ATV

Author: G.O.

  • Gjoshi: Nuk pajtohem me dorëheqjen e Memli Krasniqit, por natyrisht se e respektoj

    Gjoshi: Nuk pajtohem me dorëheqjen e Memli Krasniqit, por natyrisht se e respektoj

    Sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se nuk pajtohet me dorëheqjen e Memli Krasniqit, nga pozita e kryetarit të këtij subjekti politik.

    Në një postim në Facebook, ai ka thënë se respekton vendimin e Krasniqit duke e ditur moralin e lartë të tij politik, duke u shprehur se Memli Krasniqi nuk do të duhej të tërhiqej pasi e ka ngritur PDK-në.

    “Kjo nuk është një dorëheqje me të cilën pajtohem, por natyrisht se e respektoj! E respektoj duke e ditur moralin e lartë politik dhe lidershipin që përfaqëson, Memli Krasniqi, me të cilin jam rritur në Partinë Demokratike të Kosovës”.

    “Kjo është një dorëheqje që s’do të duhej të vinte sepse nga këto Zgjedhje Lokale, PDK është renditur partia e parë me votë në nivelin nacional. Po ashtu, Memli Krasniqi nuk do të duhej të dorëhiqej sepse prej ditës së parë kur ai mori drejtimin e partisë, PDK ka shënuar rritje në çdo proces zgjedhor”, ka thënë Gjoshi.

    I njëjti shtoi se dorëheqja e sotme është shenjë e karakterit të fortë politik, që tregon se lidershipi matet me përgjegjësi e jo me pushtet.

  • Bedri Hamza falënderon Memli Krasniqin për kontributin në krye të PDK-së

    Bedri Hamza falënderon Memli Krasniqin për kontributin në krye të PDK-së

    Ish-ministri dhe anëtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka shprehur mirënjohje për Memli Krasniqin, pas përfundimit të mandatit të tij në krye të partisë.

    Në një postim në rrjete sociale, Hamza ka vlerësuar kontributin e Krasniqit gjatë periudhës së udhëheqjes me PDK-në, duke theksuar integritetin dhe përkushtimin e tij.

    “Nuk gjej fjalë për ta falënderuar mikun tim, Memli Krasniqin, për kontributin e madh që ka dhënë në udhëheqjen e PDK-së. Me integritet, vendosmëri dhe përkushtim ndaj vlerave të përbashkëta, ai e drejtoi partinë në periudhat më të vështira”, ka shkruar Hamza.

    Ai ka shprehur respekt për bashkëpunimin e deritashëm dhe ka theksuar rëndësinë e unitetit në parti.

    “Sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të qëndrojmë të bashkuar, të përkushtuar dhe të vendosur përballë sfidave që na presin. Bashkimi, besimi dhe përkushtimi ynë i përbashkët janë forca më e madhe e PDK-së dhe garancia e suksesit tonë”, ka shtuar ai.

  • Pas dorëheqjes, Memli Krasniqi rikthen frazën e famshme të Hashim Thaçit: “Kjo nuk është lamtumirë, kjo është vetëm mirëupafshim”

    Pas dorëheqjes, Memli Krasniqi rikthen frazën e famshme të Hashim Thaçit: “Kjo nuk është lamtumirë, kjo është vetëm mirëupafshim”

    Pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka rikthyer një nga frazat më të njohura të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke thënë:

    “Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirëupafshim.”

    Krasniqi dha dorëheqje gjatë mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, e cila u mbajt sot nga ora 15:00.

    Ai kishte marrë drejtimin e partisë më 3 korrik 2021, duke u zgjedhur me 469 vota për dhe vetëm 7 kundër.

    Në zgjedhjet lokale të fundit, PDK-ja ka fituar gjashtë komuna – Prizrenin, Ferizajn, Skenderajn, Vushtrrinë, Kaçanikun dhe Hanin e Elezit – ndërsa ka humbur Drenasin dhe Mitrovicën.

  • Ministrat e Jashtëm të G7-s mblidhen në Kanada, në fokus lufta në Ukrainë dhe siguria globale

    Ministrat e Jashtëm të G7-s mblidhen në Kanada, në fokus lufta në Ukrainë dhe siguria globale

    Ministrat e Jashtëm të G7-s u mblodhën në Kanada, më 11-12 nëntor 2025, ku kanë diskutuar mbi sigurinë globale.

