ATV

Author: G.O.

  • “Nuk kanë përfituar rritje pagash”, punëtorët e KEK-ut protestojnë para zyrave të korporatës

    “Nuk kanë përfituar rritje pagash”, punëtorët e KEK-ut protestojnë para zyrave të korporatës

    Sot, punëtorët e KEK-ut pritet të protesojnë sot nga ora 11:00 para zyrave të korporatës së tyre.

    Sipas njoftimit, kërkohet rritje e pagave për punëtorët e KEK-ut, nivelizimin e pagave të sigurimit fizik si dhe zbatimin e pagës së 13-të, transmeton Sinjali.

    “Pse po protestojmë? Sepse punëtorët e KEK-ut përballen çdo ditë me kushte të vështira dhe rrezik profesional, përballen me rritje të kostos së jetesës nga inflacioni, nuk kanë përfituar rritje pagash si institucionet tjera publike dhe po e mbajnë mbi supe sistemin energjetik të vendit”, thuhet në njoftim.

  • Gjendet e vdekur një grua në Gostivar, pasi u raportua si e zhdukur – Dyshohet se u vra nga një 53-vjeçar

    Gjendet e vdekur një grua në Gostivar, pasi u raportua si e zhdukur – Dyshohet se u vra nga një 53-vjeçar

    Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në Gostivar. Një grua u gjet e varrosur dhe dyshohet se është vrarë, por motivet e krimit vazhdojnë të mbeten të panjohura. Dorasi dyshohet të jetë një burrë 53-vjeçar.

    I dyshuari për këtë krim është nga fshati Negotinë, Komuna Vrapçisht, dhe u zbulua se ai e kishte privuar nga jeta viktimën. Rasti u zbulua nga bashkëshortja e tij.

    Sipas Policisë, fillimisht djali i të ndjerës e ka raportuar zhdukjen e nënës së tij.

    “Më 09.12.2025, J.M. (34) nga Gostivari ka raportuar se nëna e tij, H.A. (53) nga fshati Raven, Gostivar, ishte larguar nga shtëpia. Më vonë, në kamerat e sigurisë, ai vuri re se më 07.12.2025 ajo ishte marrë me një automjet pasagjerësh ‘Fiat’, dhe pas kësaj ajo nuk kishte pasur qasje në telefonin e saj. Ai gjithashtu raportoi se në kamerat e sigurisë kishte vënë re se, natën ndërmjet 06.12. dhe 07.12.2025, personi S.M. kishte hyrë dhe kishte kërkuar në shtëpinë e tij, dhe se ishin marrë para nga dhoma e tij”, njoftoi Policia.

    Pas denoncimit, organet e rendit u aktivizuan dhe ndaluan të dyshuarin, por ai kishte dhënë një deklaratë të rreme.

    “Më 11.12.2025, në orën 02:15, S.M. është privuar nga liria me dyshimin se e kishte detyruar H.A. të largohej nga shtëpia me të. Pas masave të marra dhe kontrolleve të kryera në video-incizime, është konfirmuar se i dyshuari kishte dhënë dëshmi të rreme në stacionin policor. Gjithashtu, nga lista e thirrjeve të marra, është konstatuar se H.A. për herë të fundit kishte kontaktuar me të më 07.12.2025.”

    Megjithatë, ishte pikërisht gruaja e tij që bëri të mundur zbardhjen e këtij rasti të tmerrshëm.

    “Më vonë, me urdhër të gjykatës, është kryer bastisje në shtëpinë e S.M., pas së cilës është privuar nga liria edhe bashkëshortja e tij Gj.V. (48). Në një bisedë zyrtare në stacionin policor, Gj.V. ka pranuar se bashkëshorti i saj S.M. e kishte vrarë viktimën H.A. me pistoletë dhe kishte treguar vendin se ku e kishte varrosur. Pas kësaj, punonjësit e policisë nga Zyra e Jashtme për Punë Kriminalistike Gostivar në prani të prokurorit publik kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes në fshatin Negotinë, ku u gjet trupi i H.A. Me urdhër të prokurorit publik, trupi është dërguar për autopsi”, thuhet në njoftimin e Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë.

