ATV

Author: G.O.

  • Bie numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën

    Bie numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën

    Numri i vizitorëve të huaj që vizitojnë Kosovën ka rënë në janar të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit praprak.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tek vizitorët e huaj është vërejtur një rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në janar 2026 janë regjistruar 39 603 vizitorë të huaj, që paraqet rënie prej 4,4 % krahasuar me janarin e vitit 2025.

    “Në janar të vititi 2025 numri i vizitorëve të huaj ishte 41 mijë e 47. Por ky numër kishte rënë një vit më vonë, pasi që në janar të vitit 2026 numri i vizitorëve të jashtëm ishte 39 mijë e 603 vizitorë”, thuhet në raportin e ASK-së.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në muajin janar 2026 numri i përgjithshëm i vizitorëve në hotelet e Kosovës ishte 66 980. Prej tyre, 27 377 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 39 603 vizitorë të huaj.

    Krahasuar me janarin e vitit 2025, kur numri i vizitorëve ishte 69 227, është shënuar një rënie prej 3,2 % në numrin total të vizitorëve që kanë qëndruar në hotele.

    Sa i përket net-qëndrimeve, gjatë janarit 2026 janë regjistruar gjithsej 126 838 net-qëndrime. Nga ky numër, 71 197 ose 56,1 % janë realizuar nga vizitorët e huaj, ndërsa 55 641 ose 43,8 % nga vizitorët vendorë.

    Në nivel rajonal, numrin më të madh të vizitorëve vendorë në hotele e ka pasur Rajoni i Pejës, me 10 868 vizitorë dhe gjithsej 32 372 net-qëndrime.

    Sipas statistikave, pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj që kanë qëndruar në hotelet e Kosovës kanë ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia./

  • Maqedonci takon shefen e operacioneve të NATO-së: Objektivi ynë është anëtarësimi në NATO

    Maqedonci takon shefen e operacioneve të NATO-së: Objektivi ynë është anëtarësimi në NATO

    Ministri i Mbrojtjes ka bërë të ditur përmes një postimi ne Facebook se është takuar me shefen e operacioneve të NATO-së, Blanca Hereza.

    Në këtë takim Maqedonci tha se e ka njoftuar Herezan për zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe për planet në të ardhmen.

    “Nënvizova që vazhdojmë me përkushtim të koordinohemi e të bashkëpunojmë ngushtë me KFOR dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), ndërsa ritheksova se objektivi ynë është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që vendi ynë dhe FSK të vazhdoj edhe më fuqishëm të jap kontribut në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë”, thuhet tutje në njoftimin e tij.

  • Izraeli urdhëron evakuimin urgjent nga Libani Jugor

    Izraeli urdhëron evakuimin urgjent nga Libani Jugor

    Izraeli ka urdhëruar evakuimin urgjent të Libanit jugor ndërsa vazhdon ta godasë zonën me sulme ajrore.

    Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Avichay Adraee, thotë se Izraeli po vepron “me forcë” kundër Hezbollahut në jug të lumit Litani për shkak të aktiviteteve të grupit në rajon.

    “Ne presim që të evakuoni shtëpitë tuaja menjëherë dhe të drejtoheni menjëherë në veri të lumit Litani”, shkruan ai në X.

    Të hënën, IDF tha se kreu një seri sulmesh në Liban kundër objektivave të Shoqatës Al-Qard Al-Hassan (AQAH), një shoqatë financiare e lidhur me Hezbollahun.

    Ministria libaneze e shëndetësisë tha dje se 486 persona janë vrarë që kur Izraeli filloi ofensivën e tij më herët këtë muaj.

  • Mbretëria e Bashkuar përgatitet të dërgojë anijen e dytë në Mesdhe

    Mbretëria e Bashkuar përgatitet të dërgojë anijen e dytë në Mesdhe

    Ministria e Mbrojtjes sapo ka konfirmuar se Mbretëria e Bashkuar po përgatit një anije të dytë për dërgim në Mesdhe.

    Ishte njoftuar tashmë se HMS Dragon, një shkatërrues i Tipit 45, po përgatitej për këtë mision.

    Por tani Ministria e Mbrojtjes thotë se RFA Lyme Bay po përgatitet për dërgim “për detyra detare në Mesdheun Lindor”.

    Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha: “Si pjesë e një planifikimi të kujdesshëm, ne kemi marrë vendimin për ta sjellë RFA Lyme Bay në gatishmëri të shtuar si masë paraprake, nëse do të nevojitet për të ndihmuar në detyrat detare në Mesdheun Lindor”.

    Lyme Bay është një anije zbarkimi, e pajisur për të funksionuar si një platformë aviacioni dhe ka ambiente mjekësore.

    Ajo përdoret shpesh për misione humanitare dhe ndihme në rast fatkeqësish.

  • Supremja e Speciales rrëzon kërkesën e Pjetër Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë

    Supremja e Speciales rrëzon kërkesën e Pjetër Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë

    Paneli i Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara ka rrëzuar në tërësi kërkesën e Pjetër Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë. Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga ZPS-ja.

    Në kërkesë ngriheshin pretendime për disa shkelje të bëra në Aktgjykimin e Apelit të shpallur në korrik 2025.

    “Paneli rrëzoi të gjitha pikat e paraqitura nga Mbrojtja dhe konstatoi se nuk ishte shkelur e drejta për gjykim të drejtë e Shalës, ligji penal ose procedurat dhe i deklaroi të papranueshme disa prej pikave”, thuhet në njoftim.

