ATV

Author: G.O.

  • Avokati: Kadri Veseli duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm

    Avokati: Kadri Veseli duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm

    Avokati Rodney Dixon ka thënë se Kadri Veseli është tërësisht i pafajshëm dhe këtë e vërtetojnë shumë pika. Ai tha se Veseli duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm.

    “Ai meriton gjykim të drejtë dhe të duhur. Ai duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Nëse ndodh ndryshe, do të ishte një padrejtësi e madhe”, tha ai.

    Ai ka deklaruar se në këtë proces gjyqësor do të arrihet në përfundim që Veseli nuk ka qenë i përfshirë në asnjë prej krimeve për të cilat Prokruroria pretendon se ka kryer, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Do vini në përfundimin që klienti im nuk është i përfshirë në asnjë prej krimeve të cilat pretendon Prokuroria që ai i ka kryer”, tha ai.

    Madje, avokati përdori një frazë për të përshkruar atë se çfarë po ngjan se po bën Prokuroria.

    “Ne parashtrojmë që ZPS-ja duket se po na tërheq zvarrë me vete me kaosin e mbretit të mizave. Sipas ZPS-së, çdo lloj asocimi ka kuptim për sa kohë i shërben asaj. Sipas nesh, si rezultat ZPS-ja nuk mbështetë dhe nuk konfirmon asnjë prej akuzave të tij dhe nga ana tjetër ka shumë pika të cilat mund të vërtetojnë që klienti im është tërësisht i pafajshëm”, tha ai.

    Dixon shtoi se parashtrojnë që qëndrimi i Prokurorisë duhet të hudhet poshtë. Tha se përgjegjësia eprore nuk është e bazuar fare dhe se nuk qëndron.

    “Siç kemi thënë në dosjen tonë, përgjegjësia eprore nuk qëndron fare, nuk është e bazuar. Kontrolli efektiv është i vetmi prag përmes të cilës mund të ndodhë kjo dhe pa NPK dhe pa strukturë komanduse për ZKZ, kjo portë mbetet tërësisht për ZPS-në. Pra, ZPS-ja nuk mund ta përdorë këtë pistë dot.

  • Zyrtare: Izraeli bëhet pjesë e Bordit të Paqes për rindërtimin e Gazës

    Zyrtare: Izraeli bëhet pjesë e Bordit të Paqes për rindërtimin e Gazës

    Izraeli është bashkuar zyrtarisht me Bordin e Paqes, nisma e presidentit amerikan Donald Trump për rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës e jo vetëm.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se nënshkroi pranimin e Izraelit në këtë mekanizëm ndërkombëtar gjatë një vizite në Uashington, ku u takua me kreun e shtëpisë së bardhë dhe sekretarin e shtetit MARCO Rubio.

    Bordhi i Paqes është autorizuar me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara që të krijojë një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza pas arritjes së armëpushimit vitin e kaluar.

    Bordi do të mbajë takimin e tij të parë më 19 shkurt në Uashington për të diskutuar rindërtimin e Gazës. Pjesëmarrëse në këtë bord janë edhe Shqipëria e Kosova.

    Faza tjetër e planit të Trump për Gazën kërkon zgjidhjen e çështjeve komplekse si çarmatimi i Hamasit, të cilin grupi e ka refuzuar prej kohësh, tërheqjen e mëtejshme të Izraelit nga Gaza dhe vendosjen e një force paqeruajtëse ndërkombëtare.

    Ndërkohë takimi mes Trump dhe Netanyahu u përqendrua kryesisht te Irani, një tjetër çështje e nxehtë në Lindjen e Mesme.

    Trump, tha se këmbënguli që bisedimet me Iranin të vazhdojnë gjatë takimit me kryeministrin izraelit, por paralajmëroi se mund të ndërmarrë veprime kundër Teheranit nëse nuk arrihet një marrëveshje bërthamore.

    Ndërkohë një paralajmërim për Iranin e pati edhe Zëvendëspresidenti JD Vance, i cili tha se ekziston “një mundësi tjetër në tryezë” nëse Uashingtoni nuk arrin të arrijë një marrëveshje me Teheranin.

    Vizita e Netanyahut shënon udhëtimin e tij të gjashtë në SHBA që nga rikthimi i Trump në detyrë më shumë se çdo udhëheqës tjetër botëror, shkruan Abcnews.al.

