ATV

Author: G.O.

  • Disa probleme shëndetësore mund të dallohen nga sytë

    Disa probleme shëndetësore mund të dallohen nga sytë

    Sytë mund të jenë pasqyrë e shpirtit (sipas një proverbi të vjetër), por janë gjithashtu një pasqyrë e qartë e shëndetit, ku informacioni që ata mund të zbulojnë është i jashtëzakonshëm. Shumë probleme shëndetësore shfaqin simptoma në të gjithë trupin – disa në lëkurë, të tjerë në gojë, madje edhe tek thonjtë e gishtave.

    Ndërsa sytë zbulojnë një përqindje më të lartë të problemeve shëndetësore. Më shumë se 30 gjendje shëndetësore shfaqin simptoma në sy. Prandaj doktorët e syve janë zakonisht të parët që pikasin probleme të caktuara në trup.

    Ja cilat janë ato:

    #1 Njollat e kuqe, të shkaktuara nga pikat e gjakut në sy, mund të jenë shenjë e diabetit, një sëmundje që po përhapet gjithmonë e më shumë tek njerëzit. Kur rriten nivelet e sheqerit në gjak, enët e gjakut fillojnë të bllokohen dhe të ënjten. Kështu mund të plasin enët e vogla të gjakut në retinë, duke shkaktuar gjakderdhje. Nëse nuk trajtohet, ajo mund të shkaktojë probleme me shikimin, madje dhe verbim.

    #2 Sytë e përgjakur mund të shkaktohen edhe nga shumë gjendje të tjera shëndetësore, duke filluar nga një kollë intensive deri tek infeksioni fungal.

    #3 Sytë e skuqur, të acaruar apo të ënjtur janë shpesh simptoma të alergjive, të shkaktuara nga ajrit i ndotur, pluhuri ose grimcat e ngurta.

    #4 Sytë e tharë janë efekt anësor si të përdorimit të kompjuterit ashtu edhe të disa ilaçeve, si pilulat e gjumit, ato për lehtësimin e dhimbjeve, depresionit etj. Sëmundjet autoimune mund të shkaktojnë gjithashtu tharje të syve, sidomos sindroma Sjögren, që dëmton gjëndrat zbutëse dhe prekin më shumë të moshuarat.

    #5 Të shohësh vetëm larg – Shumë njerëz me kalimin e moshës e humbasin aftësinë për t’u fokusuar në gjërat që i kanë afër, si tek menutë në restorant, megjithatë, edhe disa ilaçe të caktuara, si diuretikët, antidepresantët, mund ta shkaktojnë këtë gjendje, të quajtur largpamësi, në moshë më të hershme.

    #6 Vizioni i turbullt mund të shkaktohet nga një listë e gjatë problemesh shëndetësore, megjithatë, për ata që janë të rrezikuar nga tensioni i lartë i gjakut, mund të jetë një shenjë që duhet të kontrollohen menjëherë tek mjeku. Në rastet kur shikimi fillon të errësohet nga efektet anësore të hipertensionit, duhet të merret menjëherë një trajtim mjekësor, pasi rrezikohet shikimi.

    #7 Melanoma – Okulistët mund të jenë të parët që mund të zbulojnë disa lloje kanceri. Një okulist mund të kontrollojë për melanomën okulare, një formë e rrallë e melanomës që zakonisht nuk mund të zbulohet duke u parë në pasqyrë. Nëse përjashtohen shkaktarët e tjerë të presionit ose dhimbjeve në sy, ekspertët thonë se okulistët mund të vërejnë për një tumor të mundshëm në tru.

    #8 Kolesteroli i lartë mund të shkaktojnë shpesh unaza të bardha përreth syve, si dhe njolla të verdha tek qepallat. Këto shenja shfaqen më shumë tek të moshuarit, megjithatë, në çdo rast, ata mund të paralajmërojnë se duhet të bëhet një kontroll i niveleve të kolesterolit.