  • Heqja e simboleve të Kosovës nga kryetarët në veri, Haradinaj kërkon veprim nga ndërkombëtarët

    Heqja e simboleve të Kosovës nga kryetarët në veri, Haradinaj kërkon veprim nga ndërkombëtarët

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur i indinjuar që kryetarët e Listës Serbe në komunat veriore kanë hequr simbolet e Kosovës dhe fotografinë e presidentes Vjosa Osmani.

    Përmes një reagimi në Facebook, ai ka kërkuar urgjentisht që t’i rikthejnë këto simbole në vendin ku u takon.

    Derisa Haradinaj kërkoi edhe nga Komuniteti Ndërkombëtar, BE dhe ShBA, që të ushtrojnë ndikimin e tyre që kryetarët e komunave nga komuniteti serb ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe të punojnë në harmoni me to.

    “I përgëzoj të gjithë kryetarët e komunave që kanë dhënë betimin, me theks të veçantë 5 kryetarët prej radhëve të AAK dhe i inkurajoj të vazhdojnë punën e tyre në interes të qytetarëve dhe gjithmonë në përputhje me ligjin e Kushtetutën”, shkroi pos tjerash ai.

  • Zgjedhja e kreut të SPAK, Ambasada Britanike: Hap i rëndësishëm për Shqipërinë

    Zgjedhja e kreut të SPAK, Ambasada Britanike: Hap i rëndësishëm për Shqipërinë

    Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar më anë të një postimi në Facebook lidhur me zgjedhjet e kreut të SPAK që pritet të zhvillohet ditën e nesërme të 11 dhjetorit.

    Ambasada Britanike thekson se sa i rëndësishëm është ky hap për Shqipërinë me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës, kryesisht të zhvilluar në mënyrë transparente.

    “Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit”.

    “Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”, shkruan Ambasada Britanike në Tiranë.

  • Ushtrimi me amerikanët te zona e Ambasadës të premten nga ora 15:00- 21:00, Policia jep detaje

    Ushtrimi me amerikanët te zona e Ambasadës të premten nga ora 15:00- 21:00, Policia jep detaje

    Edhe Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim për ushtrimin me ambasadën amerikane në Prishtinë. Ky ushtrim do të mbahet të premten nga ora 15:00 deri në 21:00 dhe do të përfshijë zonën pranë objektit të ambasadës.

    “Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me ambasadën Amerikane në Prishtinë, njofton opinionin publik se të premten, më 12 dhjetor nga ora 15:00 -21:00, do të realizoj një ushtrim të gjerë në Prishtinë, përfshirë zonën pranë objektit të Ambasadës Amerikane, e cila gjendet në lagjen Arbëria të Prishtinës.”

    Policia thotë se ushtrimet e përbashkëta me ambasadën e Amerikës janë “një tregues i forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në menaxhimin dhe reagimin ndaj situatave emergjentë, dhe të çfarëdo incidenti të mundshëm në Kosovë”.

    Sipas Policisë përmes këtij ushtrimi synohet testimi i kohës së reagimit, efektiviteti dhe efikasiteti i zyrtarëve dhe pajisjeve, si dhe komunikimi e koordinimi ndërmjet njësive dhe institucioneve relevante në situata emergjente.

    “Përmes këtij ushtrimi synohet testimi i kohës së reagimit, efektiviteti dhe efikasiteti i zyrtarëve dhe pajisjeve, si dhe komunikimi e koordinimi ndërmjet njësive dhe institucioneve relevante në situata emergjente, ku kërkohet garantimi i një ambienti të sigurt për qytetarët, stafin diplomatik dhe institucionet e Kosovës.”

