ATV

Author: G.O.

  • FSK-ja ndihmon në evakuimin e familjeve në Rahovec pas reshjeve të dendura

    FSK-ja ndihmon në evakuimin e familjeve në Rahovec pas reshjeve të dendura

    Reshjet e shumta që kanë rënë në Kosovë gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi të mëdha, duke bllokuar rrugë, përmbytur zona të ndryshme dhe duke rritur rrezikun për qytetarët.

    Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar vështirësi të mëdha për disa familje në komunën e Rahovecit, të cilat kanë mbetur të bllokuara brenda shtëpive të tyre.

    “Bashkë me trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), sot u realizua evakuimi i dy familjeve në fshatin Xërxë, duke siguruar daljen e tyre të sigurt nga zonat e rrezikuara“, njofton komuna e Rahovecit.

    Për t’u siguruar që qytetarët e evakuar të kenë kujdes shëndetësor, stafi i Qendrës për Kujdesin Mjekësor Familjar në Rahovec ka ofruar ndihmën e parë mjekësore, ndërsa ata janë dërguar për trajtim të mëtejshëm në spital.

  • Përditësimi i fundit, pritje deri në 30 minuta për të dalë nga Kosova

    Përditësimi i fundit, pritje deri në 30 minuta për të dalë nga Kosova

    Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit ka përditësuar informacionet mbi situatën e pritjeve në pikat kufitare të Kosovës.

    Sipas të dhënave të fundit, mërgimtarët që po kthehen në vendet ku jetojnë dhe punojnë, e që aktualisht po presin deri në 30 minuta në pikën e kalimit të Merdarës.

    Ndërkohë, pritjet në Dheu i Bardhë vazhdojnë të jenë më të shkurtra, deri në 15 minuta.

    Gjersa sa i përket pritjeve për hyrje në Kosovë, pritjet janë nga 1 deri në 5 minuta.

  • Aktakuza për sulmin në Ibër-Lepenc: Refuzohet kërkesa për përjashtimin e prokurorit

    Aktakuza për sulmin në Ibër-Lepenc: Refuzohet kërkesa për përjashtimin e prokurorit

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu nga lënda për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin, Arbnora Luta, zëdhënëse e PSRK-së.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”, ka thënë ajo.

    Vëllezërit Viqentijeviq, të akuzuar për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, në seancën e parë të mbajtur më 24 dhjetor kishin kërkuar përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu.

  • Prishtinë: Bie në prangat e Policisë i dënuari për shitblerje të drogës, dërgohet në burg

    Prishtinë: Bie në prangat e Policisë i dënuari për shitblerje të drogës, dërgohet në burg

    Një 51-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë këtë të mërkurë në Prishtinë.

    Siç njofton Policia e Kosovës, S.B. ishte i dënuar me 2 vjet burg dhe 3 mijë euro gjobë për veprën penale “Blerje, posedim dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”.

    “Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve policore me qëllim kapjen e personave të dyshuar dhe atyre të dënuar si autor të veprave penale. Në kontekstin e kësaj, nga veprimet e marra nga njësitë e stacionit policor Veriu në Prishtinë, është arritur arrestimi i personit të kërkuar”, thuhet në njoftim.

    Pas arrestimit, S.B. është dërguar për të vuajtur dënimin, njofton policia.

  • Policia e Shtetit shpall në kërkim 42-vjeçarin nga Kosova, i sekuestron një BMW me vlerë 140 mijë euro

    Policia e Shtetit shpall në kërkim 42-vjeçarin nga Kosova, i sekuestron një BMW me vlerë 140 mijë euro

    Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një shtetas nga Kosova, pasi dyshohet se ka trafikuar një automjet me vlerë 140 mijë euro në Shqipëri.

    Sipas raportimeve nga policia, është proceduar penalisht blerësi i automjetit të trafikuar, njëkohësisht drejtues i tij, në momentin e ndalimit në Vorë. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 mijë euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani.

    Në njoftimin e saj, Policia ka bërë me dije: “Vijon operacioni policor i koduar ‘Stolen line’, kundër trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit. Shkon 5 numri i automjeteve të sekuestruara që nga nisja e operacionit. Sekuestrohet 1 automjet tip ‘BMW M-8’, me vlerë rreth 140 000 euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani. Procedohet penalisht blerësi i automjetit të trafikuar, njëkohësisht drejtues i tij, në momentin e ndalimit në Vorë. Identifikohet dhe shpallet shtetasi kosovar që dyshohet se ka trafikuar këtë automjet në Shqipëri.”

    Materiali shton se specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në kuadër të operacionit “Stolen line”, gjatë punës hetimore kanë konstatuar një rast tjetër të trafikut të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit.

    Në vijim të veprimeve procedurale është sekuestruar një tjetër automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 mijë euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.