    Mjeku endokrinolog pediatër, shpjegon dëmet që mund të shkaktojë mungesa e kësaj vitamine në organizëm. Një rëndësi të veçantë është ushqyerja e fëmijëve me gji dhe ekspozimi i gjatë në diell.

  • Pa e lëvizur timonin për dy orë, kjo është rruga më e drejtë në botë

    Pa e lëvizur timonin për dy orë, kjo është rruga më e drejtë në botë

    Në një botë ku rrugët përshkojnë mijëra kilometra me kthesa të forta e zbritje të rrezikshme, ekziston një segment autostrade ku drejtuesit e mjeteve udhëtojnë për orë të tëra pa lëvizur timonin majtas apo djathtas.

    Bëhet fjalë për Highway 10 në Arabinë Saudite, rruga më e drejtë në botë, që mban rekordin e Guinness-it.

    Edhe pse autostrada ka një gjatësi totale prej 1,480 kilometrash, rekordin e vendos pjesa e saj e drejtë, një segment prej 240 kilometrash, pa asnjë kthesë ose pjerrësi të dukshme. Ky segment lidh zonën e Haradh me Highway 95, duke kaluar përmes shkretëtirës saudite dhe duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të Australisë, ku autostrada Eyre ka një segment të drejtë prej 146 kilometrash.

    Highway 10 u ndërtua fillimisht si rrugë private për Mbretin Fahd dhe sot konsiderohet një prej traseve më të pazakonta dhe monotone për drejtuesit e automjeteve. Udhëtimi në këtë pjesë të autostradës zgjat rreth dy orë pa e lëvizur timonin.

  • Lahuta shqiptare zyrtarisht pasuri e botërore në UNESCO, hyn në mbrojtje urgjente

    Lahuta shqiptare zyrtarisht pasuri e botërore në UNESCO, hyn në mbrojtje urgjente

    Arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor shqiptar është shpallur zyrtarisht pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, duke u përfshirë në listën e elementeve që kërkojnë mbrojtje të menjëhershme.

    Ky art unik, i kultivuar ndër shekuj në hapësirat rurale shqiptare, përfaqëson një dimension thelbësor të kujtesës kulturore kombëtare. Lahuta, së bashku me Eposin e Kreshnikëve dhe baladat e traditës veriore, ka shërbyer si mjet i transmetimit të virtyteve të trimërisë, qëndresës, besës, nderit dhe mikpritjes. Kjo traditë është ruajtur brez pas brezi në krahinat e Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës, Rugovës, Drenicës, Plavës dhe Gucisë.

    Përfshirja në UNESCO vjen si rezultat i një procesi të gjatë kërkimor, të udhëhequr nga një grup studiuesish të njohur në fushën e trashëgimisë kulturore: Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge. Në bashkëpunim me komunitetet lokale, kërkimet në terren dhe dokumentimin e detajuar, ata arritën të përgatisin një dosje të standardeve më të larta, e cila u dorëzua zyrtarisht në UNESCO në mars të vitit 2024.

    Procesi u mbështet nga Ministria e Kulturës në partneritet me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, në kuadër të programit për përgatitjen dhe forcimin e dosjeve të trashëgimisë jomateriale shqiptare.

    Përfshirja e lahutës në këtë listë ndërkombëtare jo vetëm e ngre këtë traditë në vëmendjen globale, por edhe thekson nevojën për ruajtjen e saj të menjëhershme, për të siguruar vazhdimësinë e një simboli të rrallë të identitetit shqiptar.

    Shqipëria konfirmon angazhimin për ta mbrojtur, promovuar dhe fuqizuar këtë pasuri të çmuar, duke mbajtur të hapur bashkëpunimin me Kosovën dhe aktorët e tjerë kulturorë në rajon. /Euronews.al/

     

  • Certifikohen 24 pjesëtarë të Njësive Speciale në “aftësi të veçanta policore operative”

    Certifikohen 24 pjesëtarë të Njësive Speciale në “aftësi të veçanta policore operative”

    24 pjesëtarë të Njësive Speciale Operative janë certifikuar në “Aftësitë e veçanta policore operative”, pas një trajnimi të zhvilluar në Kampin “Vrella” në Sllatinë.

