ATV

Author: G.O.

  • Trump paralajmëron Iranin: Nëse qëlloni protestuesit, do të godasim fort

    Trump paralajmëron Iranin: Nëse qëlloni protestuesit, do të godasim fort

    Presidenti amerikan, Donald Trump të premten tha se SHBA po ndjek nga afër situatën në Iran.

    Ai paralajmëroi udhëheqësit iranianë që të mos përdorin dhunë ndaj demonstruesve.

    “Dhe përsëri, u them liderëve iranianë, më mirë mos filloni të qëlloni, sepse edhe ne do të fillojmë të qëllojmë”, tha lideri amerikan gjatë një takimi me drejtues të industrisë së naftës në Shtëpinë e Bardhë.

    Por ai shtoi se kjo nuk do të thotë “trupa amerikane në terren”, raporton cnn.

    “Nëse ata fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, ne do të përfshihemi. Kjo nuk do të thotë trupa në terren, por do të thotë goditje shumë, shumë të forta aty ku i dhemb”, tha 79-vjeçari.

  • Britania bëhet gati: 230 milionë euro për dërgimin e mundshëm të trupave në Ukrainë

    Britania bëhet gati: 230 milionë euro për dërgimin e mundshëm të trupave në Ukrainë

    Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi këtë të premte akordimin e një fondi prej 200 milionë paundësh (rreth 230 milionë euro), të cilat do të shërbejnë për përgatitjen e një dërgimi të mundshëm ushtarak në Ukrainë.

    Ky financim vjen në kuadër të planeve për krijimin e një force të ardhshme multinacionale në mbështetje të Kievit.

    Sipas njoftimit zyrtar, mjetet do të merren nga buxheti i mbrojtjes për vitin 2026. Fondet do të përdoren për të pajisur ushtrinë me automjete të reja, sisteme moderne komunikimi dhe teknologji të avancuar për mbrojtjen kundër dronëve.

    Qëllimi kryesor është që trupat britanike të jenë plotësisht të gatshme dhe të pajisura për çdo operacion në terren.

    Ministria e Mbrojtjes saktësoi se ky hap synon të garantojë gatishmërinë operacionale të forcave të saj brenda një strukture ndërkombëtare.

    Ky vendim shihet si një forcim i mëtejshëm i pozicionit të Londrës në mbështetje të Ukrainës përballë sfidave të sigurisë në rajon.

  • Vërshime në Suharekë, bllokohen disa rrugë

    Vërshime në Suharekë, bllokohen disa rrugë

    Me reshjet që kanë nisur që mbrëmjen e së premtes, disa zona në Suharekë janë përfshirë sërish nga vërshimet, duke vështirësuar qarkullimin rrugor.

    Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka bërë thirrje për kujdes në disa rrugë të vërshuara dhe ka treguar se cilat segmente janë të pakalueshme.

    “Rruga që kalon nga fshati Tërrnje në drejtim të Nëpëbishtit është e bllokuar”, ka thënë ai përmes një videoje të publikuar në Facebook.

    Ndërkohë, mëngjesin e së shtunës, Policia e Kosovës njoftoi se një segment i rrugës nacionale Ferizaj–Prishtinë është ndaluar përkohësisht për qarkullim të automjeteve për shkak të pranisë së madhe të ujit në rrugë.

  • Qytetarëve në Drenas u bëhet thirrje për kujdes, reshjet po e shtojnë nivelin e ujërave

    Qytetarëve në Drenas u bëhet thirrje për kujdes, reshjet po e shtojnë nivelin e ujërave

    Komuna e Drenasit nuk po gjen qetësi nga reshjet e shiut, e të cilat kanë rritur edhe nivelin e ujërave.

    Zyrtarët komunal u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes, ndërkohë që ekipet emergjente po qëndrojnë në terren për të intervenuar në vendet ku pati vërshime.