    Në lidhje me këtë rast, Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasin që dyshohet se ka sjellë automjetin në Shqipëri me qëllim shitjen, F. H., 42 vjeç (shtetas kosovar). Ndërkohë, u procedua penalisht blerësi i automjetit, shtetasi E. D., 39 vjeç, i cili ishte drejtues i automjetit në momentin e ndalimit.

    Policia bën të ditur se vijon puna për kapjen e 42-vjeçarit. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme lidhur me veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

  • CNN raporton për vërshimet në Kosovë, publikon pamje nga situata në Drenas

    CNN raporton për vërshimet në Kosovë, publikon pamje nga situata në Drenas

    Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar vërshime në shumë qytete të Kosovës.

    Ndër më të prekurat ka qenë komuna e Drenasit.

    Për këto reshje e vërshime ka raportuar edhe CNN.

    Në raportimin e së cilës, është ndarë një video ku shihen pamjet nga vërshimet në këtë qytet.

  • Përmbytjet në Durrës: 800 banesa të përmbytura, mbi 300 persona të evakuuar

    Përmbytjet në Durrës: 800 banesa të përmbytura, mbi 300 persona të evakuuar

    Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona të evakuuar. Ky është bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës.

    Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës duket më e qetë, por mbetet problematike gjendja në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi. Sipas të dhënave paraprake nga shtabi i emergjencave në prefekturë, rreth 800 banesa janë përmbytur, kryesisht në zonat më të ulëta dhe më problematike, si ish-Këneta, Spitalla, Nishtulla dhe zona të tjera. Edhe në burgun e Durrësit situata mbetet problematike. Oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji.

    Mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë.

    Deri mbrëmjen e kaluar janë evakuuar 304 persona, ndërsa numri i të prekurve mund të rritet, në varësi të situatës në terren dhe verifikimeve. Ndërkohë, uji është tërhequr nga rrugët kryesore dhe nga autostrada Durrës-Tiranë, duke normalizuar qarkullimin, por në disa lagje vijon prania e ujit dhe nevoja për ndërhyrje emergjente për banorët e izoluar që nuk ia dalin dot pa ndihmë, shkruan TopChannel.

    Banesa, biznese, studio artistësh, sipërfaqe të tëra tokash u përmbytën; dhjetra automjete u dëmtuan nga uji si rezultat i situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe mosfuksionimit normal të rrjetit të kanalizimeve.

  • Jennifer Lopez zbulon se çfarë pret nga partneri i saj i ardhshëm: Dashuria është një gjë e komplikuar

    Jennifer Lopez zbulon se çfarë pret nga partneri i saj i ardhshëm: Dashuria është një gjë e komplikuar

    Gjatë një performance të kohëve të fundit në rezidencën e saj në Las Vegas, Jennifer Lopez i tregoi audiencës se çfarë kërkon në lidhjen dhe partnerin e saj të radhës.

    Ndërsa performonte këngën e saj “If You Had My Love” të vitit 1999, këngëtarja, e cila u divorcua nga Ben Affleck në janar 2025, e shikoi përsëri këngën dhe tha se çfarë dëshiron në dashuri.

    “Kur e këndova për herë të parë, isha shumë e vogël. Isha si një foshnjë e vogël në pyll dhe e këndova me shumë shpresë. Megjithatë, e kam kënduar gjatë viteve. E këndova kur isha e trishtuar dhe e këndova kur isha e lumtur. Por tani, sot, a e dini si e këndoj? E këndoj me shumë forcë”, tha ajo.

    Lopez shtoi se çfarë pret nga një partner i ardhshëm: “Sepse e vërteta është se nëse do të kesh dashurinë time, duhet ta meritosh atë. Duhet të më trajtosh mirë. Duhet të më respektosh. Duhet të më pranosh për atë që jam. Duhet të më duash nëse do dashurinë time”.

    Pastaj ajo vazhdoi të shpjegonte: “Dashuria është një gjë e ndërlikuar dhe e di që nuk mund të kesh dashuri pa një zemër të thyer. Nuk mundesh. Pagove më shumë seç duhej për këtë”.

    Më parë, gjatë një shfaqjeje në Las Vegas, ajo bëri shaka për martesat e saj të dështuara. Duke marrë parasysh se më parë kishte një vendbanim në Las Vegas 10 vjet më parë, ajo kujtoi veten atëherë.

    “Kjo kaloi sa hap e mbyll sytë, apo jo? Për ata prej jush që ishin këtu në hapje 10 vjet më parë. Dhe e dini, në atë kohë unë isha martuar vetëm dy herë”, tha ajo, gjë që i hapi sytë publikut dhe e shpërbleu me duartrokitje në këmbë.