    Të dy folën për gati tre orë në një takim jashtëzakonisht të qetë, në të cilin Netanyahu u fut nga një hyrje anësore, larg pamjes së kamerave.

  • Për 13 vjet lindën mbi 306 mijë fëmijë, 71 prej nënave ishin 65-vjeçare

    Për 13 vjet lindën mbi 306 mijë fëmijë, 71 prej nënave ishin 65-vjeçare

    Nga 1 janari 2011 deri më 4 prill 2024 në Kosovë janë lindur 306,419 fëmijë – prej tyre 160,136 meshkuj dhe 146,283 femra.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raport me të dhënat për “Femrat e moshës 15 vjeç e më shumë që kanë lindur fëmijë në periudhën 1 janar 2011 – 4 prill 2024”, të dala nga Regjistrimi i Popullsisë më 2024.

    Gjithsej për këtë periudhë lindën 165,015 nëna të moshave të ndryshme. Vajza 15 vjeçe që u bënë nëna gjatë kësaj periudhe ishin 6. Të moshën 16-vjeçare po ashtu u bënë nëna 6 vajza, të moshën 17 60 vajza dhe 18 vjeçet që u bënë nëna ishin gjithsej 102.

    Sipas statistikave të ASK-së, pati po ashtu gra mbi 50 vjeç që lindën. 1,537 50-vjeçare lindër në këtë periudhë. Lindje janë regjistruar te të gjitha moshat deri në 65 vjeçe.

    Në të dhëna siguron se 31 gra 60 vjeçe, 14 gra 61 vjeçe, 15 gra 62 vjeçe, 12 gra 63 vjeçe, 10 gra 64 vjeçe dhe 71 gra 66+ vjeçe ishin në mesin e atyre që lindën në periudhën 2011-2024.

  • Abdixhiku propozon Jehona Lushaku-Sadriun për Kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së

    Abdixhiku propozon Jehona Lushaku-Sadriun për Kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka propozuar deputeten Jehona Lushaku-Sadriu për Kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

    Përmes një njoftimi publik në rrjetin social “Facebook”, Abdixhiku ka vlerësuar lart figurën dhe angazhimin e Lushaku-Sadriut, duke e cilësuar atë si një deputete me integritet, përgatitje të lartë akademike dhe përvojë politike.

    Ai theksoi se ajo është një bashkëpunëtore e afërt, e ndershme dhe e përkushtuar ndaj demokracisë parlamentare, shtetit ligjor dhe orientimit euroatlantik të Kosovës – vlera që, sipas tij, përbëjnë themelin e LDK-së.

    “Jam i bindur se në këtë përgjegjësi të re do ta udhëheqë Grupin Parlamentar me përkushtim, korrektësi politike dhe respekt për njerëzit me të cilët punon,” ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se Lushaku-Sadriu do ta përfaqësojë LDK-në me dinjitet dhe do të bëjë krenarë mbështetësit e partisë dhe qytetarët e Kosovës.

    Propozimi i saj për këtë pozitë vjen në kuadër të organizimit të brendshëm të LDK-së për legjislaturën e re, ndërsa pritet që organet përkatëse të partisë të formalizojnë këtë emërim./atvlive.tv/

     

  • Këto janë pasojat nëse flini më pak ose më shumë se sa duhet

    Këto janë pasojat nëse flini më pak ose më shumë se sa duhet

    Për sportistët cilësorë, një gjumë i mjaftueshëm renditet ndër faktorët më të rëndësishëm për të arritur rezultatet e dëshiruara.

    Por edhe për njerëzit normalë, mosfjetja mund të sjellë pasoja të rënda. E njëjta gjë ndodh edhe kur e tejkaloni me gjumin.

    Gjumi i rregullt dhe i thellë për procesin mësimor të trurit njerëzor është një element i tepër i rëndësishëm.

    “Gjumi është për njeriun si zembereku për orën“, thoshte dikur filozofi i famshëm gjerman, Arthur Schopenhauer. Kush fle jo mjaftueshëm redukton energjinë e vet dhe rendimentin për një kohë të gjatë.

    Mungesa e gjumit shkakton deformim të përqendrimit, sjell një gjendje të keqe humori dhe në terma afatgjatë, mund të sjellë madje edhe një rrezik të shtuar për kancerin.

    Në kundërshtim me mendimin që ka mbizotëruar prej kohësh, gjumi është shumë më tepër sesa thjesht një fenomen pasiv, pra jo i rëndësishëm.