    Pjesëmarrja në këtë ushtrim do të përfshijë, prani të shtuar të Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës Amerikane, përdorim të shtuar të mjeteve dhe pajisjeve të ndryshme policore siç janë altoparlantët, sirenat e mjetet të ndryshme logjistike policore.

    “Pra ky do të jetë vetëm një ushtrim e jo veprim policor ndaj një incidenti të vërtetë, andaj kërkojmë bashkëpunim dhe mirëkuptim të plotë nga qytetarët e në veçanti nga pjesëmarrësit në trafik, që në këtë kohë të shmangin qarkullimin në zonën përreth Ambasadës Amerikane në Prishtinë – lagjja Arbëria, për shkak të zhvillimit të ushtrimit dhe ndërprerjes së qarkullimit të përkohshëm të disa segmenteve rrugore në atë zonë. Për ndonjë informacion apo udhëzim shtesë mund të kontaktoni Policinë e Kosovës në numrin 192, ose në [email protected] si dhe të ndiqni faqet zyrtare të Policisë së Kosovës”.

  • ShBA-ja nis negociata me Malin e Zi për një marrëveshje dypalëshe për forcimin e lidhjeve tregtare e ekonomike

    ShBA-ja nis negociata me Malin e Zi për një marrëveshje dypalëshe për forcimin e lidhjeve tregtare e ekonomike

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mali i Zi po nisin negociatat për arritjen e një marrëveshje dypalëshe që ka për qëllim forcimin e lidhjeve tregtare, investuese dhe ekonomike, njoftoi Ambasada amerikane në Podgoricë më 10 dhjetor.

    Negociatat do të zhvillohen në kuadër të Dialogut Ekonomik SHBA-Mali i Zi 2025.

    “SHBA-ja njihet globalisht për inovacionin dhe besueshmërinë ekonomike, ndërsa kompanitë amerikane po tregojnë interes gjithnjë e më të madh për mundësitë e biznesit në ekonominë në rritje të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

    Sipas saj, qëllimi i këtyre negociatave është të nxisin investime më të mëdha të sektorit privat amerikan për të krijuar vende të reja pune në SHBA dhe në Mal të Zi, të forcojnë rolin e Malit të Zi si aleat i NATO-s dhe të hapin mundësi të reja për prosperitetin e SHBA-së, Malit të Zi dhe rajonit më të gjerë.

    Në nëntë muajt e fundit, Mali i Zi ka nënshkruar katër marrëveshje ndërshtetërore, me Francën, Hungarinë dhe dy me Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Të gjitha këto kanë karakter ndërshtetëror që lejon përzgjedhjen e kontraktorëve pa tenderë publikë.

    Marko Soshiq nga Instituti Alternativa, më herët i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky ritëm i nënshkrimit të marrëveshjeve është rezultat i detyrimit të Qeverisë që të gjithë marrëveshjet ndërshtetërore të Malit të Zi, nga 26 dhjetori, duhet të harmonizohen me rregullat e Bashkimit Evropian në fushën e prokurimit publik.

    Kjo është një pikë nga agjenda e reformave në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi me BE-në.

    Marrëveshjet me Emiratet kanë të bëjnë me turizmin, pasuritë e paluajtshme, energjinë dhe teknologjitë digjitale. Marrëveshja me Hungarinë fokusohet tek infrastruktura e transportit, digjitale dhe teknologjisë informative. Ndërsa ajo me Francën është një kombinim i projekteve infrastrukturore, energjetike dhe digjitale.

    Qeveria e Malit të Zi thotë se bëhet fjalë për partneritete strategjike për “zhvillim më të shpejtë dhe tërheqje investimesh” që duhet të ulin burokracinë dhe të rrisin efikasitetin.

    Ligji malazez për prokurimet publike lejon zgjedhjen e partnerëve të biznesit pa tender.

