ATV

Author: G.O.

  • Gjashtë ushqime të shkëlqyeshme për një fytyrë të bukur

    Gjashtë ushqime të shkëlqyeshme për një fytyrë të bukur

    Pamja e lëkurës varet kryesisht nga ushqimi, sepse konsumimi i ushqimit të shëndetshëm dhe shmangia e ushqimit të pashëndetshëm kanë efekt shumë pozitiv.

    Çdo gjë që hani do të manifestohet në lëkurën dhe fytyrën tuaj, ndërsa “superushqimi” dhe disa ushqime të caktuara do të ndihmojnë që lëkura dhe fytyra juaj të duken bukur kur i aplikoni në formë të maskës.

    Bollguri mund të përdoret si një produkt për bukuri për të gjitha llojet e lëkurës. Maskat për fytyrë nga bollguri përdoren për zbardhjen dhe shkëlqimin e lëkurës. Në bollgur mund të shtohet edhe mjalti dhe qumështi i bajameve. Bollguri mund të përdoret gjithashtu për pealing dhe gjatë larjes, ndërsa është i shkëlqyer për lëkurën që u nënshtrohet puçrrave, sepse e absorbon yndyrën nga sipërfaqja e lëkurës.

    Qeskat e ftohta të çajit të gjelbër e lehtësojnë dëmtimin e lëkurës pas djegieve nga dielli dhe ekspozimin e gjatë ndaj rrezatimit ultraviolet. Gjithashtu e rrisin kolagjenin në lëkurë dhe e ngadalësojnë plakjen. Merrni dy qeska të përdorura të çajit të gjelbër, mbajini ato në frigorifer për 30 minuta dhe pastaj vendosni në kapakët e syve. Kjo është efektive për largimin e qeskave të syve, sepse çaji i gjelbër përmban edhe vitaminë K.

    Farat Çia janë të pasura me fibra, proteina, vitaminë E dhe acide yndyrore omega. Këto fara janë një përbërës i rëndësishëm i shumë kremrave dhe serumeve hidratuese. Farat e përziera me vaj të kokosit janë një serum i shkëlqyeshëm për lëkurë dhe hidratimin e saj, transmeton koha.net.

    Uthulla e mollës është shumë efektive në largimin e lëkurës së vdekur, dhe gjithashtu vepron për ta forcuar lëkurën. Përzieni një lugë çaji të uthullës së mollës me dy gota ujë dhe lëreni në frigorifer. Aplikoni dy deri tre pika të kësaj përzierje para se të shkoni për të fjetur, dhe lëkura juaj do të bëhet më e shtrënguar me kalimin e kohës.

    Avokado njihet për efektet e saj pozitive dhe përdoret për të bërë maskë fytyre. Ajo e mënjanon lëkurën e vdekur dhe e hidraton lëkurën, ndërkohë që përmban vitamina A dhe E. Këto vitamina veprojnë si antioksidantë. Pra, avokado është efektive në luftimin kundër lëkurës së thatë, ndërkohë që edhe e ngadalëson plakjen.

    Manaferrat Acai janë një burim i shkëlqyeshëm i antioksidantëve dhe ato i parandalojnë radikalet e lira nga sulmet dhe dëmtimi i qelizave të lëkurës. Përzieni një filxhan të luleshtrydheve të shtypura me pluhur të manaferrave acai dhe aplikoni në lëkurë të pastër dhe të lagësht, rezultatet do të jenë të pabesueshme. Kjo përzierje e ngadalëson plakjen e lëkurës.

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet një person në Mitrovicë

    Ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet një person në Mitrovicë

    Një person është arrestuar dje në Mitrovicën e Veriut, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij.

    Policia njoftoi se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Mitrovicë Veri 17.07.2023 – 02:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka sulmuar fizikisht nënën e tij kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Vdekje e dyshimtë në Kamenicë, një burrë gjendet në rrugë pa shenja jete

    Vdekje e dyshimtë në Kamenicë, një burrë gjendet në rrugë pa shenja jete

    Një person është gjetur pa shenje jete dje në fshatin Kremenatë të Kamenicës.

    Kështu njoftoi Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh, ku ndër të tjera thuhet se viktima është gjetur i shtrirë në rrugë, pa shenja jete.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipi mjekësor i cila ka konstatuar vdekjen e viktimës. Njësitet policore janë duke u marrë me rastin, ndërsa pritet vendim i prokurorit për veprime tjera”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

    Rasti është hapur si vdekje e dyshimtë.

  • Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Dita e sotme në vendin tonë pritet të ketë mot me diell.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Gjakova me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 37 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 35 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 15 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 41 gradë Celsius. /atvlive.tv//atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Ronaldo: Nuk do më shihni më në Evropë, atje ka humbur kualiteti i futbollit

    Ronaldo: Nuk do më shihni më në Evropë, atje ka humbur kualiteti i futbollit

    Cristiano Ronaldo ka folur me kritikat të ashpra për futbollin evropian, derisa ka lavdëruar atë të Arabisë Saudite, duke thënë se niveli atje po shkon duke u rritur gjithnjë e më shumë.

