ATV

Author: G.O.

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit, zyrtari i DASh-it po qëndron në Kosovë, shkon për vizitë në KQZ

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit, zyrtari i DASh-it po qëndron në Kosovë, shkon për vizitë në KQZ

    Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ditën e sotme ka pritur në takim, Lyn Debevoise, i cili është zëvendësdrejtor për Çështjet e Europës Qendrore Perëndimore në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në njoftimin e KQZ’së, thuhet se Radoniqi, ka njoftuar Debevoise, për përgatitjet që janë duke u bërë lidhur me organizimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Njoftimi:

    Sot, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, priti në takim z. Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtor për Çështjet e Europës Qëndrore Perëndimore në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Gjatë këtij takimi, kryesuesi Radoniqi e njoftoi z. Debevoise për përgatitjet që KQZ është duke i zhvilluar në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Radoniqi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe proceseve demokratike në vendin tonë.

  • Lituania shpall gjendje të jashtëzakonshme: Balonat kontrabandiste nga Bjellorusia paralizojnë trafikun ajror

    Lituania shpall gjendje të jashtëzakonshme: Balonat kontrabandiste nga Bjellorusia paralizojnë trafikun ajror

    Lituania ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme të martën dhe i ka kërkuar parlamentit të autorizojë mbështetjen ushtarake për policinë dhe rojet kufitare, pasi një valë balonash kontrabandistësh nga Bjellorusia ndërpreu vazhdimisht trafikun ajror në muajt e fundit.

    Aeroporti i Vilniusit është mbyllur disa herë për shkak të balonave meteorologjikë, të cilat Lituania thotë se dërgohen nga kontrabandistë që transportojnë cigare dhe përbëjnë një “sulm hibrid” nga Bjellorusia, një aleat i ngushtë i Rusisë.

    “Gjendja e jashtëzakonshme shpallet jo vetëm për shkak të ndërprerjeve të aviacionit civil, por edhe për shkak të interesave të sigurisë kombëtare”, ka thënë ministri i Brendshëm, Vladislav Kondratoviq, në një takim qeveritar të transmetuar drejtpërdrejt të martën.

    Lituania
    Një valë balonash kontrabandistësh nga Bjellorusia ndërpreu vazhdimisht trafikun ajror në muajt e fundit (FOTO: AP)

    Bjellorusia ka mohuar përgjegjësinë për balonat dhe ka akuzuar Lituaninë për provokime, duke përfshirë dërgimin e një droni për të hedhur “material ekstremist”, gjë që Lituania e mohon.

    Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, ka thënë të martën se Lituania po i ekzagjeronte incidentet me balonat kontrabandistë dhe se Minsku zyrtar nuk donte një luftë me fqinjët e saj.

    “Ajo që po thonë lituanezët sot është e pamundur dhe jorealiste”, ka thënë Lukashenko në një fjalim të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Belta.

    “Çështja po ekzagjerohet dhe po politizohet”, ka thënë ai.

  • Aeroplani gjerman devijoi rrugën për në Shkup: AShNA shpjegon pse nuk ateroi në Prishtinë

    Aeroplani gjerman devijoi rrugën për në Shkup: AShNA shpjegon pse nuk ateroi në Prishtinë

    Një aeroplan gjerman ushtarak nuk ka arritur të aterojë sot në Prishtinë, dhe është detyruar të devijojë drejt Shkupit.

    Lajmin e konfirmoi Driton Ujkani nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, i cili tha se kjo ka ndodhur për shkak se ai s’ka pasur personel të certifikuar për aterrim në dukshmëri të ulët.

    Ujkani shtoi se fluturimet e tjera po zhvillohen normalisht.

  • Dafina Zeqiri ndryshon lokacionin e koncertit “Supernova” për shkak të zgjedhjeve

    Dafina Zeqiri ndryshon lokacionin e koncertit “Supernova” për shkak të zgjedhjeve

    Dafina Zeqiri ka njoftuar fansat se koncerti i shumëpritur “Supernova” do të mbahet në një lokacion të ri. Për arsye institucionale, që nuk varen nga organizatorët, salla “1 Tetori” do të përdoret nga autoritetet dhe KQZ për procesin zgjedhor në datat kur ishte planifikuar të zhvillohej eventi.

    Si rezultat, në bashkëpunim me institucionet kompetente, koncerti është zhvendosur në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë (Boro Ramiz) në Prishtinë.

    Në njoftim theksohet se ky ndryshim ruan të njëjtat data, si dhe cilësinë dhe standardin e lartë të prodhimit të planifikuar, duke garantuar një përvojë edhe më të mirë për publikun.

    Organizatorët kanë bërë të ditur se të gjitha biletat mbeten të vlefshme dhe nuk kërkohet asnjë veprim shtesë nga ana e fansave.

