ATV

Author: G.O.

  • Gërvalla: Komuniteti ndërkombëtar të bëjë presion për lirimin e policëve të rrëmbyer

    Gërvalla: Komuniteti ndërkombëtar të bëjë presion për lirimin e policëve të rrëmbyer

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz deklaroi se rrëmbimi i policëve në detyrë brenda territorit të Kosovës është akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare.

    Ajo, siç informoi sot ministria, kërkoi që komuniteti ndërkombëtar ta dënojë këtë akt dhe të bëjë presion për lirimin e policëve sa më shpejt dhe pa kushte.

    Këto deklarata Gërvalla i bëri gjatë takimit me ambasadorin turk në Kosovë, Tunç Angili, të cilit i uroi mirëseardhje. Ajo falënderoi ambasadorin dhe shtetin turk për ndihmën e dhënë Kosovës në shumë fusha, veçanërisht në fushën e trajnimeve ushtarake.

    Ministrja Gërvalla gjithashtu falënderoi ambasadorin Angili për mbështetjen e Turqisë në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, integrimin në strukturat atlantike dhe ndihmën e ofruar në sigurimin e njohjeve të reja.

    Gjatë takimit u diskutuan edhe tema të tjera të rëndësishme për Republikën e Kosovës, siç janë proceset aktuale të reformave që vendi po kalon, sfidat e ardhshme në rrugën e integrimeve euro-atlantike, si dhe thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe ekonomike me Republikën e Turqisë.

    Ndryshe, të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe të premten (16 qershor) u është shqiptuar masa e paraburgimit.

    Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe.

  • Pandemia COVID-19 i kushtoi Zvicrës 8 miliardë franga

    Pandemia COVID-19 i kushtoi Zvicrës 8 miliardë franga

    Fatura përfundimtare për pandeminë COVID-19 në Zvicër është llogaritur në rreth 8 miliardë franga zvicerane.

    Rreth 5 miliardë franga u paguan nga fondet qendrore federale, ndërsa kantonet duhej të përballonin kostot nga 2.3 miliardë deri në 2.9 miliardë frang, raporton swi, përcjell Albinfo.ch.

    Deri në 958 milionë franga u përballuan nga siguruesit shëndetësorë për të trajtuar pacientët dhe 380 milionë franga të tjera për vaksinat midis 2020 dhe 2022.

    Shumica e kostove të pandemisë federale u konsumuan nga testimi (3 miliardë franga) dhe prokurimi i vaksinave dhe furnizimeve shëndetësore, si maskat (1.7 miliardë franga).

    Kostoja e vaksinave për kantonet ishte pak më pak se gjysmë miliardë franga.

    Vlerësimi i kostove të pandemisë Covid-19 për Zvicrën, të cilat u publikuan të mërkurën, u urdhërua nga një mocion parlamentar në vitin 2020.

  • Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, Haradinaj: Nëse ky mocion kalon atëherë Kosova përfiton

    Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, Haradinaj: Nëse ky mocion kalon atëherë Kosova përfiton

    Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka kërkuar përgjigje nga PDK-ja e LDK-ja lidhur me mocionin, për rrëzimin e Qeverisë.

    Ai tha se “veç Kosova përfiton” nëse mocioni kundër Qeverisë Kurti kalon.

    “Pse ju lutna ka hezitime për mocion? Ku e keni problemin ju që po hezitoni për mocion? A është e vërtetë që kanë filluar ndëshkime dhe a është e vërtetë që kemi filluar të dobësohemi. Pse nuk po deklaroheni? Ku e keni problemin kolegë opozitarë PDK dhe LDK që po mendoni hala se kush po përfiton prej mocionit. Veç një përfitues është: Kosova dhe interesi ynë. Unë nuk shoh më detyra të zakonshme në këtë parlament derisa ju nuk deklaroheni pse nuk e keni guximin”, tha Haradinaj.

    Sipas Haradinajt, ndëshkimet ndaj Kosovës tashmë kanë filluar.

    “A ka dikush në këtë sallë që nuk e di se kanë fillua ndëshkimet ndaj Kosovës. Ndëshkimet si në politikë, si në ekonomi, si në siguri”, shtoi tutje ai.

