ATV

Author: G.O.

  • Aksident trafiku me fatalitet në Bresje, vdes një person

    Aksident trafiku me fatalitet në Bresje, vdes një person

    Një person ka ndërruar jetë pas një aksidenti në Bresje të Fushë Kosovës.

    Rastin e ka konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

    Ky i fundit ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 1 të pasmesnatës.

    ‘’Rreth orës 01:00, datë 11.11. 2025, policia është njoftuar për një aksident trafiku në dalje të autostradës në Bresje – Fushë Kosovë. Në aksident është përfshirë një veturë, një person ka pësuar lëndime dhe ekipi mjekësor ka konstatuar se i njëjti është pa shenja jete. Policia është marrë me procedurat në vend ngjarje’’, ka njoftuar Policia.

  • PDK-ja kërkon rivotim në Mitrovicë

    PDK-ja kërkon rivotim në Mitrovicë

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka denoncuar parregullsitë e ndodhura me fletëvotimet në Mitrovicë dhe ka bërë thirrje që ky qytet të shkojë në rivotim.

    Gjatë konferencës për media, Gruda ka theksuar se bartja e fletëvotimeve nga një vend në tjetrin shkel ligjin dhe rregullat e KQZ-së.

    “Jam këtu për të shprehur shqetësimet lidhur me dyshimet për procesin zgjedhor në Mitrovicë. Procesi është shënuar me presion të madh, ndërhyrje në proces dhe institucione shtetërore që kanë ndërhyrë. Gjatë ditës së djeshme, komisionerët tanë kanë vërejtur parregullsi të rënda që janë gjetur në klasa të tjera, madje edhe në qendra të tjera të votimit. Ka pasur bartje të fletëvotimeve nga një klasë në tjetrën dhe nga një shkollë në tjetrën. Menjëherë pas vërejtjes, janë lajmëruar organet kompetente. Si pasojë, procesi i votimit është ndërprerë. Bartja e fletëvotimeve nga një vend në vendin tjetër bie ndesh me ligjin dhe me rregullat e KQZ-së. Kodi që shërben në fletëvotime është për vendvotime dhe si mekanizëm i vërtetimit. Ky kod është një element themelor i integritetit zgjedhor. Pra, çështja nuk është vetëm teknike, por ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e votës,” tha Gruda.

    Ai dha shembuj konkretë: “Në shkollën ‘Avdullah Shabani’ janë gjetur 3 fletëvotime që i takojnë një shkolle tjetër. Në shkollën ‘Migjeni’ është gjetur një fletëvotim që i takon një klase tjetër. Është vërejtur që ka fletëvotime të shumta të bartura nga një klasë dhe nga një shkollë tjetër.”

    Deputeti theksoi se Mitrovica ishte komuna me pjesëmarrjen më të madhe në votime dhe se dështimi i KQZ-së aty është më serioz, si në rezultat, ashtu edhe në proces.

    LEXONI EDHE:

    Votat në Mitrovicë, kompania që i shtyp fletëvotimet e merr përgjegjësinë për “gabimin teknik”

  • Votat në Mitrovicë, kompania që i shtyp fletëvotimet e merr përgjegjësinë për “gabimin teknik”

    Votat në Mitrovicë, kompania që i shtyp fletëvotimet e merr përgjegjësinë për “gabimin teknik”

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka pranuar një sqarim zyrtar lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

    Sipas njoftimit, pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania përgjegjëse ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka konfirmuar se problemi ndodhi vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, ndërkohë që sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), prandaj gabimi nuk u zbulua gjatë shtypjes.

    “CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet në reagimin e KQZ-së.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për këtë përgjigje është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit.

  • Studimi i ri rrëzon pretendimin e Trumpit: Paracetamoli në shtatzëni nuk lidhet me autizmin

    Studimi i ri rrëzon pretendimin e Trumpit: Paracetamoli në shtatzëni nuk lidhet me autizmin

    Një studim i ri nuk ka gjetur lidhje në mes të marrjes së paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut që fëmija të marrë autizmin.