    Ylli portugez i cili vitin e kaluar iu bashkuar skuadrës Al Hilal, ka thënë se nuk e ka më fare në plan rikthimin në futbollin evropian.

    “Nuk kthehem në futbollin evropian, harrojeni,dera është mbyllur plotësisht. Jam 38 vjeç, gjithashtu futbolli evropian ka humbur shumë cilësi. E vlefshme është vetëm Premier Liga, ata janë shumë përpara të gjitha ligave të tjera”, ka thënë Ronaldo.

    Ai ka shtuar tutje se hapi rrugën për futbollin arab, edhe pse në fillim e kritikuan, por sot po e ndjekin shumë yje rrugën e tij.

    “Jam 100% i sigurt se nuk do të kthehem në asnjë klub evropian. I hapa rrugën ligës saudite dhe tani të gjithë lojtarët po vijnë këtu. Liga Saudite është më e mirë se ajo amerikan (MLS(”, ka shtuar ai.

    “Vendimi im për t’u bashkuar me klubet saudite ishte 100% vendimtar për të sjellë top lojtarë të rinj. Është një fakt. Kur u bashkova me Juventusin, Serie A ishte e vdekur dhe pastaj pasi firmosa, u ringjall. Kudo që Cristiano shkon ai gjeneron interes më të lartë”, ka thënë më tutje Ronaldo.

    · ·

  • Mustafa vazhdon edhe sot dëshminë në Speciale

    Mustafa vazhdon edhe sot dëshminë në Speciale

    Sot në Hagë vazhdon seanca ku dëshmon Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, në rastin ‘Thaçi dhe të tjerët’.

    Ndryshe dje dëshmitari Rrustem Mustafa- Remi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ka filluar dëshminë me pyetjet nga avokati Ben Emerson.

    Po ashtu dje Mustafa është pyetur edhe për Kushtetutën e Kaçanikut e miratuar me 7 shtator 1990. Mustafa tha se kjo ajo kushtetutë është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të asaj kohe, raporton RTKlive.

    Po ashtu Mustafën, ka filluar ta marr në pyetje trupi gjykues pasi që palët kanë përfunduar pyetjet dhe kundër-pyetjet e tyre, raporton RTKlive.

    Fillimisht janë bërë pyetje nga gjykatësi Christoph Barthe dhe më pas nga gjykatësi Guenawl Mettraux, ku pyetjet e këtij të fundit pritet të vazhdojnë sot.

  • Aksident trafiku në Rahovec, lëndohen tre persona

    Aksident trafiku në Rahovec, lëndohen tre persona

    Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ndodhi mbrëmë në fshatin Xërxë të Rahovecit.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:00.

    Lidhur me aksidentin Elezaj ka dhënë edhe detaje të tjera.

    “Në aksident ishin të përfshirë dy vetura dhe një traktor. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, lëndime kanë pësuar tre persona. Rastin është duke e trajtuar Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor”, ka thënë Elezaj.

  • Erdogan nis turneun në Gjirin Persik, optimist për marrëveshjen e grurit

    Erdogan nis turneun në Gjirin Persik, optimist për marrëveshjen e grurit

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi se ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Rusisë do të angazhohen në diskutime në lidhje me marrëveshjen e grurit të Detit të Zi të hënën.

    Ai shprehu optimizëm se kjo çështje mund të përparojë edhe pse Moska mori vendim për të pezulluar marrëveshjen.

    Erdogan, i cili udhëton të hënën në Arabinë Saudite në një turne me tre ndalesa në shtetet e Gjirit Persik për të kërkuar mundësi tregtare dhe investimesh për ekonominë e Turqisë, tha se do të diskutojë marrëveshjen, përfshirë eksportin e plehrave ruse, me Putinin kur ata të takohen personalisht në gusht.

    “Shpresoj se me këtë diskutim, ne mund të bëjmë një përparim dhe të vazhdojmë rrugën tonë pa pushim”, tha Erdogan, duke folur me gazetarët.

    Sipas Bordit të Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë të Turqisë, Erdogan do të mbërrijë në Xhedah i shoqëruar me rreth 200 biznesmenë.

    Ai pritet të takohet me Mbretin Salman dhe Princin e Kurorës Mohammed bin Salman. Gjatë udhëtimit tre-ditor të Erdoganit janë organizuar forume biznesi në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    “Shpresojmë të përmirësojmë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tonë në shumë fusha. Ne do të fokusohemi në investimet e përbashkëta dhe iniciativat tregtare që do të realizohen në periudhën e ardhshme”, u tha Erdogan gazetarëve në Stamboll përpara se të nisej.

