ATV

Author: G.O.

  • Rrëzohet një helikopter në malin e Kilimanxharos, pesë të vdekur

    Rrëzohet një helikopter në malin e Kilimanxharos, pesë të vdekur

    Pesë persona kanë humbur jetën pas një rrëzimi të helikopterit në malin më të lartë të Afrikës, Malin Kilimanxharo, në Tanzani.

    Aksidenti ndodhi të mërkurën në mbrëmje në një nga rrugët më të njohura për ngjitjen turistike, në atë që policia e përshkroi si një mision shpëtimi për të marrë pacientë në mal.

    Mes të vdekurve ishin dy të huaj, të cilët, sipas policisë, ishin nisur për evakuim mjekësor. Po ashtu, në aksident humbën jetën një mjek lokal, një udhërrëfyes turistik dhe piloti, raporton abcnews, transmeton Sinjali.

    Rrëzimi ndodhi midis Kampit Barafu dhe Majës Kibo në mal, në një lartësi mbi 4,000 metra (13,100 këmbë).

    Komandanti i policisë rajonale të Kilimanxharos, Simon Maigwa, tha për gazetarët se aeronavi i përkiste kompanisë Kilimanjaro Aviation, e cila ofron, ndër të tjera, shërbime evakuimi mjekësor. Kompania ende nuk ka bërë komente për aksidentin.

    Policia njoftoi se informacion i mëtejshëm do të jepet më vonë.

    Autoriteti i Aviacionit Civil të Tanzanisë tha të enjten se hetimet kanë filluar në përputhje me rregulloret ndërkombëtare të sigurisë, “për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e mundshëm të aksidentit”.

    Aksidentet ajrore në Malin Kilimanxharo janë të rralla, me incidentin e fundit të regjistruar në nëntor 2008, kur humbën jetën katër persona.

  • Tentim vrasja në Prishtinë – arrestohet pas nëntë muajsh i dyshuari

    Tentim vrasja në Prishtinë – arrestohet pas nëntë muajsh i dyshuari

    Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me një rast të vrasjes në tentativë në bashkëkryerje, Policia ka arrestuar një person të dyshuar mashkull kosovar në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, rasti kishte ndodhur më 2 mars 2025, rreth orës 22:00, në rrugën “Fatime Sokoli”. Pas veprimeve hetimore, më 25 dhjetor 2025 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari.

    Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale 4.3 gramë, si dhe gjashtë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 66.58 gramë.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./Telegrafi/

  • Ishin në kërkim, dy persona ndalohen në Aeroportin e Prishtinës për raste të vjedhjes

    Ishin në kërkim, dy persona ndalohen në Aeroportin e Prishtinës për raste të vjedhjes

    Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në dy raste të ndara që lidhen me vepra penale të vjedhjes.

    Në rastin e parë, është arrestuar një mashkull kosovar, i cili ishte në kërkim policor lidhur me një rast të vjedhjes së veturës, i ndodhur më 8 gusht 2025 në Gjermani.

    Pas arrestimit, vetura e vjedhur është sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Në rastin e dytë, është ndaluar një femër kosovare, e cila ishte në kërkim policor për një rast vjedhjeje të ndodhur më 21 dhjetor 2025, rreth orës 09:30.

    Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

    Hetimet lidhur me të dy rastet janë duke vazhduar nga autoritetet kompetente. /Telegrafi/

  • “Krishtlindje të lumtura”, ambasada e SHBA-së uron Kosovën dhe botën

    “Krishtlindje të lumtura”, ambasada e SHBA-së uron Kosovën dhe botën

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, i ka dërguar urimet e saj të ngrohta të Krishtlindjeve të gjithë atyre që po festojnë në mbarë botën.

    Në një postim në rrjetet sociale, ambasada ka uruar Krishtlindje të lumtura.

    “Për të gjithë ata që po festojnë në Kosovë dhe në mbarë botën, u urojmë Krishtlindje shumë të lumtura!”, thuhet në urim.