    “Këto rregulla nuk zbatohen për prokurimet publike që realizohen në përputhje me rregullat e posaçme të një marrëveshjeje ndërkombëtare mes Malit të Zi dhe një ose më shumë shteteve anëtare të BE-së, ose vendeve të treta”, që lidhet me projekte të interesit të përbashkët.

    Parashihet gjithashtu që Qeveria malazeze të njoftojë Komisionin Evropian për çdo marrëveshje të tillë ndërkombëtare.

    Organizatat joqeveritare paralajmërojnë se kështu minohet sistemi i prokurimeve publike, që është një nga shtyllat e kontrollit të korrupsionit.

    Marko Soshiq nga Instituti Alternativa tha për REL-in në nëntor se këto lloje të marrëveshjeve ndërshtetërore bartin rreziqe të mëdha, pikërisht për shkak të përjashtimit të legjislacionit kombëtar.

    Ai vlerësoi se Qeveria kërkon me to rrugë të shkurtra drejt investimeve, pasi zbatimi i buxhetit kapital apo propozimi i projekteve për financim nga BE-ja janë të ndërlikuara dhe të vështira.

    Në raportin e fundit të Komisionit Evropian të nëntorit të këtij viti, përmendet vetëm marrëveshja e parë që Mali i Zi nënshkroi me Emiratet.

    Aty paralajmërohet se Mali i Zi duhet të sigurojë që zbatimi i kësaj dhe marrëveshjeve të ngjashme të mos jetë në kundërshtim me ligjet e BE-së për prokurimet publike.

    Në raport u tha po ashtu se mënyra se si do të interpretohet, zbatohet dhe realizohet marrëveshja do të jetë nën vëzhgim të kujdesshëm të BE-së.

  • Ambasada amerikane dhe Policia e Kosovës zhvillojnë ushtrime të përbashkëta për reagim ndaj krizave

    Ambasada amerikane dhe Policia e Kosovës zhvillojnë ushtrime të përbashkëta për reagim ndaj krizave

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka njoftuar se të premten, nga ora 15:00 deri në 21:00, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të zhvillohet një ushtrim i përbashkët në shkallë të gjerë, i fokusuar në menaxhimin e krizave dhe reagimin ndaj emergjencave.

    Sipas njoftimit të ambasadës, ky aktivitet synon forcimin e bashkëpunimit në siguri dhe rritjen e gatishmërisë për t’iu përgjigjur incidenteve të mundshme.

    “Ky ushtrim do të përqendrohet në menaxhimin e krizave, koordinimin ndëragjencor dhe procedurat e reagimit ndaj emergjencave. Është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës për të forcuar bashkëpunimin në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në reagimin ndaj një sërë incidentesh të mundshme. Ambasadat dhe konsullatat e Shteteve të Bashkuara shpesh kryejnë ushtrime me qëllim përgatitjen e punonjësve për emergjenca natyrore ose të shkaktuara nga njeriu. Megjithatë, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i fortë dypalësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës krijojnë një mundësi unike për të kryer një ushtrim të përbashkët, në shkallë të gjerë, me veprim të drejtpërdrejtë për menaxhimin e krizave në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Ambasada paralajmëron se gjatë ushtrimit mund të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut, përdorim të sirenave dhe altoparlantëve, si dhe prani të shtuar të personelit të Policisë së Kosovës dhe Ambasadës Amerikane.

    “Gjatë ushtrimit, mund të ketë: prani të shtuar të personelit të sigurisë së Policisë së Kosovës dhe Ambasadës Amerikane në afërsi të Ambasadës Amerikane dhe zonave të tjera të caktuara të trajnimit në Prishtinë; ndërprerje të përkohshme të trafikut dhe devijime, duke përfshirë mbyllje afatshkurtra të rrugëve sipas udhëzimeve të Policisë së Kosovës; përdorim i mundshëm i sirenave, altoparlantëve dhe efekteve të tjera trajnuese që mund të jenë të dukshme për banorët dhe kalimtarët”, përfundon njoftimi.