    Dafina dhe ekipi i saj kanë falënderuar publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke premtuar një mbrëmje spektakolare që nuk do të harrohet.

  • Nisin përgatitjet për protestën e OVL-UÇK në Shkup

    Nisin përgatitjet për protestën e OVL-UÇK në Shkup

    Kanë nisur përgatitjet për protestën e OVL-UÇK-së në Shkup, përmes së cilës do të kërkohet drejtësi për çlirimtarët.

    Lajmi është bërë i ditur nga një postim i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku u njoftua se sot është zhvilluar një takim me kryetarët e degëve.

    Gjatë takimit u diskutua për përgatitjet përfundimtare të protestës, e cila do të mbahet më 13 dhjetor në sheshin “Skënderbeu”, me fillim nga ora 13:00.

    OVL-UÇK u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen kësaj proteste, e cila është e pesta me radhë në mbështetje të ish-komandantëve të luftës të cilë po mbahen në Hagë tash e disa vjet.

  • Dosja e Prokurorisë për sulmin në Ibër Lepenc: Të akuzuarit vendosën eksploziv, njëri mblodhi edhe informata për Shërbimin Ushtarak të Serbisë

    Dosja e Prokurorisë për sulmin në Ibër Lepenc: Të akuzuarit vendosën eksploziv, njëri mblodhi edhe informata për Shërbimin Ushtarak të Serbisë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë që ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

    Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

    Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.

    E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

    Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

    Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129. par.1 dhe neni 128, par.1, nënpar.1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.

    “Si armë të llojit kallashnikov A-47, një numër të granatave të dorës BRM 75 dhe zolla, 500 fishekë 7.9 mm dhe 363 fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikator të shumtë të armës AK 47 dhe pjesë te tyre, thika për armë të gjata, karikator pushke, mekanizëm për mbushjen e fishekëve të pushkës së gjuetisë MK-16, pushkë gjuetie, thike me këllëf, radiolidhje të shumta për përdorim ushtarak, maska, uniforma te shumta ushtarake të vendeve të ndryshme si ato të Serbisë, Rusisë dhe te shteteve tjera, helmeta dhe gjësende tjera te kundërligjshme”, përshkruhet në aktakuzë.

    Të gjitha këto, thuhet se janë sekuestruar nga Polica në vendin e ngjarjes.

    Me këtë, ata ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penlae “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

    Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

    Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.

    “Në kuadër te dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore të Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut”, përshkruhet tutje në aktakuzë.

    Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Me këto veprime, Prokuroria në aktakuzë vlerëson se tani i akuzuari seriozisht e ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, si dhe ushtarëve te KFOR-it.

    Kështu, ai akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 5 lidhur me par. 4 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

    Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes.

    Me këto veprime, Dimoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

  • Aeroplani ushtarak gjerman s’po mund të aterojë në Prishtinë, devijon rrugën për në Shkup

    Aeroplani ushtarak gjerman s’po mund të aterojë në Prishtinë, devijon rrugën për në Shkup

    Një aeroplan ushtarak gjerman, i cili ishte nisur nga Berlini, nuk po mund të aterojë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

    Gjurmuesi i fluturimeve, “Flightradar24”, tregon se aeroplani i ushtrisë gjermane është nisur në orën 8:40 të mëngjesit.

    Sipas asaj që shihet, fluturakja ushtarake e ka devijuar rrugën për në Shkup.

  • Shmangia e vakteve mund të jetë shkaku i problemeve shëndetësore

    Shmangia e vakteve mund të jetë shkaku i problemeve shëndetësore

    Njerëzit shpesh i lënë vaktet, sepse janë shumë të zënë apo përpiqen të bien në peshë.

    Ka studime që tregojnë se regjimi i ushqimit i bën mirë shëndetit dhe metabolizmit, por disa vrojtime të tjera afatshkurtra kanë dalë në përfundimin se ekziston një lidhje direkt midis lënies së vakteve e shëndetit të keq.

    Një studim botuar në revistën mjekësore “Metabolism”, hedh dritë mbi atë që ndodh nëse njerëzit shmangin ushqimin gjatë ditës dhe kur ulen për të ngrënë, konsumojnë sa për gjithë pjesën tjetër të ditës.

    Studiuesit dolën në përfundimin se kjo mënyrë të ushqyeri ndikonte negativisht në metabolizëm, kur kjo ndodh, rritet me shpejtësi niveli i glukozës dhe vonon çlirimi i insulinës, dukuri që nëse vazhdon për një kohë të gjatë, çon në diabet.

    Ulet niveli i sheqerit në gjak

    Nëse konsumon një vakt, trupi e shpërbën ushqimin. Një pjesë e këtij ushqimi ruhet në formën e dhjamit, ndërsa pjesa tjetër kalon në gjak si sheqer dhe përdoret për të gjeneruar energji gjatë ditës. Kur lihet një vakt, sasia e sheqerit në gjak bie në mënyrë dramatike. Kjo shkakton ndjesinë e lodhjes, si dhe luhatje të insulinës në trup. Nëse lënia e vakteve është kronike, ekziston mundësia që më vonë në jetë të vuash nga diabeti.