    Gjetjet u publikuan të dielën në “British Medical Journal”, pasi presidenti amerikan Donald Trump alarmoi muaj më parë duke bërë thirrje për të mos marrë Tylenol (në Evropë njihet si paracetamol) gjatë shtatzënisë për shkak të, siç ka thënë ai, rrezikut se mund të shkaktojë autizëm te fëmijët. Trumpi nuk ofroi asnjë dëshmi shkencore.

    Hulumtuesit nga Universiteti i Liverpoolit ekzaminuan nëntë studime sistematike që mbulonin rreth 40 studime mbi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rezultatet neurozhvillimore tek fëmijët. Përfundimi ishte se cilësia e përgjithshme e provave që mund ta lidhin paracetamolin me çrregullimet neurozhvillimore është “e ulët deri në kritikisht e ulët”.

    “Kemi gjetur se bazuar në të dhënat aktuale, nuk ka asnjë lidhje në mes të marrjes së paracetamolit gjatë shtatzënisë te gratë dhe diagnozës së autizmit apo ADHD-së te fëmijët e tyre”, ka thënë profesoresha e këtij universiteti dhe udhëheqëse e studimit. “Gjetjet duhet të ndihmojnë profesionistët e kujdesit shëndetësor që t’u japin këshilla të bazuara në prova dhe t’i risigurojnë nënat lidhur me përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë nëse është e nevojshme”.

    Rishikimi i këtyre studimeve ka gjetur se çdo lidhje e raportuar mund të ketë ndikuar nga faktorët gjenetikë dhe mjedisorë brenda familjeve, siç janë shëndeti mendor i prindërve ose stili i jetesës. Por studiuesit thonë se duhen më shumë studime me cilësi të lartë, për të mbështetur pretendime që mund të lidhen me paracetamolin gjatë shtatzënisë.

    Në shtator, Trumpi pati alarmuar për acetaminophenin që të mos përdoret nga gratë shtatzëna, për shkak të, siç pati thënë ai, rrezikut për autizëm, pavarësisht se nuk dha asnjë provë se bari mund ta shkaktojë direkt atë. Por edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë si dhe ajo e Barnave në Evropë kanë kundërshtuar pretendimet e Trumpit. Edhe Agjencia Amerikane për Ilaçe në SHBA pati thënë se nuk janë gjetur zyrtarisht lidhje mes ilaçit dhe rrezikut për autizëm.

  • Osmani për serbin e rrëmbyer brenda territorit të Kosovës: Krim dhe provokim i rëndë

    Osmani për serbin e rrëmbyer brenda territorit të Kosovës: Krim dhe provokim i rëndë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Millan Vukashinoviq, i cili u plagos dhe u rrëmbye më 1 nëntor brenda territorit të Kosovës, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe se ambasadori i Kosovës në Beograd nuk është lejuar ta vizitojë atë.

    Osmani në një deklarim para mediave, këtë akt e ka cilësuar si krim dhe provokim të rëndë nga ana e Serbisë, duke e përshkruar si një tentim për vrasje.

    “Po, siç e dini edhe sipas të dhënave kadastrale, ajo është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës. Sa i përket hetimit që po e bëjnë institucionet tona në bashkëpunim me institucionet e sigurisë së shteteve aleate, ne ende po presim konkluzionin final. Megjithatë, sa i përket informatave të deritanishme që kemi nga institucionet e sigurisë, është se ka qenë brenda territorit të Kosovës. Por përtej kësaj, përtej çështjes se ku ka ndodhur, pavarësisht se ku të ketë ndodhur kjo, prapëseprapë është krim dhe provokim i rëndë, dhe është tentim vrasjeje i institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës së Kosovës. Pra, nëse edhe kjo të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë, gjë që nuk është e vërtetë, por edhe sikur të kishte ndodhur, përsëri është provokim i rëndë në kundërshtim me synimet për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë, gjë që Serbia vazhdimisht e rrezikon”, tha Osmani.

