ATV

Author: G.O.

  • Sorensen pas takimeve në Beograd: U avancuan diskutimet për çështjet kyçe të dialogut

    Sorensen pas takimeve në Beograd: U avancuan diskutimet për çështjet kyçe të dialogut

    Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka qëndruar gjatë ditës së sotme në Beograd, ku ka zhvilluar takime me presidentin e këtij vendit, Alleksandar Vuçiq dhe me kryenegociatorin Petar Petkoviq.

    Në një postim në “X” pas këtyre takimeve, Sorensen tha se u avancuan diskutimet për çështjet kyçe të dialogut.

    “Takime të mira me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq, duke avancuar diskutimet për çështjet kyçe të dialogut dhe duke shqyrtuar progresin në zbatimin e Ligjit për të Huajt. U pajtuam për nevojën që të mbetemi të angazhuar dhe të punojmë së bashku për përfitime konkrete për të gjithë”, tha Sorensen.

  • Irani kufizon kalimin e anijeve në Hormuz, s’do të lejojë më shumë se 15 anije në ditë

    Irani kufizon kalimin e anijeve në Hormuz, s’do të lejojë më shumë se 15 anije në ditë

    Irani nuk do të lejojë më shumë se 15 anije në ditë të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, sipas marrëveshjes së armëpushimit të dakorduar me SHBA-në, raporton The Guardian, duke cituar agjencinë ruse të lajmeve “Tass”.

    Ngushtica e Hormuzit, 34 kilometra e gjerë mes Iranit dhe Omanit, ofron kalim nga Gjiri Persik në Oqeanin Indian dhe është rruga kryesore për një të pestën e furnizimeve botërore me naftë dhe mallra të tjera.

    Ajo ishte mbyllur nga Irani që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës në botë. Marrëveshja e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, e arritur të mërkurën, parashikon rihapjen e Ngushticës, por pas vazhdimit të bombardimeve të Libanit nga Izraeli, kalimi është pezulluar sërish.

  • Kriza me çmime të naftës, Bajrami akuzon Qeverinë për abuzim ndaj qytetarëve: Shfrytëzim i krizës për mbushje të buxhetit

    Kriza me çmime të naftës, Bajrami akuzon Qeverinë për abuzim ndaj qytetarëve: Shfrytëzim i krizës për mbushje të buxhetit

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për mosveprimin ndaj çmimeve të naftës, duke e quajtur këtë “abuzim ndaj qytetarëve”. Ajo tha se çmimi i naftës u rrit menjëherë pas lajmit për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, por nuk ra kur bursat ndërkombëtare regjistruan ulje si pasojë e arritjes së armëpushimit SHBA-Iran.

    “Në momentin që u raportua për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, çmimet në Kosovë u rritën menjëherë, por kur situata dje u qetësua dhe çmimet ranë në bursë, tek ne mbetën të njëjtat. Pra, për t’u rritur çmimi mjafton një lajm por për t’u ulur, duhet ‘kohë’. Kjo nuk është logjikë tregu, ky është abuzim ndaj qytetarëve”, tha Bajrami.

    Ajo kritikoi masat e Qeverisë për vendosjen e tavanit të çmimit dhe theksoi mungesën e vullnetit për të mbrojtur qytetarët.

    “E vërteta është që kjo situatë po tolerohet nga Qeveria, e cila në vend që të mbrojë qytetarët, po e shfrytëzon krizën për të mbushur buxhetin. Kemi thënë vazhdimisht: kjo nuk zgjidhet me marzha e çmime tavan që nuk kontrollohen dot. Problemi është shumë më i thellë: mungesë vullneti për të ulur taksat, mungesë menaxhimi dhe mungesë analizë të të dhënave. Sot, nuk ka as të dhëna bazike: Sa naftë ka në tregun vendor kur rriten çmimet? Me çfarë çmimi është importuar dhe a po shitet më shtrenjtë?”, tha ajo.