    Pastaj ajo shtoi: “Ndodhi vetëm një herë. Më dukej sikur kishte ndodhur dy herë”, me ç’rast publiku filloi të qeshte përsëri, dhe ajo shtoi se thjesht po bënte shaka. /Telegrafi/

  • I mituri nga Shqipëria zhduket në Kosovë, dyshohet se po lëviz me veturën që ia mori babait

    I mituri nga Shqipëria zhduket në Kosovë, dyshohet se po lëviz me veturën që ia mori babait

    Policia e Shtetit ka nisur një operacion kërkimi për gjetjen e një 14-vjeçari nga Hasi, i cili është larguar nga shtëpia me automjetin e babait të tij pa leje. Ngjarja është denoncuar zyrtarisht më datë 5 janar 2026 nga familjarët e të miturit.

    Sipas kallëzimit të bërë në Komisariatin e Policisë Has, i mituri i identifikuar me emrin Mariglen, ka marrë mjetin në pronësi të babait të tij, shtetasit Dirtan Dauti, dhe është drejtuar drejt kufirit me Kosovën.

    Gjurmët e para të 14-vjeçarit janë konstatuar në territorin e Kosovës. Raportohet se i mituri ka ndaluar në një pikë karburanti (“Petrol”) në dalje të qytetit të Pejës, në drejtim të Prishtinës, ku ka furnizuar mjetin me benzinë në vlerën e 79 eurove.

    Babai i të miturit u ka bërë apel publik dhe zyrtar strukturave të Policisë në Shqipëri dhe Kosovë për të mundësuar ndalimin dhe kthimin e sigurt të djalit në shtëpi.

    Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë bërë shpalljen në kërkim të 14-vjeçarit dhe po vijojnë kontrollet për gjetjen e tij.

    Materialet proceduriale janë dërguar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.

  • 7 shkaqet kryesore pse zgjohesh me dhimbje koke çdo ditë

    7 shkaqet kryesore pse zgjohesh me dhimbje koke çdo ditë

    Zgjimi me dhimbje koke mund të sinjalizojë një çrregullim të gjumit ose një problem tjetër shëndetësor, ndaj është e rëndësishme të identifikohen shkaktarët si gjumi i dobët, alergjitë ose depresioni.

    Sipas Health, ekzistojnë shtatë arsye kryesore pse mund të ndodhë kjo gjendje.

    Apnea e gjumit

    Një shkak i zakonshëm i dhimbjeve të kokës në mëngjes është apnea e gjumit, një gjendje ku frymëmarrja ndalet periodikisht gjatë natës. Trupi zgjohet për të rifituar frymëmarrjen pa e kuptuar. Gërhitja e fortë shpesh tregon këtë problem, por nuk është gjithmonë shenjë e apneas. Një studim gjumi mund të konfirmojë diagnozën.

    Pagjumësia

    Pagjumësia mund të pengojë një gjumë të mirë dhe të shkaktojë dhimbje koke. Simptomat përfshijnë vështirësi për të rënë në gjumë, zgjim i hershëm, gjumë të shkurtër dhe lodhje gjatë ditës.

    Kërcitja e dhëmbëve (bruksizmi)

    Kërcitja e dhëmbëve gjatë natës mund të shkaktojë dhimbje në muskujt e nofullës ose në nyjen temporomandibulare (TMJ), që mund të çojë në dhimbje koke. Simptoma të tjera janë dhimbje të veshëve, ndjeshmëri e muskujve ose dhimbje në dhëmbë. Një dentist mund të zbulojë problemin.

    Alergjitë

    Alergjitë ndaj marimangave të pluhurit ose të tjera mund të shkaktojnë dhimbje koke për shkak të bllokimit të sinuseve. Përdorimi i çarçafëve, jastëkëve dhe dyshekëve rezistentë ndaj alergjive dhe pastrimi i rregullt mund të ndihmojë. Mjeku mund të ofrojë mënyra të tjera lehtësimi.

    Migrena

    Migrenat zakonisht ndodhin në mëngjes, shpesh në njërën anë të kokës, me dhimbje pulsuese ose goditëse. Simptoma të tjera përfshijnë përzierje, dobësi, ndjeshmëri ndaj dritës dhe zhurmës. Disa persona përjetojnë simptoma para dhimbjes, si aura.

    Mungesa ose gjumi i tepruar

    Shumë pak ose shumë gjumë mund të shkaktojë dhimbje koke nga tensioni, ndonjëherë të ndjeshme si një “fashë që shtrëngohet” rreth kokës. Mund të përfshijë dhimbje në skalp, kokë ose qafë.

    Depresioni dhe ankthi

    Depresioni dhe ankthi mund të shkaktojnë dhimbje koke nga tensioni, veçanërisht në mëngjes para aktiviteteve stresuese. Në këto raste, është e rëndësishme të konsultoheni me një profesionist shëndetësor për vlerësimin e gjendjes së shëndetit mendor.