ATV

Author: G.O.

  • Lideri i Iranit: Trumpi të fokusohet në problemet e vendit të tij

    Lideri i Iranit: Trumpi të fokusohet në problemet e vendit të tij

    Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të fokusohet “në problemet e vendit të tij”.

    Në adresimin e parë publik sot, që kur protestat masive filluan në Iran, Khamenei ka thënë se Republika Islamike nuk do të zmbrapset përballë atyre që duan ta shkatërrojnë vendin.

    “Ka disa nxitës që duan t’ia bëjnë qejfin presidentit amerikan duke shkatërruan pronën publike. Një popull iranian i bashkuar do t’i mposhtë të gjithë armiqtë. I bëj thirrje urgjente Trumpit që të fokusohet në problemet e vendit të tij”, ka thënë ai.

    Trumpi ka përsëritur të enjten kërcënimin për ta sulmuar Iranin nëse forcat e sigurisë vrasin protestues.

    Protestat mbrëmjen e së enjten kanë qenë masive në shumë qytete iraniane, ndërsa u raportua se për disa orë nuk ka pasur internet.

  • Për 7 ditë, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave trajtoi 51 raste

    Për 7 ditë, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave trajtoi 51 raste

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 51 raste për shtatë ditë.

    Në një komunikatë, Zyra për Komunikim Publik e Kryeprokurorit të Shtetit janë listuar rastet ku prijnë rastet me dhunë në familje.

    Gjatë periudhës njëjavore të punës në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, nga 51 rastet, 48 janë raste të dhunës në familje, 2 raste sulm seksual dhe 1 rast për trafikun.

  • Nisin riparimet e dëmeve në pronat publike në Klinë

    Nisin riparimet e dëmeve në pronat publike në Klinë

    Klina është një ndër komunat më të prekura nga vërshimet e kësaj jave.

    Përveç dëmeve nëpër objekte banimi, toka bujqësore e biznese, shiu i rrëmbyeshëm dëmtoi edhe urën në Gjurgjevik ku tashmë janë vendosur shiritat.

    Sipas, Kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, i cili gjatë të premtes doli në terren për t’i parë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, tha se kompania e kontraktuar nga komuna është në terren dhe po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për riparimin e dëmeve në pronat publike.

  • Dy shtetas të Shqipërisë dyshohen se kërkuan 40 mijë euro nga një kosovar përmes detyrimit

    Dy shtetas të Shqipërisë dyshohen se kërkuan 40 mijë euro nga një kosovar përmes detyrimit

    Një person në Prishtinë ka raportuar në Polici se më 4 janar, dy shtetas të Shqipërisë i kërkuan të dërgojë 40,000 euro brenda një afati njëjavor.

    Rasti u raportua të enjten dhe po hetohet nën dyshimin për veprën penale “detyrim”.

    Sipas Policisë, “Më 08.01.2026, ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dy persona të dyshuar, shtetas të Shqipërisë, kanë shkuar tek shtëpia e tij dhe i kanë kërkuar që deri më 11.01.2026 t’i dorëzojë 40,000 euro para të gatshme në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit.

    Rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • Trump anulon valën e dytë të sulmeve në Venezuelë

    Trump anulon valën e dytë të sulmeve në Venezuelë

    Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se kishte anuluar një valë të dytë sulmesh “të pritura më parë” ndaj Venezuelës për shkak të bashkëpunimit mes dy vendeve.

    Njoftimi erdhi në një postim në Truth Social, në të cilin Trump vlerësoi veprimet e qeverisë në detyrë të Venezuelës, shkruan CNN.

    “Venezuela po liron një numër të madh të të burgosurve politikë si një shenjë e ‘Kërkimit të Paqes’”, shkroi Trump. “Ky është një gjest shumë i rëndësishëm dhe i zgjuar”.

    Trump vazhdoi duke thënë se të dy kombet “po punojnë mirë së bashku, veçanërisht sa i përket rindërtimit, në një formë shumë më të madhe, më të mirë dhe më moderne, të infrastrukturës së tyre të naftës dhe gazit”.

  • 19-vjeçari plagos bashkëmoshatarin me thikë, arrestohet nga policia

    19-vjeçari plagos bashkëmoshatarin me thikë, arrestohet nga policia

    Një 19-vjeçar është vënë në pranga nga policia, pasi dyshohet se plagosi me mjet prerës një 18-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta.

