ATV

Author: G.O.

  • Ftohtë në fundjavë, në viset e larta edhe fluska bore

    Ftohtë në fundjavë, në viset e larta edhe fluska bore

    Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se në fundjavë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell, ndërkaq temperaturat do të jenë në minus.

    IHMK-ja thekson se të shtunën do të mbajë vranësirat në viset e larta malore parashihen të sjellin riga dhe fjolla të dobëta bore.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 grade Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-4 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

    Ndërkaq, edhe të dielën parashihet të mbajë mot kryesisht i ngjashëm por me temperatura më të ulëta, kryesisht ato minimalet.

    Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -2 deri -6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare.

  • Arabia Saudite godet aleatët e Emirateve, rrezikohet përshkallëzimi i luftës

    Arabia Saudite godet aleatët e Emirateve, rrezikohet përshkallëzimi i luftës

    Arabia Saudite ka ndërmarrë një hap të papritur duke kryer sulme ajrore në Jemen, për herë të parë pas tre vitesh qetësi.

    Megjithatë, këtë radhë objektivi nuk ishin rebelët Houthi, por forcat separatiste të jugut, të cilat mbështeten nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Çfarë ndodhi?

    Ditët e fundit, forcat separatiste (Këshilli i Tranzicionit të Jugut – CTS) morën nën kontroll territore të mëdha në lindje të Jemenit, pranë kufirit me Arabinë Saudite dhe Omanin. Riadi zyrtar e cilësoi këtë si një “përshkallëzim të pajustifikuar” dhe u kërkoi separatistëve të tërhiqen menjëherë.

    Pasi separatistët refuzuan urdhrin, avionët sauditë goditën pozicionet e tyre në rajonin Hadramaout. Sipas raportimeve të para, sulmet ishin më shumë një “paralajmërim” pasi nuk pati viktima apo dëme të mëdha materiale.

    Pse po përplasen aleatët?

    Edhe pse Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë zyrtarisht aleatë kundër rebelëve Houthi, ato kanë plane të ndryshme për të ardhmen e Jemenit:

    Arabia Saudite kërkon një Jemen të bashkuar dhe stabil, duke mbështetur qeverinë zyrtare që njihet ndërkombëtarisht.

    Emiratet e Bashkuara Arabe mbështesin separatistët e jugut, të cilët duan që Jemeni i Jugut të jetë shtet më vete.

    Rreziqet për rajonin

    Ekspertët paralajmërojnë se kjo përplasje mes “miqve” mund të ndihmojë rebelët Houthi (të mbështetur nga Irani), të cilët përfitojnë nga përçarja e kundërshtarëve të tyre.

    Gjithashtu, kjo ngjarje tregon një rivalitet në rritje midis Riadit dhe Abu Dabit për influencë në Lindjen e Mesme. Një situatë e ngjashme po ndodh edhe në Sudan, ku dy vendet mbështesin palë të ndryshme në luftën civile atje.

    Deri tani, as Arabia Saudite dhe as Emiratet nuk kanë bërë komente zyrtare mbi sulmet, por situata mbetet e tensionuar dhe mund të çojë në një fazë të re të luftës në Jemen.

  • Gjendja në pikat kufitare, kolona deri në 300 metra te Dheu i Bardhë për hyrje në Kosovë

    Gjendja në pikat kufitare, kolona deri në 300 metra te Dheu i Bardhë për hyrje në Kosovë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka përditësuar të dhënat, duke njoftuar se kohët e pritjeve në pikat kufitare të Kosovës janë rritur.

    Në pikëkalimin kufitar të Dheut të Bardhë, sipas QKMK-së, pritjet për hyrje në Kosovë arrijnë deri në 40 minuta, ndërsa për dalje koha e pritjes shkon deri në 35 minuta.

    Në Jarinjë, pritjet për të hyrë në vend janë deri në 10 minuta, ndërsa në pikat e tjera kufitare fluksi dhe koha e pritjes mbeten më të ulëta.

  • Katër alpinistë humbasin jetën pas një orteku të befasishëm në Greqi

    Katër alpinistë humbasin jetën pas një orteku të befasishëm në Greqi

    Katër alpinistë kanë vdekur pasi u rrëmbyen nga një ortek në Greqinë qendrore, thanë shërbimet e shpëtimit. “Aksidenti ndodhi në malet Vardousia në rajonin e Fokidës”, raportoi gazeta e përditshme “Kathimerini”, duke cituar zyrtarët e shpëtimit.

    Tre persona (burra) u raportuan fillimisht të zhdukur të enjten në mbrëmje, pasi u nisën nga fshati Athanasios Diakos për t’u ngjitur në malin Korakas, me një lartësi prej rreth 2,500 metrash.