    Ajo po ashtu ka treguar se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë lidhur me këtë rast.

    “Si presidente, që nga dita e parë, vazhdimisht jam në komunikim me përfaqësues të shteteve të QUINT-it, por edhe përfaqësues të tjerë lidhur me këtë që ka ndodhur dhe me këtë shkelje të rëndë nga ana e Serbisë. Po ashtu, përfaqësuesi ynë në Beograd, ambasadori Jashari, ka tentuar ta vizitojë disa herë të plagosurin, mirëpo nuk është lejuar nga ana e spitalit. Informatat që kemi janë se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore. Institucionet tona janë në komunikim edhe me familjarët e të plagosurit, qytetarit tonë, dhe po ashtu me gjithë dëshmitarët që e kanë parë ngjarjen dhe çfarë ka ndodhur”, deklaroi presidentja.

  • Dafina “zhduk” një nga ndërhyrjet e saj estetike, publikon foto

    Dafina “zhduk” një nga ndërhyrjet e saj estetike, publikon foto

    Këngëtarja e dashur shqiptare, Dafina Zeqiri, ka habitur ndjekësit me një vendim që pak vajza të famshme do ta bënin sot: ajo ka hequr filler-in e buzëve.

    Në një postim në Instagram, Dafina ndau një foto të re dhe një mesazh të shkurtër, por shumë domethënës: “Removed my lipfiller”.

    Në imazhin që ka shpërndarë, artistja shfaqet me një pamje krejt ndryshe — më e butë, më natyrale dhe, sipas shumë fansave, më e bukur se kurrë më parë.

    Ndërkohë që shumë vajza ende vrapojnë pas trendeve të “buzëve perfekte”, Dafina duket se ka zgjedhur të ndjekë një drejtim tjetër, duke përqafuar thjeshtësinë dhe autenticitetin.

  • Behrami ndan një foto të një fletëvotimi të vulosur dy herë nga zgjedhjet në Mitrovicë

    Behrami ndan një foto të një fletëvotimi të vulosur dy herë nga zgjedhjet në Mitrovicë

    Ditën e djeshme, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar që te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës, duke u thënë se ka pasur pretendime për manipulim me fletëvotime dhe do të pritet deri në marrjen e përgjigjes zyrtare nga operatori ekonomik që i ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar numrat e ndryshëm serikë në disa fletëvotime.

    Lidhur me këtë ka pasur reagime të shumta, e mes tyre ka qenë edhe një deklarim i sotëm i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami.

    Në postimin e tij, Behrami ka ndarë një fotografi ku shihet se një fletëvotim është vulosur dy herë.

    ‘’Kur filluan t’i hapnin kutitë në Mitrovicë, u dëgjuan piskama. Kur e panë Albini i kishte pasur duart në to!’’, ka shkruar ai.

  • Ukraina sulmon Rusinë me dronë, goditet një rafineri e madhe nafte

    Ukraina sulmon Rusinë me dronë, goditet një rafineri e madhe nafte

    Një seri shpërthimesh tronditën qytetet ruse të Saratovit dhe Engelsit herët të martën, ndërsa mediat sociale raportuan për një zjarr në rafinerinë e naftës Saratov.

    Sipas kanaleve ruse të Telegramit, mbrojtja ajrore ishte në gatishmëri të lartë në të dy qytetet për shkak të kërcënimit të sulmeve me dronë. Banorët raportuan se kishin dëgjuar midis pesë dhe shtatë shpërthime të forta pas orës 1 të mëngjesit.

    Dëshmitarët thanë se zjarret ishin të dukshme në jugperëndim të Saratovit dhe se zhurma e motorëve të dronëve mund të dëgjohej sipër kokës.