    Ky trajnim, i realizuar nga një konsulent ndërkombëtar përmes OSBE-së, është organizuar në bazë të nevojave të identifikuara nga vetë Njësitë Speciale, ndërsa mbështetja është ofruar nga ekspertë të jashtëm të këtij mekanizmi ndërkombëtar – partner strategjik i Policisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve specialistike.

    Sipas Policisë së Kosovës, certifikimi i 24 pjesëtarëve të këtyre njësive kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e aftësive profesionale dhe gatishmërisë operative, duke forcuar standardet dhe kapacitetet e tyre për operacione të veçanta policore.

  • Pensionohet Ilir Shaqiri, ikona e muzikës shqiptare

    Pensionohet Ilir Shaqiri, ikona e muzikës shqiptare

    Sot, një nga emrat më të shquar të muzikës shqiptare, Ilir Shaqiri, feston ditëlindjen e tij të 65-të.

    Me një karrierë që mbush dekada dhe ka lënë gjurmë të thella në shpirtin e çdo shqiptari, Shaqiri ka kontribuar me këngët e tij, të cilat janë bërë pjesë e historisë muzikore shqiptare.

    Një urim i veçantë ka ardhur nga djali i tij, Korab Shaqiri, i cili përmes një postimi në Facebook shprehu dashurinë dhe mirënjohjen ndaj babait të tij.

    “Faleminderit për forcën, për dashurinë, për rrugën që e ecim bashkë, edhe kur kilometrat na ndajnë.

    Sot, në këtë ditë të madhe të jetës tënde, të uroj shëndet, qetësi, gëzim e dritë në çdo hap!

    Uroj që kënga jote të vazhdojë të frymojë gjatë, dhe do të frymoj siç ka frymuar gjithmonë, e @zemra jote të mbetet po aq e madhe sa gjithnjë.

    Gëzuar 65-vjetorin, babë!”, ka shkruar Korab Shaqiri.

  • Ambasada amerikane në Prishtinë e mirëpret bartjen e pushtetit në veri: Presim bashkëpunim paqësor të vazhdueshëm

    Ambasada amerikane në Prishtinë e mirëpret bartjen e pushtetit në veri: Presim bashkëpunim paqësor të vazhdueshëm

    Ambasada amerikane ka mirëpritur ngjarjen e djeshme në katër komunat veriore të vendit ku kryetarët e Listës Srpska rimorën pushtetin.

    Ambasada në një përgjigje për Gazetën Express,tha se pret vazhdim të bashkëpunimit paqësor. Ngjashëm janë deklaruar edhe misionet e tjera të huaja në vend.

    Ambasada amerikane e ka mirëpritur dorëzimin e qetë të detyrës te kryetarët serbë në katër komunat veriore. Kryetarët serbë atje u betuan në një ceremoni në prezencë të simboleve shtetërore derisa morën detyrën nga kryetarët shqiptarë që u vendosen në këto komuna më 2023.

    “Ambasada e SHBA-së mirëpret tranzicionin e qetë të pushtetit dhe shpresojmë të shohim vazhdimin e bashkëpunimit paqësor”, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane.

  • Bajrami thirrje Rizvanollit: Publikoni informacionet nga kush po blejmë energji, sa paguajmë dhe nga cilat burime po e importojmë

    Bajrami thirrje Rizvanollit: Publikoni informacionet nga kush po blejmë energji, sa paguajmë dhe nga cilat burime po e importojmë

    Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në një konferrencë për media të mbajtur sot i ka reaguar ministres së Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, në lidhje me blerjen e energjisë elektrike.

    Ish-deputetja e LDK-së i ka bërë thirrje ministres në fjalë që të sigurojë transparencë lidhur me importin e energjisë.

