ATV

Author: G.O.

  • Të shtëna me armë në konsullatën amerikane në Toronto

    Të shtëna me armë në konsullatën amerikane në Toronto

    Të shtëna me armë zjarri u regjistruan pranë konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Toronto herët në mëngjesin e së martës, por nuk pati të lënduar, njoftoi policia. Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pasi para ndërtesës u mbajtën protesta kundër luftës në Iran.

    Shërbimi Policor i Torontos bëri të ditur se kishte marrë njoftime për shkrepje arme pranë konsullatës pak para agimit, në zonën qendrore të qytetit më të madh të Kanadasë.

    “Policia ndodhet në vendngjarje”, tha policia në platformën X, duke shtuar se deri tani nuk ka raportime për persona të lënduar.

    Konsullata amerikane ndodhet në University Avenue, një rrugë kryesore që përshkon qytetin nga veriu në jug, ku ndodhen edhe disa spitale dhe që të çon drejt parlamentit provincial.

    Fundjavën e kaluar, protestues u mblodhën jashtë konsullatës për të dënuar luftën në Lindjen e Mesme, e cila u nxit nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

  • Suspendohet zyrtari korrektues në Dubravë, dyshohet se plagosi një person

    Suspendohet zyrtari korrektues në Dubravë, dyshohet se plagosi një person

    Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se një zyrtar korrektues është suspenduar nga detyra pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt ku ka plagosur një person.

    Sipas njoftimit, bëhet fjalë për zyrtarin me inicialet Ç.SH, i cili ishte i punësuar në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

    SHKK bëri të ditur se institucionet kanë reaguar menjëherë pasi kanë pranuar informata nga Policia e Kosovës për përfshirjen e zyrtarit në këtë rast.

    “Pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës se një zyrtar korrektues, me inicialet Ç.SH, i punësuar në Qendrën Korrektuese Dubravë, dyshohet të jetë përfshirë në një konflikt ku dyshohet se ka plagosur një person, institucioni ka ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme,” thuhet në njoftim.

    Sipas SHKK-së, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi, zyrtari në fjalë është suspenduar nga detyra deri në përfundim të procedurave përkatëse.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar për respektimin e ligjit dhe standardeve profesionale dhe do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rastit,” thuhet më tej në reagim.

    Rasti pritet të trajtohet nga organet kompetente për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.

  • 100 kadetë të rinj i shtohen Shërbimit Korrektues të Kosovës

    100 kadetë të rinj i shtohen Shërbimit Korrektues të Kosovës

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të përforcohet me 100 kadetë të rinj korrektues, të cilët do të angazhohen në garantimin e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në institucionet korrektuese në vend.

    Sipas saj, Shërbimi Korrektues është një hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë, që siguron jo vetëm zbatimin e ligjit, por edhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës është një hallkë thelbësore e sistemit të drejtësisë, që garanton zbatimin e ligjit dhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria”, ka shkruar Gërvalla.

    Ajo theksoi se kadetët e rinj do të sjellin energji dhe përgjegjësi në këtë profesion që kërkon disiplinë dhe integritet të lartë.

    “Që sot këtij shërbimi i shtohen edhe 100 kadetë të rinj korrektues, të cilët sjellin energji të re dhe përgjegjësi të madhe në një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe vetëkontroll çdo ditë”, ka thënë ministrja.

    Sipas saj, roli i zyrtarëve korrektues nuk kufizohet vetëm në ruajtjen e rendit në institucionet korrektuese, por lidhet edhe me procesin e riintegrimit të personave të privuar nga liria në shoqëri.

    “Profesionalizmi, korrektësia dhe mënyra se si zbatohet ligji në këto institucione ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë që ata persona një ditë të rikthehen në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm”, theksoi ajo.

    Në muajt në vijim, kadetët e rinj do të ndjekin një trajnim profesional gjashtëmujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku do të pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për përballimin e sfidave të këtij profesioni.

    Gërvalla shtoi se Kosova ka bërë përparime në trajtimin e personave të privuar nga liria, progres që është reflektuar edhe në vlerësimet e Këshilli i Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që monitorojnë këtë fushë. /Telegrafi/

  • Sulm me dron ndaj kompleksit të madh të naftës në Abu Dhabi

    Sulm me dron ndaj kompleksit të madh të naftës në Abu Dhabi

    Një sulm me dron shkaktoi zjarr në një nga objektete kompleksit industrial Ruwais në Abu Dhabi, njoftoi zyra e mediave e qeverise se emiratit.

    Autoritetet thanë se ekipet e emergencës reaguan menjehere per te vene situaten nën kontroll dhe se nga incidenti nuk ka persona te lenduar.

    Kompleksi Ruwais strehon nje pjese te operacioneve të Abu Dhabi National Oil Company (ADNOC) dhe konsiderohet nj nga qendrat më t mëdha në botëpër rafinimin e naftës dhe industrinë petrokimike ne nje vend te vetem.

    Objektet në kete kompleks kane kapacitet te perpunojnë deri në 922 mije fuçi nafte ne dite dheshërbejnë si qendra kryesore për operacionet industriale dhe kimike të Abu Dhabi-t, perfshirë prodhimin e plehrave kimike dhe gazrave industriale.