    Nuk ushqehesh mjaftueshëm

    Një dietë e pasur me fruta, perime, brumëra dhe mish pa dhjam, jo vetëm ndihmon trupin të funksionojë si duhet, por ndihmon në trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve serioze. Disa sëmundje që mund të trajtohen me ushqyerje të shëndetshme janë ato kardiovaskulare, tromboza dhe disa lloje të kancerit.

    Metabolizmi ndryshon

    Kur ha, metabolizmi yt, që është një nga funksionet e trupit, punon për të shpërbërë ushqimin në pjesë më të vogla. Kur kalon një vakt, ai nuk ka asgjë për të bërë. Por në njëfarë mënyrë, metabolizmi është si muskuli. Duhet ta përdorësh, përndryshe e humbet. Kur nuk punon për të shpërbërë ushqimin, ai ngadalësohet. Më pas, herën tjetër që ha, nuk është në gjendje ta shpërbëjë ushqimin aq shpejt dhe si rezultat, kthehet në dhjam. Që të ruani një peshë të shëndetshme trupore është e rëndësishme të hani rregullisht gjatë ditës.

  • Kida e uron partnerin për ditëlindje: Mirënjohëse që një ditë do të të kem baba të fëmijëve të mi

    Kida e uron partnerin për ditëlindje: Mirënjohëse që një ditë do të të kem baba të fëmijëve të mi

    Këngëtarja e njohur shqiptare, Kida, ka uruar të dashurin e saj për ditëlindjen e 30-të.

    Në postim shkruan: “Sot është ditëlindja e një dhe të vetmit tim. Dashuria ime, të uroj gjithë të mirat në jetë, ti me të vërtetë e meriton botën”.

    Tutje, ajo shton: “Jam mirënjohës që një ditë do të të kem babanë e fëmijëve të mi. Të dua”.

    Urimi i saj ka tërhequr menjëherë vëmendjen e fansave dhe ka marrë shumë pëlqime dhe komente mbështetëse në rrjetet sociale, duke treguar dashurinë dhe lidhjen e fortë mes çiftit.

    Kida vazhdon të jetë aktive në muzikë, por edhe në jetën personale, duke ndarë me ndjekësit momente të veçanta dhe emocionale nga marrëdhënia e saj.

    Postimi i saj tregon se këngëtarja nuk kursen fjalët e ëmbla për partnerin dhe se marrëdhënia e tyre duket e fortë dhe e përkushtuar, me plane për të ardhmen e përbashkët.

    Çifti duket se është në një periudhë të lumtur dhe e përkushtuar, ndërsa ndjekësit presin të shohin edhe më shumë momente të tilla të ndara nga Kida në rrjetet sociale. /Telegrafi/

  • Studimi që po habiti botën! Njerëzit që flasin me veten janë më të suksesshëm?

    Studimi që po habiti botën! Njerëzit që flasin me veten janë më të suksesshëm?

    Një studim i ri ka zbuluar se njerëzit që flasin me veten e tyre me zë kanë më shumë gjasa të jenë të suksesshëm se ata që nuk e bëjnë këtë.

    Sipas profesorit të psikologjisë në Universitetin e Wisconsin, Gary Lupyan, të folurit me veten ndihmon në organizimin e mendimeve, përqendrimin dhe krijimin e qartësisë mendore në situata të ngarkuara.

    “Kur flisni me veten, ju ndihmoni trurin tuaj të strukturojë idetë, të kuptojë më mirë prioritetet dhe të marrë vendime më të qarta”-shpjegon Lupyan.

    Ky zakon, që shpesh shihet si i çuditshëm, në fakt është një mënyrë efektive për të menaxhuar stresin dhe për të ruajtur fokusin, veçanërisht në momente pasigurie apo tensioni.

    Ekspertët theksojnë se edhe të folurit pozitiv me veten ka një ndikim të fortë në motivim dhe vetëbesim. Kur inkurajoni veten me fjalë të mira, efekti është i ngjashëm me marrjen e një fjalimi motivues nga një person tjetër, vetëm se vjen nga ju vetë.

    “Të flasësh me veten është si të bësh një ‘pep talk’ personal”-shtojnë psikologët, duke theksuar se ky proces ndihmon në përballimin e sfidave dhe në arritjen e qëllimeve personale e profesionale.

    Pra, herën tjetër që ndiheni të lodhur, të pasigurt apo të vetmuar, mos u përmbani. Flisni me veten! Mund të jetë sekreti që ju çon drejt suksesit./ TAR