    Sipas saj, institucionet përkatëse duhet të publikojnë informacionet mbi marrëveshjet për blerjen e energjisë.

    “Ju bëj thirrje zonjës Rizvanolli dhe institucioneve përkatëse që të bëjnë publik informacionin se nga kush po blejmë energjinë, sa po paguajmë për energjinë dhe nga cilat burime po e importojmë. Gjithashtu, më lejoni t’ju them se qeveria ka thënë që nuk importon energji, por kjo nuk është e vërtetë. Qeveria ka importuar energji, madje edhe kur zoti Kurti fliste për mafien energjetike”, ka thënë Bajrami.

  • Komandanti i KFOR-it takon ambasadorët e QUINT-it, diskutojnë për situatën e sigurisë

    Komandanti i KFOR-it takon ambasadorët e QUINT-it, diskutojnë për situatën e sigurisë

    Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, të premten, ka takuar ambasadorët e vendeve të QUINT-it të akredituara në Kosovë, njoftoi të shtunën KFOR-i.

    “Takimi shërbeu si një mundësi e vlefshme për komandantin që të paraqiste situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar angazhimin e KFOR-it për të ruajtur një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët në Kosovë. Në këtë kontekst, gjeneral Ulutas vlerësoi kontributet e vazhdueshme të të gjitha shteteve në misionin e udhëhequr nga NATO, KFOR”, u tha në komunikatë për media.

    Ulutash u takua me ambasadorët e Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, zëvendëskreun e Misionit të Francës në Kosovë dhe një përfaqësuese të ambasadës së SHBA-së nga QUINT, si dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së.

  • 68 aksidente në 24 orët e fundit, Policia shqipton mbi dy mijë gjoba

    68 aksidente në 24 orët e fundit, Policia shqipton mbi dy mijë gjoba

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Policia ka bërë të ditur se 2,040 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Gjatë këtyre 24-orëve, kanë ndodhur 22 aksidente trafiku me persona të lënduar dhe 44 aksidente me dëme materiale, ndërsa nuk është regjistruar asnjë aksident me fatalitet.

    Sa i përket masave ligjore, 21 persona janë arrestuar, 8 janë dërguar në mbajtje, 2 po vuajnë dënimin dhe nuk ka persona në ndalim policor.

  • Rusia sulmon Ukrainën me dronë dhe raketa, dëmtohet infrastruktura energjetike

    Rusia sulmon Ukrainën me dronë dhe raketa, dëmtohet infrastruktura energjetike

    Një sulm masiv rus me raketa dhe dronë gjatë natës ka goditur përsëri infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke goditur nënstacionet, objektet e gjenerimit dhe duke shkëputur një nga linjat e energjisë që furnizon termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias.

    Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës , Rusia lëshoi 653 dronë sulmues të tipit Shahed, 36 raketa kruiz dhe 17 raketa balistike në objektiva në të gjithë vendin.

    Gjashtëdhjetë sulme u regjistruan në 29 lokacione, shkruan The Kyiv Independent.

    Gjatë sulmeve u raportuan shpërthime në Poltava, Lutsk, Odesa, Zaporizhzhia dhe Bila Tserkva.

    Në Oblastin e Çernihivit, dronët rusë goditën një zonë banimi, si dhe infrastrukturën kritike si në rajon ashtu edhe në qytetin e Çernihivit, raportuan Shërbimet Shtetërore të Emergjencave.

    Sulmi ishte “mjaft i rëndë” për sistemin energjetik të Ukrainës, tha për Kyiv Independent Vitaliy Zaichenko, kreu i operatorit shtetëror të rrjetit elektrik të Ukrainës, Ukrenergo.

    Sulmet goditën nënstacionet dhe objektet e gjenerimit, dhe shkëputën një nga dy linjat e energjisë që furnizonin centralin bërthamor të Zaporizhzhisë.

    “Centralet e tjera bërthamore tani po funksionojnë nën kapacitetin e tyre të plotë për arsye sigurie”, shtoi ai.