    Sulmi eshte nje nga incidentet me te fundit qe kane në shënjestër infrastrukturën energjetike të vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik,nenje kohe kur tensionet ne rajon meten te larta.

  • Hegseth thotë se bombardimet e SHBA-së kundër Iranit do të rriten dukshëm

    Hegseth thotë se bombardimet e SHBA-së kundër Iranit do të rriten dukshëm

    Sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit do të arrijnë një intensitet të ri të martën dhe presidenti Donald Trump vendos se sa gjatë do të vazhdojë kjo luftë, tha shefi i Pentagonit, Pete Hegseth.

    “Sot do të jetë përsëri dita jonë më intensive e sulmeve brenda Iranit”, tha Hegseth në një konferencë për shtyp në Pentagon.

    SHBA-ja dhe Izraeli i nisën bombardimet kundër republikës islamike më 28 shkurt.

    Hegseth shtoi se, sa i përket kohëzgjatjes së luftës, Trumpi është ai që “e kontrollon ritmin”.

    “Ai është ai që vendos”, tha Hegseth, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Nuk është detyra ime të them nëse ky është fillimi, mesi apo fundi”, shtoi sekretari i Mbrojtjes.

    Ndër synimet e luftës është edhe shkatërrimi i marinës së Iranit, e cila është goditur me “artileri, avionë luftarakë, bombardues dhe raketa të lëshuara nga deti”, tha gjenerali Dan Caine, oficeri më i lartë ushtarak amerikan, në të njëjtën konferencë me Hegseth.

    Irani është zotuar se do t’i bllokojë të gjitha eksportet e naftës përmes Gjirit për aq kohë sa zgjatë lufta, ndërsa Trump ka kërcënuar me “vdekje, zjarr dhe tërbim” nëse Teherani ndërhyn në eksportet e naftës.

    Caine tha se forcat amerikane vazhdojnë “të kërkojnë dhe të godasin anijet që vendosin mina dhe depot ku ruhen minat”, pasi këto janë armë që Irani mund t’i përdorë për ta bllokuar trafikun detar.

    Ndërkohë, Hegseth e akuzoi Iranin se “po vendos raketahedhës në lagje civile, pranë shkollave dhe pranë spitaleve për t’i penguar sulmet tona. Kështu veprojnë ata”.

    Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio e ka akuzuar Iranin se po tenton “të mbajë botën peng” duke nisur sulme hakmarrëse nëpër Lindje të Mesme dhe ka thënë se operacionet ushtarake amerikane, me qëllim të kufizimit të kapaciteteve të Teheranit, janë duke përparuar sipas planeve.Si shembull për sulmet e Teheranit ndaj vendeve fqinje, NATO-ja ka thënë se e ka rrëzuar një raketë balistike në hapësirën ajrore turke për herë të dytë prej kur ka nisur lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.

    “NATO e ka rrëzuar sërish një raketë të nisur në Turqi. NATO-ja është e vendosur që t’i mbrojë aleatët ndaj secilit kërcënim”, ka thënë aleanca përmes një postimi në rrjete sociale më 9 mars, por pa dhënë më shumë hollësi.

    Ministria turke e Mbrojtjes e ka konfirmuar incidentin, duke shtuar se disa fragmente municionesh kanë rënë në toka të zbrazëta në Gaziantep, qytet në jug të Turqisë, afër kufirit me Sirinë. Nuk ka raportime për viktima./REL

  • Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin britanik, flasin për zhvillimet e fundit politike në vend

    Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin britanik, flasin për zhvillimet e fundit politike në vend

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Në takim nga presidenca thuhet se u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend.

    Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe popullin tonë.

    Tutje, ajo theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar dhe për të hapur kapituj të rinj të partneritetit që kontribuojnë në arritjen e objektivave të përbashkëta.

    Gjatë bisedës u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

    Në këtë kontekst, u theksua se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është e papranueshme dhe nuk duhet të ketë vend në diskursin publik.

  • Onkologët e rinj mbeten pa punë, Shoqata kërkon masa urgjente nga institucionet

    Onkologët e rinj mbeten pa punë, Shoqata kërkon masa urgjente nga institucionet

    Shoqata e Onkologëve të Kosovës (SHOK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me situatën e shërbimeve onkologjike në vend, duke theksuar se mungesa e specialistëve të rinj po ndikon drejtpërdrejt në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje.

    Në një reagim publik, SHOK vlerëson se numri i pacientëve me kancer po rritet çdo vit, ndërsa disa specialistë të rinj të onkologjisë, të trajnuar për vite me radhë me investim të konsiderueshëm publik dhe personal, mbeten pa mundësi punësimi në institucionet publike.

    “Çdo specialist i papunësuar përfaqëson një mundësi të humbur për diagnostikim më të shpejtë, trajtim më të personalizuar dhe përmirësim të përgjithshëm të kujdesit për pacientët me sëmundje malinje në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Shoqatës.