  • Osmani: Gjenocidi i Millosheviqit shkaktoi dhimbje të thella që s’do të shuhet kurrë

    Osmani: Gjenocidi i Millosheviqit shkaktoi dhimbje të thella që s’do të shuhet kurrë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për viktimat e luftës së fundit gjatë vizitës në ekspozitën “E vërteta, kujtesa, drejtësia”.

    Ajo theksoi se, fatkeqësisht, në çdo konflikt më së shumti preken ata që janë më të pambrojturit: gratë, të moshuarit dhe veçanërisht fëmijët.

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Osmani kujtoi rëndësinë e kësaj date, që simbolizon dinjitetin dhe barazinë universale.

    Ajo përmendi 10 dhjetorin e vitit 1948, kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe u formësua juridikisht e drejta për të jetuar, duke theksuar se çdo jetë njerëzore ka vlerë dhe meriton të mbrohet, ndërsa citoi edhe sloganin e asaj kohe: “Kurrë më!”.

    “Fatkeqësisht, shprehja ‘Kurrë më’ mbeti veç slogan, për shkak se ajo që njerëzimi e pa gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një masë u përsërit edhe në rajonin tonë në vitet ’90-ta”, tha presidentja, duke shtuar se edhe sot bota përballet me fatkeqësi, dhunë dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut.

    Osmani theksoi se populli i Kosovës e di shumë mirë çfarë nënkupton kjo: krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i ushtruar nga regjimi i Millosheviqit shkaktuan dhimbje të thella që nuk do të shuhet kurrë.

    “Mijëra të vrarë, përfshirë shumë fëmijë, mijëra gra e burra të dhunuar, mijëra persona të zhdukur me dhunë që ende u mungojnë familjeve dhe gjithë Kosovës. Dhimbja e tyre nuk njeh kohë, është një plagë e hapur, plagë e gjallë, plagë që kullon çdo ditë dhe kërkon drejtësi”, theksoi Osmani.

    Presidentja përmendi edhe vuajtjet e Nënës Ferdonije, e cila humbi të gjithë anëtarët e familjes së saj gjatë luftës së fundit, përfshirë djemtë dhe burrin, si dhe vuajtjet e shumë të tjerëve që kanë pësuar rëndë nga konflikti.

  • Barnat për dobësim mund t’ju plakë për një dekadë, paralajmërim i ri mjekësor

    Barnat për dobësim mund t’ju plakë për një dekadë, paralajmërim i ri mjekësor

    Barnat e njohura për humbje peshe, si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro, po bëjnë bujë për efektet e tyre të shpejta, por studimet e fundit nxjerrin në pah një kosto shqetësuese: humbjen e masës muskulore, e cila mund të jetë ekuivalente me një dekadë plakjeje.

    Këto barna funksionojnë duke ndikuar tek receptorët e oreksit në tru, duke krijuar ndjesinë e ngopjes dhe duke reduktuar marrjen e ushqimit. Edhe pse Ozempic është kryesisht për diabetin tip 2, përdorimi i tij për dobësim është rritur ndjeshëm. Megjithatë, përveç efekteve të njohura si rënia e flokëve, problemet me tretjen dhe lëkura e varur, studimet e reja tregojnë një problem më serioz.

    Humbja e muskujve, një dekadë plakje

    Raporti i studiuesve kanadezë në bashkëpunim me Les Mills dhe UKActive zbuloi se përdoruesit humbasin sasi të konsiderueshme të masës muskulore. Ky humbje i vendos përdoruesit në rrezik të shtuar nga brishtësia dhe dëmtimet nga rrëzimi, sidomos në moshë të mesme dhe të shtyrë.

    “Humbja e muskujve është veçanërisht shqetësuese për të moshuarit, pasi masa muskulore bie natyrshëm me moshën. Humbja e masës muskulore dhe asaj kockore e lidhur me barnat për dobësim gjithashtu mund të rrisë brishtësinë dhe rrezikun e rrëzimeve,” paralajmërojnë studiuesit. Pa trajnim të mjaftueshëm të forcës, kjo situatë mund të jetë e rrezikshme.

