ATV

Author: G.O.

  • Verifikimi i votave për subjekte dhe kandidatë përfundon në 20 komuna

    Verifikimi i votave për subjekte dhe kandidatë përfundon në 20 komuna

    Procesi i verifikimit të votave të subjekteve politike dhe numërimit të atyre të kandidatëve për deputetë është përmbyllur në 20 nga 38 komunat e Kosovës.

    Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi ende nuk ka përfunduar në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Kaçanik, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Skenderaj, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë dhe Graçanicë.

    Verifikimi dhe numërimi do të vazhdojë edhe të mërkurën deri në mesditë, për t’u rikthyer pasditen e së martës, duke garantuar vijimësinë dhe rregullsinë e procesit zgjedhor.

  • Horoskopi 31 dhjetor 2025, parashikimi i yjeve për ditën e fundit të vitit

    Horoskopi 31 dhjetor 2025, parashikimi i yjeve për ditën e fundit të vitit

    Dashi – Energjia juaj do të jetë në kulm dhe do të bëheni nxitësi kryesor i festës në çdo ambient ku do të ndodheni. Kjo është nata e duhur për të treguar anën tuaj më bujare dhe për të nisur vitin e ri me objektiva të qarta dhe guxim të pashoq.

    Demi – Ky fundvit ju gjen duke kërkuar rehatinë dhe shijen e mirë, prandaj do të fokusoheni te një darkë e pasur me njerëzit më të afërt. Planetet sugjerojnë se stabiliteti që keni ndërtuar gjatë vitit do t’ju shpërblehet me një ndjenjë të thellë paqeje dhe sigurie.

    Binjakët – Telefoni juaj nuk do të pushojë nga urimet dhe ftesat e shumta, duke ju bërë qendrën e vërtetë të komunikimit për këtë natë. Është momenti i duhur për të shkëmbyer ide dhe për të rregulluar marrëdhëniet me miqtë që keni pasur larg gjatë vitit.

    Gaforrja – Nata e ndërrimit të viteve do të jetë mjaft emocionale për ju, duke sjellë kujtime të bukura dhe momente nostalgjie me familjen. Fokusohuni te dashuria që po merrni dhe lini pas çdo shqetësim të vogël, pasi viti që po vjen premton ngrohtësi shpirtërore.

    Luani – Si gjithmonë, ju do të kërkoni dhe do të merrni vëmendjen e të gjithëve, duke shkëlqyer si me pamjen ashtu edhe me humorin tuaj. Kjo mbrëmje do t’ju shërbejë për të konfirmuar pozicionin tuaj lider dhe për të projektuar suksese akoma më të mëdha për muajt në vazhdim.

    Virgjëresha – Edhe pse dëshironi që çdo gjë të jetë perfekte deri në detaj, yjet ju këshillojnë të ulni pak ritmin dhe të shijoni momentin. Puna juaj e palodhur e vitit 2025 meriton një festë ku e vetmja gjë që duhet të bëni është të argëtoheni pa menduar për përgjegjësitë.

    Peshorja – Harmonia dhe bukuria do të karakterizojnë festën tuaj, ku takimet romantike ose bisedat e këndshme në çift do të jenë në fokus. Do të ndiheni veçanërisht mirënjohës për balancën që keni arritur në jetën tuaj private dhe do ta mbyllni vitin me buzëqeshje.

    Akrepi – Kjo natë do të jetë një moment reflektimi të thellë për ju, ku do të vendosni përfundimisht se çfarë do të lini pas dhe çfarë do të merrni me vete në vitin 2026. Forca juaj e brendshme do të jetë e dukshme dhe do t’ju japë një siguri të admirueshme për të ardhmen.

    Shigjetari – Optimizmi juaj natyror do të jetë “karburanti” i kësaj mbrëmjeje, duke i bërë të gjithë rreth jush të besojnë në mrekullitë e vitit të ri. Do të festoni me dëshirën për të eksploruar horizonte të reja dhe do të bëni plane për udhëtime të paharrueshme.

    Bricjapi – Do të ndjeni një kënaqësi të veçantë duke parë rezultatet e përpjekjeve tuaja gjatë gjithë vitit që po mbyllni. Ky është momenti për të festuar fitoret tuaja profesionale dhe për të kuptuar se disiplina juaj ju ka hapur dyer që dikur dukeshin të pamundura.

    Ujori – Mënyra juaj e festimit do të jetë unike dhe larg klisheve tradicionale, duke surprizuar miqtë me ide origjinale. Do të ndjeheni më të lirë se kurrë për të shprehur individualitetin tuaj dhe për të nisur një vit ku kreativiteti do të jetë arma juaj më e fortë.

