e portretizon Imamoglun si themeluesin dhe kreun e grupit kriminal.

    Raporti citon gjetjet e Bordit të Hetimit të Krimeve Financiare (MASAK), analizat e ekspertëve dhe provat dixhitale e video, dhe pretendon se disa biznesmenë u detyruan të paguanin ryshfete përmes një fondi sekret që vepronte brenda bashkisë.

    Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur akuzat përtej përmbajtjes së aktakuzës. Bashkia e Stambollit dhe avokatët e Imamoglut nuk i janë përgjigjur menjëherë kërkesave për koment.

    Kryebashkiaku ka qenë në burg që nga marsi, në pritje të gjyqit për akuza për korrupsion, dhe mori një dënim të veçantë me burgim në korrik për fyerje dhe kërcënim ndaj kryeprokurorit të qytetit, një vendim që ai po e apelon.

    Qeveria mohon pohimin e Imamoglut dhe Partisë së tij Republikane Popullore (CHP) se çështja kundër tij është e motivuar politikisht, dhe thekson se gjykatat e Turqisë janë të pavarura.

  • “Ftohen të gjithë shqiptarët të bashkohen”, veteranët bëhen gati për protestën në Strasburg

    “Ftohen të gjithë shqiptarët të bashkohen”, veteranët bëhen gati për protestën në Strasburg

    Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së ka mbledhur këshillin drejtues të saj rreth përgatitjeve për protestën e 16 nëntorit që mbahet në Strasburg.

    Përmes një njoftimi në Facebook, kjo organizatë fton të gjithë shqiptarët të bashkohen në të.

    “Ftohen të gjithë shqiptarët të bashkohen me ne në Strasburg, më 16 nëntor, ora 13:00, pranë selisë së Këshillit të Evropës, aty ku filloi padrejtësia ndaj UÇK-së dhe Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Protesta e Strasburgut në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së vjen pas atyre që u mbajtën në Prishtinë, Tiranë dhe Hagë.

  • Arrestohet një i mitur në Prishtinë, kërkohej për tentim vrasje

    Arrestohet një i mitur në Prishtinë, kërkohej për tentim vrasje

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se është arrestuar një i mitur sot në Prishtinë, i cili ka qenë në kërkim për një rast të tentim vrasjes.

    Policia ka njoftuar edhe se i mituri është dërguar në qendrën e mbajtjes.

    Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale si dhe vënien e tyre para drejtësisë.

    Si rrjedhojë e këtyre angazhimeve, sot nga njësiti i hetimeve të përgjithshme, është arrestuar personi i dyshuar:

    – M.G, mashkull, ( i mitur) shtetas i Republikës së Kosovës.

    I dyshuari ka qenë në kërkim nga ana e policisë, për një rast tentim vrasje që ka ndodhur me datën 04.11.2025, në rrugën “Mark Sopi“, në Prishtinë.

    Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, i dyshuari me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftim.

  • Balotazhi i 9 nëntorit, KQZ: Mbyllet verifikimi i rezultatit në 15 qendra komunale, 41 vendvotime në rinumërim

    Balotazhi i 9 nëntorit, KQZ: Mbyllet verifikimi i rezultatit në 15 qendra komunale, 41 vendvotime në rinumërim

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 15 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë dhe Viti.

    Ndërkaq, KQZ tha se procesi i verifikimit po vazhdon në dy komuna tjera.

    “Në QKN e Mitrovicës së Jugut nuk është duke vazhduar për arsyet që janë bërë të njohura nga njoftimi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë”, tha KQZ.

    Sot nga ora në orën 14:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

  • Pas urdhrit të Prokurorisë, KQZ njofton që në ora 16:00 vazhdon procesi i numërimit në Mitrovicë të Jugut

    Pas urdhrit të Prokurorisë, KQZ njofton që në ora 16:00 vazhdon procesi i numërimit në Mitrovicë të Jugut

    Pasi Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi që të rifillojë numërimi në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi i verifikimit do të fillojë në vazhdojë në orën 16:00.

    “Ju informoj se në orën 16:00 do të vazhdojë procesi i verifikimit në Qendrën Komunale të Mitrovicës e Jugut”, ka njoftuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

  • Urdhërohet rifillimi i numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale në Mitrovicën e Jugut

    Urdhërohet rifillimi i numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale në Mitrovicën e Jugut

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut.

    “Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka spjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte. Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletë votimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

  • Planifikonte atentate ndaj Merkelit dhe Scholz, përfundon prapa grilave 49-vjeçari në Gjermani

    Planifikonte atentate ndaj Merkelit dhe Scholz, përfundon prapa grilave 49-vjeçari në Gjermani

    Prokuroria Federale në Gjermani njoftoi arrestimin e një personi, që dyshohet se i përket organizatës “Qytetarët e Rajhut” dhe planifikonte atentate ndaj politikanëve, sipas informacioneve të ARD, SËR, n-tv dhe Der Spiegel. Ndër ta ishin edhe ish-kancelarët Olaf Scholz dhe Angela Merkel.

