ATV

Author: G.O.

  • Tragjedi në Tajlandë: Të paktën 22 të vdekur nga rrëzimi i vinçit mbi tren

    Tragjedi në Tajlandë: Të paktën 22 të vdekur nga rrëzimi i vinçit mbi tren

    Të paktën 22 persona kanë humbur jetën dhe 79 të tjerë janë plagosur pasi një vinç ndërtimi u shemb mbi një vagon treni në lëvizje në Tajlandë. Tetë nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Sipas Hekurudhave Shtetërore të Tajlandës, në tren ndodheshin gjithsej 195 pasagjerë dhe anëtarë të stafit, bazuar në planin e ulëseve. Aksidenti ndodhi mëngjesin e kësaj të mërkure në provincën Nakhon Ratchasima, në veri të kryeqytetit Bangkok.

    Vinçi ishte duke punuar në një projekt hekurudhor me shpejtësi të mesme kur u shemb, duke goditur një vagon treni. Si pasojë, vagoni doli nga shinat dhe mori flakë për një kohë të shkurtër.

    Autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet, pasi ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet për nxjerrjen e trupave nga vagoni i rrënuar.

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Tajlandës, Phipat Ratchakitprakarn, ka urdhëruar një “hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës” për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Ai bëri të ditur se po verifikohen identitetet e viktimave dhe se të plagosurit po monitorohen nga afër. Sipas tij, familjet e viktimave do të kompensohen, nëse të ndjerit rezultojnë të kenë qenë punonjës të hekurudhës.

    Guvernatori i Hekurudhave Shtetërore të Tajlandës është thirrur gjithashtu për të zhvilluar një hetim të detajuar mbi ngjarjen.

  • KOSTT-i paralajmëron reduktime të rrymës gjatë ditës për shkak të rrezikut në sistem

    KOSTT-i paralajmëron reduktime të rrymës gjatë ditës për shkak të rrezikut në sistem

    Kompania Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka paralajmëruar se është e detyruar të reduktojë energjinë elektrike gjatë ditës së sotme, me qëllim të ruajtjes së sigurisë së sistemit.

    Nga kjo kompani është sqaruar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, por se këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme.

    “Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, po rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikimin e Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”, thuhet në komunikatën e KOSTT-it.

    Ndërkaq, është thënë se me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit, KOSTT-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rikthimin e stabilitetit të sistemit.

  • Arrestohet një shtetas i Serbisë në Leposaviq, kishte kaluar ilegalisht kufirin

    Arrestohet një shtetas i Serbisë në Leposaviq, kishte kaluar ilegalisht kufirin

    Një shtetas i Serbisë është arrestuar dje në Leposaviq.

    Sipas policisë, ai dyshohet të ketë kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë, me veturën e tij me targa të Beogradit.

    Policia ka konfirmuar se arrestimi i të dyshuarit u bë në fshatin Tersava, rreth orës 15:00.

    “I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje” thuhet në njoftim të policisë.

    Rasti është iniciuar si “Kalim i paautorizuar i kufirit”.

  • Më 12 shkurt seanca gjyqësore për vrasjen e policit, Muhamed Lika

    Më 12 shkurt seanca gjyqësore për vrasjen e policit, Muhamed Lika

    Më 12 shkurt do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar për vrasjen e policit Muhamed Lika, për vrasjen e të cilit tashmë ka një aktakuzë.

    Gjykata Themelore në Ferizaj, njofton se seanca do të zhvillohet me fillim nga ora 09:00 kundër të pandehurve H.B., R.M., V.Ç., E.L.,Sh.K. të akuzuar për veprën penale vrasja e rendë dhe D.G., i akuzuar për shkak të veprës penale ‘dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale’.

    Seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, kati (I), salla numër (I), tek gjyqtari i çështjes Ilir Bytyqi.

    “Gjithashtu, njoftoheni që kjo seancë është e hapur për publikun, andaj ju ftojmë ta përcjellin të njëjtën”.