    Më 2024, Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte dënuar me 18 vjet burgim për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale.

    Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

  • Të shtëna me armë në Skenderaj, një i plagosur dërgohet për trajtim mjekësor në spital

    Të shtëna me armë në Skenderaj, një i plagosur dërgohet për trajtim mjekësor në spital

    Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri që dyshohet të kenë ndodhur mbrëmjen e së hënës në Skenderaj.

    Sipas raportimit fillestar, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave.

    Sipas policisë, rreth orës 21:00 i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

    Me urdhër të prokurorit, njësitë policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie dhe 15 fishekë. Ndërkohë, i dyshuari ndodhet në kërkim policor dhe hetimet për rastin janë në vazhdim.

  • Kurti zhvillon telefonatë me Marta Kos: Integrimi në BE, prioritet kyç i Qeverisë

    Kurti zhvillon telefonatë me Marta Kos: Integrimi në BE, prioritet kyç i Qeverisë

    Kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, ku është diskutuar për procesin e zgjerimit dhe reformat që lidhen me integrimin e Kosovës në BE.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, integrimi evropian mbetet prioritet i qeverisë.

    Gjatë bisedës, Kurti theksoi rëndësinë e marrjes së statusit kandidat dhe përmendi disa nga vendimet e fundit të Kuvendit, përfshirë miratimin e buxhetit prej katër miliardë euro dhe Planin e Rritjes në vlerë rreth 880 milionë euro për përshpejtimin e reformave.

    Në njoftim thuhet se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë paraparë hapa për zbatimin e këtij plani përmes ligjeve që kapin vlerën rreth 90 milionë euro.

  • Trafik armësh nga Mali i Zi: Arrestohen dy persona në Tiranë, një tjetër shpallet në kërkim

    Trafik armësh nga Mali i Zi: Arrestohen dy persona në Tiranë, një tjetër shpallet në kërkim

    Dy persona janë arrestuar në Tiranë dhe një tjetër është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Rotondo”, pas një hetimi 2 mujor.

    Gjatë operacionit, u vunë në pranga 31-vjeçari Donati Jaku, banues në Shkodër dhe 22-vjeçari Florian Gjeta, banues në fshatin Domje.

    Automjeti që drejtonte Gjeta dhe ku ishte pasagjer Jaku, u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.

    Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.

    Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte 22-vjeçari, si dhe me 4 celularë, shkruan Abcnews.al.

    Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve.

  • Fillon procesi i deklarimit të pasurisë për zyrtarët publik, për një javë mbi 750 e deklaruan

    Fillon procesi i deklarimit të pasurisë për zyrtarët publik, për një javë mbi 750 e deklaruan

    10 mijë e 350 zyrtarë publik janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e kohë për këtë kanë deri më 30 mars.

    Procesi që filloi më 1 mars, sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, për një javë e kanë kryer 7.5 përqind e tyre.

    Këtë vit, sipas Yll Buleshkajt sistemi për sigurinë e të dhënave është më i avancuar.

    Ata që nuk e kryejnë obligimin fillimisht përballen me gjobë e më pas me institucionet e drejtësisë.

    Njohës të drejtësisë theksojnë se ky proces është tejet i rëndësishëm, veçanërisht për parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës në institucionet publike.

    Në deklarimin e pasurisë për vitin e shkuar asnjë zyrtar publik nuk mbeti pa e kryer obligimin, përveç 135 prej tyre që e deklaruan me disa ditë vonesë./atvlive.tv/

  • “900 euro për metër katror” – Dyfishohen çmimet e banesave në Kosovë

    “900 euro për metër katror” – Dyfishohen çmimet e banesave në Kosovë

    Çmimet e banesave janë rritur dukshëm në Kosovë. Krahasuar me para pesë vjetësh, në shumë raste çmimi i tyre pothuajse është dyfishuar.

    “Tepër shtrenjte o tepër, kah mi marr kah……” – Hajdin Mirena nuk e ka idenë se si ta blejë një banesë për të birin.

    Çmimi për metër katror është rritur dukshëm.

    5 vjet më parë, Mirena kishte blerë banesë në lagjen “Dardania” në Fushë-Kosovë, 502 euro për metër katror, ndërsa tash, thotë se s’po gjen nën 900 euro.

    Ai thotë se edhe cilësia e disa banesave nuk është në përputhje me çmimet.

    Jo vetëm për Hajdin Mirenën, por, blerja e një banese del te jetë fort e vështirë edhe për shumë qytetarë.

    “E kanë të papërballueshëm çmimin aktual. Pa ndërhyrje institucionale, pa e zvogëlu çmimin ose pa i ndihmu familjet, me jetesë mesatare është e pamundur me u bë një banesë…”, tha ekonomisti Artan Muhaxheri.

    Rritja e çmimeve lidhet edhe me shtrenjtimin e materialeve të ndërtimit, për të cilat ATV raportoi javën e kaluar.

    Rritja e çmimeve në ndërtimtari pritet të reflektohet edhe te qiratë.

    Sipas një kalkulimi, kur tani për m2 cmimi ka kaluar shifrën prej 1700 euro, për të blerë një banesë prej 60 metrash katrorë në Prishtinë, me vlerë rreth 120 mijë euro, një qytetari në Kosovë që merrë rrogë mesatare, i duhen rreth 15 deri në 16 vjet punë,

    Për të njëjtën banesë, në Shqipëri duhen rreth 10–11 vjet, në Serbi 13–14 vjet, ndërsa në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut rreth 9–10 vjet punë./atvlive.tv