ATV

Author: G.O.

  • Mbi 800 milionë persona të prekur nga diabeti, mbipesha e ushqimi ndër shakatarët kryesorë

    Mbi 800 milionë persona të prekur nga diabeti, mbipesha e ushqimi ndër shakatarët kryesorë

    14 nëntori shënon Ditën Botërore kundër Diabetit, një datë që rikujton përmasat alarmante të kësaj sëmundjeje kronike, e cila prek miliona njerëz në mbarë globin. Sot, mbi 800 milionë persona jetojnë me diabet – një shifër që, sipas studimeve të fundit, është dyfishuar gjatë 30 viteve të fundit.

    Diabeti është një sëmundje kronike që shfaqet kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë, ose kur trupi nuk arrin ta përdorë atë në mënyrë efektive. Forma më e përhapur, diabeti i tipit 2, përbën mbi 95 për qind të të gjitha rasteve dhe shpesh lidhet me mbipeshën, ushqyerjen jo të shëndetshme, mungesën e aktivitetit fizik, por edhe faktorë gjenetikë. Ndryshe nga tipi 1, diabeti i tipit 2 është i parandalueshëm.

    Analizat globale të publikuara vitin e kaluar në gazetën “Lancet” zbuluan se normat e diabetit janë rritur nga rreth 7 për qind në vitet 1990 në 14 për qind në vitin 2022. Rritja më e madhe është vërejtur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ka raportuar “The Guardian”.

    Ky është studimi i parë gjithëpërfshirës që analizon prevalencën e diabetit dhe qasjen në trajtim në të gjitha vendet e botës. Shkencëtarët e NCD-RisC, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, analizuan të dhënat e mbi 140 milionë personave mbi moshën 18 vjeç, nga më shumë se 1.000 studime të kryera në mbarë botën, duke përdorur metoda të avancuara statistikore për të krahasuar shtetet dhe rajonet.

    Studimi thekson pabarazitë e thella shëndetësore: më shumë se gjysma e personave me diabet jetojnë vetëm në katër vende. Në vitin 2022, 212 milionë prej tyre jetonin në Indi, 148 milionë në Kinë, 42 milionë në SHBA dhe 36 milionë në Pakistan. Vendet e tjera me numër të lartë përfshijnë Indonezinë me 25 milionë dhe Brazilin me 22 milionë raste.

    Në disa rajone si Karaibet, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, diabeti prek mbi 25 për qind të popullsisë së rritur. Ndërkohë, normat janë dukshëm më të ulëta në vendet evropiane si Franca, Danimarka, Spanja, Zvicra dhe Suedia, ku prevalenca lëviz nga 2 deri në 4 për qind.

    Rritja e mbipeshës dhe plakja e popullsisë pritet të rrisin më tej numrin e të sëmurëve me diabet në vitet e ardhshme.

    Studimi vë në pah edhe një problem tjetër serioz: mungesën e qasjes në trajtim. Ndërsa shumë vende me të ardhura të larta kanë shënuar përmirësime, mbi 55 për qind e të rriturve të trajtuar në vitin 2022 nuk përfaqësojnë përmirësim global. Në vendet me të ardhura të ulëta, situata mbetet e vështirë.

    Si pasojë, më shumë se gjysma e të rriturve me diabet – 445 milionë persona (59 për qind), mbi moshën 30 vjeç – nuk morën asnjë trajtim në vitin 2022.

  • Dita Botërore e Diabetit, 15 mijë pacientë trajtohen çdo vit në QKUK

    Dita Botërore e Diabetit, 15 mijë pacientë trajtohen çdo vit në QKUK

    15 mijë pacientë me diabet trajtohen çdo vit në Klinikë e Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), raporton Ekonomia Online.

    Kështu u tha nga Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Emini-Sadiku, gjatë shënimit të Ditës Botërore të Diabetit.

    Emini-Sadiku, theksoi se diabeti mbetet një sëmundje kronike shumë e përhapur dhe se prek persona të të gjitha moshave, duke filluar nga të porsalindurit e deri te të moshuarit.