    Sipas njoftimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, operacioni i koduar “Catch” u organizua në vijim të punës për parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kapjen e personave në kërkim.

    Shtetasi E. R., 19 vjeç, ishte shpallur në kërkim që prej 23 nëntorit 2025.

    Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

  • Peshku shitet në ankand për çmim rekord 3.2 milionë dollarë

    Peshku shitet në ankand për çmim rekord 3.2 milionë dollarë

    Një peshk ton i kaltër gjigant me peshë 243 kilogramë u shit për një çmim rekord prej 510 milionë jenë (3.2 milionë dollarë) në ankandin e parë të vitit 2026 në tregun e peshkut “Toyosu” në Tokio, raporton agjencia “AP”.

    Ofertuesi më i lartë për këtë peshk në ankandin e mbajtur para agimit të hënën ishte kompania Kiyomura Corp., pronari i së cilës, Kiyoshi Kimura, drejton zinxhirin e njohur të restoranteve Sushi Zanmai.

    Kimura, i cili e ka fituar ankandin vjetor shumë herë edhe më parë, theu rekordin e mëparshëm prej 334 milionë jenësh (2.1 milionë dollarë) që e kishte vendosur në vitin 2019, transmeton KOHA.net.

    Kimura u tha më vonë gazetarëve se shpresonte ta blinte për një çmim pak më të ulët, por “çmimi u rrit para se ta kuptoje”.

    Ankandi filloi me rënien e ziles dhe salla u mbush me peshq në formë torpedoje, me bishtat e prerë, në mënyrë që ofertuesit të mund të shqyrtonin detaje të mishit si ngjyra, tekstura dhe yndyrshmëria.

    Peshku i shtrenjtë u kap në brigjet e Omas në Japoninë veriore, një rajon i konsideruar gjerësisht si prodhues i disa prej tonëve më të mirë në vend, dhe kushton 2.1 milionë jenë (13,360 dollarë) për kilogram.

    “Është pjesërisht për fat të mirë”, tha Kimura. “Por kur shoh një ton që duket kaq mirë, nuk mund t’i rezistoj… ende nuk e kam shijuar, por patjetër që do të jetë i shijshëm”.

    Qindra tonë shiten çdo ditë në ankandin e hershëm të mëngjesit, por çmimet janë dukshëm më të larta se zakonisht për tonin e Omas, veçanërisht në ankandin festiv të Vitit të Ri.

    Për shkak të popullaritetit të tonit për sushi dhe sashimi, toni i kaltër i Paqësorit kishte qenë më parë një specie e kërcënuar për shkak të ndryshimeve klimatike dhe mbipeshkimit, por rezervat e tij po rimëkëmben pas përpjekjeve për ruajtje.

  • UNESCO fillon nismën për mbrojtjen e shkrimit të dorës

    UNESCO fillon nismën për mbrojtjen e shkrimit të dorës

    UNESCO prezantoi një projekt për mbrojtjen e shkrimit të dorës, që po vihet gjithnjë e më shumë në rrezik nga përhapja e shkrimit dixhital.

    Përdorimi masiv i tastierave dhe ekraneve me prekje ka zëvendësuar në masë të madhe shkrimin tradicional me dorë, i konsideruar historikisht jo vetëm një aftësi e fituar, por edhe një tipar themelor antropologjik i zhvillimit njerëzor.

    Përtej varfërimit kulturor, studime të shumta shkencore dhe pedagogjike tregojnë se mospraktikimi i shkrimit të dorës te fëmijët dëmton zhvillimin e aftësive njohëse.

    Kësisoj, projekti i UNESCO-s përfshin dimensione kulturore, arsimore dhe ekonomike e synon disa objektiva: rikthimin e shkrimit me dorë në qendër të proceseve edukative; parandalimin e braktisjes së tij përmes praktikës së rregullt, veçanërisht në fazat kritike të zhvillimit të fëmijëve; si edhe nxitjen e përdorimit të tij gjatë gjithë jetës.

  • PDK-ja ankohet në PZAP, kërkon shfuqizimin e mijëra votave me postë

    PDK-ja ankohet në PZAP, kërkon shfuqizimin e mijëra votave me postë

    Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar zyrtarisht shfuqizimin e rreth 20 mijë votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke u thirrur në shkelje ligjore.

