ATV

Author: G.O.

  • 5 arsye për të ëndërruar gjëra të mëdha, edhe nëse duken të paarritshme

    5 arsye për të ëndërruar gjëra të mëdha, edhe nëse duken të paarritshme

    “Mos lejoni një mendim të hyjë në mendjen tuaj për atë se ku jeni sot, kur jeni duke vendosur se ku jeni drejtuar’’.

    Unë thashë këtë thënie një dekadë më parë në një konferencë biznesi. Nuk e di se kush e ka thënë fillimisht, por kam menduar për të shpesh gjatë viteve të fundit. Në një pikë, ne të gjithë kemi pyetur veten, ‘’Ku jam drejtuar’’?

    Gjatë disa momenteve, unë kam gjetur veten në situata të mrekullueshme të karrierës dhe sigurisht isha shumë optimist për të ardhmen time. Pas të gjithash, është e lehtë të shikoni vitet në radhë përmes lenteve optimiste kur jeni të suksesshëm për momentin. Mirëpo, ndonjëherë kam gjetur veten në udhëkryqe, i përballur me një vendim për të ndryshuar rolet, kompanitë ose industritë. Në fakt, madje më është dashur të nisja nga fillimi më shumë se njëherë

    Këtu janë pese arsye pse nuk duhet të lejoni situatën tuaj aktuale të ndikojë në vizionin tuaj për të ardhmen.

    1. Kufizimi i vetes tuaj është një mënyrë e sigurtë për të mos arritur potencialin tuaj.

    Nëse nuk jeni aty ku dëshironi të jeni personalisht ose profesionalisht, tundimi për të braktisur ambiciet tuaja është i fuqishëm. Në fakt, të tjerët mund të ju këshillojnë të jeni konservativë me ëndërrat tuaja që të mos lëndoheni shumë kur të dështoni. Përderisa vendosja e qëllimeve të mëdha nuk ju siguron se do t’i realizoni ato, mos vendojsa e tyre do ju garantojë pothuajse plotësisht se nuk do t’i arrini. Historikisht, ata të cilët kanë arritur më së shumti janë ata të cilët vendosën të bëjnë gjëra të mëdha përkundrejt mundësive dhe logjikës.

    1. Të gjithë kanë nevojë për diçka e cila trazon shpirtin e tij ose të saj, veçanërisht performuesit e lartë.

    Kur ishte hera e fundit kur diçka të cilën dëshiruat t’a arrinit ju dha të dridhura? Kur gjeni vizionin tuaj të vërtetë, ka një magji prapa tij. Do ju ndihmojë të gjeni rrugën për të arritur dhe për të tejkaluar pengesat më të vështira. Ende, ky vizion duhet të jetë aq emocionues për ju personalisht sa që asgjë tjetër të mos jetë e pranueshme. Një qëllim praktik nuk do ju dërgojë aty. Siç tha Victor Hugo: Çdo njeri duhet të strukturojë jetën e tij që në të ardhmen, faktet dhe ëndërrat e tij të takohen’’.

    1. Nuk është e lidhur.

    Aty ku jeni sot ka të bëjë pak me atë që do të ndodhë më pas. Disa njerëz lejojnë pozitat e tyre aktuale të dominojnë mendimet e tyre për avancim në të ardhmen. Fatkeqësisht, ata kanë gjasa të mos arrijnë dëshirat e tyre.

    Ata të cilët realizojnë gjëra të mëdha e bëjnë këtë duke pranuar atë ku janë sot por në të njëjtën kohë refuzojnë të lejojnë që kjo t’i kufizojë. Ata e kuptojnë se ata kanë më shumë kontroll ndaj fatit të tyre se kjo. Ata ndalojnë së fokusuari në atë që nuk kanë dhe zbrazin energjinë e tyre në atë që dëshirojnë.

    1. Kuptoni fuqinë e lëvizjes dhe si ajo mund të funksionojë për ju.

    Çelësi i mposhtjes së pengesave më të mëdha është t’i ndani ato në sfida më të vogla. Makina më e shpejtë sportive në botë nuk shkon menjëherë nga 0 në 100 milje në orë. Së pari, kalon nga një ndalim total në 1 mph. Përderisa niset, përshpejtimi bëhet më i lehtë, makina është më e ngrohtë, pedalja e gazit e shtypur, dhe lëvizja përpara është në anën tuaj.