    Sipas raportimeve, 49-vjeçari, i arrestuar mbrëmjen e së hënës në Dortmund, kohët e fundit synonte të organizonte sulme përmes “darknet-it”.

    Në faqen e interneti që kishte krijuar, me emrin “Politika e Vrasjeve”, i dyshuari shpjegonte planin e tij.

    Fillimisht, ithtarët e tij duhej të dhuronin para në kriptomonedha, si “shpërblim për kapje”, për profesionistë që më pas do të merrnin përsipër vrasjen e politikanëve “kundërshtarë”, shkruan euronews.al.

    Autoritetet e trajtojnë çështjen si “plan financimi kriminal të terrorizmit” dhe për këtë, përgjegjësinë e ka marrë prokurori i përgjithshëm federal, Jens Rommel.

    Siç transmeton ARD, i arrestuari njihej nga autoritetet që nga viti 2020, si anëtar i Qytetarëve të Rajhut, ku mori pjesë në protesta kundër masave kufizuese të pandemisë, dhe aktivitetet e tij të fundit në darknet u zbuluan nga Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës.

    Sipas raportimeve, Martin Sh., është gjermano-polak dhe kishte publikuar në faqen e tij “dënime me vdekje” që vetë i kishte shqiptuar, informacione për “të dhëna personale sensitive” të viktimave të mundshme, si dhe udhëzime për ndërtimin e eksplozivëve, ndërsa sipas mediave Spigel, lista e “të dënuarve me vdekje” përfshinte më shumë se 20 emra politikanësh, ndër ta ish-kancelarët Olaf Scholz dhe Angela Merkel, si dhe ish-ministra federalë.

    Termi Assassination Politics i referohet tekstit të aktivistit radikal amerikan antiqeveritar, Jim Bell, i cili në vitet ’90 argumentonte në favor të një tregu hipotetik online përmes të cilit mund të financoheshin anonimish vrasje të zyrtarëve qeveritarë të korruptuar.

  • Trump thotë se ShBA-ja do të përballet me ‘katastrofë ekonomike’ nëse Gjykata Supreme vendos kundër taksave

    Trump thotë se ShBA-ja do të përballet me ‘katastrofë ekonomike’ nëse Gjykata Supreme vendos kundër taksave

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se vendi i tij do të ballafaqohej me katastrofë ekonomike dhe të sigurisë kombëtare, nëse Gjykata Supreme merr vendim kundër përdorimit të një ligji për kompetenca urgjente nga ai për vendosjen e taksave kundër pothuajse secilit shtet tjetër.

    Trump tha se administrata e tij planifikon të lëshojë një pagesë prej 2.000 dollarësh për amerikanët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke i shfrytëzuar përfitimet nga taksat, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për ta ulur borxhin publik të ShBA-së, raporton “Reuters”.

    Presidenti amerikan, i cili më parë e ka përmendur idenë e përdorimit të të hyrave nga taksat për t’u dhënë një “dividendë” amerikanëve me të ardhura më të ulëta, e përsëriti atë në një shkrim në rrjetin “Truth Social” të dielën, si dhe gjatë komenteve para gazetarëve në Zyrën Ovale të hënën.

    “Ne do t’u lëshojmë një dividendë njerëzve tanë me të ardhura të mesme dhe të ulëta – rreth 2.000 dollarë – dhe do t’i shfrytëzojmë taksat e mbetura për ta ulur borxhin tonë”, tha Trump në ceremoninë e emërimit të ambasadorit të ri amerikan në Indi, Sergio Gor.

    Mbështetja për Trumpin në sondazhe është dobësuar muajve të fundit, në kohën e shtimit të shqetësimeve për gjendjen e ekonomisë dhe zemërimit të vazhdueshëm për inflacionin.

  • Hill: Rexhep Selimi ishte nga Grupi i Drenicës, përfaqësonte opinionet e tyre

    Hill: Rexhep Selimi ishte nga Grupi i Drenicës, përfaqësonte opinionet e tyre

    Christohper Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se kishte opinione të vlefshme për pozitën e Rexhep Selimit në UÇK.

    Ndërsa, duke folur për takimin në Likoc që kishte ndodhur më 29 korrik 1998, Hill tha se menduan që Selimi do kishte pozicionin që të jepte përgjigje për propozimin e tyre për një grup negociator me Serbinë.

    Kurse, Hill tha se kur nuk morën përgjigje nga Selimi, kuptuan që përfaqësonte opinione të Grupit të Drenicës, të cilit edhe i takonte.

    “Ne kuptuam se Selimi do të ishte në pozicion që të na jepte përgjigje. Por, në fakt ishte nga Grupi i Drenicës. Në situatën kur nuk morëm përgjigje, atëherë ne menduam se ai thjesht po përfaqësonte disa opinione të Grupit të Drenicës”, tha Hill.

    Dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse Sylejman Selimi, Bislim Zyrapi dhe Sami Lushtaku ishin në këtë takim në Likoc. Madje, për Zyrapin tha se nuk i kujtohet si emër se kush ishte.

    Në takimin në Likoc, dëshmitari tha se ka pasur edhe persona të tjerë por që nuk i kujtohet të ketë folur me ata përveç se me Rexhep Selimin.

    Dëshmitari tha se me Thaçin nuk është takuar më përpara takimit në Dragobil. Por, ai shtoi se emri i tij përmendej si dikush me të cilin ai duhej të takohej.

    Pyetjet e ZPS-së për takimin në Likoc me Selimin, avokati: S’është momenti të nxjerren dëshmi të reja

    (Përditësuar, ora 12:45)- Avokati Geoffrey Roberts i cili përfaqëson Rexhep Selimin, ka kundërshtuar linjën e pyetjeve të Prokurorisë për dëshmitarin Christopher Hill, lidhur me bisedat që janë zhvilluar në një takim që ka ndodhur në Likoc në mes UÇK-së dhe ndërkombëtarëve.

    Hill tregoi se në takimin në Likoc që ka pasur me UÇK-në i pranishëm ishte edhe Rexhep Selimi.

    “Mbaj mend që ishte personi që na priti. Por, nuk mbaj mend ndonjë mirëpritje”, tha Hill.

    Si rrjedhojë, pasoi kundërshtimi i Roberts duke thënë se kjo pjesë e bisedës në këtë takim nuk është përfshirë në dosjen gjyqësore të Prokurorisë.

    “Ne, para se të fillonim me paraqitjen e provave tona, kishim shqetësim se mos Prokuroria do të përpiqej që të nxirrte prova të reja që ne mendojmë që nuk është momenti sepse Prokuroria i mbylli provat e veta. I vetmi pretendim lidhur me zotin Selimi në këtë takim është në paragrafin 270 të dosjes së Prokurorisë ku thuhet se gjatë periudhës së aktakuzës janë mbajtur takime në Likoc në mes anëtarëve të UÇK-së dhe ndërkombëtarëve sikurse kane qenë të pranishëm zoti Thaçi, zoti Krasniqi, zoti Selimi dhe Sylejman Selimi. Pra, nuk po diskutojmë se a është bërë një takim, por formulimi a po se çfarë ka thënë zoti Selimi në atë takim dhe se çfarë beson ky dëshmitar lidhur me atë që ka nënkuptuar Selimi duhej të ishte specifikuar konkretisht nga Prokuroria në dosjen e tyre gjyqësore”, tha Roberts.

    Ai tha se për të bërë pyetje se çfarë ka thënë Selimi në atë takim, do duhej të mbështetej në dosjen gjyqësore. Sipas tyre, nuk është momenti që të nxjerren dëshmi të reja.

    Mbase duan të mbështeten në atë se çfarë ka thënë në atë takim zoti Selimi, do të duhej ta mbështesnin në dosjen gjyqësore të cilën nuk e bën dhe nuk është momenti që ata të nxjerrin dëshmi të reja.

    Prokurori James Pace tha se ky është një takim që e ka përmendur dëshmitari dhe ka folur gjërë e gjatë në dëshminë e tij.

    Pace tha se dëshmitari ka treguar se ka komunikuar me Rexhep Selimin gjatë këtij takimi në Likoc. Ai shtoi se kjo është në fushëveprimin e pyetjeve të Prokurorisë. Si rrjedhojë, ai tha se është e drejtë e tyre që të bëjnë pyetje përtejë fushëveprimit të tyre por që vërtetojnë argumentet e tyre.

    Si rrjedhojë, trupi gjykues e rrëzoi kundërshtimin e Roberts duke i lejuar Prokurorisë të vazhdojë me pyetjet e tij.

  • Presidentja Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Bangladeshit

    Presidentja Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Bangladeshit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri jorezident të Republikës Popullore të Bangladeshit në Republikën e Kosovës, Muhammad Zulqar Nain.

    Gjatë takimit, bëhet e ditur se Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit Nain dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Bangladeshi i ka dhënë Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Në këtë drejtim, ajo përmendi takimin me Kryeministrin e Bangladeshit gjatë Javës së Nivelit të Lartë të KB-së në New York, Muhammad Yunus, ku u ritheksua përkushtimi i përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve, në frymën e miqësisë, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet dy popujve”, thuhet në komunikatë.

    Nga ana e tij, ambasadori Nain shprehu vullnetin e Bangladeshit për të forcuar më tej marrëdhëniet diplomatike dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis dy vendeve.

    “Ai përcolli urimet e përzemërta të udhëheqjes së Bangladeshit për popullin e Kosovës, duke shprehur bindjen se raportet ndërmjet dy shteteve do të thellohen edhe më shumë në të ardhmen”, thuhet më tej në komunikatë.