    Ndërkohë, sipas aktakuzës, më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendit ku ka jetuar viktima, të pandehurit në bashkëkryerje me të miturin, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter Muhamed Lika, me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave nga plagët ndërron jetë, e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes.

    “Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

  • IKShPK: Uji i Badocit nuk rekomandohet për pije për shkak të turbullirave

    IKShPK: Uji i Badocit nuk rekomandohet për pije për shkak të turbullirave

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se si pasojë e rritjes së vlerave të turbullirës në ujin e prodhuar nga fabrika për trajtimin e ujit “Badoc”, nuk rekomandohet për pije, deri në njoftimin e radhës.

    IKShPK tha se në bashkëpunim me KRU “Prishtina” po e përcjellin nga afër situatën me ujë të pijshëm.

    Për shkak të reshjeve, ditëve të fundit në vend pati përmbytje nëpër shumë zona.

  • Orav: Zgjedhjet në Kosovë treguan që demokracia formëson politika për komunitetin

    Orav: Zgjedhjet në Kosovë treguan që demokracia formëson politika për komunitetin

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar të martën me ministrin në Detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për rolin e qeverisjes vendore të fortë dhe të përgjegjshme në zbatimin e reformave.

    “Zgjedhjet e fundit në Kosovë tregojnë se si demokracia vendore angazhon njerëzit dhe formëson politikat që pasqyrojnë nevojat e komunitetit përmes vendimmarrjes pranë tyre”, ka thënë Orav.

     

  • Arrestohet në Prishtinë një i dyshuar me urdhërarrest ndërkombëtar

    Arrestohet në Prishtinë një i dyshuar me urdhërarrest ndërkombëtar

    Një shtetas i huaj, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, është arrestuar sot në Prishtinë nga Policia e Kosovës.

    Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar më 13.01.2026 rreth orës 11:45 nga zyrtarë policorë të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, përkatësisht ekipi FAST, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet tjera relevante.

    Pas identifikimit dhe lokalizimit të të dyshuarit, autoritetet kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për arrestimin e tij. Me urdhër të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, gjatë të cilave do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore.

    Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për kapjen e personave të kërkuar nga drejtësia.

  • BE-ja paralajmëron sanksione të reja ndaj Iranit, shkak shtypja e protestave

    BE-ja paralajmëron sanksione të reja ndaj Iranit, shkak shtypja e protestave

    Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të vendosë shumë shpejt sanksione të reja ndaj autoriteteve përgjegjëse për “shtypjen” e protestave antiqeveritare në Iran, ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian.

    Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Ursula von der Leyen e ka cilësuar si tronditës numrin e viktimave në Iran gjatë protestave antiqeveritare dhe ka dënuar “përdorimin e tepruar të forcës dhe kufizimin e vazhdueshëm të të drejtave të qytetarëve atje”.

    Ajo shtoi se në koordinim me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, “do të propozohet me shpejtësi vendosja e sanksioneve të tjera ndaj atyre që janë përgjegjës për represionin”.

    “Ne qëndrojmë përkrah popullit të Iranit, i cili po marshon me guxim për lirinë e tij”, ka thënë Von der Leyen.

  • Rusia godet rrjetin energjetik të Ukrainës, lë qindra mijëra banorë pa rrymë në mot acar

    Rusia godet rrjetin energjetik të Ukrainës, lë qindra mijëra banorë pa rrymë në mot acar

    Rusia e ka kryer një sulm të madh gjatë natës kundër Ukrainës, duke goditur objekte jetike të energjisë, përfshirë një termocentral, në një kohë kur temperaturat në gjithë vendin ranë deri në minus 15 gradë.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, theksoi se Rusia i përdori gati 300 dronë sulmues, si dhe 18 raketa balistike dhe shtatë raketa lundruese.

    “Gjendja në rajonin e Kievit është e rëndë. Disa qindra mijëra familje janë pa energji elektrike tani”, tha Zelensky në një postim në X.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi se kishte kryer një “sulm të madh” ndaj objekteve energjetike të Ukrainës, duke pretenduar se ato përdoreshin nga ushtria e Ukrainës dhe kompleksi i saj ushtarako-industrial.