    Bisedimet janë mbizotëruar nga lufta përshkallëzuese e Rusisë në Ukrainë, iniciativat e ngrira të paqes të udhëhequra nga SHBA-ja dhe fërkimet në rritje të tregtisë brenda aleancës.

    Mbledhja vjen teksa G7 përballet me një sfidë të dyfishtë: mbajtja e një fronti të bashkuar kundër agresionit rus duke shkuar drejt ndarjes mbi politikat tregtare të SHBA-së dhe kërkesat e shpenzimeve të mbrojtjes.

    Samiti u hap mes diskutimeve të luftës në Ukrainë, ku shumica e anëtarëve të G7-s kanë adoptuar një linjë më të ashpër për Rusinë sesa presidenti amerikan Donald Trump, i cili u ka dhënë përparësi në propozimet e tij.

    Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul deklaroi para takimit se Rusia “vazhdimi i luftës së agresionit kundër Ukrainës” sfidon lirinë dhe sigurinë globale, duke kërkuar një front të bashkuar të G7-s.

    Aleatët evropianë janë veçanërisht të shqetësuar për pasigurinë mbi përpjekjet e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës, si dhe një plan të veçantë armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja në Gazë që raportohet se po shkatërrohet.

    Ministri i Jashtëm gjerman theksoi se vendi i tij po ofron një shtesë prej 40 milion euro për të ndihmuar Ukrainën të durojë një dimër tjetër, konkretisht për të luftuar Rusinë “sulmet e synuara të terrorit ndaj gazit civil dhe furnizimit me nxehtësi”.

    Kjo mbështetje financiare përkthehet drejtpërdrejt në rezistencë të prekshme, duke ndihmuar Kyiv të ruajë moralin civil dhe stabilitetin e infrastrukturës — një qëllim strategjik për të parandaluar Rusinë të prishë frymën e vendit.

    Bisedimet u shënuan gjithashtu nga marrëdhëniet e tendosura mbi politikën tregtare të SHBA, vendosja e tarifave të presidentit Trump për importet kanadeze ka krijuar fërkime me kombin pritës. Ky presion ekonomik shoqërohet me kërkesën e Trump që partnerët e NATO-s, përfshirë të gjithë anëtarët e G7 përveç Japonisë, shpenzojnë 5% të PBB-së së tyre për mbrojtje.

  • Dogana e Kosovës zbulon tri raste të mallrave të padeklaruara në Vermicë

    Dogana e Kosovës zbulon tri raste të mallrave të padeklaruara në Vermicë

    Gjatë kontrolleve të zhvilluara ditët e fundit në Pikëkalimin Kufitar Vermicë, zyrtarët doganorë në bashkëpunim me Policinë Kufitare kanë zbuluar tri raste të mallrave të padeklaruara nga udhëtarë që hynin në Kosovë.

    Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës: Në rastin e parë janë gjetur 327 copë folje mbrojtëse për telefona, të fshehura në bagazh dhe në gomë rezervë, në rastin e dytë janë zbuluar produkte ushqimore dhe vitamina për kafshë pa fatura përkatëse dhe në rastin e tretë janë gjetur kamera dhe mbajtëse statike për kamera të padeklaruara.

    Në të gjitha rastet, mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe janë iniciuar procedurat për kundërvajtje doganore, në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK).

    Dogana e Kosovës apelon tek qytetarët që të deklarojnë mallrat e tyre gjatë kalimit të kufirit, për të shmangur ndëshkimet ligjore.

  • Gjethet po thahen dhe bien? Ja si ta shpëtoni bimën para se të jetë vonë

    Gjethet po thahen dhe bien? Ja si ta shpëtoni bimën para se të jetë vonë

    Nëse mendoni se bima juaj po i than gjethet “pa arsye”, gaboheni. Gjethet janë mënyra e saj për t’ju treguar se diçka nuk është në rregull

    Kur fillojnë të zverdhen, të bien ose të nxihen në skaje, kjo nuk është fundi, është sinjal paralajmërues. Lajmi i mirë? Shumica e bimëve mund të rikuperohen, nëse reagoni me kohë dhe bëni disa ndryshime të thjeshta në kujdes.

    Gjethet – gjuha e bimës

    Bimët komunikojnë përmes ndryshimeve në gjethe. Nëse zbehen, thahen apo kanë skaje të errëta, kjo tregon se diçka ka dalë nga ekuilibri: mund të jetë tepricë uji, mungesë drite, ajër shumë i thatë apo pleh i tepërt. Kur mësoni t’i lexoni këto shenja, do të mund të parandaloni dëmtimin para se të jetë vonë.