    Ajo ka treguar se Klinika e Endokrinologjisë ofron kujdestari 24-orëshe dhe gjatë vitit hospitalizon 800 deri në 900 pacientë. Ajo bëri të ditur se prevalenca e diabetit melitus në Kosovë është 7.9 për qind, ndërsa në baza vjetore trajtohen rreth 15 mijë pacientë, me një kapacitet prej 32 mijë shtretër.

    “Diabeti është i shpërndarë gjithandej duke filluar nga të porsalindurit deri tek moshat e shtyra. Sëmundja e diabetit është një sëmundje kronike shumë e përhapur. Diabeti në botë po rritet për shkak të shtimit të obezitetit, për shkak të jetës së pashëndetshme dhe stresit. Ne në klinikën tonë funksionojmë në dy reparte: Reparti i Diabetologjisë dhe Reparti i Endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike. Në klinikë organizohen dhe mbahen kujdestaritë 24 orë përafërsisht hospitalizohen prej 800- 900 pacientë. Prevalenca e diabetit melit në Kosovë është 7.9%. Diku rreth 15 mijë pacient i kemi brenda vitit i kemi 32 mijë shtretër. Kemi numrin shumë të vogël të të vdekurve pavarësisht komplikimeve të mëdha. Ajo se çfarë është shqetësuese është problemet me sëmundjet kardiovaskulare. Mosha që më së shumti që vijnë janë prej moshës 16 vjeç të prekur me diabet. Sot na ka ardh një donacion për gleukometër”, tha ajo.

    Ndërkohë tha se Repartit të Endokrinologjisë tha se sa i përket terapisë me insulinë, pacientët janë të furnizuar mjaftueshëm dhe nuk përballen me mungesa. Megjithatë, ai theksoi se sfidë mbetet furnizimi me disa barna.

  • Një çift shqiptar gjenden të vrarë në një banesë në Brest të Francës

    Një çift shqiptar gjenden të vrarë në një banesë në Brest të Francës

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Brest në Francë, ku të enjten një çift u gjet i pajetë në banesën e tyre, sipas raportimeve të mediave franceze.

    Alarmi u dha rreth orës 16:30, kur një banor i lagjes Europe njoftoi policinë se kishte dëgjuar dy të shtëna arme në adresën 101 Rue Général-Paulet.

    Pasi mbërritën në vendngjarje, forcat e rendit gjetën trupat e çiftit shqiptar Andon Janaqi, 36 vjeç dhe Anjeza Zeneli, 30 vjeç, si edhe një pushkë gjahu pranë tyre.

    Sipas raportimeve, hetuesit po e shqyrtojnë ngjarjen si një vrasje të gruas, e ndjekur nga vetëvrasja e të dyshuarit.

    Çifti ishte prindër i dy fëmijëve. Njëri prej tyre nuk ishte kthyer ende në shtëpi pas të shtënave, ndërsa fëmija më i vogël ndodhej në shkollë në momentin kur ndodhi tragjedia.

  • ​Hetimet për atentatin në Rinas, zbulohet arsenal armësh në Fushë-Krujë

    ​Hetimet për atentatin në Rinas, zbulohet arsenal armësh në Fushë-Krujë

    Një arsenal armësh dhe lëndësh plasëse u zbulua sot në një banesë në fshatin Zall, Fushë-Krujë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Tracking”.

    Gjatë kontrolleve, policia njoftoi se “u gjetën në këtë banesë: 3 kallëpe tritol; 12 granata dore sulmuese; sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina); 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë; 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh; 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 2 kg e 25 gramë kanabis”.

    Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, sipas policisë është shpallur në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç.

    Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit.

