ATV

Author: G.O.

  • Qeveria “Kurti 3” mban mbledhjen e parë

    Qeveria “Kurti 3” mban mbledhjen e parë

    Një ditë pasi u votua, Albin Kurti do ta mbledh sot Qeverinë me kabinetin e tij të ri.

    Tashmë Qeveria ka dërguar dhe një komunikatë për media ku njofton se mbledhja do të zhvillohet në ora 10:00.

    “Mbahet mbledhja e parë e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • BE-ja mirëpret Qeverinë e re të Kosovës, Kallas paralajmëron takim Kurti-Vuçiq

    BE-ja mirëpret Qeverinë e re të Kosovës, Kallas paralajmëron takim Kurti-Vuçiq

    Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka cilësuar formimin e qeverisë së re të Kosovës si një zhvillim inkurajues pas më shumë se një viti bllokim politik.

    Në një postim në rrjetin social “X”, Kallas uroi kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës, si dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

    “Ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe dialogun Beograd-Prishtinë. Jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, ka shkruar Kallas, duke paralajmëruar një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Alleksandar Vuçiq.

    “Tani ajo që ka rëndësi është që të ecë me shpejtësi me reformat. Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së me vlerë qindra miliona euro dhe për të pasur përparim në rrugën e saj drejt BE-së”, shkroi tutje Kallas.

  • Begaj uron Kosovën për formimin e Qeverisë: Ju sigurojmë e mbështetje vëllazërore

    Begaj uron Kosovën për formimin e Qeverisë: Ju sigurojmë e mbështetje vëllazërore

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar Kosovën për formimin e Qeverisë dhe Albin Kurtin pasi mori votën e 66 deputetëve për t’u bërë kryeministër edhe për një mandat katër vjeçar.

    Ai ka siguruar për mbështetje vëllazësore për Qeverinë.

    “Urime Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit z. Albin Kurti! I uroj suksese në mandatin e ri, në drejtimin e Qeverisë drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së popullit të Kosovës. Shpreh bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin të gjithë klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave që janë përpara. Ju sigurojmë për vijimin e mbështetjes vëllazërore për Qeverinë tuaj dhe bashkëkombasit tanë”, ka shkruar Begaj.

    LEXONI EDHE:

    Spiropali uron Kosovën: Do të qëndrojmë gjithmonë pranë saj në rrugëtimin euroatlantik

  • Vazhdon aksioni në Kupën e Kosovës, sot tre duele të tjera

    Vazhdon aksioni në Kupën e Kosovës, sot tre duele të tjera

    Kupa e Kosovës vazhdon me ndeshjet e fazës së 1/8 së finales, ku sot priten tre duele tepër interesante.

    Takimet e planifikuara do të zhvillohen në qytetet e Gjilanit, Vushtrrisë dhe Mitrovicës.

    Sfida kryesore e ditës luhet në qytetin e Gjilanit, me Gjilanin që është nikoqir i Lirisë së Prizrenit.

    Duel tejet interesant pritet të zhvillohet edhe në stadiumin ‘Riza Lushta’ me Trepçën ’89 që pret Malishevën.

    Dy skuadra nga Liga e Parë, Vushtrria dhe Vëllaznimi do të përballen në stadiumin ‘Ferki Aliu’, ku qëllimi është kalimi në çerekfinale.

    Të gjitha tre ndeshjet e ditës së sotme fillojnë nga ora 13:00.

  • Vrasja e policit Muhamed Lika, sot mbahet seanca gjyqësore

    Vrasja e policit Muhamed Lika, sot mbahet seanca gjyqësore

    Sot, në Gjykatën Themelore të Ferizajt, do të zhvillohet seanca e shqyrtimit fillestar për rastin e vrasjes së policit Muhamed Lika.

    Seanca do të nisë në orën 09:00 dhe do të jetë kundër të pandehurve H.B., R.M., V.Ç., E.L., dhe Sh.K., të akuzuar për vrasje të rëndë, si dhe D.G., i akuzuar për “dhënien e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”.

    Ndërkohë, sipas aktakuzës, më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendit ku ka jetuar viktima, të pandehurit në bashkëkryerje me të miturin, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter Muhamed Lika, me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave nga plagët ndërron jetë, e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes.