    “Pas vërshimeve që pati komuna e Drenasit, reshjet e shiut që kanë filluar gjatë natës po vazhdojnë ta shtojnë nivelin e ujërave, kërkohet kujdes, bashkëpunim dhe solidaritet nga qytetarët dhe kompanitë në rast të përkeqësimit të situatës. Ekipet emergjente inspektuan vendet që ishin kritike gjatë këtyre ditëve dhe u siguruan që gjendja të stabilizohet, përfshirë edhe pastrimin e rrugëve kryesore nga bora. Zyrtarët e komunës janë në terren dhe po merren me përmirësimin e gjendjes nga vërshimet. Janë vizituar disa familje që u prekën nga situata dhe ato u mbështetën me pako ushqimore falë donatorëve. Pakot ushqimore u dhanë për familjet që kishin më shumë nevojë.  Qytetarët kanë filluar me paraqitjen e kërkesave për vlerësimin e dëmeve. Në vazhdim, tri komisionet në terren do të merren me regjistrimin e dëmeve në ekonomitë familjare, biznese dhe në sektorin bujqësor. Po ashtu, dëmet infrastrukturore janë vlerësuar dhe pritet që së shpejti të realizohen përmirësimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Komunës.

    Komuna e Drenasit falënderon qytetarët dhe kompanitë për solidaritetin, bashkëpunimin dhe durimin në situatën e krijuar, duke mbetur e përkushtuar me të gjitha mundësitë ligjore në shërbim të mirëqenies së qytetarëve.

  • Protestat hyjnë në ditën e 13-të, Khamenei: Irani nuk do të dorëzohet

    Protestat hyjnë në ditën e 13-të, Khamenei: Irani nuk do të dorëzohet

    Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, deklaroi se republika islame nuk do të tërhiqet përballë protestave më të mëdha të viteve të fundit.

    Në një fjalim të shkurtër të transmetuar nga televizioni shtetëror, Khamenei e quajti lëvizjen “veprim të banditëve dhe sabotuesve”, duke paralajmëruar se forcat e sigurisë do të mbrojnë revolucionin pa kompromis.

    Protestat, të nisura për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe kërkesave për ndryshimin e sistemit klerikal, kanë hyrë në ditën e 13-të dhe janë përhapur në të gjithë vendin. Mijëra qytetarë marshuan dje në rrugët e Teheranit, duke brohoritur “vdekje diktatorit” dhe sfiduar autoritetet.

    Autoritetet iraniane kanë vendosur një bllokim total të internetit, duke kufizuar komunikimin dhe duke penguar raportimin e dhunës ndaj demonstruesve. Organizata Amnesty International paralajmëroi se ky kufizim ka për qëllim të fshehë shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

    Sipas Iran Human Rights, të paktën 51 persona janë vrarë, përfshirë 9 fëmijë nën 18 vjeç, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur. Forcat e sigurisë kanë përdorur armë zjarri, gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë demonstruesit, shumica të paqësorë.

    Khamenei akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump, duke thënë se duart e tyre janë “të njolla me gjakun e iranianëve”. Në reagim, presidenti amerikan paralajmëroi se SHBA do të veprojë fuqishëm nëse autoritetet iraniane vazhdojnë të vrasin protestues.

    Ministri i Jashtëm iranian deklaroi se Uashingtoni dhe Izraeli po përpiqen të shndërrojnë protestat paqësore në dhunë.

    Në disa qytete të Iranit, mijëra qytetarë dolën gjithashtu në rrugë për të mbështetur qeverinë, duke brohoritur sloganet e regjimit. Situata mbetet e tensionuar ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të ndjekë zhvillimet dhe të kërkojë respektimin e të drejtave të njeriut.

  • E mitura në Drenas raporton se u ngacmua seksualisht, arrestohet i dyshuari

    E mitura në Drenas raporton se u ngacmua seksualisht, arrestohet i dyshuari

    Policia ka njoftuar se një vajzë në Drenas ka raportuar se është ngacmuar seksualisht nga një person.