    Gjumi është një proces shumë intensiv

    Gjatë gjumit, shumë organe dhe biosisteme, të cilat gjatë ditës punojnë “me kohë të plotë”, rigjenerohen dhe rivendosin ritmin në përgjithësi. Në gjumë, sistemi imunitar aktivizohet, luftohen infeksione dhe shkaktarët e sëmundjeve bien në letargji. Dhe jo më pak përgjatë gjumit përpunohen edhe eksperiencat e ditës së mëparshme, ruhen informacionet dhe kujtimet përforcohen.

    Pasojat një gjumi të mangët

    Në kuadër të procesit biologjik të gjumit, bëhet e kuptueshme, se përse mungesa e gjumit mund të sjellë pasoja kaq të rënda për gjendjen tonë fizike e mendore. Mungesa e gjumit, së pari çon në humbjen e shpejtësisë së mendimit, e më pas në një pakësim apo reduktim të përqendrimit. Në fund vijnë edhe boshllëqet ose mungesat në mendime e kujtesë, pasuar me dobësi fizike.

    Mungesa e gjumit të sëmurë

    Vetëm me këto dijeni bazike na bëhet më se e qartë se përse mungesa e gjumit na shkakton ulje të aftësisë për rigjenerim fizik e mendor dhe se përse ne rrezikohemi seriozisht të sëmuremi. Mungesa e gjumit ndikon në sistemin tonë imunitar dhe kësisoj sjell me vete një rrezik të shtuar për sëmundjet që lidhen me të ftohurën e gripin, kjo merret me mend. Pak më komplekse megjithatë duket se është puna kur flasim për lindjen e një rreziku të shtuar për sëmundjet që lidhen me qarkullimin e gjakut në zemër, – ndryshimin e mineraleve- dhe ato psikike. Në studime të ndryshme është zbuluar se në rastet e mungesës së gjumit, përkeqësohet ndryshimi i karbohidrateve, rritet niveli i sheqerit në gjak, si dhe humbet balancën edhe prodhimi i tiroideve – të gjitha këto, mesazherë klasikë të afrimit të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.

    Sa orë gjumë na nevojiten?

    Nëse deri më tani u panë efektet e mungesës së gjumit, çfarë mund të thoshim për të kundërtën? Studime të ndryshme kanë treguar se për të bërë një jetë të shëndetshme dhe të ekuilibruar, një njeriu i duhen 4-10 orë gjumë, në varësi të faktorëve gjenetikë. Kjo kohë për të rriturit është 6-8 orë. Nga ana tjetër, ka studime që pohojnë se 8 orë gjumë nuk janë të domosdoshme, por 6, 5 ose 4 orë gjumë mund të jenë të mjaftueshme. Sidoqoftë, si “vijë e kuqe” konsiderohet tetorëshi.

    Gjumi i tepërt, si ai i mangëti

    Ata që flenë më shumë ose më pak se mesatarja, herët a vonë do të përballen paradoksalisht me probleme shëndetësore krahasuar me ata që flenë mjaftueshëm dhe në mënyrë të rregullt. Në një studim të gjatë kohor, u morën në observim më shumë se 71 000 gra gjatë 10 viteve dhe u vërejtën dy pika të rëndësishme. E para, gjumi i tepërt rriste rrezikun për sëmundje të zemrës; e dyta, ata që flinin shumë përballeshin me të njëjtat probleme shëndetësore si ata që flinin pak. Gjumi i tepërt mund të shkaktojë obezitet, diabet, rritje të presionit të gjakut, ulje të vëllimit muskulor, dobësim të sistemit imunitar dhe depresion.

  • Rrahje në Dobrajë të Madhe të Lipjanit, një person kërkon ndihmë mjekësore

    Rrahje në Dobrajë të Madhe të Lipjanit, një person kërkon ndihmë mjekësore

    Një rast i lëndimit të lehtë trupor është raportuar mbrëmjen e 11 shkurtit 2026 në fshatin Dobrajë e Madhe të Lipjanit.

    Sipas njoftimit, rreth orës 19:50 një mashkull kosovar ka kërkuar trajtim mjekësor, pasi dyshohet se është rrahur nga dy persona të tjerë.

    Lidhur me rastin, palët janë intervistuar nga organet e rendit, ndërsa me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Qëllohet me armë zjarri një person në Mitrovicë, arrestohen dy të dyshuar për tentim vrasje

    Qëllohet me armë zjarri një person në Mitrovicë, arrestohen dy të dyshuar për tentim vrasje

    Një rast i vrasjes në tentativë është raportuar mbrëmjen e 11 shkurtit në Mitrovicë.