    “Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

  • Çfarë premtoi Kurti për mandatin e ri qeverisës

    Çfarë premtoi Kurti për mandatin e ri qeverisës

    Kryeministri Albin Kurti në ekspozenë e tij para deputetëve, ka paraqitur një sërë premtimesh për mandatin e ardhshëm qeverisës, duke vënë theks të veçantë në forcimin e mbrojtjes, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e rolit të Kosovës në rajon.

    Një nga zotimet kryesore është investimi prej 1 miliard eurosh në mbrojtje gjatë katër viteve të ardhshme. Sipas tij, këto mjete do të shërbejnë për forcimin e aleancave strategjike, rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe shumëfishimin e numrit të oficerëve. Po ashtu, ai ka premtuar funksionalizimin e fabrikës së municionit, zhvillimin e industrisë ushtarake vendore dhe prodhimin e dronëve luftarakë “Made in Kosova”, duke synuar rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe vetëqëndrueshmërisë së vendit në fushën e sigurisë.

    Në planin e politikës së jashtme, Kurti ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të vazhdojë përmes dialogut konstruktiv dhe kreativ, mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Ai ka nënvizuar se ky proces shihet si rregullim i marrëdhënieve mes dy shteteve sovrane, pa ndërhyrje në çështjet e brendshme, duke premtuar se qeveria do të mbrojë dhe zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në çdo pjesë të territorit të Kosovës.

    Kurti ka konfirmuar gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme për Procesin e Berlinit dhe për tregun e përbashkët rajonal, mbi parimet e barazisë dhe përfaqësimit të barabartë. Sipas tij, fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për paqen dhe sigurinë, ndërsa qeveria do të jetë e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që veprojnë mbi bazën e respektit të ndërsjellë.

    Kurti ka thënë se në mandatin e ardhëm për herë të parë, Bruto Produkti Vendor për kokë banori në Kosovë do ta tejkalojë vlerën prej 10,000 eurosh.

    Në aspektin social, ai ka premtuar vazhdimin e politikave për zvogëlimin e pabarazisë, duke përmendur mbështetjen për lehonat dhe nisjen e projektit “Superpuna për gratë”. Ky projekt parasheh që për çdo grua të punësuar, qeveria të subvencionojë pagën minimale prej 500 eurosh për gjashtë muaj. Gjithashtu, është premtuar mbështetje shtesë për gjyshërit që kujdesen për fëmijët, me nga 100 euro shtesë mujore mbi pensionin bazë, me synim forcimin e familjes dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

    Të mërkurën pas konstituimit të Kuvendit është mbajtur edhe seanca për formimin e Qeverisë.

    Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur edhe kabinetin e tij qeverisës. Ndryshe prej mandatit të kaluar, ky kabinet do t’i ketë 19 ministri, katër më shumë se kabineti i kaluar.

  • Trump urdhëron Pentagonin të furnizohet me energji nga qymyri, pavarësisht ndotjes së madhe që ai shkakton

    Trump urdhëron Pentagonin të furnizohet me energji nga qymyri, pavarësisht ndotjes së madhe që ai shkakton

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar Departamentin e Mbrojtjes që të sigurojë energji elektrike nga termocentralet me qymyr, si pjesë e përpjekjeve për të ringjallur industrinë e këtij burimi energjetik.

    Urdhri ekzekutiv u nënshkrua gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump u shfaq i shoqëruar nga minatorë me helmeta sigurie.

    Dokumenti urdhëron Pentagonit të lidhë marrëveshje afatgjata për furnizim me energji të prodhuar nga djegia e qymyrit, me qëllim garantimin e furnizimit të pandërprerë për instalimet dhe objektet ushtarake strategjike. Administrata Trump është shprehur kritike ndaj burimeve të rinovueshme, sidomos energjisë së erës, të cilën e konsideron të paqëndrueshme.

    Gjatë ceremonisë, Trump e cilësoi qymyrin “absolutisht thelbësor për sigurinë kombëtare”, ndërsa përfaqësues të industrisë e vlerësuan duke e quajtur “mbrojtësin më të madh të qymyrit”. Aktualisht, djegia e qymyrit prodhon rreth një të tretën e energjisë elektrike në botë, por mbetet një nga kontribuuesit kryesorë në emetimet e CO₂ dhe ngrohjen globale.

    Që nga rikthimi në pushtet në janar 2025, Trump ka ndërmarrë hapa për të mbështetur këtë sektor, madje duke detyruar disa kompani të mbajnë hapur termocentrale që planifikonin t’i mbyllnin. Politika e tij bie ndesh me strategjitë e administratave të mëparshme për uljen e emetimeve dhe me trendin e tregut energjetik.