    Bajrami tha se Qeveria duhet të dijë saktësisht stoqet e naftës dhe çmimin e importit, të dhëna që ekzistojnë në Doganë, por nuk përdoren në vendimmarrje.

    “Kjo do të thotë se vendimet nuk bazohen në të dhëna, por në reagime të vonuara dhe selektive. Ndërkohë që Qeveria vendos marzhat dhe garanton fitimin për tregtarë, refuzon të ulë TVSH-në dhe akcizën, dy komponentët kryesorë të çmimit. Sa më i lartë çmimi, aq më shumë para mbledh shteti. Sot, për çdo litër naftë, buxheti merr 13–15 cent më shumë taksa sesa para krizës. Ky është ‘fitimi’ i Qeverisë nga kriza”, tha ajo.

    Deputetja propozoi disa masa për stabilizimin e çmimeve: raportim ditor për stokun dhe çmimin e importit, reflektim real i çmimeve në kohë, ulje e TVSH-së dhe akcizës.

    “Nafta është burim inflacioni. Nëse nuk e stabilizon çmimin e saj menjëherë, çdo ndihmë pas inflacionit vetëm e ushqen këtë të fundit. Po një gjë duhet të dihet qartë se problemi nuk është mungesa e mjeteve për reagim, problemi është mungesa e vullnetit”, përfundoi Bajrami.

  • Pezheskian: Irani nuk do ta braktisë popullin e Libanit

    Pezheskian: Irani nuk do ta braktisë popullin e Libanit

    Presidenti iranian, Massoud Pezheskian, tha sot se sulmet izraelite ndaj Libanit shkelin marrëveshjen e armëpushimit të arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të martën, duke rrezikuar që negociatat të bëhen të pakuptimta. 

    Ai tha se Irani nuk do ta braktisë popullin libanez.

    Sulmet e vazhdueshme izraelite kundër Hezbollahut në Liban do të kenë “pasoja të qarta dhe reagime të ashpra”, paralajmëroi kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, duke këmbëngulur se armëpushimi dyjavor i njoftuar të martën vlen edhe për Libanin diçka që si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja e mohojnë.

    “Shkeljet e armëpushimit do të kenë përgjigje të qarta dhe të ashpra”, shkroi ai. “Shuajeni zjarrin menjëherë”.

  • Katër kineze arrestohen në Durrës për prostitucion, i dyshuar edhe një person nga Kosova

    Katër kineze arrestohen në Durrës për prostitucion, i dyshuar edhe një person nga Kosova

    Katër shtetase kineze kanë përfunduar në prangat e Policisë së Durrësit, pasi dyshohet se kishin marrë me qira dy ambiente dhe i kishin përshtatur për ushtrim prostitucioni.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa në kuadër të këtij rasti janë proceduar edhe katër shtetas nga Durrësi, Kavaja, Shijaku dhe Kosova.

    Sipas raportimeve, të dyshuarat kishin marrë me qira dy ambiente në zonën e Golemit dhe te Shkëmbi i Kavajës, të cilat i kishin përshtatur për prostitucion.

    “Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se këto shtetase e ushtronin aktivitetin në dy ambiente të marra me qira, në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe të Golemit, Durrës, duke i përshtatur për prostitucion. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, edhe 4 shtetas nga Durrësi, Kavaja, Shijaku dhe Kosova.”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Në cilësinë e provës materiale, autoritetet kanë sekuestruar katër pasaporta dhe një shumë parash, ndërsa materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

  • Haxhiu bën homazhe në Koshare

    Haxhiu bën homazhe në Koshare

    Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu bashkë me kabinetin qeveritar dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe në Koshare, për të përkujtuar dëshmorë që ranë në vitin 1999 për çlirimin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Më 9 prill 1999, para 27 vjetësh luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, arritën të thyejnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke hapur rrugën për furnizimin me armatim dhe mbështetje logjistike.

  • OVL-UÇK për Betejën e Koshares: Kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare

    OVL-UÇK për Betejën e Koshares: Kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare

    Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ka ndëruar dëshmorët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në 27-vjetorin e rënies së tyre.