    Peshqit – Një atmosferë pothuajse magjike do t’ju rrethojë në orët e fundit të vitit, duke ju bërë të ndiheni në harmoni të plotë me universin. Intuita juaj do t’ju udhëheqë drejt njerëzve të duhur dhe do të ndjeni një valë të re shprese për realizimin e ëndrrave tuaja më të mëdha.

  • Numërimi i votave ndalet sot në ora 12:00, rifillon më 1 janar në orën 16:00

    Numërimi i votave ndalet sot në ora 12:00, rifillon më 1 janar në orën 16:00

    Procesi i numërimit të votave do të ndërpritet sot në ora 12:00 dhe do të rifillojë më 1 janar në ora 16:00, sipas vendimit të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Ky orar është përcaktuar disa ditë më parë në kuadër të organizimit të punës gjatë ndërrimit të viteve, duke paraparë një pauzë të shkurtër për festat e fundvitit.

    Sipas vendimit të KQZ-së, më 31 dhjetor numërimi do të vazhdojë deri në mesditë dhe më pas do të pezullohet për pjesën tjetër të ditës, ndërsa procesi do të rinisë pasditen e 1 janarit.

    Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë bërë të ditur se, pavarësisht ndërprerjes së përkohshme, procesi i numërimit do të vijojë sipas planit të parashikuar, duke garantuar transparencë dhe rregullsi gjatë numërimit të votave.

  • Osmani paralajmëron njohje të reja për Kosovën në fillim të vitit 2026

    Osmani paralajmëron njohje të reja për Kosovën në fillim të vitit 2026

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se vendi ka hyrë në një “tempo të re” sa i përket sigurimit të njohjeve të reja ndërkombëtare dhe se në pjesën e parë të vitit 2026 priten “lajme të mira” për vendin në këtë drejtim.

    “Jemi shumë afër që të arrijmë 2/3 e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Osmani.

    Presidentja ka refuzuar të përmendë emrat e shteteve mosnjohëse me të cilat Kosova ka kontakte, duke shpjeguar se një publikim i tillë mund të pengohet nga Serbia.

    “Në fakt, ne në këtë vit kishim katër njohje, të cilat janë rezultat i një pune dhe i një angazhimi të vazhdueshëm. Dhe tani është krijuar një tempo e re, një tempo e re njohjesh, natyrisht e cila nuk do të ndalet, ka shumë shtete që janë afër marrjes së vendimit. Por, mos të harrojmë që gjithnjë i dëmton interesat e Kosovës, nëqoftëse flasim për këto shtete publikisht. Dhe dua t’ju bëj thirrje edhe njerëzve të tjerë, qoftë edhe brenda institucioneve dhe jashtë tyre, që mos t’i bëjnë publike emrat e shteteve që po punojnë, sepse kjo pastaj po e nxit Serbinë dhe shtetet e tjera që të angazhohen, shpeshherë edhe me mjete jashtë diplomacisë dhe me mjete të ndryshme presioni, për të bllokuar këtë proces të pakthyeshëm për Kosovën”, shtoi ajo për indeksonline.

    Bahamas u bë shteti i 121-të që e njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

  • Numërohen mbi 68 për qind e votave për deputetë, këto janë rezultatet e përditësuara në mëngjes

    Numërohen mbi 68 për qind e votave për deputetë, këto janë rezultatet e përditësuara në mëngjes

    68,95 përqind e votave të kandidatëve për deputetë kanë përfunduar së numëruari. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar rezultatet nga 1 mijë e 763 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë gjithsej.

    Kreu i VV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, e ka kaluar shifrën prej 240 mijë votash.

    Ai pasohet nga Glauk Konjufca që numëron mbi 187 mijë vota deri tash.

    Lista vazhdon me Albulena Haxhiun, Hekuran Muratin dhe Donika Gërvallën.

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza ka rreth mbi 109 mijë vota deri tash.

    Pas tij vjen Arian Tahiri me rreth 50 mijë vota, pasuar nga Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari.

    Tek LDK, në krye të listës është Lumir Abdixhiku me mbi 53 mijë vota.

    Hykmete Bajrami renditet menjëherë pas tij me gati 33 mijë vota, e ndjekur nga Ukë Rugova, Doarsa Kica Xhelili dhe Avdullah Hoti.

    Nga AAK, Ramush Haradinaj është i pari me rreth 27 mijë vota, i ndjekur nga Daut Haradinaj me mbi 17 mijë.

  • Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona

    Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona

    Komuna e Prishtinës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot ka vendosur për dhënien në shfrytëzim të 5288 pronave publike.

    Asamblistja Jeta Rafuna ka thënë se kjo është çështje me rëndësi për menaxhimin e pronës publike dhe për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit.