    Vizita vjen në kohën kur qytetarët e Turqisë janë goditur me rritje të taksave të produkteve dhe karburantit, të cilat ministri i Financave, Mehmet Simsek, ka thënë se janë të nevojshme për të rivendosur disiplinën fiskale dhe për të ulur inflacionin.

    Muajin e kaluar, banka qendrore turke njoftoi një rritje të madhe të normave të interesit, duke sinjalizuar një zhvendosje drejt politikave ekonomike më konvencionale pas kritikave se qasja e normës së ulët të Erdoganit e kishte përkeqësuar krizën e kostos së jetesës.

    Ankaraja kohët e fundit ka rivendosur marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një përçarjeje të gjatë dhjetëvjeçare.

    Çarja e raporteve ndodhi pas Pranverës Arabe të vitit 2011 dhe mbështetjes së Turqisë për Vëllazërinë Myslimane, e konsideruar si një kërcënim nga disa monarki të Gjirit.

    Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Turqisë rreth 20 miliardë dollarë kohët e fundit, ndërsa Arabia Saudite depozitoi 5 miliardë dollarë në Bankën Qendrore të Turqisë në mars.

    Disa ditë pasi Erdogan fitoi zgjedhjet presidenciale muajin e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje tregtare me vlerë 40 miliardë dollarë për pesë vitet e ardhshme.

    Erdogan do të takohet me emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, në Doha të martën përpara se të takojë udhëheqësin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Abu Dhabi të mërkurën.

  • Italia mbyll aeroportin kryesor të Sicilisë për shkak të zjarrit

    Italia mbyll aeroportin kryesor të Sicilisë për shkak të zjarrit

    Aeroporti në qytetin sicilian të Katanias, një nga pikat kryesore turistike në Sicilinë lindore, është mbyllur deri të mërkurën për shkak të një zjarri, bëri të ditur kompania e menaxhimit të aeroportit në Twitter.

    Zjarri shpërtheu vonë të dielën dhe nuk pati të lënduar, njoftoi aeroporti.

    Zjarrfikësit thanë se ishin në gjendje të frenonin zjarrin rreth 90 minuta pasi u ndez, por nuk dhanë detaje mbi shkakun e mundshëm apo ndonjë lidhje me temperaturat e larta aktuale në rajon.

    Katania është një nga qytetet italiane që lëshoi alarmin e kuq për temperaturat e larta të dielën, së bashku me kryeqytetin sicilian Palermo dhe qytetin e tretë më të madh në ishullin Mesina.

    Vendi po përgatitet për temperatura të larta rekord në ditët në vijim.

    Fluturimet në aeroportin sicilian, i cili sipas grupit të sektorit Assoaeroporti, ishte i pesti më i ngarkuari në Itali vitin e kaluar, u pezulluan deri të mërkurën në orën 14:00 me kohën e Evropës Qendrore, njoftoi kompania.

    Agjencia e lajmeve Ansa njoftoi se pas shpërthimit të zjarrit, në pjesën e poshtme të ndërtesës u shfaq tym i dendur, duke bërë që njerëzit të largoheshin nga aeroporti në panik.

    Aeroporti i Katanias përdoret rregullisht nga turistët që shkojnë në vende si mali Etna dhe Taormina, i cili është rreth 70 kilometra larg, dhe Sirakuza, me teatrin e tij grek dhe qendrën historike në ishullin Ortigia.

    Dhjetëra miliona njerëz janë duke u përballur me temperatura shumë të larta në gjithë botën.

    Moti i nxehtë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi, konsiderohet një prej shembujve se si rrezikohet bota nga ngrohja globale.

    Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

    Temperatura mesatare në botë e ka prekur shifrën 16.89 gradë Celsius më 3 korrik dhe e ka tejkaluar shifrën 17 gradë për herë të parë më 4 korrik, me një mesatare globale prej 17.04 gradë Celsius. /REL/

  • Remi: Jakup Krasniqi është një prej figurave më të respektuara në Republikën e Kosovës

    Remi: Jakup Krasniqi është një prej figurave më të respektuara në Republikën e Kosovës

    Dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, e ka përshkruar Jakup Krasniqin si ndër figurat më të respektuara të Republikës së Kosovës.

    “Është prej figurave ma të respektuara në Republikë të Kosovës”, tha ai duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, avokates Venkateswari Alagendra.

    Paraprakisht, dëshmitari Mustafa tha se Krasniqi gjithherë ka qenë intelektual dhe aktivist politik, i cili po krijonte besim në gjenerata dhe këmbëngulje që Kosova të jetë e lirë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ai pohoi se UÇK ka qenë e krijuar nga vullnetarë dhe ka pasur vështirësi në organizim dhe se asnjëherë nuk e arriti strukturën e rregullt të ushtrisë.