    Prodhimi i qymyrit në SHBA ka rënë për rreth 15 vjet, pasi është zëvendësuar gradualisht nga burime më të lira dhe më të pastra, si gazi natyror dhe energjitë e rinovueshme. Në vitin 2023, qymyri përbënte pak më shumë se 16% të përzierjes energjetike amerikane, krahasuar me rreth 50% në vitin 2000.

    Ndërkohë, administrata Trump pritet të anulojë një akt rregullator që shërbente si bazë për politika të shumta për uljen e emetimeve të gazrave serrë, një veprim që mund të ketë pasoja të rëndësishme për rregullimin e sektorit të energjisë dhe funksionimin e termocentraleve në të ardhmen.

  • Spiropali uron Kosovën: Do të qëndrojmë gjithmonë pranë saj në rrugëtimin euroatlantik

    Spiropali uron Kosovën: Do të qëndrojmë gjithmonë pranë saj në rrugëtimin euroatlantik

    Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka dërguar urime të ngrohta për Kosovën pas përfundimit të seancave të sotme në Kuvend, ku u formua Qeveria e re “Kurti 3”.

    Në një postim në Facebook, Spiropali shkroi për lidhjet e forta ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe përkushtimin e Tiranës për mbështetjen e vazhdueshme të vendit në rrugëtimin e tij drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

    “Rrugëtim të mbarë dhe shumë suksese Kuvendit të Republikës së Kosovës në Legjislaturën e X dhe Qeverisë së re! Urimet më të përzemërta për Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për Kryeministrin Albin Kurti dhe Zv.Kryeministrin e parë, Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Ju priftë e mbara në këtë përgjegjësi të naltë në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të mëtejshëm të shtetit demokratik të Kosovës”, shkroi ajo.

    Ajo po ashtu uroi sukses në etapën e re të zhvillimit për qytetarët e Kosovës.

    “Kosova është pjesë e pandashme e zemrës sonë kombëtare dhe e horizontit tonë të përbashkët europian. Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës, me mbështetje të sinqertë dhe të palëkundur për sigurinë, institucionet dhe rrugëtimin e saj drejt familjes euroatlantike. Suksese në këtë kapitull të ri, në shërbim të paqes, zhvillimit dhe dinjitetit të qytetarëve të Kosovës”, shkroi Spiropali.

  • Macron: Brenda pesë vitesh Evropa mund të mos ekzistojë më

    Macron: Brenda pesë vitesh Evropa mund të mos ekzistojë më

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një intervistë të përbashkët për disa media kryesore evropiane, ka deklaruar se Evropa rrezikon të humbasë ndikimin dhe rolin e saj global nëse nuk përshpejton marrjen e vendimeve strategjike dhe nuk vepron në mënyrë të koordinuar.

    Sipas Macron, Bashkimi Evropian ka pësuar humbje të njëpasnjëshme sa herë që ka reaguar ngadalë, me hezitim dhe në mënyrë të fragmentuar.

    “Evropa ka humbur gjithmonë kur ka qenë e ngadaltë dhe e ndarë”, theksoi presidenti francez, duke sjellë si shembull krizën financiare globale që nisi në Shtetet e Bashkuara, por pati pasoja të rënda për ekonomitë evropiane.

    Ai vuri në dukje se situata ishte ndryshe gjatë pandemisë COVID-19, kur shtetet e Bashkimit Evropian arritën të vepronin shpejt dhe me një qëndrim të përbashkët.

    “Atëherë vepruam shumë shpejt dhe me një front të bashkuar”, u shpreh Macron.

    Megjithatë, sipas tij, Evropa sot përballet me një valë të re sfidash serioze, të lidhura me politikën e Shteteve të Bashkuara, tarifat tregtare, paqëndrueshmërinë ndërkombëtare dhe çështjet e sigurisë. Macron paralajmëroi se shumë vende evropiane vazhdojnë të jetojnë me iluzionin e stabilitetit.

    “Mos besoni për asnjë çast se gjithçka ka mbaruar. Çdo ditë dhe çdo javë sjell kërcënime të reja. Evropa vuan nga trauma: çdo përshkallëzim pasohet nga një lehtësim frikacak”, deklaroi ai.

    Presidenti francez e përshkroi situatën aktuale si një çarje të thellë gjeopolitike, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga liderët evropianë. Ai u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të dalin nga gjendja e “minoritetit gjeopolitik” dhe të fillojnë të mendojnë seriozisht për fuqinë, përgjegjësinë dhe rolin e tyre në botë.