  • Deputeti i VV-së i falënderon gazetarët që raportuan në veri

    Deputeti i VV-së i falënderon gazetarët që raportuan në veri

    Deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, të enjten e ka nisur pak më ndryshe fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës.

    Në seancën plenare, ai i pushtetit falënderoi të gjithë gazetarët dhe pjesëtarët e mediave, që kanë raportuar nga komunat veriore, pavarësisht sulmeve dhe rreziqeve që u kanë kanosur nga bandat kriminale.

    Ai duke përmendur punën e tyre heroike bashkë me Policinë e Kosovës, tha se Kosova po bëhet shembull i lirisë së shprehjes dhe medias së lirë.

    “Puna e tyre heroike dhe e policëve na garanton për triumfin e demokracisë së Kosovës. Kosova po bëhet shembull i lirisë së shprehjes dhe medias së lirë”, tha ai, teksa shtoi se sulmuesit e gazetarëve në veri janë mbrapa grilave.

    Për këtë, ai falënderoi Policinë e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rendit në veri të vendit.

    “Kjo është e pamundur pa punën shembullore të gazetarëve. E kam dënuar dhe e dënoj sulmet ndaj mediave”, shtoi ai.

  • 41 aktakuza kundër 49 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    41 aktakuza kundër 49 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    Prokurori i Shtetit ju njofton se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 41 aktakuza kundër 49 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar 17 persona dhe janë paraqitur katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër personave.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me urdhër të prokurorit ka ndaluar një  person dhe ka paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një personi.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të prokurorit ka ndaluar tetë  persona, ka paraqitur një  kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, si dhe ka ngritur 25 aktakuza kundër 31 personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka parashtruar një kërkesë për caktim të paraburgimit kundër një personi. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur gjashtë aktakuza kundër shtatë personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, me urdhër të prokurorit në dy raste të ndara ka ndaluar dy persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit në dy raste të ndara ka ndaluar pesë persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ka ngritur një aktakuzë kundër një personi.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur një aktakuzë ndaj një personi.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndaluar një person dhe ka ngritur shtatë  aktakuza kundër shtatë  personave, për vepra penale të ndryshme.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka parashtruar një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një personi, si dhe ka ngritur një aktakuzë kundër dy personave.

  • “Vrasje në tentativë”, arrestohet një burrë në Prishtinë

    “Vrasje në tentativë”, arrestohet një burrë në Prishtinë

    Një burrë është arrestuar dje në Prishtinë pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje verbale ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi.

    Të dyshuarit i është konfiskuar një pistoletë me pesë copë fishekë.

    “Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërkaq viktima nuk ka pësuar lëndime.”, ka informuar Policia.

    Rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

  • Deliu: Qasja aventureske e Kurtit ka sjell më pak sovranitet në pjesën veriore

    Deliu: Qasja aventureske e Kurtit ka sjell më pak sovranitet në pjesën veriore

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha se për shkak të sjelljes, sipas saj aventureske, të kryeministrit Albin Kurti, sot në pjesën veriore të vendit ka më pak siguri, shtet rend e ligj.

    Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ajo bëri thirrje për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia.

    “Sot 8 ditë pas policitë tanë po mbahen në paraburgim me akuza të pabaza e me trajtim të pa dinjitetshëm njerëzor. Ndërkohë thirrja jonë mbetet e njëjtë lirimi i menjëhershëm i tyre pa asnjë kusht. Fatmirësisht thirrje të tilla prej ditëve të para kanë bërë edhe miqtë ndërkombëtar të Kosovës SHBA, Mbretëria e Bashkuara, BE. Shpresojmë dhe besojmë se angazhimi i të gjithëve do të ë mundësoj kthimin e zyrtarëve policor në punën dhe tek familjet e tyre, mirëpo nëse në këtë pikë jemi gjithë njëzëri ne fatkeqësisht jemi më shumë se kurrë të shqetësuar për nivelit e bashkëpunimit të qeverisë së Kosovës me partnerët e saj strategjik. Sot qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti I ka mbyllur dyert me diplomacitë e vendeve mike”, tha ajo.

    Sipas deputetes së PDK-së, qasja e Kurtit ka sjell më pak sovranitet në veriun e Kosovës e ka më pas siguri e rend e ligj.