    Disa njerëz frikësohen nga një qëllim i madh, sepse duket aq i largët. Mbani sytë e tuaj në shpërblim, por fokusoni vëmendjen tuaj ditore në mbylljen e hapësirës pak nga pak.

    1. Mendimi dhe synimi i qëllimeve të mëdha ju detyron të jeni më kreativë, të punoni më shumë dhe të krijoni një anshmëri drejt veprimit.

    Njerëzit të cilët arrijnë qëllimet më të mëdha janë shpesh njerëzit për të cilët do të dyshonit më së paku. Në letër, ata nuk kanë rezymenë e përsosur, por ai e di se duhet të japë më të mirën e tij çdo ditë. Ky presion pozitiv ndaj vetes prodhon rritjen. Qëllimet mediokër asnjëherë nuk sjellin gjëra të shkëlqyera.

    Asnjë qëllim nuk është shumë i madh ose shumë sfidues nëse vendosni të punoni. Lëvizja ose ambicia juaj e radhës mund të duket e çmendur për të tjerët, por nuk ka rëndësi. Asnjëherë mos lejoni ajo ku jeni sot të ju kufizojë. Besoni në vete, dhe mund të realizoni gjithçka.

  • Aktori Can Yaman përfundon në polici, si pjesë e një hetimi për drogë

    Aktori Can Yaman përfundon në polici, si pjesë e një hetimi për drogë

    Në kuadër të një hetimi për lëndë narkotike ndaj personazheve të njohur, aktori i famshëm Can Yaman dhe këngëtarja/aktorja Selen Görgüzel janë ndaluar nga autoritetet.

    Lajmi vjen pak kohë pasi, mbrëmjen e 1 janarit (e enjte), në ekranet televizive u transmetua episodi i parë i “Survivor 2026”, ku u zhvillua edhe emocionet e para të eliminimit. Me formatin e ri dhe këshillin e fatit, Selen Görgüzel ishte emri i parë që u largua nga gara, sipas CNN Turk.

    Pas eliminimit të shpejtë nga ishulli, Görgüzel kishte ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale momentet e kthimit në shtëpi, duke shprehur lumturinë për rikthimin. Ajo publikoi pamje ku puthte parketin e shtëpisë, të shoqëruara me mbishkrimin: “Jam kampionia e zemrave dhe e atyre që më duan”.

    Edhe pse aventura e saj në Survivor zgjati vetëm një javë, Görgüzel vazhdoi të ishte në qendër të vëmendjes së mediave rozë për shkak të postimeve të saj pas largimit nga spektakli. Megjithatë, zhvillimi i fundit e ka rikthyer sërish në titujt kryesorë.

    Sipas raportimeve, forcat e xhandarmërisë kanë zhvilluar një operacion gjatë orëve të natës në “Bebek Otel” në Beşiktaş, në kuadër të këtij hetimi, operacion që çoi në ndalimin e disa personave, përfshirë edhe Can Yaman dhe Selen Görgüzel.

    Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota lidhur me rastin, ndërsa priten informacione të tjera zyrtare në vijim

  • Protestat në Iran: Raportohet për dhjetëra të vdekur e mijëra të arrestuar

    Protestat në Iran: Raportohet për dhjetëra të vdekur e mijëra të arrestuar

    Protestat në Iran kanë hyrë në ditën e katërmbëdhjetë me radhë, por ende nuk ka një informacion konkret lidhur me numrin e saktë të personave të arrestuar në qytete të ndryshme në Republikën Islamike.

    Deri më tani, autoritetet e gjyqësorit dhe të sigurisë në Iran nuk kanë dhënë shpjegime sa i përket numrit të të arrestuarve, se ku po mbahen ata dhe nën çfarë kushtesh.

    Në ditët e fundit, qindra persona janë arrestuar në lidhje me protestat në Iran, përfshirë edhe adoleshentë.

    Deputeti i Parlamentit iranian, Abdolvahed Fayazi, anëtar i Komisionit të arsimit dhe hulumtimit të Parlamentit, ka konfirmuar arrestimin e fëmijëve dhe adoleshentëve.