    Sipas Macron, Evropa duhet të investojë në mënyrë aktive në mbrojtje, teknologji të reja, inteligjencë artificiale dhe llogaritje kuantike.

    “Këto janë beteja që duhet të fitohen. Nëse nuk bëjmë asgjë, atëherë brenda pesë vitesh Evropa nuk do të ekzistojë”, paralajmëroi ai.

    Ai shtoi se, pa reforma të thella dhe veprim të përbashkët, Bashkimi Evropian rrezikon të humbasë autonominë strategjike dhe ndikimin e tij në skenën globale.

    Çfarë po ndodh?

    Deklarata e Emmanuel Macron se brenda pesë vitesh “Evropa mund të mos ekzistojë” nuk tingëllon si alarmizëm, por më tepër si një pranim i vonuar i një realiteti të dukshëm.

    Në thelb, presidenti francez ka artikuluar publikisht atë që për vite me radhë në hapësirën mediatike evropiane është etiketuar si “propagandë ruse”: se për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara nuk janë vetëm aleat, por edhe konkurrent i ashpër ekonomik, dhe se shumë nga vendimet strategjike të Brukselit kanë minuar vetë stabilitetin e Evropës.

    Refuzimi për të bashkëpunuar me Rusinë, ndërprerja e lidhjeve energjetike dhe tregtare, si dhe mbyllja e tregut rus dhe e burimeve të lëndëve të para, nuk e “dënuan Moskën” siç iu premtua opinionit publik evropian. Ato goditën kryesisht vetë Evropën. Rritja e çmimeve të energjisë, deindustrializimi, largimi i ndërmarrjeve dhe rënia e konkurrueshmërisë ishin pasoja të drejtpërdrejta të kësaj politike.

    Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka dërguar qindra miliarda euro për mbështetjen e Ukrainës, pa pasur një strategji të qartë për përfundimin e konfliktit apo një plan për rikuperimin e fondeve të investuara. Këto shpenzime kanë rënduar buxhetet kombëtare dhe kanë rritur tensionet sociale dhe ekonomike në vendet anëtare.

    Në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara kanë forcuar ndikimin e tyre ekonomik, duke rritur eksportet e energjisë drejt Evropës, duke tërhequr një pjesë të prodhimit evropian dhe duke përfituar drejtpërdrejt nga militarizimi i kontinentit. Bashkimi formal mbeti, por balanca e interesave nuk u zhvendos në favor të Evropës.

    Për një kohë të gjatë, vlerësime të tilla konsideroheshin të papranueshme. Ato u shtynë jashtë debatit publik dhe u zëvendësuan me slogane për vlera dhe unitet. Megjithatë, realiteti rezultoi më i fortë se retorika politike.

    Sot, ndërsa rritja ekonomike po ngadalësohet, buxhetet po tkurren dhe pakënaqësia sociale po rritet, liderët evropianë janë të detyruar të flasin hapur për çështje që më parë ishin tabu.

    Macron nuk po ndryshon orientimin e tij politik. Ai po përshkruan krizën. Fjalët e tij nuk përfaqësojnë një afrim me Rusinë apo një shkëputje nga Shtetet e Bashkuara, por janë një sinjal i qartë se modeli i deritanishëm i funksionimit të Bashkimit Evropian nuk po jep më rezultate.

    Për vite me radhë, Evropa ka funksionuar në një logjikë ku ideologjia zëvendësoi ekonominë dhe besnikëria e jashtme zëvendësoi interesat e veta. Tani, çmimi i kësaj qasjeje po bëhet gjithnjë e më i lartë.

    Dhe sa më gjatë të vonohet një rishikim i thellë i kësaj politike, aq më e madhe do të jetë kostoja që Evropa do të duhet të paguajë.

  • Moti për sot me reshje shiu dhe vranësira

    Moti për sot me reshje shiu dhe vranësira

    Sot parashikohet që në orët e para të 24-orëshit të ketë reshje shiu, ndërsa gjatë ditës moti do të vijojë me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell, me mundësi për ndonjë reshje të izoluar.

    Në mbrëmje pritet intensifikim gradual i reshjeve me karakter lokal.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila herë pas here lokalisht pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-46 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 4 deri në 5°C dhe ato maksimale prej 10 deri në 13°C.