    1. Kontrolloni rrënjët – aty fillon gjithçka

    Rrënja është zemra e çdo bime. Nxirreni me kujdes nga vazoja dhe shikoni gjendjen e saj. Nëse rrënjët janë të errëta dhe të buta, bima po kalbet. Pritni pjesët e dëmtuara me gërshërë të sterilizuara dhe mbilleni në dhe të thatë e ajrosur.

    Nëse rrënjët janë të thata dhe të brishta, bima ka etje. Zhytni vazon në ujë të vakët për 15 minuta, pastaj lëreni të kullojë. Kjo ndërhyrje e parë shpesh bën diferencën mes një bime që ringjallet dhe asaj që humbet përgjithmonë, transmeton Telegrafi.

    2. Ujitja – më pak është më shumë

    Gabimi më i madh që bëjnë adhuruesit e bimëve është ujitja e tepërt. Shumica e bimëve të shtëpisë nuk vdesin nga thatësira, por nga uji i tepërt. Prandaj, gjithmonë kontrolloni tokën me gisht, nëse 2 centimetrat e sipërm janë të thatë, është koha për të ujitur. Përdorni ujë në temperaturë ambienti dhe mos lini kurrë tepricë në substrat. Rrënjëve nuk u pëlqen të “qëndrojnë në ujë”.

    3. Drita dhe nxehtësia – vrasësit e padukshëm të gjetheve

    Bimët duan stabilitet. Nëse gjethet zgjaten drejt dritares, mungon drita. Nëse skajet thahen e bëhen kafe, ndoshta janë shumë afër ngrohësit. Vendi ideal është një deri në dy metra larg dritares së kthyer nga lindja ose perëndimi, ku ka dritë të butë e të shpërndarë, por jo diell të drejtpërdrejtë.

    4. Lagështia e ajrit – ndryshim i vogël, efekt i madh

    Gjatë sezonit të ngrohjes, ajri në shtëpi bëhet shumë i thatë dhe kjo shkakton tharje të gjetheve. Vendosni një enë me ujë pranë bimës ose grupojini disa bashkë për të krijuar një mikroklimë. Edhe më mirë, spërkatini herë pas here me ujë të butë dhe të qëndrueshëm. Kjo jo vetëm që i freskon, por edhe ul stresin që vjen nga thatësia e ajrit.

    5. Plehërimi me masë

    Nëse gjethet zverdhen dhe bima nuk rritet, mund të ketë mungesë të lëndëve ushqyese. Në stinën e rritjes (pranverë dhe verë) përdorni pleh të lëngshëm të lehtë çdo dy deri në tre javë. Por kini kujdes – nëse në sipërfaqen e tokës shfaqen shtresa të bardha kripe, kjo do të thotë se toka është mbingopur. Në këtë rast, shpëlani rrënjët me ujë dhe zëvendësoni pjesërisht dheun para se të plehëroni sërish.

    Kur do t’i shihni rezultatet?

    Nëse keni reaguar si duhet, pas disa javësh do të vini re fidane të rinj dhe gjethe më me shkëlqim – shenjë që bima po ringjallet. Nuk keni pse të jeni ekspert për ta shpëtuar një bimë, mjafton ta vëzhgoni, ta kuptoni dhe t’i jepni vëmendje, jo perfeksion. Në këmbim, ajo ju fal diçka që nuk blihet: qetësi, jetë dhe ndjesinë e ekuilibrit në hapësirën tuaj. /Telegrafi/

  • Përfundon dëshminë Christopher Hill: Ishte përvojë e veçantë

    Përfundon dëshminë Christopher Hill: Ishte përvojë e veçantë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë e tij ish-diplomati amerikan Christopher Hill, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Hill tha se ishte një përvojë e veçantë pjesëmarrja e tij në këtë proces gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Ishte një përvojë e veçantë doja të them”, tha Hill.

    Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha dëshmitarit se shpreson që kjo të mos jetë një përvojë e keqe.

    “Shpresoj të mos ketë qenë një përvojë e keqe”, tha Smith III.

    Ndërsa, Hill ia ktheu duke i thënë se “Kam pasur përvoja edhe më të këqija”.

    Gjatë fundit të dëshmisë, për dëshmitarin pati disa pyetje edhe avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon. Për klientin e Dixon, dëshmitari tha se nuk e ka parë dhe nuk e di se ku ka qëndruar.

    Seanca pritet të vazhdojë pas pushimit me dëshminë e dëshmitarit të radhës.