    Ajo ka  shtuar se dhënia në shfrytëzim të këtyre pronave, krijon hapësirë për rritjen e të hyrave vetanake të komunës.

    Asamblisti i PDK-së, Leotrim Retkoceri ka thënë se shpreson që lista e pronave t’i përmbajë të gjitha elementet që kërkohen me ligj.

    Besa Shahini nga PSD-ja ka thënë se ka keqmenaxhim të përmasave të mëdha të pronës publike në Prishtinë. Ka thënë se dëmi që i është shkaktuar komunës është mbi 200 mijë euro.

    Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla ka thënë se nëse nuk miratohet kjo listë, i bie që komuna e Prishtinës vitin e ardhshëm nuk mund ta jep asnjë pronë në shfrytëzim.

    Sipas tij, me sjell një listë me mbi 5288 prona në një seancë të jashtëzakonshme dhe të kërkojë nga asambleja të votojë pa plotësim të dokumentacionit, nuk është  në rregull.

    Ka thënë se asamblistët nuk janë makineri votash që të votojnë prona që nuk e dinë kush i zotëron, e as kush i shfrytëzon.

    “Kjo mund të shërbejë për shumë veprime të tjera të jashtëligjshme. Mund të ketë qytetarë që kanë ndërtu dhe është një lloj shantazhi kundër tyre. unë kërkoj që dokumentacioni të plotësohet sot dhe lista të miratohet”, ka thënë  ai. “Në këtë listë janë 17 parcela në të cilat është ndërtu një lagje luksoze, lagjja ‘Marigona’, sponsorëve të Ramës. Kjo është tentativë që të legjitimohet keqpërdorimi i pronës publike”, ka thënë ai.

  • Aktakuzë ndaj S.A. për krime lufte, dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 13 civilëve në Gjilan

    Aktakuzë ndaj S.A. për krime lufte, dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 13 civilëve në Gjilan

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër S.A. për “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Ai akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999, në fshatinë Llashticë, komuna e Gjilanit, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

    “Sipas aktakuzës, më 30.04.1999, rreth orës 13:00, S.A, ka marrë pjesë në vrasjen e  trembëdhjetë (13) civilëve dhe në plagosjen e katër (4) personave të tjerë. Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka ekzekutuar viktimën H.H duke e qëlluar me armë zjarri në kokë, e më pas e ka urdhëruar një person tjetër që të shtinte me armë zjarri në drejtim të civilëve të tjerë, duke i ekzekutuar ata një nga një.”

    Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bazë të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse i  pandehuri S.A është i paarritshëm për organet e drejtësisë.”

  • E trishtë: Një 1-vjeçar vdes pas zjarrit që shpërtheu në një shtëpi në Prizren

    E trishtë: Një 1-vjeçar vdes pas zjarrit që shpërtheu në një shtëpi në Prizren

    Një fëmijë rreth 1-vjeçar ka humbur jetën, si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një shtëpi në Prizren.

    Lajmin e trishtë e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit.

    Fëmija dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e thithjes së tymit.

    “Sot, më datën 30.12.2025, rreth orës 10:00, është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit”.

    “Si pasojë e zjarrit, një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën, ku dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e thithjes së tymit”.

  • Dita e Veteranit, Osmani: Përulemi para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr

    Dita e Veteranit, Osmani: Përulemi para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, përulemi me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr.

    Ajo pohon se ata u bënë mburojë e popullit, zë i atdheut dhe shpresë në kohën më të errët.

    “Veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë. Rrugëtimi i tyre drejt lirisë u kurorëzua me dinjitet dhe fitore. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit. Nderim i përhershëm veteranëve të UÇK-së!”, thotë Osmani.

  • KQZ përfundon numërimin e rezultateve preliminare: LVV 49.34%, PDK 20.98%, LDK 13.57%, AAK 5.66%

    KQZ përfundon numërimin e rezultateve preliminare: LVV 49.34%, PDK 20.98%, LDK 13.57%, AAK 5.66%

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesimin e rezultateve preliminare nga zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

    Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga KQZ, pas numërimit të 100 për qind të vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 49.34 për qind të votave, apo 433,394 vota.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e dyta me 20.98 për qind, përkatësisht 184,318 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.57 për qind, apo 119,201 vota.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5.66 për qind të votave, me 49,698 vota, ndërsa Lista Serbe ka marrë 4.81 për qind, apo 42,235 vota. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate ka fituar 1.70 për qind, përkatësisht 14,957 vota.

    Ndryshe, ndonëse procesimi i rezultateve preliminare ka përfunduar, procesi i numërimit po vazhdon edhe në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).

    Aty po zhvillohet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

    Deri më tani janë numëruar mbi 26 për qind të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.