ATV

Author: G.O.

  • Rama akuzon Qeverinë: Po bllokojnë buxhetin e kryeqytetit për arsye politike

    Rama akuzon Qeverinë: Po bllokojnë buxhetin e kryeqytetit për arsye politike

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokim të qëllimshëm të buxhetit të miratuar të kryeqytetit, duke e cilësuar këtë si një vendim politik për ta dobësuar Prishtinën.

    Në një reagim në Facebook, Rama tha se po flet jo vetëm si kryetar, por edhe si përfaqësues i mbi 300 mijë qytetarëve që, sipas tij, po penalizohen padrejtësisht.

    Sipas Ramës, buxheti i kryeqytetit është votuar në përputhje me ligjin dhe përbën dokument zyrtar të Kosovës, ndaj çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo sabotuar atë, sipas tij, përbën shkelje të rendit institucional.

    Ai paralajmëroi se bllokimi i buxhetit ka pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

    Postimi i plotë:

    Sot po flas jo vetëm si Kryetar i Prishtinës, por si përfaqësues i mbi 300 mijë qytetarëve që po penalizohen padrejtësisht.

    Qeveria e re e Kosovës po bllokon qëllimisht buxhetin e miratuar të Kryeqytetit. Ky nuk është vonim teknik. Nuk është keqkuptim administrativ. Është vendim politik për ta dobësuar Prishtinën.

    Buxheti i Kryeqytetit është votuar sipas ligjit. Është dokument zyrtar i Republikës së Kosovës. Çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo për ta sabotuar atë është shkelje e drejtpërdrejtë e rendit institucional.

    Le ta them qartë: kur ndalet buxheti i Prishtinës, ndalet ndërtimi i shkollave, ndalet përmirësimi i infrastrukturës, ndalet investimi në çerdhe, ndalet zhvillimi ekonomik. Kjo nuk është luftë ndaj Kryetarit. Kjo është ndëshkim kolektiv ndaj qytetarëve.

    Prishtina nuk është pronë e asnjë partie. Prishtina është Kryeqyteti i Republikës. Nëse Qeveria mendon se mund ta përdorë si mjet presioni politik, atëherë po gabon rëndë.

    Nuk do ta lejoj që Kryeqyteti të trajtohet si kundërshtar. Nuk do ta lejoj që qytetarët e Prishtinës të paguajnë çmimin e kalkulimeve politike.

    Nëse Qeveria vazhdon me këtë qasje, ne do të ndjekim çdo rrugë ligjore dhe institucionale për ta mbrojtur të drejtën tonë. Do ta bëjmë këtë publikisht, hapur dhe pa kompromis.

    Kjo nuk është çështje personale. Kjo është çështje dinjiteti institucional dhe respekti ndaj qytetarëve.

    Prishtina nuk do të heshtë. Prishtina nuk do të frikësohet. Dhe Prishtina nuk do të ndalet.

    Faleminderit.

  • “Pse kjo urgjencë?”, Bajrami kritikon qeverinë, kërkon tri ditë për analizimin e buxhetit

    “Pse kjo urgjencë?”, Bajrami kritikon qeverinë, kërkon tri ditë për analizimin e buxhetit

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka kërkuar llogari ministrit të Financave, Hekuran Muratit lidhur me ‘urgjencën’ që po kërkohet lidhur me votimin e Projektligjit për Buxhet.

    Pos tjerash, ajo ripërsëriti se LDK-ja po kërkon vetëm tri ditë kohë për të analizuar ligjin për buxhet.

    “Ministër, nuk e shpjegove arsyen e urgjencës sot. Po të kërkohen tri ditë për ta analizuar ligjin e buxhetit, ligjin më të rëndësishëm brenda një viti kalendarik. Tri ditë po kërkojmë kohë. E vetmja arsye për të cilën na shkon mendja është se ju po kërkoni t’i shmangeni debatit në këtë seancë”, tha Bajrami.

    Seanca u ndërpre për të vazhduar të hënën.

  • Kurti emëron Zef Morinën zëvendësministër të Infrastrukturës dhe Transportit

    Kurti emëron Zef Morinën zëvendësministër të Infrastrukturës dhe Transportit

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar kreun e Partisçë Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Zef Morina në pozitën e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Transportit.