    “Sot si rezultat i qasje aventureske të Albin Kurtit kemi më pak sovranitet në pjesën veriore. Kemi më pak siguri, më pak rend dhe ligj, pra kemi edhe me pak shtet. Çfarë kemi sot janë sulmet e vazhdueshme të papranueshme të partisë në pushtet për NATO-n si organizatë paqeruajtëse që garanton integritetin territorial të Kosovës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si garanci e shtetësisë sonë. Nxitja e një gjuhe të tillë shpërfillëse dhe mosmirënjohëse nga eksponentë të pushtetit është prej qëllimeve të qarta të Serbisë në luftën e saj hibride ndaj shtetit tonë “, tha ajo.

    Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka nisur me fjalimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani i cili ka falënderuar gazetarët dhe kameramanët të cilët ndonëse të sulmuar nga bandat kriminale kanë kryer punën e tyre.

    Ramadani tha se puna heroike e gazetarëve dhe policëve garanton triumfin e demokracisë së Kosovës.

    Në këtë seancë plenare është paraparë të zhvillohet edhe interpelanca e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati lidhur me rishikimin e buxhetit të Kosovës dhe rritjen e pagave në sektorin publik.

  • Serbët protestojnë edhe sot në Graçanicë, bllokohet përkohësisht rruga Prishtinë-Gjilan

    Serbët protestojnë edhe sot në Graçanicë, bllokohet përkohësisht rruga Prishtinë-Gjilan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se përkohësisht do të bllokohet rruga Prishtinë-Gjilan, për shkak të protestës që është paralajmëruar nga serbët sot në Graçanicë.

    Policia njofton se do ta ridrejtojë trafikun në këtë pjesë deri në përfundim të protestës.

    “Me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graçanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas. Rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës. Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim e policisë.

    Serbët kanë protestuar edhe gjatë ditës së djeshme në Graçanicë, pas arrestimit të Dragisha Millenkoviq i cili dyshohet për krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj Dragisha Millenkoviqin, i cili u arrestua dje në Graçanicë, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Viti

    Gjendet pa shenja jete një person në Viti

    Një person është gjetur pa shenja jete në Viti, të mërkurën e kësaj jave, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se për vdekjen në fjalë ishin lajmëruar nga një familjar i viktimës.

    “Njësitet relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në raport.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Dhjetëra të lënduar pas një shpërthimi të fuqishëm në Paris

    Dhjetëra të lënduar pas një shpërthimi të fuqishëm në Paris

    Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një ndërtesë në Paris, duke lënduar 24 persona dhe duke shkaktuar zjarr.

    Për shkak të shpërthimit, policia ka evakuuar qytetarët nga ndërtesat përreth.

    Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi këtë shpërthim.

    Prokurorët thanë se dy persona ende janë të zhdukur pas kolapsimit të dy ndërtesave në Paris.

    Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke kryer operacione përmes rrënojave të ndërtesave në qarkun e pestë të kryeqytetit francez, ku gjenden edhe disa nga vendet më të frekuentuara nga turistët.

    Autoritetet bënë të ditur se shpërthimi ka ndodhur në shkollë private.

    Zjarri është vënë nën kontroll, por ende nuk është shuar plotësisht. Rreth 270 zjarrfikës janë përfshirë në shuarjen e zjarrit dhe 70 makina të emergjencave kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Sipas autoriteteve, katër nga të lënduarit janë në gjendje kritike dhe 20 kanë plagë më pak të rrezikshme.

    Zyrtarët në qarkun e pestë të Parisit fajësuan rrjedhjen e gazit për shpërthimin, që më pas shkaktoi edhe zjarr.

    Kryetarja e qarkut, Florence Berthout, tha se “shpërthimi ishte shumë i dhunshëm”, duke shtuar se copëza xhami ende po bien nga ndërtesat.

    Prokurorët në Paris po hetojnë nëse shpërthimi është shkaktuar nga ndonjë shkelje eventuale e rregullave të sigurisë.

    Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, tha se hetuesit do të synojnë të përcaktojnë “nëse ka pasur shkelje të rregullave apo ndonjë pakujdesi individuale ka çuar deri te shpërthimi”.

    Në Paris edhe në të kaluarën ka pasur incidente me rrjedhje të gazit që kanë shkaktuar shpërthime. Në janar të vitit 2019 u vranë katër persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë pas një shpërthimi./REL/