    Operacioni “Tracking”, është ende në vijim në Krujë dhe po kryhet në kuadër hetimeve për zbardhjen e atentatit në rrethrrotullimin e Rinasit dy ditë më parë, shkruan ATSh.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

  • Era e duhanit nuk del lehtë nga shtëpia: Kur përthithet në mure, ky truk funksionon gjithmonë

    Era e duhanit nuk del lehtë nga shtëpia: Kur përthithet në mure, ky truk funksionon gjithmonë

    Edhe aroma më ngulfuese e tymit zhduket me këtë metodë të thjeshtë, pa bojë, pa rinovim dhe pa pajisje, mjafton një pastrim i saktë dhe disa neutralizues natyralë

    Një nga aromat më kokëforta në çdo shtëpi është era e tymit të duhanit. Dhe nuk ka rëndësi nëse ju pini apo jo, mjafton që disa mysafirë të ndezin cigare në një hapësirë të mbyllur dhe e gjithë dhoma do të marrë atë aromë të rëndë e të ndenjur, e cila futet në pëlhura, perde, qilim, madje edhe në mure. Dimrit është edhe më keq, sepse takimet zhvendosen në ambiente të brendshme, ndërsa dritaret qëndrojnë të mbyllura.

    Fatmirësisht, ekziston një truk i thjeshtë që e zgjidh shpejt këtë problem dhe nuk kërkon pajisje të veçanta apo rinovim.

    Bloggerja britanike Sophie Hinchliffe shpesh ndan këshilla për mirëmbajtjen e shtëpisë, por një truk i vjetër nga komuniteti i saj është bërë hit i vërtetë. Një grua ishte ankuar se shtëpia ku ishte sapo shpërngulur ishte plot me erë duhani të mbetur nga pronarët e mëparshëm. Njerëzit i kishin sugjeruar gjithçka, nga lyera e mureve deri te rinovimi i plotë, por asgjë prej këtyre nuk ofronte zgjidhje të shpejtë.

    Nga moria e propozimeve u veçua më i thjeshti: i ashtuquajturi sapun me sheqer për pastrim të mureve. Ky produkt heq shtresën e nikotinës që është grumbulluar për vite të tëra nëpër sipërfaqe dhe jep rezultat menjëherë. Rekomandohet që nga dhoma të hiqen tekstilet, perdet, jastëkët, batanijet dhe qilimat, sepse pikërisht këto e përthithin më shpejt erën. Vetëm pas kësaj ia vlen të pastrohen muret dhe të gjitha sipërfaqet e sheshta, transmeton Telegrafi.

    Janë shfaqur edhe sugjerime të tjera, si bojërat që bllokojnë aromat ose lënia e enëve me qepë të copëtuar në çdo dhomë për të “thithur” aromat e pakëndshme. Por shumica e këtyre trukeve kërkojnë kohë dhe nuk janë as të këndshme, as praktike.

    Për situata kur ju duhet një zgjidhje e shpejtë, rezultatin më të mirë e japin tre gjëra: enët me qymyr aktiv, tasat me uthull dhe disa pika vaj esencial në ujë të ngrohtë. Të treja neutralizojnë erën, në vend që ta mbulojnë, dhe veprojnë brenda gjysmë ore. Në kombinim me një ajrosje të shkurtër, dhoma merr një aromë të pastër e të thatë, edhe pse pak më parë ka qenë plot mysafirë që kanë tymosur.

    Nëse mysafirët që pinë duhan vijnë shpesh, përgatitini këta neutralizues paraprakisht dhe vendosini aty ku qarkullon më shumë ajri. Mobiliet do t’ju jenë mirënjohëse, dhe shtëpia do të mbetet pa atë aromën e rëndë e të tymosur, që të bezdis më së shumti kur të gjithë largohen dhe hapësira mbetet e qetë.

  • Bosch: Nëse ka proces të drejtë, ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm

    Bosch: Nëse ka proces të drejtë, ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm

    Ish-ambasadori holandez, Robert Bosch, ka zhvilluar një vizitë në një kolegj në Kosovë, ku në fjalimin e tij u përqendrua kryesisht tek procesi gjyqësor në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte.