    Sipas njoftimit të policisë rreth orës 19:25, një mashkull kosovar dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga dy persona të dyshuar, po ashtu meshkuj kosovarë.

    Viktima ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është liruar, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar nga Policia.

    Me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje.

  • AUV-i ndalon përkohësisht importin e formulës për foshnje “APTAMIL”

    AUV-i ndalon përkohësisht importin e formulës për foshnje “APTAMIL”

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të importit të të gjitha llojeve të qumështit të përpunuar për foshnje “APTAMIL” në Kosovë.

    Ky vendim është marrë pas njoftimeve të përsëritura nga Sistemi i Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), sipas të cilave disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Kosovën, janë përballur me praninë e mundshme të toksinës Cereulide në këtë produkt.

    “Qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim, pasi për sasinë e futur më parë në Kosovë, masat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë parandaluese”, thekson AUV në komunikatën e saj.

    Agjencia ka bërë të ditur se në koordinim me operatorët ekonomikë është realizuar tërheqja nga tregu e produktit të paralajmëruar, ndërsa inspektorët e AUV-së po vazhdojnë me gjurmueshmërinë e plotë për të verifikuar nëse ka mbetur ndonjë njësi e produktit të konsideruar të pa përdorshëm.

    “Të gjitha veprimet e ndërmarra më parë, por edhe ky vendim, kanë prioritet mbrojtjen maksimale të shëndetit të foshnjave dhe konsumatorëve. Situata po menaxhohet me përgjegjësi të plotë dhe në koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë”, shton AUV.

    Agjencia gjithashtu njofton të gjithë operatorët ekonomikë që veprojnë në Kosovë për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi, i cili hyn në fuqi nga data 11.02.2026 dhe zbatohet në të gjithë territorin e vendit.

    AUV premton se do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje.

  • BE-ja mirëpret formimin e institucioneve në Kosovë, Terras: Qeveria funksionale hap rrugën drejt familjes evropiane

    BE-ja mirëpret formimin e institucioneve në Kosovë, Terras: Qeveria funksionale hap rrugën drejt familjes evropiane

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe qytetarët e Kosovës për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se paraliza politike ka marrë fund.

    Përmes një postimi në rrjetin social X, Terras shkruan: “Urime kryeministrit Albin Kurti dhe qytetarëve të Kosovës për formimin e qeverisë së re. Paraliza politike më në fund ka marrë fund”.

    Terras ka theksuar se një qeveri funksionale është thelbësore për të avancuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe për të aktivizuar mbështetje financiare shumë të nevojshme.

    “Kosova i përket familjes së Bashkimit Evropian”, ka shkruar Terras.

    Të mërkurën, më 11 shkurt, u konstituua Kuvendi i ri i Kosovës dhe u votua Qeveria e re, me Albin Kurtin në krye.

    Institucionet e reja formohen pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional.

    Kjo, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, nuk pati vota të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, por këtë e arriti pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, në të cilat fitoi 57 mandate. /Telegrafi/

  • 12 persona ndalohen në Junik për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm

    12 persona ndalohen në Junik për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm

    Prokurori i Shtetit ka ndaluar 12 persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se të dyshuarit janë nga komuna e Junikut.

    “Prokurori i shtetit ka ndaluar 12 persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’. Gjithashtu, janë sekuestruar para kesh dhe prova tjera materiale të cilat do të shërbejnë në këtë proces penal”, tha Nikçi.

    Sipas Prokurorisë, veprimet hetimore janë duke vazhduar, ndërsa ndaj të ndaluarve pritet të ndërmerren procedurat e mëtejme ligjore.

    Ndërkaq edhe Policia e Kosovës përmes njoftimit për media bëri të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 01:40, ku policia ka siguruar informacion se nё njё lokal në Junik, disa persona janё duke zhvilluar veprimtari tё kundërligjshme tё lojërave tё fatit.

    “Policia menjëherë i është përgjigjur rastit, ku nё vendin e ngjarjes, gjatё kontrollit janё gjetur dhe janë sekuestruar: tё holla nё shumёn prej 1040 euro, letra bixhozi dhe dёshmi tjera. 12 personat e dyshuar janё arrestuar dhe pas inetrvistimit me urdhёr tё prokurorittё Shtetit janё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё”, ka njoftuar policia.