  • Lladrovci përkrah protestën në Strasburg: E vërteta jonë lë të jetë e dukshme dhe e zëshme

    Lladrovci përkrah protestën në Strasburg: E vërteta jonë lë të jetë e dukshme dhe e zëshme

    Protesta e ftuar nga OVL-UÇK ndaj gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së ka marrë përkrahje edhe nga Ramiz Lladrovci.

    Ai tha se “e vërteta jonë lë të jetë e dukshme dhe e zëshme në Strasburg, lë të jetë zë për drejtësinë ndërkombëtare”.

    Postimi i plotë i tij, në përkrahje të protestës:

    Protesta e ftuar nga OVL-UÇK më 16 nëntor në Strasburg, kundër padrejtësisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është protestë edhe ndaj padrejtësisë që po i bëhet Kosovës, qytetarëve të saj dhe vet lirisë tonë.

    Unë i bashkohem protestës, njëherësh ftoj të gjithë atdhetarët që kanë mundësi, më 16 nëntor të jenë të pranishëm në Strasburg, në mënyrë simbolike të përcjellim mesazhin tonë se qëndrojmë fort pranë liderëve tanë të luftës dhe paqes, me Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhën dhe të tjerët.

    Liria ishte motivi madhor i veprës së tyre. Çlirimi ishte rrugë e vetme për të arritur te liria, ishte rrugë të cilën e ndoqëm me aleatët, në pajtim me normat ndërkombëtare, andaj, akuzat janë pjesë e skenarit serbo-rus dhe nuk mund të jenë argument i përndjekjes për liderët tanë.

    Shihemi në Strasburg, për të dëshmuar se liderët tanë të luftës dhe paqes, kurrë nuk janë vetëm. E vërteta jonë lë të jetë e dukshme dhe e zëshme në Strasburg, lë të jetë zë për drejtësinë ndërkombëtare. UÇK ishte shpirti i një populli, krenari e një kombi!

  • Luana Vjollca befasohet sërish, apartamenti i saj ‘pushtohet’ nga buqetat me trëndafila të kuq

    Luana Vjollca befasohet sërish, apartamenti i saj ‘pushtohet’ nga buqetat me trëndafila të kuq

    Moderatorja e njohur shqiptare, Luana Vjollca, sot (e mërkurë) ka përjetuar një tjetër mëngjes plot surpriza.

    Siç duket, buqetat me lule janë kthyer në një traditë për të, pasi edhe këtë herë shtëpia e saj është mbushur plot me trëndafila të kuq.

    Në një video të publikuar në InstaStory, Luana shfaqet e përgatitur për t’u nisur drejt punës, por përballet me një ‘pengesë’ të pazakontë – korridori i apartamentit ishte mbushur i gjithi me buqeta të shumta lulesh.

    Moderatorja tregon me humor se nuk kishte as ku të hidhte hapin për të kaluar.

    Me tone shakaje, ajo iu drejtua dërguesit misterioz duke pyetur: “Si e keni menduar këtë?”, pasi sasia e madhe e trëndafilave i kishte bllokuar rrugën.

    Ende nuk dihet kush është personi që i ka dërguar dhuratat këtë herë, duke e lënë publikun sërish në kureshtje.

    Kujtojmë se pak javë më parë, moderatorja u surprizua për ditëlindje me mijëra trëndafila dhe petale, një pamje që bëri xhiron e rrjeteve sociale. /Telegrafi/

  • E rëndë në Durrës: I riu godet për vdekje 52-vjeçarin pasi ia ofendoi vëllanë e sëmurë

    E rëndë në Durrës: I riu godet për vdekje 52-vjeçarin pasi ia ofendoi vëllanë e sëmurë

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arapaj të Durrësit, pak ditë më parë, ku një përplasje e momentit mes dy personave ka përfunduar me vdekje.

    Policia ka ndaluar shtetasin L. Ç., i cili akuzohet për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen.”

    Sipas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, i riu dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grusht 52-vjeçarin Saimir Fetahu. Si pasojë e goditjes, ky i fundit ka rënë me kokë në tokë, duke marrë dëmtime të rënda. Nga hetimet rezulton se ka qenë një konflikt për motive të dobëta që ka sjellë pasojën e rëndë. Viktima dyshohet se në gjendje të dehur kishte ngacmuar me fjalë vëllain e sëmurë të autorit të dyshuar. Me ta marrë vesh, ai ka shkuar të sqarohet dhe e ka goditur me grusht.