ATV

Author: G.O.

  • Rrezik nga epidemia – Azia merr masa ndaj virusit Nipah

    Rrezik nga epidemia – Azia merr masa ndaj virusit Nipah

    Shpërthimi i virusit vdekjeprurës Nipah në West Bengal të Indisë ka nxitur shqetësime në disa zona të Azisë, që madje kanë kthyer masa shtrënguese nëpër aeroporte.

    Tajlanda ka shtuar kontrollet e pasagjerëve që vijnë nga West Bengali. Nepali po ashtu ka shtuar kontrollet në aeroportin Katmandu dhe pikat tjera të lidhjes me Indinë.

    Pesë punëtorë shëndetësorë në West Bengal u infektuan me virus më herët gjatë muajit. Një nga ta është në gjendje kritike. Rreth 110 njerëz që ishin në kontakt me ta janë izoluar.

    Virusi mund të shpërndahet nga kafshët te njerëzit. Ka shkallë të lartë vdekshmërie – 40-75 për qind – pasi s’ka vaksinë e ilaç për ta trajtuar.

    Çka është virusi Nipah dhe cilat janë simptomat e tij?

    Virusi Nipah mund të transmetohet nga kafshët, si derrat dhe lakuriqët e frutave, te njerëzit. Mund të shpërndahet edhe nëpërmjet ushqimit të kontaminuar. Te njeriu bartet edhe me kontakt direkt me lëngjet e një njeriu të infektuar.

    Edhe ai detektohet përmes testeve që marrin mostra nga kanalet e frymëmarrjes, ose edhe urina.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar Nihapin në mesin e dhjetë prioriteteve të sëmundjeve, krahas patogjenëve si Covid-19 dhe Zika, kryesisht për shkak të potencialit për të nxitur epidemi.

    Periudha e izolimit zgjat nga katër deri në 14 ditë.

    Njerëzit që marrin virusin shfaqin disa lloje simptomash, ose nganjëherë, asnjë fare. Simptomat fillestare mund të përfshijnë ethe, kokëdhimbje, dhimbje të muskujve, vjellje dhe dhimbje fyti. Te disa njerëz, më pas përcillet me përgjumje, lodhje dhe pneumoni. Në raste të rënda mund të ndodhë edhe inflamacion i trurit.

    Deri tash, as ilaçe e as vaksina nuk janë miratuar për ta trajtuar virusin.

    Si ndodhën shpërthimet e kaluara?

    Shpërthimi i parë i Nipahit ishte në vitin 1998 mes fermerëve të derrave në Malajzi dhe më pas u shpërnda në Singapor. Virusi e mori emrin nga fshati ku u zbulua për herën e parë.

    Më shumë se 100 njerëz kishin vdekur e më shumë se 1 milion derra ishin therur në përpjekjet për ta ndalur virusin. Kjo rezultoi në humbje të theksuara ekonomike.

    Që prej vitit 2001, në Bangladesh kanë vdekur më shumë 100 persona.

    Virusi ishte vërejtur më herët edhe në Indi. Shpërthime ka pasur në West Bengal edhe më 2001 e më 2007.

    Së fundmi, Kerala ka qenë vatër e Nipahut. Më 2018, u raportuan 19 raste nga të cilat 17 ishin fatale. Më 2023, dy nga gjashtë raste vdiqën.

    Çka po ndodh tash?

    Të paktën pesë raste janë konfirmuar javën e shkuar dhe të gjitha lidhen me një spital privat në Barasat. Dy infermiere po trajtohen në njësitin intensiv. Një nga to është në gjendje kritike, sipas mediave të vendit.

    Asnjë rast nuk është raportuar ende jashtë Indisë, por disa shtete po marrin masa parandalimi.

    Të dielën, Tajlanda nisi shtimin e kontrolleve në aeroportet ndërkombëtare që pritnin pasagjerë nga West Bengal. Pasagjerëve të këtyre shteteve u është kërkuar të nënshkruajnë deklarata të shëndetësisë.

    Ndërkohë autoritetet në Tajvan kanë propozuar që ta listojnë Nipahin si “sëmundje të kategorisë së pestë”, që u referohet infektimeve në rritje me rrezik të madh shëndetësor dhe që kërkojnë masa të menjëhershme.

  • ZRrE-ja shtyn afatin për aplikimet, për tarifat e energjisë vendoset në mars

    ZRrE-ja shtyn afatin për aplikimet, për tarifat e energjisë vendoset në mars

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka shtyrë afatin për dorëzimin e aplikimeve të operatorëve të sektorit energjetik në procesin vjetor të shqyrtimit të tarifave.

    Afati i ri është caktuar për datën 28 janar, pasi kompanitë ende nuk i kanë kompletuar dokumentet.

    Vendimi për tarifat e reja pritet të merret para fundit të marsit, ndërsa ato do të hyjnë në fuqi, më 1 prill.

  • Ambasada e ShBA-së në Prishtinë kujton viktimat e Holokaustit: Angazhohemi për të vërtetën

    Ambasada e ShBA-së në Prishtinë kujton viktimat e Holokaustit: Angazhohemi për të vërtetën

    Ambasada e Amerikës në Prishtinë ka përkujtuar 6 milionë hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit dhe miliona viktimave të tjera të persekutimit nazist në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

    Përmes një postimi në Facebook, ambasada tha se kjo ngjarje mbahet mend, nderohet dhe angazhohet për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.