    Para ndërprerjes së internetit në mbarë vendin, ai deklaroi në një intervistë për agjencinë gjysmëzyrtare të lajmeve ILNA se “gjyqësori do të merret me ta në përputhje me të drejtat e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në Republikën Islamike”.

    Agjencia e lajmeve për të drejtat e njeriut (HRANA), e cila mbulon zhvillimet që lidhen me të drejtat e njeriut, ka raportuar se të paktën 2.311 persona janë arrestuar në 13 ditët e para të protestave dhe se demonstrata janë regjistruar në 512 lokacione në 180 qytete dhe qyteza, teksa interneti është ndërprerë pothuajse plotësisht në Iran.

    Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të vrarëve gjatë protestave, organizata joqeveritare Iran Human Rights kishte raportuar 45 viktima deri në ditën e 12-të të protestave, ndërsa HRANA ka raportuar për të paktën 65 persona të vdekur. Radio Farda e Radios Evropa e Lirë deri më tani ka konfirmuar identitetin e 35 të vrarëve, pesë nga të cilët ishin nën moshën 18-vjeçare, njofton rel.

    Protestat nisën më 28 dhjetor për shkak të pakënaqësive me krizën ekonomike, zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe krizës energjetike.

    Protestat më masive deri më tani janë regjistruar më 8 janar.

    Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje për protestuesit iranianë, me presidentin amerikan, Donald Trump, që ka paralajmëruar autoritetet në Teheran se Uashingtoni do të ndërhyjë nëse Irani vret protestues.

  • AME me raport të përditësuar për vërshimet: Situata e menaxhueshme, s’raportohet për humbje jete

    AME me raport të përditësuar për vërshimet: Situata e menaxhueshme, s’raportohet për humbje jete

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka dhënë një raport të përditësuar të situatës më vërshime që ka përshirë vendin.

    Sipas informatave të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, NJPZSH-të, DSHPE-të dhe raportimeve të qytetarëve, kjo agjenci thotë se situata e vërshimeve në nivel vendi gjatë intervalit kohor të raportimit paraqitet “kryesisht stabile dhe e menaxhueshme”.

    Pas rënies së intensitetit me të reshura të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës, në shumicën e rajoneve është vërejtur përmirësim i dukshëm i gjendjes, me rënie graduale të nivelit të ujit në lumenj dhe përrenj.

    Nuk raportohet për humbje jete.

    Po ashtu, AME tha se nuk ka indikacione për përshkallëzim të situatës.

    AME ka dhënë edhe një pasqyrë të situatës sipas rajoneve:

    2.1 Rajoni i Prishtinës

    – Prishtinë: vërshime në rrugën “Rifat Berisha” (Kodra e Diellit) dhe në fshatin Hajvali – rruga “Brigada 153”.

    – Lipjan: vërshime në fshatin Smallush – rruga “11 Qershori”.

    – Shtime: vërshime në rrugën Shtime–Reçak.

    – Graçanicë: vërshime në Motel “Villa Hilton” dhe rrugën te Prishtina Mall.

    – Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas, – Podujevë: situata e qetë, pa raste për ndërhyrje.

    Të gjitha intervenimet janë realizuar nga NJPZSH, DSHPE dhe kompani të kontraktuara nga Komunat.

    2.2 Rajoni i Prizrenit

    – Prizren, Suharekë, Rahovec, Mamushë: pa thirrje dhe pa intervenime; rrugët të kalueshme.

    – Malishevë: dy intervenime për rrugë të bllokuara nga uji.

    – Dragash: një intervenim teknik në fshatin Rapçë (pusetë e bllokuar).

    2.3 Rajoni i Mitrovicës

    – Mitrovicë: në kompleksin “Amina” është evakuuar një familje nga NJPZSH;

    -aktualisht gjendja është më e qetë dhe pa rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja.

    – Skenderaj & Vushtrri: pa raste që kërkojnë ndërhyrje.

    – KEK – Termocentrali Kosova A: në orën 07:05 është kërkuar intervenim urgjent për pompë thithëse me kapacitet të madh; kërkesa është adresuar dhe NJPZSH ka intervenuar.