    I dyshuari është arrestuar, e vajza ka pranuar trajtim mjekësor.

    Sipas Policisë, i dyshuari është me të meta mendore.

    “Viktima femër kosovare- e mitur, ka raportuar rastin  ndaj të dyshuarit mashkull kosovar me të meta mendore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Tërmet i fortë godet Italinë

    Tërmet i fortë godet Italinë

    Një tërmet i fortë, me magnitudë 5.1, u ndje në orën 5:53 të mëngjesit në Reggio Calabria, të Italisë me raportime të shumta edhe nga Messina dhe zona të tjera të Siçilisë dhe Kalabrisë.

    Epiqendra, sipas faqes së internetit të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, ishte në det pranë bregdetit Jon në një thellësi prej 65 kilometrash.

    Mediat italiane, referuar të dhënave të autoriteteve vendase bëjnë të ditur se nuk janë raportuar dëme.

  • Moska dhe Kievi këmbejnë sulme me dronë, plagosen tre persona

    Moska dhe Kievi këmbejnë sulme me dronë, plagosen tre persona

    Sulmet me dronë gjatë natës mes Rusisë dhe Ukrainës kanë lënë të plagosur dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha, me tre persona që janë plagosur në rajonin ukrainas të Dnipropetrovskut, tha guvernatori Oleksandr Hanzha.

    Një burrë u plagos në Dnipro, dhe një burrë e një grua u plagosën në Krivi Rih. Sulmet kanë shkaktuar zjarr, tha Hanzha.

    “Infrastruktura ka pësuar dëme, ka ndërprerje të rrymës”, theksoi ai.

    Sipas autoriteteve, mbrojtja ajrore ka arritur që të rrëzojë 27 dronë rusë.

    Në Rusi – shtet që nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022 – Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se ka rrëzuar 59 dronë ukrainas. Nga këto fluturake, 11 u rrëzuan mbi Detin e Zi dhe dhjetë të tjerë në rajonin rus të Krasnodarit, njofton rel.

    Edhe Rusia ka raportuar për dëme nga sulmet.

    Sipas guvernatorit të rajonit Volgograd, Andrey Bocharov, një depo e naftës në Oktiabrski është goditur nga copëzat e dronëve të rrëzuar. Kjo gjë ka shkaktuar zjarr në këtë depo dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendngjarje për të shuar flakët.

    Autoritetet kanë evakuuar banorët për shkak të zjarreve, sipas Bocharovit.

  • Ra me makinën që drejtonte në përrua dhe nuk e ndihmoi pasagjerin, arrestohet 24-vjeçari në Klos

    Ra me makinën që drejtonte në përrua dhe nuk e ndihmoi pasagjerin, arrestohet 24-vjeçari në Klos

    Ra me automjetin që drejtonte në përroin e fshatit Dars, nuk njoftoi Policinë dhe u largua nga vendngjarja, dyshohet se nuk i dha ndihmë pasagjerit në brendësi të automjetit, Policia identifikon, kap dhe arreston 24-vjeçarin.

    Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

    Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.

    Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.

    Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.

    Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

    Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24 vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.

    Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

    Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

  • Nuk i mbijeton plagëve, vdes i aksidentuari më 30 dhjetor

    Nuk i mbijeton plagëve, vdes i aksidentuari më 30 dhjetor

    Ka vdekur një person i cili ishte aksidentuar më 30 dhjetor të 2025-ës, në Prishtinë.

    Nga Policia kanë njoftuar se ai ishte duke marrë tretman mjekësor.

    “Rr. Sokol Sopi, Prishtinë  30.12.2025 – 16:45. Me 09.01.2026 është raportuar se viktima mashkull kosovar, gjersa ishte në tretman mjekësor, si pasojë e lëndimeve të marra në aksident ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.