    Krishtlindja festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit dhe mbetet simbol i besimit, shpresës dhe bashkimit ndër njerëz. /Telegrafi/

  • Vdes babai i Salih Mustafës, Specialja nuk i dha leje për ta vizituar sa ishte në gjendje të rëndë shëndetësore

    Vdes babai i Salih Mustafës, Specialja nuk i dha leje për ta vizituar sa ishte në gjendje të rëndë shëndetësore

    Babai i Salih Mustafës, Jahja Mustafa, ka ndërruar jetë.

    Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët për Paparacin.

    Jahja Mustafa kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Pavarësisht kësaj, Gjykata Speciale nuk e lejoi të vinte në Kosovë për ta vizituar.

    Madje, Organizata e Veteranëve të Luftës doli me reagim, duke theksuar se Calit iu refuzua kërkesa për vizitë.

    Megjithatë, nga Gjykata Speciale nuk kanë dhënë asnjë konfirmim.

    Në një përgjigje për Nacionalen, Specialja ka theksuar se Ligji ia lejon Mustafës të bëjë kërkesë, por deri më tash nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar.

    “Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u lejon të paraburgosurve të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye bindëse humanitare. Deri më tani nuk ka asnjë dosje publike që trajton pyetjen tuaj nëse është bërë një kërkesë”, thuhet në përgjigje.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte njoftuar se Salih Mustafës, i dënuar nga Gjykata Speciale me 15 vite burgim, i është refuzuar kërkesa që ta vizitojë babanë që raportohet të jetë në gjendje kritike shëndetësore.

    “Refuzimi i kësaj kërkese është i pakuptimtë, johuman dhe në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut”, tha OVL-UÇK në reagimin e saj.

    Sipas kësaj organizate, Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për pasojë, nuk ekziston asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në proces gjyqësor.

    “Ju njoftojmë se OVL UÇK këtë shqetësim do ta ngrejë tek të gjitha institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë organizatat për të drejtat e njeriut, duke kërkuar reagim dhe përgjegjësi për këto shkelje të rënda”, u tha më tutje.

    “Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi”, u tha në reagimin e OVL-UÇK.

    Për këtë, reagoi edhe Vlora Çitaku nga PDK-ja.

    “Gjykata Speciale ia ka refuzuar kërkesën Calit për ta vizituar babanë e tij, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është padrejtësi speciale. Edhe më e rëndë është heshtja e institucioneve tona. Një heshtje e turpshme. Cali është i fortë. Ai e përballon. Nuk thyhet. Por ju që mbani pozita drejtuese në institucione, e që nuk veproni, do t’ju mbulojë turpi. Indiferenca juaj është bashkëfajësi. Të mjerë”, shkroi ajo.

    Gjykata Speciale ia kishte refuzuar edhe Hashim Thaçit kërkesën disa herë për të ardhur në Kosovë, që ta vizitojë babanë e sëmurë.

    Kurse, ish-eprorët e tjerë të UÇK-së nuk u lejuan të marrin pjesë në ceremoni mortore, por vetëm pasi mbyllej e pamja. Kjo ishte kritikuar ashpër në Kosovë.

  • Arrestohet burri që dyshohet se dhunoi një burrë në Podujevë

    Arrestohet burri që dyshohet se dhunoi një burrë në Podujevë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Podujevë, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të dhunimit ndaj një viktimës kosovar.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 19 dhjetor, rreth orës 18:00.

    I dyshuari është ndaluar nga njësitë policore dhe më pas është intervistuar nga hetuesit.

    Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga organet e drejtësisë.

  • Kurti uron Krishtlindjen

    Kurti uron Krishtlindjen

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar Krishtlindjen duke thënë se kjo festë është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë.

    “Krishtlindja është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë. Të dashur besimtarë të krishterë, urime këtë datë të shënuar dhe paçi një ditë të gëzuar e të begatë me më të dashurit tuaj. Uroj që mirësia e Zotit t’ju përcjellë gjithmonë dhe dashuria për tjetrin t’ju shtohet përherë”, ka shkruar Kurti në urimin e tij.