    Vendimi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit, ndërsa Morina pritet të marrë përgjegjësitë në kuadër të dikasterit që mbulon projektet infrastrukturore dhe sektorin e transportit në vend.

    Me këtë rast, kryeministri Kurti e ka uruar Morinën për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në përmbushjen e përgjegjësive dhe angazhimeve në shërbim të qytetarëve.

  • Seanca për buxhetin 2026 shtyhet për të hënën

    Seanca për buxhetin 2026 shtyhet për të hënën

    Pas diskutimeve me shefat e grupeve parlamentare, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca për miratimin e buxhetit është shtyrë për të hënën nga ora 10:00.

    Votimi i buxhetit për vitin 2026 në lexim të parë hasi në kundërshtimet e partive opozitare, të cilat kërkuan më shumë kohë për ta lexuar dokumentin 700-faqësh. Deputetët e opozitës thanë se duhet ta lexojnë dokumentin për të pasur mundësi që të bëjnë propozime.

    Pas konsultimeve me shefat e grupeve parlamentare, Haxhiu vendosi ta shtyjë seancën.

    Buxheti për vitin 2026 është në vlerë 4 miliardë euro dhe përfshin edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, pagën e 13-të do ta marrin ata që kanë mbi 12 muaj në punë.

    Për të hyrë në fuqi si ligj, buxheti duhet të miratohet edhe në lexim të dytë.

    LEXONI EDHE:

    Buxheti 2026, Murati: Është emergjencë, do ta miratojmë një tjetër muajin e ardhshëm

  • Buxheti 2026, Murati: Është emergjencë, do ta miratojmë një tjetër muajin e ardhshëm

    Buxheti 2026, Murati: Është emergjencë, do ta miratojmë një tjetër muajin e ardhshëm

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se buxheti i planifikuar për vitin 2026 është një buxhet emergjence dhe ka kërkuar nga partitë opozitare që ta mbështesin deri në miratimin e një buxheti të rishikuar, i cili sipas tij do të ndodhë më së largu muajin e ardhshëm.

    “Synimi ishte një buxhet emergjence, ta kemi një urë lidhëse derisa ta miratojmë një buxhet të rishikuar, më së largu muajin e ardhshëm. Zgjatja buxhetore për muajin mars siguron vetëm shpenzimet rrjedhëse. Çdo prokurim i ri i komunave është i bllokuar pa u miratua buxheti”, ka thënë Murati në Kuvend.

  • Altin Dumani nis trajnimin e prokurorëve e policëve në Kosovë

    Altin Dumani nis trajnimin e prokurorëve e policëve në Kosovë

    Ambasada Britanike në Prishtinë ka njoftuar për një ligjëratë që sot u ka mbajtur gjyqtarëve, prokurorëve e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ish-kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.

    Dumani ka qëndruar në Prishtinë bashkë me ambasadorin britanik në Tiranë, Nicholas Abott.

    “Sesioni mblodhi së bashku përfaqësues të lartë nga gjyqësori, prokuroria, policia dhe institucionet më të gjera të zbatimit të ligjit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    “Duke u bazuar në mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për sektorin e drejtësisë në Kosovë, ligjerata ofroi një mundësi për të shkëmbyer përvoja praktike, mësime të nxjerra dhe qasje efektive për t’u përballur me krimin e organizuar serioz, rrjetet e krimit të organizuar dhe korrupsionin. Diskutimet u përqendruan në sfidat operacionale, mësimet e lidershipit dhe strukturat institucionale që kontribuan në rezultatet e SPAK në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

  • Kuvendi i Kosovës ratifikon edhe marrëveshjen e tretë ndërkombëtare

    Kuvendi i Kosovës ratifikon edhe marrëveshjen e tretë ndërkombëtare

    Deputetët e Kuvendi i Kosovës kanë ratifikuar sot edhe marrëveshjen e tretë ndërkombëtare gjatë seancës plenare.

    Pas prezantimit të marrëveshjes nga ministri i Financave, Hekuran Murati, ajo ka marrë mbështetjen e deputetëve.

