ATV

Author: G.O.

  • Qytetari në Prishtinë gjen portofolin me para dhe ia dorëzon Policisë – i kthehet pronarit

    Qytetari në Prishtinë gjen portofolin me para dhe ia dorëzon Policisë – i kthehet pronarit

    Ditën e djeshme, në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, një qytetar me inicialet S.P ka dorëzuar një portofol të gjetur, brenda të cilit kishte një shumë parash dhe dokumente personale.

    Portofoli është proceduar sipas protokolleve zyrtare dhe më pas i është kthyer pronarit legjitim.

    Policia ka vlerësuar gjestin human të qytetarit, duke shprehur falënderimin për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe korrektësinë që tregojnë qytetarët në raste të tilla.

  • Dy duele të forta ndezin Superligën e Kosovës sonte

    Dy duele të forta ndezin Superligën e Kosovës sonte

    Elita e basketbollit kosovar rikthehet sonte me dy sfidat e para të xhiros së dhjetë, duke sjellë rivalitet dhe emocione të forta në parket.

    Derbi i kësaj xhiro pritet të ndezë atmosferën në Prizren, ku përballen Bashkimi dhe Trepça, nënkampioni dhe kampioni aktual i Kosovës. Portokallezinjtë e Prizrenit kanë bilanc prej shtatë fitoreve dhe dy humbjeve, ndërsa ‘Xehetarët’ nga Mitrovica kanë pesë fitore dhe tri humbje.

    Skuadrat kanë nisur sezonin me formë të shkëlqyer: prizrenasit regjistruan shtatë fitore radhazi para dy humbjeve, ndërsa mitrovicasit po zhvillojnë një edicion mjaft interesant me pesë fitore dhe tri humbje. Për më tepër, të dy ekipet kanë përvojë ndërkombëtare pasi morën pjesë në grupet e FIBA Europe Cup.

    Të mërkurën, Vëllaznimi do të presë Golden Eagle Yllin në një përballje ku kuqezinjtë vijnë pas dy fitoreve radhazi dhe mbajnë një bilanc prej tre fitoreve dhe gjashtë humbjeve, ndërsa therandasit kanë dy fitore dhe shtatë humbje.

    Në ditën e enjte, GO+ Peja do të përballet me Borën, me pejanët që regjistrojnë shtatë fitore dhe dy humbje, ndërsa prishtinasit tri fitore dhe pesë humbje. E një sfidë që premton tension dhe lojë të bukur është ajo ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Rahoveci 029, ku të dy ekipet kanë nga katër fitore dhe pesë humbje.

    Kalendari i xhiros së 10-të: E mërkurë | 18:45 Bashkimi – Trepça, 18:45 Vëllaznimi – Golden Eagle Ylli.

    E enjte | 18:45 GO+ Peja – Bora, 18:45 Sigal Prishtina – Rahoveci 029.

  • Hajdari: Nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës

    Hajdari: Nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës

    Pas dështimit të seancës gjyqësore lidhur me rastin “Rezervat shtetërore”, ka reaguar ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari, e cila është një nga të akuzuarat në këtë proces.

    Ajo ka deklaruar se nuk është paraqitur në seancë për shkak se, sipas saj, nuk ka pranuar asnjë thirrje zyrtare nga Gjykata.

    “Të nderuar qytetarë, për seancën e sotme gjyqësore, lidhur çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës! Në momentin që e pranojë thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore”, ka shkruar Hajdari.

    Seanca e radhës është caktuar më 13 janar, në ora 09:30.

    Kujtojmë se Prokuroria Speciale më 11 nëntor ka ngritur aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit, Arben Lipovicës, Besa Garës dhe Ridvan Muharremit.

    Hajdari, Lipovica dhe Gara ngarkohen me veprat penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Ridvan Muharremi akuzohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

     

  • ​Pse çmimi i argjendit ka arritur një nivel rekord?

    ​Pse çmimi i argjendit ka arritur një nivel rekord?

    Çmimi i argjendit ka arritur një nivel rekord përpara një uljeje të pritur të normës së interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së dhe ndërsa kërkesa nga industria e teknologjisë për metalin e çmuar mbetet e lartë.