    2.4 Rajoni i Pejës

    – Pejë, Deçan, Klinë, Istog, Junik: situata stabile, pa kërkesa për intervenim.

    Trafiku:

    Pejë–Rugovë: segmente me ujë në rrugë – kërkohet kujdes i shtuar.

    Pejë–Kullë: e kalueshme, me kujdes.

    2.5 Rajoni i Gjakovës

    Situata e qetë dhe stabile.

    Niveli i ujit në lumenj ka filluar të bie.

    Raportohet një bllokim rruge nga shembja e dheut.

    2.6 Rajoni i Gjilanit

    – Gjilan: vërshim në rrugën e Kufcës.

    – Komunat tjera (Ferizaj, Kamenicë, Viti, Kaçanik, Hani i Elezit, Shtërpcë, Artanë/Novobërdë, Kllokot, Partesh, Ranillug): pa vërshime, situata e qetë.

    3. KËRKESA DHE NDËRHYRJE SPECIFIKE

    Kërkesë urgjente nga KEK për pompë thithëse me kapacitet të madh në Kosovën A – e adresuar dhe e realizuar nga kapaciteti i Agjencise MenaxhimitEmergjent.

    Nuk janë pranuar kërkesa shtesë për ndihmë apo koordinim nga komunat gjatë intervalit 22:00–08:00.

    4. VLERËSIMI I SITUATËS

    Situata paraqitet stabile dhe e menaxhueshme.

    Rreziku kryesor aktual lidhet me:

    reshjet e borës,

    ngricat në rrugë,

    vështirësitë në qarkullim.

    Nuk ka indikacione për përshkallëzim të situatës.

    5. GATISHMËRIA INSTITUCIONALE

    Qendra Operative e AME-së dhe strukturat përgjegjëse për Mbrojtje Shpëtim dhe Ndihmë mbesin në gatishmëri të plotë 24/7, për monitorim dhe reagim të menjëhershëm sipas nevojës.

  • Reshjet vështirësojnë qarkullimin edhe në Gjilan, Komuna bën thirrje për shmangien e disa rrugëve

    Reshjet vështirësojnë qarkullimin edhe në Gjilan, Komuna bën thirrje për shmangien e disa rrugëve

    Komuna e Gjilanit ka lëshuar një thirrje për qytetarët për shkak të reshjeve të fundit që po krijojnë vështirësi në qarkullim.

    Në njoftimin zyrtar, qytetarëve u kërkohet që përkohësisht të shmangin qarkullimin në rrugën për Kufcë në Malishevë, në rrugën ndërmjet dy Livoqëve, si dhe në magjistralen Gjilan–Ferizaj, konkretisht në zonën e udhëkryqit të rrugës së Cërnicës.

    “Për shkak të reshjeve dhe gjendjes së krijuar në disa segmente rrugore, u bëhet thirrje qytetarëve që përkohësisht të shmangin qarkullimin në rrugën për Kufcë në Malishevë, në rrugën ndërmjet dy Livoqëve, si dhe në magjistralen Gjilan–Ferizaj, në zonën e udhëkryqit të rrugës së Cërnicës. Deri në qetësimin e gjendjes, qytetarët luten të shfrytëzojnë rrugë alternative dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes. Zyrtarët kompetentë dhe ekipet në terren janë duke i përcjellë nga afër punimet dhe situatën, ndërsa për çdo zhvillim të ri qytetarët do të njoftohen me kohë. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, ka njoftuar komuna.

  • Mblidhet Parlamenti i Grenlandës, në fokus kërcënimet e SHBA-së

    Mblidhet Parlamenti i Grenlandës, në fokus kërcënimet e SHBA-së

    Parlamenti i Grenlandës do të kërkojë mbajtjen e një takimi për të diskutuar përgjigjen e saj ndaj kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara për të marrë kontrollin e ishullit Arktik, kanë bërë të ditur në një deklaratë të përbashkët udhëheqësit e pesë partive politike të përfaqësuara në asamblenë e Grenlandës.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të zotërojnë Grenlandën, e cila është një pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës, me arsyetimin se kjo do të parandalonte një pushtim të mundshëm nga Rusia ose Kina në të ardhmen, për shkak të pozicionit strategjik dhe pasurisë së madhe minerale të territorit.