    Pas humbjes së kontaktit me telefon, miqtë dhe të afërmit njoftuan autoritetet.

    “Ekipet e shpëtimit zbuluan dje trupat e tre burrave, si dhe atë të një gruaje në të 30-at, e cila fillimisht nuk ishte raportuar e zhdukur dhe besohet të ketë qenë partnerja e një prej viktimave”, raportoi “Kathimerini”.

    Të katër personat u gjetën afër njëri-tjetrit, duke sugjeruar se ata ishin kapur në befasi nga orteku dhe nuk kishin mundësi të shpëtonin.

    Ekipet e shpëtimit thanë se dy nga burrat ishin alpinistë me përvojë, duke rritur fillimisht shpresat se grupi mund të kishte gjetur strehim.

    Megjithatë, operacionet e kërkimit u penguan nga terreni i pjerrët dhe i rrezikshëm, të përkeqësuara nga kushtet e këqija të motit.

    Operacioni i rikuperimit për transportimin e katër trupave nga mali pritet të zhvillohet sot.

  • KFOR-i njofton për disa punime që po bëhen në kampin e Bondsteel

    KFOR-i njofton për disa punime që po bëhen në kampin e Bondsteel

    KFOR-i përmes faqes zyrtare ka njoftuar për disa punime që janë duke ndodhur në kampin Bondsteel në Ferizaj.

    KFOR-i në njoftim shkruan se projekte si këto përmirësojnë kampin dhe kontribuojnë në gatishmërinë e njësive të tjera për të mbajtur personelin dhe pajisjet active.

    Punimet janë duke u kryer nga disa ingjinierë finlandez.

    “Përpjekje të tilla rrisin aftësitë operacionale dhe mbështetëse dhe pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, ka njoftuar KFOR.

  • SPAK përfundon kontrollet në banesat dhe zyrat e 34 zyrtarëve dhe biznesmenëve të përfshirë në dosjen “Balluku”

    SPAK përfundon kontrollet në banesat dhe zyrat e 34 zyrtarëve dhe biznesmenëve të përfshirë në dosjen “Balluku”

    Mbyllen 34 kontrollet e urdhëruara nga SPAK për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, shumica e te cilëve janë staf i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

    Anila Hoxha bën me dije se në vendimin e gjyqtarin Erjon Çela do të procesohen në ditët në vijim edhe 20 kontrolle të tjera, ndaj biznesmenëve dhe punonjësve të institucioneve.

    Kontrolle janë ushtruar në dy kompani ndërtimi dhe shumë punonjës të Autoritetit të Rrugëve dhe Korporatën Elektroenergjitike. Dy kompanitë e ndërtimit janë të njohura për tenderat që fitojnë pranë këtyre dy kompanive shtetërore.

    Ndërkohë mësohet se aksioni i kontrollit është kryer nga vetëm agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit duke mos lejuar asnjë punonjës të policisë së shtetit, të paktën në tre kontrolle që janë zhvilluar në zonën që është në juridiksionin e komisariatit numër tre ku ka ndodhur ky fenomen.

    Mes personave që u janë kontrolluar banesat dhe ambientet e punës por edhe të banimit të drejtuesve të kompanive ndërtuese. Në një rast agjentët e BKH e kanë lënë tek dera punonjësin e policisë pa i lejuar që të marrin pjesë në kontroll. Ndërkohë që mes emrave të personave që u janë kontrolluar banesat janë edhe familjarë të drejtuesve të kompanive.

    Mësohet se është kontrolluar banesa e Viola Haxhiademi, ish sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtore e KESH-it, banesa e Gentian Gjyli ish drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në arrest shtëpie, banesa e Erald Elezi, ish drejtori i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie si dhe banesa e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços.

    Kontrollet janë bërë për të vijuar procesin e hetimit për dosjen hetimore ku zyrtari më i lartë nën akuzë është zv.kryeministrja Belinda Balluku për të cilën SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe dhënien e lejes për heqjen e lirisë./TCh/

  • Sherr mes disa personave në Suharekë, një i plagosur me armë

    Sherr mes disa personave në Suharekë, një i plagosur me armë

    Një person ka mbetur i plagosur pas një përleshjeje që ka ndodhur sot rreth orës 11:40 në Suharekë.

    Sipas Policisë, përleshja mes disa personave ka eskaluar me plagosjen e njërit prej tyre me armë zjarri.

    I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Suharekës. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë në vendngjarje dhe po veprojnë në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

    “Sot, më datë 27.12.2025, rreth orës 11:40, është raportuar për një përleshje mes disa personave, e cila ka eskaluar me plagosjen e një personi me armë zjarri. I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Suharekës. Njësitet policore, menjëherë pas pranimit të informatës, i janë përgjigjur rastit dhe janë duke vepruar në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, në përputhje me procedurat standarde policore”.