    Argjendi kaloi 60 dollarë (45.10 £) për ons në tregun spot, ku metali i çmuar blihet dhe shitet për dorëzim të menjëhershëm, për herë të parë të martën.

    Ari, i cili arriti nivele rekord më parë këtë vit ndërsa shqetësimet u rritën në lidhje me ndikimin e tarifave të SHBA-së dhe perspektivën ekonomike globale, gjithashtu shënoi fitime këtë javë.

    Investitorët kanë tendencë të zhvendosin paratë në metale të çmuara si ari dhe argjendi ndërsa normat e interesit bien dhe dollari amerikan dobësohet.

    Banka qendrore e SHBA-së pritet gjerësisht të ulë normën e saj kryesore të interesit me një të katërtën e një pike përqindjeje të mërkurën, transmeton BBC.

    Kur ulen normat e interesit, tregtarët zakonisht blejnë asete si argjendi sepse përfitimet e mbajtjes së parave të gatshme në bankë ose blerja e obligacioneve afatshkurtra bien, tha Yeow Hee Chua nga Universiteti Teknologjik Nanyang.

    “Kjo natyrshëm e zhvendos kërkesën drejt aseteve të konsideruara si depozita me vlerë, përfshirë argjendin,” tha ai.

    Kalimi në të ashtuquajturat asete “strehë të sigurta” ishte gjithashtu një arsye kryesore që ari arriti nivele të reja rekord në muajt e fundit, pasi kaloi 4,000 dollarë për ons për herë të parë.

    Rritja e argjendit mund të shihet gjithashtu si një “efekt përhapës” nga rritja e vlerës së arit, ndërsa investitorët kërkojnë alternativa më të lira, tha analisti bankar i OCBC, Christopher Wong.

    Ari ka fituar më shumë se 50% këtë vit, pjesërisht për shkak të blerjeve të mëdha nga bankat qendrore. Çmimi i platinit dhe paladiumit është rritur gjithashtu këtë vit.

    Kërkesa tejkalon furnizimin

    Ekspertët thonë se vlera e argjendit u rrit gjithashtu, pasi kërkesa e fortë nga industria e teknologjisë tejkaloi furnizimet.

    Kjo ka ndihmuar në më shumë se dyfishimin e vlerës së argjendit këtë vit, pasi ai i tejkaloi metalet e tjera të çmuara, përfshirë arin.

    “Argjendi nuk është vetëm një aset investimi, por edhe një burim fizik”, dhe më shumë prodhues po gjejnë nevojë për materialin, tha Kosmas Marinakis nga Universiteti i Menaxhimit të Singaporit.

    Metali i çmuar, i cili përçon energjinë elektrike më mirë se ari ose bakri, përdoret për të prodhuar mallra si automjete elektrike (EV) dhe panele diellore.

    Ekspertët parashikojnë se rritja e shitjeve të EV-ve do të rrisë më tej kërkesën për argjend, ndërsa bateritë e përparuara për makinat do të kërkojnë edhe më shumë nga ky metal.

    Por është e vështirë të rriten shpejt furnizimet me argjend, pasi shumica e prodhimit global është një nënprodukt nga minierat që kryesisht nxjerrin metale të tjera si plumbi, bakri ose ari.

    Çmimi i argjendit po rritet gjithashtu nga shqetësimet se SHBA-të mund të vendosin tarifa mbi të si pjesë e politikave tregtare të Presidentit Donald Trump.

    Frika nga tarifat e mundshme ka çuar gjithashtu në grumbullimin e argjendit në SHBA, duke rezultuar në mungesa në vende të tjera të botës.

    SHBA-të importojnë rreth dy të tretat e argjendit të tyre, i cili përdoret për prodhim, si dhe për bizhuteri dhe investime.

    Prodhuesit kanë qenë në garë për të siguruar furnizime për t’u siguruar që operacionet e tyre të mos ndërpriten nga mungesat, gjë që ka ndihmuar në rritjen e çmimeve në tregjet globale, tha Prof Marinakis.

    Ai shtoi se pret që çmimi i argjendit të mbetet i lartë në muajt e ardhshëm.