    Në reagimin e tyre të përbashkët, udhëheqësit e pesë partive politike të zgjedhura në parlamentin e Grenlandës kanë shprehur kundërshtimin e tyre të ashpër ndaj këtyre deklaratave.

    “Ne theksojmë edhe një herë dëshirën tonë që përbuzja e SHBA-së për vendin tonë të marrë fund”, kanë deklaruar ata vonë të premten.

    Ndërkohë, kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka theksuar qartë qëndrimin e vendit përmes një postimi në rrjetet sociale.

    “Ne nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, duam të jemi grenlandezë”, ka shkruar ai.

    Sipas udhëheqësve politikë, takimi i parlamentit do të mbahet me qëllim që të zhvillohet një debat politik i drejtë dhe gjithëpërfshirës, si dhe për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të popullit të Grenlandës.

    Data e mbajtjes së këtij takimi ende nuk është përcaktuar. Parlamenti i Grenlandës është mbledhur për herë të fundit në muajin nëntor dhe ishte planifikuar të mblidhej sërish më 3 shkurt, sipas njoftimeve në faqen zyrtare të tij.

  • Vërshimet në Malishevë: Lumi Mirusha del nga shtrati, disa rrugë të pakalueshme

    Vërshimet në Malishevë: Lumi Mirusha del nga shtrati, disa rrugë të pakalueshme

    Si pasojë e reshjeve të mëdha gjatë orëve të fundit, në disa rrugë të Komunës së Malishevës ka vështirësi në qarkullim, por situata e përgjithshme mbetet e menaxhueshme, ka bërë të ditur Komuna.

    Komuna ka njoftuar se lumi Mirusha ka dalë nga shtrati në disa zona për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave.

    “Në disa pjesë, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave. Si rezultat i prezencës së ujit në rrugë, aktualisht me vështirësi të kalueshme janë: rruga ‘Hamdi Berisha’ në Malishevë, transiti afër lagjes Hoti, rruga Malishevë-Banjë, rruga Mirushë-Gurbardh, rruga Lubizhdë-Turjakë, ura në Lubizhdë, një urë në një lagje të fshatit Damanek, si dhe rruga për në fshatin Panorc, ku në dy segmente ka prezencë të ujit”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, furnizimi me energji elektrike po realizohet me reduktime në disa pjesë të qytetit, ndërsa furnizimi me ujë është i rregullt, por për momentin uji nuk është i përdorshëm për shkak të ndotjes nga vërshimet e ditëve të kaluara.

    “Ekipet përkatëse janë në terren dhe po punojnë për sanimin e këtyre vështirësive”, ka thënë Komuna.

    Komuna ka bërë thirrje që qytetarët të shfrytëzojnë rrugët alternative për lëvizje, të mos tentojnë të përdorin rrugët e përmendura dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur nga Policia e Kosovës për ndalim të qarkullimit.

  • Pastrimi i veturës nga akulli: Gabime dhe veprime që mund t’ju kushtojnë shtrenjtë nëse i anashkaloni

    Pastrimi i veturës nga akulli: Gabime dhe veprime që mund t’ju kushtojnë shtrenjtë nëse i anashkaloni

    Disa veprime të vogla para nisjes që ju shpëtojnë nga gjoba dhe aksidenti

    Mëngjeset e dimrit për shumicën e shoferëve duken njësoj – akull në xhamin e përparmë, gishta të ngrirë dhe minuta të humbura para nisjes për në punë.

    Por, ndërsa shumëkush përdor gërvishtëse dhe sprej të shtrenjtë për shkrirjen e akullit, ekspertët thonë se zgjidhja fshihet aty ku e prisni më pak – në kuzhinë. Gjërat e lira, që pothuajse të gjithë e kanë në shtëpi, mund t’ju kursejë kohë, para dhe nerva gjatë ditëve të ftohta.

    Dimri nuk dëmton vetëm shoferët, por edhe makinat

    Të ftohtit, bora dhe akulli nuk përbëjnë vetëm rrezik të shtuar në trafik, por mund të ndikojnë seriozisht edhe në gjendjen e automjetit.