    Bosch fillimisht u shpreh tejet kritik për mënyrën se si e kishte shkruar raportin për trafikim organesh ish-senatori zviceran, Dick Marty.

    “E mbaj mend se kam qenë jashtëzakonisht i irrituar kur u mbështet raporti i Dick Martyt, sepse në vlerësimin tim ai përmban shumë mangësi. Për këtë çështje kam pasur polemika edhe me zyrtarë të tjerë evropianë dhe jam habitur kur ata e mbështetën raportin e Martyt, në të cilin pretendohet se ka pasur trafikim organesh të kryera nga udhëheqës të UÇK-së”, ka thënë Bosch.

    Ish-ambasadori holandez beson se ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm në fund të procesit.

    “UNMIK-u dhe EULEX-i kanë pasur mandat të plotë për hetimin e krimeve të luftës, prandaj lind pyetja pse ishte e nevojshme krijimi i një Gjykate tjetër. Fatkeqësisht, presioni ndërkombëtar mbi Kosovën për themelimin e Gjykatës Speciale ishte shumë i madh. Është me të vërtetë e veçantë që Thaçi dhe të tjerët u dorëzuan vullnetarisht në Hagë, dhe kjo duhet të vlerësohet. Nëse zhvillohet një proces i drejtë gjyqësor, besoj se këta njerëz do të shpallen të pafajshëm nga kjo Gjykatë”, tha ai.

  • Dyshimet për parregullsi me fletëvotime në Mitrovicë të Jugut, raporti i Komisioni të KQZ-së pritet nesër

    Dyshimet për parregullsi me fletëvotime në Mitrovicë të Jugut, raporti i Komisioni të KQZ-së pritet nesër

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sot ka nisur punën Komisioni i themeluar nga KQZ për të vlerësuar fletëvotimet në Mitrovicë të Jugut dhe në Gjakovë, për të cilat janë raportuar parregullsi.

    Sipas KQZ-së, ky komision do të përgatis një raport deri me datën 14 nëntor.

    “Ndërkaq, për komunat tjera ky vlerësim do të bëhet sipas mostrës së caktuar dhe raporti do të finalizohet deri në fund të javës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    KQZ njofton se puna e këtij komisioni do të jetë në funksion edhe të përgjigjes së kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me një ankesë të parashtruar për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, por njëkohësisht edhe të sqarimit të mëtejshëm të situatës së krijuar.

  • Ja si të ulni faturat e energjisë elektrike: Fikni këto pajisje

    Ja si të ulni faturat e energjisë elektrike: Fikni këto pajisje

    Shumë pajisje shtëpiake konsumojnë energji elektrike edhe kur janë “të fikura” (të ashtuquajturit vampirë energjie ), të cilët mund të përbëjnë deri në 23% të konsumit total të energjisë në familje. Shkëputja e tyre plotësisht nga priza kursen para, rrit sigurinë dhe zgjat jetëgjatësinë e pajisjeve.

    Pajisjet më të rëndësishme të mbylljes:

    Ngrohësit – edhe ngrohësit dixhitalë konsumojnë energji në prizë; mos i lidhni kurrë me kabllo zgjatuese.

    Tharëset e flokëve dhe hekurat kaçurrela – mund të jenë të rrezikshme pranë ujit; shkëputini nga priza.

    Televizorët – konsumojnë 2–50 W në modalitetin standby; veçanërisht ata në dhoma që përdoren rrallë.

    Ngrohësit e peshqirëve – mund të konsumojnë deri në 140 W dhe paraqesin rrezik zjarri.

    Konsolat e lojërave dhe televizorët – madje edhe në modalitetin “gjumë” – konsumojnë energji; aplikacionet e televizorëve inteligjentë mund të zvogëlojnë nevojën për televizorë shtesë.

    Pajisjet e zyrës në shtëpi – printerë, skanerë, grirës letre; fikini kur nuk janë në përdorim.

    Pajisjet e kuzhinës me ekran ose kohëmatës – mikrovalët, aparatet e kafesë dhe furrat konsumojnë vazhdimisht energji për shkak të ekranit dixhital.