  • Lista Serbe gjobitet edhe me 30 mijë euro nga PZAP-i

    Lista Serbe gjobitet edhe me 30 mijë euro nga PZAP-i

    Paneli Zgjedhor për Ankesat dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim lidhur me ankesën e subjektit politik Kosovski Savez, me seli në Leposaviq, kundër subjektit politik Lista Serbe, me seli në veri të Mitrovicës.

    Kjo ankesë lidhej me shkeljen e Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Në vendimin e datës 24 dhjetor 2025,PZAP-i pranoi ankesën e subjektit Kosovski Savez dhe konstatoi se subjekti Lista Serbe ka shkelur Kodin e Mirësjelljes dhe detyrimet e tyre ndaj kandidatëve gjatë fushatës zgjedhore.

    Për këtë arsye, Lista Serbe është gjobitur me 30,000 euro dhe është urdhëruar që menjëherë të largojë nga hapësirat publike të gjitha posterat dhe materialet zgjedhore që lidhen me këtë shkelje.

    Ky vendim vjen pas një ankese të dorëzuar më 23 dhjetor 2025, ku subjekti Kosovski Savez pretendonte se Lista Serbe kishte vendosur materiale promovuese në rrugën “24 Nëntori” në Leposaviq, duke shkelur rregullat e fushatës zgjedhore.

    PZAP-i thekson rëndësinë e respektimit të Kodit të Mirësjelljes për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm.

    Theksojmë se Lista Serbe u gjobit nga PZAP-i me 20 mijë euro edhe gjatë së martës (23 dhjetor).

  • Trump uron Krishtlindjet: Zoti e bekoftë Amerikën

    Trump uron Krishtlindjet: Zoti e bekoftë Amerikën

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka uruar të gjithë qytetarët për Krishtlindje përmes rrjetit të tij social, Truth Social, duke kombinuar urimet festive me përmendjen e aspekteve që ai i konsideron si arritjet më të rëndësishme të mandatit të tij.

    “Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, përfshirë edhe fundërrinën e së majtës radikale që po bën gjithçka që mundet për të shkatërruar vendin tonë, por po dështon plotësisht në këtë drejtim”, shkroi presidenti republikan, para se të rendiste sukseset e tij.

    Trump theksoi se gjatë mandatit të tij nuk ka më kufij të hapur, nuk ka burra që konkurronin në sportet e grave, dhe nuk ka zbatim të dobët të ligjit.

    Ai shtoi se ajo që ka arritur është një treg aksionesh rekord, shifrat më të ulëta të krimit në dekada, asnjë inflacion, dhe një GDP prej 4.3, dy pikë më mirë se sa pritej.

    “Tarifat na kanë dhënë triliona dollarë dhe prosperitet, dhe sigurinë kombëtare më të fortë që kemi pasur ndonjëherë. Ne jemi të respektuar përsëri, ndoshta si kurrë më parë. Zoti e bekoftë Amerikën!!! Presidenti DJT,” përfundoi Trump postimin, duke i kombinuar urimet për festat me një reflektim mbi arritjet e tij në politikën kombëtare dhe ekonomike.

  • Ambasadori britanik uron qytetarët për Krishtlindje: Kohë gëzimi, bashkimi dhe shprese

    Ambasadori britanik uron qytetarët për Krishtlindje: Kohë gëzimi, bashkimi dhe shprese

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar festën e Krishtlindjes për të gjithë qytetarët që e festojnë sot.

    Duke publikuar një portret familjar pranë pemës së Krishtlindjes, Hargreaves ka shprehur urimet e tij për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    “Nga familja ime, juve dhe familjes suaj, ju urojmë një Krishtlindje të Gëzuar të gjithëve në Kosovë që festojnë sot. Kjo kohë është një kohë gëzimi, bashkimi dhe shprese. ‘Drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e ka mposhtur atë’,” shkroi ai.