  • KQZ: Deri në orën 13:00 në 24 përfaqësi diplomatike votuan mbi 7 mijë mërgimtarë

    KQZ: Deri në orën 13:00 në 24 përfaqësi diplomatike votuan mbi 7 mijë mërgimtarë

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se me fillimin e votimit në SHBA dhe Kanada, procesi tashmë po zhvillohet në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

    Votimi po mbahet në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete dhe, sipas KQZ-së, po zhvillohet pa asnjë pengesë.

     “Me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ju njoftojmë se tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. Pra, procesi i votimit është duke u zhvilluar në 29 përfaqësitë diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Nga komunikimi i vazhdueshëm me qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike, procesi i votimit është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë. Sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues”, ka deklaruar Elezi.

    Deri në orën 13:00, nga 19,187 votues të regjistruar në 24 përfaqësi diplomatike, kanë votuar 7,079 persona apo 36.89 për qind.

    Elezi theksoi se sot, më 27 dhjetor 2025, mund të votojnë vetëm qytetarët e regjistruar për këtë mënyrë votimi, ndërsa identifikimi lejohet edhe me dokumente të skaduara të Republikës së Kosovës.

    “Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë sot, më 27 dhjetor 2025, pasi në listën votuese e cila është dërguar në përfaqësi dipomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (26 nëntor – 6 dhjetor 2025). Gjithashtu, identifikimi në vendvotimin e përfaqësisë diplomatike mund të bëhet përmes njërit nga tri dokumentet e Republikës së Kosovës: Letërnjoftim, pasaporte apo leje e vozitjes. Sipas vendimit të KQZ-së, pranohen për identifikim këto dokumente edhe nëse janë me afat të skaduar”, theksoi ai.

  • Zelensky thotë se Rusia po përdor territorin e Bjellorusisë për të sulmuar Ukrainën

    Zelensky thotë se Rusia po përdor territorin e Bjellorusisë për të sulmuar Ukrainën

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se po përdor blloqe të zakonshme banimi në territorin e aleatit të saj, Bjellorusisë, për të sulmuar objektiva ukrainase dhe për të anashkaluar sistemet mbrojtëse të Kievit.

    Zelensky i bëri këto akuza të premten, pas zbulimeve nga ekspertët e inteligjencës se Moska ka gjasa të ketë vendosur raketat e saj të reja balistike hipersonike me aftësi bërthamore në një ish-bazë ajrore në lindje të Bjellorusisë. Ky veprim shihet si forcim i aftësisë së Rusisë për të goditur objektiva në Evropë.

    “Vërejmë se rusët po përpiqen të anashkalojnë pozicionet tona mbrojtëse të interceptorëve përmes territorit të Bjellorusisë fqinje. Kjo është e rrezikshme për Bjellorusinë,” shkroi Zelensky të premten në Telegram, pas një mbledhjeje të shtabit ushtarak.

    “Është për të ardhur keq që Bjellorusia po dorëzon sovranitetin e saj në favor të ambicieve agresive të Rusisë”, tha lideri ukrainas.

    Zelensky deklaroi se inteligjenca ukrainase ka vëzhguar se Bjellorusia po vendos pajisje “në vendbanime bjelloruse pranë kufirit, përfshirë edhe mbi ndërtesa banimi”, për të ndihmuar forcat ruse në kryerjen e sulmeve të tyre.

    “Antena dhe pajisje të tjera janë vendosur mbi çatitë e ndërtesave të zakonshme pesëkatëshe të banimit, të cilat ndihmojnë në orientimin e ‘Shahedëve’, dronëve rusë, drejt objektivave në rajonet tona perëndimore”, tha ai.

    “Kjo është një shpërfillje e plotë ndaj jetës njerëzore dhe është e rëndësishme që Minsku të ndalojë së luajturi me këtë”, shtoi Zelensky.

    Ministritë e Mbrojtjes të Rusisë dhe Bjellorusisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

  • Bëhen ‘shkrumb e hi’ disa autobusë në një zonë parkimi në Durrës

    Bëhen ‘shkrumb e hi’ disa autobusë në një zonë parkimi në Durrës

    Një zjarr i madh ka rënë mesditën e sotme në Fllakë, Durrës, në një zonë të vjetër parkimi autobusësh, ku disa mjete të amortizuara dhe të papërdorura kanë marrë flakë.

    Euronews raporton se autobusët kanë qenë të parkuar prej kohësh dhe ndodhen pranë zonës së Fllakës.

    Nuk ka rrezik për përhapje të zjarrit, pasi mjetet janë larg qendrave të banuara.

    Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet zjarrëfikëse për të monitoruar situatën. Nuk raportohet për persona të lënduar.