    Nga xhamat dhe fshirëset e ngrira, te targat e palexueshme dhe gomat e papërshtatshme – dimri nuk fal pakujdesinë. Ekspertët paralajmërojnë se përgatitja e duhur e makinës është thelbësore për të shmangur gjobat, defektet dhe aksidentet.

    Qesja për ngrirje – aleati i papritur kundër akullit

    Sipas këshillave të ekspertëve nga portali ChooseMyCar.com, lufta me akullin nuk duhet të jetë as e komplikuar dhe as e kushtueshme.

    Një nga truket më të thjeshta përfshin një qese të zakonshme për ngrirje. Mjafton ta mbushni me ujë të ngrohtë (jo të nxehtë), ta mbyllni mirë dhe ta kaloni lehtë mbi xhamin e ngrirë të përparmë. Akulli shkrihet pothuajse menjëherë, pa gërvishtje dhe pa rrezik për dëmtimin e xhamit.

    Ky truk mund të zëvendësojë lëngjet e shtrenjta për shkrirjen e akullit dhe ta shkurtojë ndjeshëm rutinën e mëngjesit.

    Çorape mbi fshirëset? Po, ka kuptim

    Përveç qeseve për ngrirje, në shtëpi fshihen edhe zgjidhje të tjera praktike. Për shembull, çorapet e zakonshme mund të parandalojnë ngjitjen e fshirëseve të xhamit gjatë natës.

    Para se të flini, mjafton të vendosni nga një çorape mbi secilën fshirëse. Në mëngjes ato do të shkëputen lehtë nga xhami, pa dëmtuar gomën dhe pa lodhje shtesë.

    Truket e lira parandalojnë probleme të shtrenjta

    Nick Zapolski, ekspert automobilistik dhe themelues i portalit ChooseMyCar.com, thekson se këto këshilla nuk janë vetëm praktike, por edhe të dobishme në plan afatgjatë për gjendjen e automjetit.

    “Nën temperaturat e ulëta, makinat kërkojnë kujdes shtesë. Për fat të mirë, ekzistojnë shumë objekte të lira shtëpiake që na lejojnë t’i mbajmë xhamin e përparmë dhe dritat të pastra pa shpenzime të mëdha”, ka thënë Zapolski për Mirror.

    Ai shton se i njëjti parim mund të zbatohet edhe për pjesë të tjera të automjetit, si pastrimi i targave me një sfungjer të zakonshëm, gjë që ka rëndësi edhe nga aspekti ligjor, transmeton Telegrafi.

    Targat duhet të jenë të pastra – gjoba nuk është e vogël

    Gjatë dimrit, targat shpesh mbulohen me borë, akull ose baltë dhe bëhen të palexueshme. Sipas Ligjit për sigurinë e trafikut rrugor, shoferët janë të detyruar t’i mbajnë targat gjithmonë të pastra dhe të dukshme.

    Për targa të palexueshme parashihet gjobë. Për pastrim mjafton një sfungjer i zakonshëm i lagur me ujë dhe sapun të butë, duke fërkuar lehtë për të shmangur dëmtimet.

    Gomat janë çelësi i sigurisë – kjo shpesh neglizhohet

    Një nga elementet më të rëndësishme të vozitjes së sigurt në dimër janë gomat. Sipas rregulloreve kroate, thellësia minimale e profilit të gomave dimërore duhet të jetë 4 milimetra.

    Çdo gjë nën këtë kufi e ul ndjeshëm kapjen në borë dhe akull dhe rrit rrezikun e aksidenteve. Po ashtu, duhet kujtuar se pajisja dimërore është e detyrueshme nga 15 nëntori deri më 15 prill në rrugë të caktuara. Kontrolli i rregullt i gomave mund të shpëtojë fjalë për fjalë jetë.

    👉 Përfundim:
    Me disa këshilla të thjeshta, të lira dhe lehtësisht të zbatueshme, shoferët mund t’i bëjnë më të lehta mëngjeset e dimrit dhe njëkohësisht të rrisin sigurinë në trafik. Pak përgatitje, disa mjete shtëpiake dhe zakone të mira mund të parandalojnë stresin, gjobat dhe aksidentet gjatë muajve të ftohtë. /Telegrafi/

  • OVL-UÇK për dëshmorët e rënë në luftë: Ata nuk harrohen kurrë

    OVL-UÇK për dëshmorët e rënë në luftë: Ata nuk harrohen kurrë

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) kujton të rënët në periudhën kohore 1 deri më 15 janar.