    Me 98 vota për, asnjë kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi ka miratuar Projektligji nr. 10/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkani Perëndimor” ndërmjet Bashkimi Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republika e Kosovës si Huamarrës, si dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit.

  • Spanjë: Foshnja 8-muajshe rezulton pozitive për drogë, arrestohet nëna 25-vjeçare

    Spanjë: Foshnja 8-muajshe rezulton pozitive për drogë, arrestohet nëna 25-vjeçare

    Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në zonën turistike të Costa del Sol në Spanjë, ku një 25-vjeçare me shtetësi britanike është arrestuar pasi foshnja e saj tetëmuajshe rezultoi pozitive për kokainë. Policia ndërhyri në plazhin Cabopino, pranë Marbellës, pas raportimeve për një zjarr të ndezur në dunat e rërës.

    Në vendngjarje, efektivët gjetën çiftin duke jetuar në një tendë së bashku me foshnjën, në kushte që sipas autoriteteve konsideroheshin të papërshtatshme dhe shqetësuese për shëndetin e të miturit.

    Foshnja u dërgua fillimisht në Qendrën Shëndetësore Las Albarizas për kontroll, pasi oficerët dyshuan për kequshqyerje. Më pas, ai u transferua në Spitalin Costa del Sol, ku analizat zbuluan se ishte nën peshën normale për moshën dhe se në testin e urinës rezultoi prani kokaine.

    Gruaja britanike dhe partneri i saj 43-vjeçar me shtetësi spanjolle u ndaluan në komisariatin e Marbellës dhe pritet të dalin para gjykatës me dyer të mbyllura. Nëna dyshohet se kishte munguar në disa takime të planifikuara për kontrollin shëndetësor të fëmijës gjatë muajve të fundit.

    Gjithashtu, pranë vendit ku qëndronte çifti u gjet një automjet i pasiguruar dhe me dokumentacion të skaduar. Autoritetet spanjolle pritet të vendosin për masat e mëtejshme ndaj çiftit, ndërsa foshnja është vendosur në kujdes të përkohshëm emergjent deri në një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e tij.

  • Treni përplaset me një veturë pranë kazermës së FSK-së në Prishtinë

    Treni përplaset me një veturë pranë kazermës së FSK-së në Prishtinë

    Një aksident trafiku ka ndodhur para pak çastesh, ku një tren është përplasur me një veturë.

    Rrethanat se si ka ndodhur aksidenti ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa nuk dihet nëse ka persona të lënduar si pasojë e përplasjes.

    Në vendin e ngjarjes janë publikuar edhe pamje nga aksidenti, ndërsa më shumë informacione priten pas deklaratës zyrtare të autoriteteve nga vendngjarja./atvlive.tv

  • Fillon ridizajnimi i NEWBORN-it me motive nga lufta çlirimtare

    Fillon ridizajnimi i NEWBORN-it me motive nga lufta çlirimtare

    Puna ka filluar, në ndryshimin e pamjes së NEWBORN-it.

    Përderisa artistët po ngjyrosin, përpara e kanë edhe fletën që tregon si do të duket në fund.

    Ridizajnimi i monumentit të pavarësisë ndodh çdo vit, në prag të 17 shkurtit.

    Sipas ideatorit Fisnik Ismaili, motivet kësaj here lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe me një prej aleatëve më të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sivjet shënojnë një çerek-mileniumi shtet.

    “Po du me cek që ka të bëj me tetëmbëdjetë vjetorin tonë, me vlerat nëpër cilat na si popull kemi kapërcy për me mrri deri qitu e ato vlera kanë të bëjnë shumë me luftën clirimtare sepse është një moment i ndjeshëm për atë pjesë… edhe njëkohësisht edhe SH.B.A sivjet kan me festu 250 vjetorin dhe NEWBORNI i kushtohet edhe vlerave të përbashkëta që i kemi me aleatin tonë më të fortë.” tha Ismaili.

    Qytetarët thonë se dizajnimi i Newbornit e hijeshon këtë pjesë të kryeqytetit, por edhe përçon mesazh të fortë.

    NEWBORN është shpalosur për herë të parë më 17 shkurt 2008, në mbrëmjen pasi ishte shpallur pavarësia./ATVLIVE.TV/