    Sipas tyre, kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare.

    Postimi i plotë:

    Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, sot me respekt dhe përulje, nderuan dëshmorët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të cilët prehen të qetë në Kompleksin Memorial në Koshare, pikërisht në përvjetorin e fillimit të Betejës së Koshares.

    Kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare, ku bijtë më të mirë të kombit dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot.

    Lavdi e përjetshme trimave që ranë në këtë betejë!

  • Irani: SHBA duhet të zgjedhë midis luftës dhe armëpushimit

    Irani: SHBA duhet të zgjedhë midis luftës dhe armëpushimit

    Zëvendësministri i jashtëm i Iranit deklaroi se SHBA-të duhet të zgjedhin nëse duan luftë apo paqe.

    “Ata nuk mund t’i kenë të dyja në të njëjtën kohë. Ato përjashtojnë njëra-tjetrën, është mjaft e qartë”, theksoi ai.

    Saeed Khatibzadeh tha se sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Liban janë një “shkelje e rëndë” e armëpushimit SHBA-Iran.

    “Irani u kërkon “të gjithëve në Lindjen e Mesme t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje… dhe ne presim që amerikanët të bëjnë të njëjtën gjë me aleatët e tyre”, deklaroi Khatibzadeh, shkruan Abcnews.al.

    I pyetur nëse Irani do të tërhiqet nga negociatat nëse sulmet izraelite vazhdojnë, ai tha: “Ne po përqendrohemi shumë në mirëqenien e të gjithë Lindjes së Mesme”.

  • Varka fundoset në Kanalin Anglez, katër emigrantë të vdekur

    Varka fundoset në Kanalin Anglez, katër emigrantë të vdekur

    Katër persona kanë vdekur në brigjet e Francës veriore pasi u përpoqën të kalonin Kanalin Anglez.

    Autoritetet franceze thanë se viktimat ishin dy burra dhe dy gra. Varka e emigrantëve u fundos në tentativë për të kaluar në Britaninë e Madhe, ndërsa një operacion kërkim-shpetimi nisi pas incidentit në brigjet e Boulogne në jug të Calais.

    Sipas mediave lokale rreth 30 persona janë nën kujdesin e shërbimeve të emergjencës.

    Pas javësh me kushte të vështira, moti në Kanal ka qenë i qetë gjatë ditëve të fundit, teksa kalimet kanë tendencë të rriten në muajt e verës.

    Gjatë tre viteve të fundit, kalimet në Kanal janë rritur, me 41,472 njerëz që kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla në vitin 2025.

    Gjatë vitit të kaluar, kontrabandistët e njerëzve kanë përdorur barka motorike përgjatë pjesëve të bregdetit verior francez dhe belg, duke mbledhur emigrantë përgjatë bregut

    Midis 1 janarit dhe 26 marsit 2026, një total prej 4,441 personash kaluan Kanalin Anglez me varkë të vogël nga Franca.

    Kjo shifër është 33% më e ulët se numri i atyre që kishin arritur në Mbretërinë e Bashkuar deri në këtë pikë në vitin 2025, megjithëse kushtet e motit mund të kenë luajtur një rol.

  • Këshilli i Sigurimit të OKB-së sot mban seancë, Kosovën e përfaqëson Konjufca

    Këshilli i Sigurimit të OKB-së sot mban seancë, Kosovën e përfaqëson Konjufca

    Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka udhëtuar për një Nju Jurk të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Kryediplomati Konjufca, njëherësh zëvendëskryeministër i parë, do ta përfaqësojë Kosovën në këtë mbledhje, që pritet të mbahet pasdite, sipas orës lokale në Kosovë.

    “Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës,  Glauk Konjufca ka udhëtuar për Nju Jork të SHBA-së për të përfaqësuar Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Seanca e Këshillit të Sigurimit do të mbahet sot nga ora 10:00 sipas kohës lokale, kurse në Kosovë do të jetë ora 16:00.”, ka njoftuar zyra për media e MPJD-së.