    Në reagim nga OVL-UÇK thonë se nuk harrohen kurrë dëshmorët që kanë rënë për të mos vdekur kurrë në kujtesën e kombit shqiptar.

    Postimi i plotë:

    Në ditët e ftohta të janarit, kur liria ende shkruhej me gjak e sakrificë, bijtë më të denjë të kombit ranë për të mos vdekur kurrë në kujtesën tonë.

    Dëshmorët e rënë gjatë luftës tonë çlirimtare

    (1-15 janar)

    Enver Gashi, Xhevat Jusufi, Blerim Balaj, Hisni Murseli, Ismet Beqiri, Nazmi Ismajli, Nikë Hajdaraj, Qelë Ukaj, Ajet Demaku, Skender Mulaku, Hysni Ramaj, Zef Gjokaj, Ali Beqa, Enver Rashiti, Hanumshahe Mujota, Ismajl Luma, Kadri Syla, Lutfi Bilalli, Mehmet Mustafa, Nazim Kokollari, Nexhat Ramadani, Ragip Bajrami, Sadik Mujota, Sadik Osmani, Shaqir Berisha, Shaqir Shaqiri dhe Skënder Qarri.

    OVL UÇK i përkujton me nderim të përjetshëm dëshmorët e rënë gjatë luftës tonë çlirimtare dhe dëshmon se ata nuk harrohen kurrë.

  • Grumbullim uji, rrëshqitje dheu: Ku ka vështirësi dhe bllokim të rrugëve si pasojë e vërshimeve?

    Grumbullim uji, rrëshqitje dheu: Ku ka vështirësi dhe bllokim të rrugëve si pasojë e vërshimeve?

    Reshjet e fundit të shiut dhe borës kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme në qarkullimin rrugor në disa pjesë të Kosovës, për shkak të vërshimeve, grumbullimit të ujit dhe rrëshqitjeve të dheut.

    Hysen Durmishi, ushtrues i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, ka bërë të ditur se në rrugën Prishtinë–Ferizaj qarkullimi është bllokuar për shkak të grumbullimit të ujit, që sipas tij ndodh për shkak të kyçjeve ilegale në kanalet atmosferike.

    Ai ka sqaruar se ekipet janë në terren duke punuar për shkarkimin e ujit dhe se rruga pritet të hapet për qarkullim brenda ditës.

    Probleme janë raportuar edhe te nënkalimi në Mazgit, në drejtim të autostradës, ku ka grumbullim të ujit për shkak të bllokimit të kanalit atmosferik.

    Sipas Durmishit, ekipet po punojnë intensivisht për zhbllokimin e këtij segmenti.

    Në autostradën “Ibrahim Rugova”, autoritetet kanë regjistruar rrëshqitje të dheut, ndërsa po vazhdojnë punimet për sanimin e saj me qëllim rikthimin e qarkullimit normal.

    Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë–Gjurgjicë, ku ka grumbullim të ujit në rrugë. Ekipet emergjente janë duke ndërhyrë dhe pritet që qarkullimi të normalizohet së shpejti.

    Në rrugën Zhur–Dragash është evidentuar lëvizje e trupit të rrugës. Autoritetet kanë vendosur sinjalizim përkatës, ndërsa qarkullimi aktualisht zhvillohet vetëm në një shirit.

    Po ashtu, me reshjet që kanë nisur që mbrëmjen e së premtes, disa zona në Suharekë janë përfshirë sërish nga vërshimet, duke vështirësuar qarkullimin rrugor.

    Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka bërë thirrje për kujdes në disa rrugë të vërshuara dhe ka treguar se cilat segmente janë të pakalueshme.

    “Rruga që kalon nga fshati Tërrnje në drejtim të Nëpëbishtit është e bllokuar”, ka thënë ai përmes një videoje të publikuar në Facebook.

    Autoritetet kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve deri në sanimin e plotë të këtyre problemeve dhe kanë apeluar që, nëse është e mundur, të shmanget qarkullimi i panevojshëm në këto segmente rrugore.