    Kompjuterët dhe laptopët – në modalitetin “gjumë”, ata konsumojnë 1–49 W në ditë; fikja e tyre natën kursen energji dhe “rifreskon” kujtesën.

    Shtypja e butonit të ndezjes shpesh nuk është e mjaftueshme. Zgjidhja më e sigurt dhe më ekonomike është të shkëputni plotësisht pajisjet nga priza kur ato nuk janë në përdorim.

  • Roboti rus me inteligjencë artificiale rrëzohet në skenë pak sekonda pasi u prezantua

    Roboti rus me inteligjencë artificiale rrëzohet në skenë pak sekonda pasi u prezantua

    Roboti i parë humanoid me Al i Rusisë ra në skenë gjatë debutimit të tij zyrtar në një ngjarje teknologjike në Moskë, duke bërë që stafi ta mbulonte makinën nga sytë e publikut, ndërsa përpiqej të rregullonte mosfunksionimin.

    Roboti, i quajtur AIdol, u prezantua nga zhvilluesit si një shembull i përparuar i robotikës.

    Ndërsa roboti po drejtohej në skenë nga dy anëtarë të stafit drejt kolonës zanore të filmit Rocky, ai humbi ekuilibrin dhe ra, duke lënë disa pjesë pas në skenë.

    Pamjet video të incidentit, të shpërndara nga media të pavarura ruse, tregojnë stafin që nxiton ta fshehë robotin pas një ekrani ndërsa po tërhiqej nga dyshemeja.

    Rënia iu atribuua problemeve me kalibrimin dhe kompania pohon se incidenti ndodhi gjatë fazës së vazhdueshme të testimit të robotit. /Telegrafi/

     

     

  • Kamberi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve është sistematik dhe i organizuar

    Kamberi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve është sistematik dhe i organizuar

    Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë, nga Lugina e Preshevës, ka thënë se diskriminimi ndaj shqiptarëve nuk është i rastësishëm dhe as procedural, por sistematik dhe i organizuar.

    Një reagim i tij përmes rrjetit social ‘Facebook’ vjen si rrjedhojë e deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, Besnik Bislimi, lidhur me bllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke shtuar se kjo vetëm sa e konfirmon publikisht atë që Kamberi prej vitesh e ka denoncuar në Kuvendin e Serbisë.

    “Fakti që 3,650 nxënës shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë tashmë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pagesa përkatëse është refuzuar tri herë me një kod pa arsye të specifikuar, tregon më së miri shkallën e arbitraritetit administrativ me të cilin shqiptarët trajtohen në këtë shtet. Ky nuk është gabim bankar, por një metodë e qëllimshme për të bllokuar mbështetjen për komunitetin tonë. E njëjta logjikë e pengesave e pamë edhe me anulimin e vendimit për subvencionet bujqësore, edhe me vonesat e vazhdueshme për funksionimin e institucioneve tona përfaqësuese”, ka shkruar Kamberi.

    Sipas tij, njoftimi i sotëm i Bislimit ka rëndësi të madhe politike, sepse, shtoi Kamberi, çështja e mjeteve zhvendoset nga plani teknik në planin ndërkombëtar dhe e vë këtë çështje në radar të Bashkimit Evropian dhe të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen.

    “Institucionet serbe duhet ta kuptojnë se nuk mund të promovojnë ‘dialog’ në Bruksel ndërkohë që përdorin administratën për të sabotuar të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ne do ta vazhdojmë betejën tonë politike dhe institucionale që çdo fëmijë, çdo familje dhe çdo qytetar i Luginës të trajtohet me dinjitet dhe barazi, sipas standardeve që Serbia pretendon se i respekton”, thuhet në fund të postimit.

    LEXONI EDHE:

    Bislimi takon Sorensenin, thotë se e njoftoi atë për bllokimin e fondeve nga Serbia për shqiptarët e Luginës