    Guvernatori i rajonit të Saratovit, Roman Busargin, konfirmoi kërcënimin e sulmeve me dronë, ndërsa Rosaviatsia vendosi kufizime të përkohshme të fluturimit në aeroportin e Saratovit.

    Në një postim në Telegram në orën 8:22 të mëngjesit, Busargin shkroi se sulmi me dronë kishte thyer dritaret në disa shtëpi në lagjen Zavodsky, duke plagosur një person që nuk kishte nevojë për shtrim në spital.

    “Specialistët po inspektojnë të gjithë zonën për të eliminuar çdo rrezik. Pasi të përfundojnë të gjitha masat e sigurisë, banorët do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpi. Nëse është e nevojshme, qytetarëve do t’u ofrohet akomodim falas në hotel”, tha Busargin.

    Pas orës 8 të mëngjesit, kanalet e Telegram raportuan shpërthime të reja në Saratov, megjithëse autoritetet lokale nuk kanë komentuar mbi sulmin e dytë të supozuar.

    Saratov strehon një rafineri që prodhon mbi 20 lloje produktesh nafte, duke përfshirë benzinë, naftë, bitum dhe squfur. Rajoni është gjithashtu shtëpia e bazës ajrore Engels, nga e cila lëshohen rregullisht bombardues rusë për sulme me raketa në Ukrainë.

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, njësitë e mbrojtjes ajrore gjatë natës kapën dhe shkatërruan 37 dronë ukrainas: 10 mbi Krimenë e pushtuar, 8 mbi rajonin e Saratovit dhe 7 mbi rajonin e Oryol. Ukraina nuk e ka konfirmuar përfshirjen e saj në sulm.

    Ndërkohë, kryetari i rajonit të Odesës, Oleh Kiper, raportoi se Rusia nisi një sulm masiv me dronë në jug të Ukrainës gjatë natës.

    “Pavarësisht punës aktive të mbrojtjes sonë ajrore, ka dëme në infrastrukturën civile të energjisë dhe transportit,” tha Kiper.

    “Zjarret shpërthyen në disa objekte energjetike, por u shuan shpejt. Depoja e Ukrzaliznytsia dhe ndërtesat administrative u dëmtuan gjithashtu,” shtoi ai.

  • Prokuroria në Pejë konfiskon dhe sekuestron 106 automjete, ato ishin përdorur apo përfituar përmes veprave penale

    Prokuroria në Pejë konfiskon dhe sekuestron 106 automjete, ato ishin përdorur apo përfituar përmes veprave penale

    Prokuroria në Pejë ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar–tetor të këtij viti janë konfiskuar dhe sekuestruar gjithsej 106 automjete të përdorura apo përfituara përmes veprave penale.

    Vendimet janë marrë me kërkesë të prokurorëve të shtetit dhe me urdhër përfundimtar të gjykatës.

    Sipas njoftimit, 63 prej këtyre automjeteve, përfshirë vetura, kamionë e makineri pune, janë konfiskuar përfundimisht, ndërsa 43 të tjera janë të sekuestruara përkohësisht derisa hetimet janë në vazhdim.

    Automjetet e konfiskuara do të shiten nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, ndërsa të gjitha mjetet e fituara nga shitja do të derdhen në buxhetin e shtetit.

  • Hill: Jakup Krasniqi nuk ishte figurë kyçe në UÇK

    Hill: Jakup Krasniqi nuk ishte figurë kyçe në UÇK

    Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij, ka deklaruar se Jakup Krasniqi nuk ka qenë një figurë kyçe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    I pyetur nga avokati Aiden Ellis, Hill tha se mendimi i tij për Krasniqin ishte formuar bazuar në disa udhëzime që kishte marrë.

    “Po. Këto janë mendime të pabazuara, por në mungesë të informacioneve të tjera, po. Kjo ishte përshtypja ime që zotëri Krasniqi nuk ishte një person i rëndësishëm në UÇK”, tha Hill.