    Mendimi i ekspertëve

    Dr. Jillian Hatfield, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Luginës së Fraser, shpjegoi se pjesëmarrësit që ushtronin 150 minuta në javë dhe konsumonin 500 kalori më pak se rekomandohej humbën rreth 11% të masës muskulore, një efekt i ngjashëm me atë pas kirurgjisë bariatrike, trajtimit të kancerit ose plakjes natyrale për një dekadë.

    Bryce Hastings nga Les Mills theksoi se përdoruesit duhet të angazhohen rregullisht në trajnim force për të kundërshtuar humbjen e muskujve, duke shtuar se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht ndikimin e këtyre barnave.

    Përgjigjja e prodhuesve

    Novo Nordisk, prodhues i Ozempic dhe Wegovy, rekomandon që pacientët të përdorin barnat vetëm për indikacionet e miratuara dhe nën mbikëqyrjen e profesionistëve shëndetësorë. Sipas kompanisë, provat klinike nuk e kanë studiuar posaçërisht efektin mbi masën muskulore, por një nën-studim sugjeroi ulje të masës muskulore dhe yndyrore.

    “Rekomandojmë që pacientët që përjetojnë efekte anësore gjatë përdorimit të këtyre barnave të kontaktojnë profesionistin e tyre shëndetësor,” theksojnë ata.

    Eli Lilly, prodhuesi i Mounjaro, pohoi se siguria e pacientëve është prioritet kryesor dhe se barnat duhet përdorur vetëm sipas recetës dhe nën mbikëqyrjen e profesionistëve shëndetësorë. Ata gjithashtu nënvizuan rëndësinë e një diete të balancuar dhe aktivitetit fizik të rregullt për ruajtjen e masës muskulore.

  • Polonia synon të këmbejë avionët sovjetikë me dronët ukrainas

    Polonia synon të këmbejë avionët sovjetikë me dronët ukrainas

    Polonia planifikon t’ia japë pjesën e mbetur të aeroplanëve luftarakë MiG-29, të epokës sovjetike, Ukrainës në këmbim të teknologjisë për dronët, tha Ministria e Mbrojtjes më 10 dhjetor.

    Polonia ka zëvendësuar aeroplanët e saj të vjetër sovjetikë me avionë F-16 të prodhimit amerikan dhe FA-50, të prodhimit të Koresë së Jugut, dhe pret dorëzimin e 32 aeroplanëve F-35 që ka porositur në SHBA.

    “MiG-ët po arrijnë fundin e shërbimit të tyre, që do të thotë se do të tërhiqen nga ushtria polake dhe ne po diskutojmë për transferimin e tyre në palën ukrainase”, tha ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, për radion publike polake, Trojka.

    Sipas Kosiniak-Kamysz, ky këmbim mund të përfshijë po ashtu “transferimin e teknologjive, për shembull në fushën e dronëve dhe raketave nga Ukraina në Poloni”.

    Polonia, e cila i ka dhënë shumë nga avionët e saj MiG-29 Ukrainës pasi Moska nisi pushtimin e shtetit fqinj, ende ka edhe 14 avionë të tillë, sipas raporteve mediale.

    “Bisedimet po vazhdojnë, dhe jemi të vendosur t’i finalizojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Kosiniak-Kamysz.

    Ai shtoi se Polonia po përfiton tashmë nga ekspertiza ukrainase në trajnimin ushtarak për dronë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    “Ukrainasit janë më të mirët sa i përket dronëve në mesin e të gjitha vendeve me të cilat kemi marrëdhënie të mira”.

    Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është ndër mbështetëset më të fuqishme të Ukrainës, duke shërbyer si qendër për dërgesat ushtarake dhe humanitare drejt Kievit.