  • Ndalohet i dyshuari në Podujevë për kontrabandë të kafshëve nga Serbia

    Ndalohet i dyshuari në Podujevë për kontrabandë të kafshëve nga Serbia

    Një rast i kontrabandës me kafshë është zbuluar dje nga Policia e Kosovës në fshatin Dumnicë të Podujevës.

    Sipas Policisë së Kosovës, një person i dyshuar po kalonte kufirin në mënyrë të paautorizuar duke transportuar 21 krerë dele me një qerre.

    Në raport thuhet se, në momentin kur patrulla policore e ka vërejtur, i dyshuari ka tentuar të largohet duke marrë rrugë malore, por kafshët janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejshme.

    “Fsh. Dumnicë, Podujevë 09.12.2025 – 16:00. Është raportuar se një i dyshuar ishte duke kontrabanduar disa kafshë. Në momentin që i dyshuari ka parë policinë ka tentuar të ikë nëpër rrugë malore. Në qerre ishin 21 krerë kafshë (dele) të cilat janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Më tej thuhet se personi i përfshirë është paraqitur më pas në polici, ku pas inicimit të rastit është liruar me vendim të prokurorit. Procedura ndaj tij do të vazhdojë sipas procedurës së rregullt.

  • Publikoi foto me armë në rrjete sociale, Policia ia bastis shtëpinë një burri në Novobërdë

    Publikoi foto me armë në rrjete sociale, Policia ia bastis shtëpinë një burri në Novobërdë

    Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpinë e një burri në Novëbërdë, pasi i njëjti kishte publikuar foto me armë në rrjete sociale.

    Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore, shkruan Reporteri.net.

    “ARMËMBAJTJE PA LEJE – Fsh. Llabjan, Novobërdë 08.12.2025 – 18:20. Në konsultim me prokurorin është bastisur shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar për shkak se i njëjti kishte publikuar në rrjete sociale foto me armë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore. Me vendim të prokurorit rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • Koreja e Jugut me notë proteste pas inkursionit nga Kina dhe Rusia

    Koreja e Jugut me notë proteste pas inkursionit nga Kina dhe Rusia

    Koreja e Jugut tha se ka dorëzuar notë proteste te përfaqësuesit e Kinës dhe Rusisë më 10 dhjetor, një ditë pasi Seuli tha se aeroplanët ushtarakë të këtyre shteteve hynë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore.

    Seuli tha se ankesa iu dorëzua atasheve të mbrojtjes të dy shteteve që gjenden në kryeqytetin e Koresë së Jugut, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Ushtria jonë do të vazhdojë të përgjigjet në mënyrë aktive ndaj aktiviteteve të aeroplanëve të shteteve fqinje brenda KADIZ-it, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha Lee Kwang-suk, drejtor i përgjithshëm i Byrosë të Politikave Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes të Seulit, duke iu referuar Zonës së Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Koresë.

    Koreja e Jugut tha të martën se kishte dislokuar “aeroplanë luftarakë për të ndërmarrë masa taktike në përgatitje të çdo situate” në përgjigje të inkursionit kinez dhe rus në KADIZ.

    Aeroplanët u detektuan para se të hynin në KADIZ, që përshkruhet si një zonë e gjerë ku shtetet monitorojnë avionët e tyre për arsye sigurie, por që nuk përbën hapësirën e tyre ajrore.

    Pekini më vonë konfirmoi se kishte organizuar stërvitje me ushtrinë e Rusisë në përputhje “me planet vjetore të bashkëpunimit”.

    Ndërkaq, Moska i përshkroi si stërvitje rutinë, duke shtuar se ato zgjatën tetë orë dhe disa aeroplanë të huaj luftarakë ndoqën aeroplanët rusë dhe kinezë.

    Që nga viti 2019, Kina dhe Rusia vazhdimisht kanë fluturuar aeroplanët e tyre ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut pa njoftim paraprak, duke thënë se po kryenin stërvitje të përbashkëta.

    Nëntorin e vitit të kaluar, Seuli ngriti në ajër aeroplanët pasi pesë aeroplanë ushtarakë kinezë dhe gjashtë rusë fluturuan përmes zonës së tij të mbrojtjes ajrore.