    Aktualisht, aplikimi i kimioterapisë dhe radioterapisë në nivel vendi realizohet kryesisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjë që krijon ngarkesë të madhe për sistemin shëndetësor dhe shpeshherë rezulton me vonesa në trajtimin e pacientëve.

    SHOK thekson se angazhimi i specialistëve të rinj do të rrisë kapacitetet e shërbimeve onkologjike, do të përmirësojë qasjen e pacientëve në trajtim dhe do të ulë kohën e pritjes për terapi.

    Shoqata bën thirrje që institucionet përgjegjëse të krijojnë mundësi për integrimin e tyre sa më shpejt në sistemin shëndetësor publik.

    “Përmirësimi i trajtimit të pacientëve me kancer duhet të mbetet prioritet i përbashkët institucional dhe profesional”, përfundon reagimi i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës. /Telegrafi/

  • Prizren: Arrestohet 37-vjeçari i kërkuar për vrasje, ishte në arrati prej vitesh

    Prizren: Arrestohet 37-vjeçari i kërkuar për vrasje, ishte në arrati prej vitesh

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar nga drejtësia, i dyshuar për disa vepra penale, përfshirë edhe veprën penale “vrasje”.

    Sipas njoftimit të policisë, më 9 mars 2026 rreth orës 22:30, patrulla e Stacionit Policor në Prizren, pas një pune të vazhdueshme hetimore, ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin A.P., 37 vjeçar nga fshati Velezhë i Prizrenit.

    “I njëjti ishte i kërkuar sipas urdhërarresteve të gjykatës për disa vepra penale, konkretisht për ‘vrasje’, ‘shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘mbajtje, posedim dhe kontroll të paautorizuar të armës’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Sipas policisë, rasti lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2015, ku i dyshuari kryesor për vrasje ishte arrestuar dhe dënuar nga gjykata, ndërsa A.P. kishte qenë gjithashtu njëri nga të dyshuarit dhe kishte qëndruar në arrati për disa vjet.

    Pas arrestimit, më 10 mars 2026, i dyshuari është dërguar në Prokurorinë Speciale për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

    Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar, veçanërisht atyre që dyshohen për vepra penale të rënda, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rendit publik.

  • Franca detyron supermarketet të dhurojnë ushqimin e pashitur për njerëzit në nevojë

    Franca detyron supermarketet të dhurojnë ushqimin e pashitur për njerëzit në nevojë

    Në Francë, hedhja e ushqimit nga supermarketet tashmë konsiderohet shkelje e ligjit. Shteti ka vendosur rregulla të forta që ushqimi i pashitur, por ende i konsumueshëm, të mos hidhet, por të dhurohet për njerëzit në nevojë.

    Që nga viti 2016, çdo supermarket me sipërfaqe mbi 400 metra katrorë është i detyruar të bëjë marrëveshje me banka ushqimore ose organizata bamirëse për të dhuruar produktet që nuk janë shitur.

    Ligji ndalon gjithashtu një praktikë që përdorej më parë, kur disa dyqane prishnin qëllimisht ushqimin e hedhur, për shembull duke e spërkatur me zbardhues, që askush të mos e merrte.

    Falë këtij ligji, miliona vakte ushqimore janë shpërndarë për njerëzit që kanë vështirësi ekonomike, ndërsa njëkohësisht është ulur edhe sasia e mbetjeve ushqimore që përfundon në landfill.

    Nëse supermarketet nuk e zbatojnë këtë ligj, drejtuesit e tyre mund të gjobiten deri në 3,750 euro, madje në disa raste mund të përballen edhe me dënim me burg.

    Kjo nismë është zgjeruar edhe te prodhuesit e ushqimit dhe bizneset e kateringut, duke krijuar një sistem më të fortë për shpërndarjen e ushqimit të tepërt. Franca konsiderohet sot një shembull për vendet e tjera se si mund të luftohen njëkohësisht uria dhe shpërdorimi i ushqimit.

  • Lëndohen katër policë gjatë arrestimit të një 45-vjeçari në Suharekë

    Lëndohen katër policë gjatë arrestimit të një 45-vjeçari në Suharekë

    Katër policë kanë pësuar lëndime gjatë arrestimit të një 45-vjeçari nga Samadraxha e Suharekës.

    Sipas njoftimit zyrtar, sot rreth orës 08:30, Policia e Kosovës ka pranuar një ankesë nga një qytetar se i dyshuari B.K., kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori”, duke vendosur shufra metalike të ngulitura në tokë dhe të lidhura me tel, duke penguar qarkullimin e lirë të banorëve.

    Në njoftimin theksohet se gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët policorë me thike.

    “Policia ka reaguar me veprime të menjëhershme, duke neutralizuar sulmin dhe duke arritur ta arrestojë të dyshuarin”, thuhet në njoftimin zyrtar.

    Sipas policisë, gjatë procesit të arrestimit, si pasojë e kundërshtimit të dhunshëm nga ana e të dyshuarit, katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, por jo nga thika.

    “I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në Stacionin Policor në Suharekë, ku në konsultim me Prokurorin e Shtetit do të ndërmerren veprimet e tjera procedurale, në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.