    “Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë kujtimin e 6 milionë hebrenjve të vrarë gjatë Holokaustit dhe miliona viktimave të tjera të persekutimit nazist. E mbajmë mend. E nderojmë. Ne i angazhohemi të vërtetës dhe dinjitetit njerëzor”, thuhet në njoftim.

  • Mbyllet aksi Ferizaj–Gjilan në Sojevë, shkak grumbullimi i ujit

    Mbyllet aksi Ferizaj–Gjilan në Sojevë, shkak grumbullimi i ujit

    Aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin tek fshati Sojevë, është mbyllur për qarkullim për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë, njoftojnë autoritetet lokale.

    Si pasojë, të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim po orientohen të shfrytëzojnë rrugën alternative Ferizaj–Mirosal–Gjilan dhe anasjelltas, deri në normalizimin e situatës.

    Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, pasi reshjet e shtuara kanë vështirësuar kushtet atmosferike dhe të rrugës.

    Po ashtu, kërkohet respektimi i sinjalizimit rrugor dhe përshtatja e shpejtësisë me kushtet aktuale.

    Ende nuk dihet se kur do të hapet sërish për qarkullim ky segment rrugor.

  • Arrestohet një i dyshuar për dhunim në Deçan

    Arrestohet një i dyshuar për dhunim në Deçan

    Një person është arrestuar në Deçan nën dyshimin për veprën penale të dhunimit.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, rasti ka ndodhur të dielën, rreth orës 00:01.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari i rastit është dërguar në mbajtje.

    “Deçan 25.01.2026-00:01. Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

  • Babai nga Gjakova raporton zhdukjen e vajzës që nga dhjetori

    Babai nga Gjakova raporton zhdukjen e vajzës që nga dhjetori

    Një person në Gjakovë ka raportuar në Polici se i është zhdukur vajza gati që një muaj.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, viktima raportohet e zhdukur nga 29 dhjetori.

    “Gjakovë 29.12.2025-12:00. Me 26.01.2026 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij  është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhje e saj. Rasti nën hetime”, njofton Policia.

  • Erdogan takon ministrat e Jashtëm të Ballkanit në Stamboll, në fokus paqja dhe bashkëpunimi rajonal

    Erdogan takon ministrat e Jashtëm të Ballkanit në Stamboll, në fokus paqja dhe bashkëpunimi rajonal

    Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zhvilloi në Stamboll një takim me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit, ku u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale.

    Në kuadër të Platformës së Paqes në Ballkan, Erdogan theksoi rëndësinë e solidaritetit, sigurisë, energjisë dhe bashkëpunimit rajonal, duke bërë thirrje për veprim të përbashkët dhe nisma të fokusuara në paqe.

  • Aksident fatal në rrugën Gjakovë–Prizren, humb jetën një 81-vjeçar

    Aksident fatal në rrugën Gjakovë–Prizren, humb jetën një 81-vjeçar

    Një aksident trafiku me pasojë vdekje ka ndodhur sot rreth orës 13:25 në dalje të qytetit të Gjakovës, në rrugën Gjakovë–Prizren, konkretisht në rrugën “Dah Polloshka”.

    Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke vazhduar hetimet, ndërsa në koordinim me prokurorin e shtetit është iniciuar rasti “Hetim i vdekjes” dhe trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.

    “Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke zhvilluar hetime, ndërsa në koordinim me prokurorin e shtetit është iniciuar rasti “Hetim i vdekjes” dhe trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor”, konfirmoi ajo.

  • Kërkohet paraburgim ndaj 11 të ndaluarve për manipulim votash në Prizren

    Kërkohet paraburgim ndaj 11 të ndaluarve për manipulim votash në Prizren

    Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se deri më tani ka pranuar katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 personave, pjesë e 109 të arrestuarve për manipulim të votave në Komunën e Prizrenit.

    Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj, tha se procesi vazhdon dhe janë ende në pritje të pranimit të kërkesave të tjera nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

    “Ju njoftoj se deri në këto momente Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 personave, dhe në ora 14:00 është caktuar një seancë dëgjimore, ndërsa në ora 15:00 është caktuar seanca e radhës dhe jemi ende në pritje të pranimit të kërkesave nga Prokuroria Themelore në Prizren”, tha Lekaj.

  • Policia gjen armë, municion e granata dore në një shtëpi të braktisur në Zveçan

    Policia gjen armë, municion e granata dore në një shtëpi të braktisur në Zveçan

    Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh dhe municioni në një shtëpi të braktisur në fshatin Joshevik, komuna e Zveçanit.

    Sipas njoftimit të Policisë, më 24 janar 2026, rreth orës 09:20, pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative, u zhvillua kontrolli i shtëpisë, ku u gjetën:

    1 armë automatike AK-47

    1 pushkë gjysmë automatike dy tytëshe

    10 karikatorë të zbrazët

    6 karikatorë të mbushur me nga 30 fishekë

    84 copë fishekë për pushkë automatike

    14 copë fishekë për pushkë gjysmë automatike

    1 rrip për fishekë

    2 granata dore M50

    Pajisje për pastrimin e armëve

    Lidhur me rastin, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Policia bën të ditur se deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar në lidhje me rastin.

    Në fund, Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme, duke inkurajuar që çdo rast të dyshimtë ose veprim të kundërligjshëm të raportohet në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor. “Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të sigurojmë një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim”, thuhet në njoftim.