    Incidente të ngjashme kishin ndodhur edhe në qershor dhe dhjetor të vitit 2023 si dhe në maj dhe nëntor të vitit 2022./REL

  • Shtatë raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve në Polici

    Shtatë raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve në Polici

    Shtatë raste të dhunës në familje raportohen në Polici vetëm brenda 24 orëve, si dhe një raport shtesë për rastin e dhunës po ashtu në familje që ka ndodhur dy ditë më parë në Fushë Kosovë.

    Në secilin nga rastet, viktimat janë gra që janë sulmuar nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët, vëllai e djali.

    Rastet në raportin e Policisë së Kosovës:

    ·         Prishtinë 09.12.2025 – 11:00. Është raportuar se viktima femër kosovare, është shqetësuar  nga ish-bashkëshorti i saj. Sipas ankueses  i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Palët janë intervistuar, të njëjtit pas intervistimit janë liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

    ·         Podujevë 08.12.2025 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ai përmes telefonit kishte kanosur bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    ·         Prishtinë  09.12.2025 – 18:00. Është raportuar se bashkëshorti i viktimës ka shkaktuar dhunë në familje. I dyshuari është intervistuar, ishte nën ndikim të alkoolit dhe me vendim të prokurorit mbahet në ndalim policor deri në këndellje.

    Raport shtesë:

    Fushë Kosovë 08.12.2025 – 17:24. Më 09.12.2025 lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    ·         Gjakovë  08.12.2025 – 22:29. Është raportuar se viktima femër kosovare, ka pësuar dhunë nga ish-burri i  saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    ·         Malishevë 09.12.2025 – 13:00. Është raportuar se viktima femër kosovare, është sulmuar fizikisht nga ish-nusja e djalit të saj. Është intervistuar e dyshuara e cila më pas me vendim të prokurorit është liruar. Rasti vazhdon të trajtohet  në procedurë të rregullt.

    Mitrovicë 09.12.2025 – 15:00. Është raportuar se ankuesja femër kosovare, pas një mosmarrëveshje të çastit, vëllai i saj e ka sulmuar atë fizikisht. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Leposaviq  09.12.2025 – 13:00. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar nga djali i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Trajnerja e njohur Andreja Ojstersek vjen në Kosovë për të udhëhequr kampin për të rinj

    Trajnerja e njohur Andreja Ojstersek vjen në Kosovë për të udhëhequr kampin për të rinj

    Federata e Pingpongut e Kosovës është duke përgatitur një kamp të veçantë, i cili do të zhvillohet nga datat 11-14 dhjetor nën drejtimin e Andreja Ojstersek, trajneres së njohur ndërkombëtarisht posaçërisht për punën e bërë me lojtarin e famshëm Darko Jorgic.

    Gjatë këtij kampi ajo do të shoqërohet nga Drejtori i Përfaqësueses Petrit Drenica dhe stafi i përzgjedhur.

    Ky kamp do të sjellë së bashku lojtarë të talentuar të moshave të reja nga Kosova dhe Shqipëria, duke ofruar një mundësi unike për të përmirësuar teknikën, strategjitë dhe përvojën në pingpong.

    Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të mësojnë nga një trajnere me përvojë të gjerë në garat ndërkombëtare dhe të aplikojnë teknikat e saj praktike gjatë seancave stërvitore.

    FPPK synon që përmes këtij kampi të nxisë rritjen e cilësisë dhe rezultateve dhe të fuqizojë komunitetin e sportistëve të rinj, duke krijuar mundësi të reja në të mirën e tyre.

    I gjithë ky organizim thuhet se u arrit në saje të bashkëpunimit të mirë në mes të kryetarit të FPPK – së Jeton Oruçi dhe Federatës Sllovene.

  • Zhduket një 16-vjeçare në Hajvali, policia nis hetimet

    Zhduket një 16-vjeçare në Hajvali, policia nis hetimet

    Një 16-vjeçare është zhdukur në Hajvali të Prishtinës mëngjesin e së hënës.

    Rastin e zhdukjes e ka raportuar në polici nëna e saj.

    “Ankuesja femër kosovare, raporton se vajza e saj 16-vjeçare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin policor.

    Ky rast është duke u hetuar nga organet e rendit.