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, e akuzoi Rusinë se po godet qëllimisht infrastrukturën energjetike për t’i privuar civilët nga energjia elektrike, uji dhe ngrohja në kushtet e motit acar.

    “Rusia po përpiqet qëllimisht të krijojë kushte jetese, të llogaritura për të sjellë shkatërrimin fizik të popullit ukrainas”, shkroi ai në X, duke shtuar se një veprim i tillë hyn në përkufizimin e Nenit II (c) të Konventës për Gjenocidin.

    Furnizuesi kryesor privat i energjisë në Ukrainë, DTEK, raportoi se raketat ruse goditën gjatë natës një termocentral. Ky ishte sulmi i tetë madhor ndaj objekteve të tij që nga tetori i vitit 2025.

    Operatori shtetëror i energjisë, Ukrenergo, njoftoi më 13 janar se sulmi rus me raketa dhe dronë kishte në shënjestër objekte energjetike në disa rajone, duke lënë shumë konsumatorë pa energji elektrike në Kiev dhe rajonin e Kievit, si dhe në rajonet Çernihiv, Dnipropetrovsk, Zaporizhja, Zhitomir, Harkiv dhe Donjeck.

    Ai shtoi se puna për riparimin dhe rikthimin e furnizimit ka nisur kudo që kushtet e sigurisë mundësuan.

    Guvernatori rajonal raportoi se një sulm rus në rajonin e Harkivit vrau katër njerëz dhe plagosi disa të tjerë.

    “Numri i njerëzve të vrarë nga sulmi i armikut në periferi të Harkivit ka arritur në katër”, shkroi Oleh Syniehubov në Telegram.

    Kryetari i bashkisë së Harkivit, Ihor Terekhov, tha se një dron rus goditi një institucion mjekësor për fëmijë, duke shkaktuar zjarr.

    Sulmet gjatë natës goditën gjithashtu rajone të tjera ukrainase, përfshirë qytetin jugor të Odesës.

    Guvernatori rajonal, Serhiy Lysak, deklaroi se ndërtesa banimi, një spital, një shkollë dhe një kopsht fëmijësh u dëmtuan — dhe të paktën pesë persona u plagosën në dy valë sulmesh.

    Moska ka pretenduar vazhdimisht se nuk synon infrastrukturën civile të Ukrainës, pavarësisht provave gjithnjë e më të mëdha që tregojnë të kundërtën.

    Të dhënat tregojnë se forcat ruse intensifikuan sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe të gazit të Ukrainës në fillim të vjeshtës së vitit 2025, duke ndërprerë furnizimet gjatë sezonit të ngrohjes./REL

  • 5 deri në 50 euro për një raport mjekësor, ngritet aktakuzë ndaj mjekut në Vushtrri

    5 deri në 50 euro për një raport mjekësor, ngritet aktakuzë ndaj mjekut në Vushtrri

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj mjekut nga Vushtrria, A.V., pasi dyshohet se ka lëshuar raporte mjekësore të rrejshme, për të cilat ka marrë para nga 5 deri në 50 euro.

    “I pandehuri akuzohet se nga data 20.07.2025 deri me datë 28.10.2025 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, me dashje në cilësinë e personit zyrtar si specialist i mjekësisë familjare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete në atë mënyrë që ka lëshuar raporte mjekësore sipas kërkesës së pacientëve duke e ditur se personat në fjalë – pacientët nuk vuajnë nga sëmundje të tilla, duke i pyetur se çfarë diagnoze t’ua shënojnë me qëllim që të njëjtit këto raporte mjekësore t’i përdorin për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin Nr.03/L-212 e Punës, po ashtu ka përshkruar barna pacientëve sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutik, ku pas lëshimit të raporteve mjekësore ka pranuar dobi pasurore – para nga pesë (5) deri në pesëdhjetë (50) euro.”

    Prokuroria i ka kërkuar gjykatës që të pandehurin ta shpall fajtor për veprën penale që i vihet në barrë me këtë aktakuzë dhe të njëjtit t’i shqiptojë sanksion penal të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.