    Kjo parti parashtroi ankesë në Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të enjten, derisa tha se të njëjtat fletëvotime ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.

    Ditë më parë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tregoi se komisioni kishte pranuar rreth 20 mijë fletëvotime të dërguara me postë nga mërgata në fillim të janarit.

    Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja më së largu një ditë pas zgjedhjeve.

  • Pa kripë, pa dëme: Si ta hiqni akullin nga shkallët në mënyrë të sigurt

    Pa kripë, pa dëme: Si ta hiqni akullin nga shkallët në mënyrë të sigurt

    Çfarë funksionon vërtet për shkrirjen e akullit dhe cilat zgjidhje janë më të sigurta për shtëpinë tuaj

    Akulli në shkallët e jashtme dhe në trotuaret rreth shtëpisë nuk është vetëm i bezdisshëm, por përbën edhe rrezik serioz për sigurinë, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët. Për fat të mirë, ekzistojnë disa metoda efektive për ta parandaluar dhe larguar atë, duke minimizuar njëkohësisht dëmet ndaj sipërfaqeve dhe mjedisit.

    Heqja e borës në kohë – hapi më i rëndësishëm

    Çfarë funksionon vërtet për shkrirjen e akullit dhe cilat zgjidhje janë më të sigurta për shtëpinë tuaj

    Mënyra më e lehtë dhe më efikase për të shmangur krijimin e akullit është pastrimi i borës menjëherë pas reshjeve. Sa më pak që bora të shkelet dhe të ngjeshët, aq më e vogël është mundësia e formimit të akullit të fortë, i cili më pas është shumë më i vështirë për t’u hequr.

    Kripa – zgjidhje e shpejtë, por me kujdes

    Kur akulli tashmë është krijuar, më së shpeshti përdoret kripa, pasi vepron shpejt dhe është lehtësisht e disponueshme. Megjithatë, përdorimi i tepruar mund të dëmtojë sipërfaqet prej betoni dhe guri, të ndikojë negativisht në bimë dhe të irritojë putrat e kafshëve shtëpiake. Për këtë arsye, rekomandohet përdorimi i sasive të vogla dhe shpëlarja e sipërfaqes me ujë pasi temperaturat të rriten, transmeton Telegrafi.

    Materiale alternative që ndihmojnë në shkrirjen e akullit

    Përveç kripës, mund të përdoren edhe materiale ekzotermike, të cilat ulin temperaturën e shkrirjes së akullit:

    Llumi i kafesë dhe plehu përmbajnë azot, i cili ndihmon në shkrirjen e akullit dhe njëkohësisht mund të ushqejë tokën përreth.
    Uthulla, falë acidit acetik, ndihmon në zbutjen e akullit, por duhet përdorur me kujdes për të mos dëmtuar bimët.

    Në kushte të ftohta ekstreme, efektive janë edhe kloruri i kalciumit dhe kloruri i magnezit, të cilët e shkrijnë akullin edhe në temperatura shumë të ulëta dhe veprojnë më shpejt se kripa e zakonshme.

    Parandalimi i rrëshqitjes – kur shkrirja nuk është prioritet

    Nëse qëllimi kryesor është siguria në ecje, e jo domosdoshmërisht heqja e plotë e akullit, alternativa praktike janë:

    • Rëra
    • Zhavorri i imët
    • Hiri

    Këto materiale nuk e shkrijnë akullin, por krijojnë një sipërfaqe më të ashpër që zvogëlon rrezikun e rrëshqitjes dhe ka ndikim më të vogël në mjedis.

    Zgjidhje ekologjike dhe këshilla shtesë

    Sot, gjithnjë e më shpesh përdoren produkte ekologjike për shkrirjen e akullit, të cilat janë më të buta për sipërfaqet, bimët dhe kafshët shtëpiake, por mjaft efikase për përdorim shtëpiak.

    Këshillë praktike: përdorimi i dyshekëve kundërrëshqitës në shkallë, si dhe ndriçimi i mirë i hapësirave të jashtme gjatë dimrit, rrit ndjeshëm sigurinë dhe zvogëlon rrezikun e aksidenteve. /Telegrafi/