ATV

Author: G.O.

  • Ndalohet një person për “Keqpërdorim të pozitës” dhe për “Falsifikim të dokumentit zyrtar”

    Ndalohet një person për “Keqpërdorim të pozitës” dhe për “Falsifikim të dokumentit zyrtar”

    Prokuroria Themelore në Prishtinë informoi sot se një person, me inicialet D.B., u ndalua për dy vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

    “I lartcekuri dyshohet se më 15.10.2021, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin për dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N., kështu duke i mundësuar personit M.D., që të nxjerrë letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës me të dhënat e të dëmtuarit A.N.”, bëri të ditur prokuroria.

    Prokurori i Shtetit, lidhur me këtë çështje penale, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të luftimit të këtyre raste të cilat kohëve të fundit janë në rritje e sipër.

  • Oficeri britanik vazhdon edhe sot dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Oficeri britanik vazhdon edhe sot dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë e tij edhe gjatë seancës së të mërkurës.

    I njëjti është në cilësinë e dëshmitarit të 14-të me radhë në këtë çështje gjyqësore e cila ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit të Thaçit, avokatit Gregory Kehoe, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

    Ndryshe i njëjti është përgjigjur gjatë seancës së djeshme në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe ka filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit Kehoe.

    Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka kërkuar nga palët dhe dëshmitari që të flitet ngadalë në mënyrë që të mund të përkthehet dhe të mbahet në rregull transkripti.

    Tutje ka deklaruar se përveç se i është miratuar kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për zgjatjen e numrit të fjalëve për një kërkesë të prokurorisë, pranohet shtimi i numrit të fjalëve edhe për përgjigjet e mbrojtjes për kërkesën e ZPS-së.

    Më tej, trupi gjykues me kërkesë të mbrojtësit të viktimave ka ri-urdhëruar klasifikimin si publik të urdhrit gojor të bërë në seancë private për kërkesën për marrje në pyetje të një dëshmitari, ku kanë urdhëruar redaktimin e emrit të viktimës.

    Po ashtu, është urdhëruar ZPS-ja që deri më 28 korrik të komunikojë se cilët janë pesë dëshmitarët e radhës kurse ka urdhëruar mbrojtjen të rishikojë kohën për kundër-pyetje për këta pesë dëshmitarë deri më 4 gusht.

    ‘‘Koha e vlerësuar për mbrojtjen mund të cenojë shpejtësinë e procesit gjyqësor dhe vlerësimi i saktë i kundër-pyetjeve është e rëndësishme’’, tha gjykatësi.

    Në vazhdim është dhënë urdhër me gojë lidhur me kundërshtimet për pyetjet që bën trupi gjykues.

    Ai tha se rregulloja nuk parasheh mundësinë e kundërshtimeve të pyetjeve gjyqësore por se trupi gjykues mund të pranojë kundërshtimet e tilla që kjo më pas të ngritët në nivel apeli.

    ‘‘Kundërshtimet duhet të bëhen në përputhje me kodin e sjelljes profesionale dhe urdhrin e trupit gjykues për zhvillimin e procesit gjyqësor dhe vendimin e apelit lidhur me pyetjet gjyqësore’’, tha gjykatësi Smith.

    Po ashtu sipas tij, pyetjet nuk duhet të mbajnë komente dhe se trupi gjykues do vendos për kundërshtimet për pyetjet gjyqësore.

    I njëjti tha se trupi gjykues ka vlerësuar se pyetjet e mbrojtësit të Veselit gjatë ditës së djeshme kanë kaluar përtej sjelljes së duhur gjyqësore.

    Ndryshe, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës së sotme.

    Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i dymbëdhjetë, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

    Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Kurti përkujton 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit

    Kurti përkujton 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit.

    Sipas tij, në këtë ngjarje u masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit.

    “Më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit. Ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë. U masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

    “Në përpjekje të fshehjes së krimeve, forcat serbe hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre. Por nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore”, ka thënë ai tutje.

    Sipas tij, për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelohet Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

    “Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, përkujtojmë 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit”, ka thënë më tej Kurti.

    “Nderojmë të mbijetuarit që u bënë ballë plagëve në trup e në shpirt. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës!”, ka përfunduar ai.

  • Rasti “Gylenistët”, ish-shefi i AKI-së dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim

    Rasti “Gylenistët”, ish-shefi i AKI-së dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashin lidhur me rastin e njohur si “Gylenistët”.

    Gashi, sipas gjykatës, është dënuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe me dënim plotësues ndalimin e ushtrimit të funksionit në administrate publike apo funksioneve në shërbime publike në kohëzgjatje prej 4 vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim.

    Ndërsa, nga akuza është liruar Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani. Krsniqi është liruar nga akuza, pasi që nuk është provuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe Sylejmani është liruar nga akuza, pasi që nuk është provuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.

    Përfaqësuesit e autorizuar të palëve të dëmtuara për realizimin e kërkesave pasurore juridike, udhëzohen në kontestin civil.

    Kundër këtij aktgjykimi, sipas gjykatës, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • Epopeja e Rahovecit, Haradinaj: Atë ditë iu dha mesazh i qartë armikut për vendosmërinë e shqiptarëve për liri

    Epopeja e Rahovecit, Haradinaj: Atë ditë iu dha mesazh i qartë armikut për vendosmërinë e shqiptarëve për liri

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët në Epopenë e Rahovecit në 25-vjetorin e saj. 

    Haradinaj ka thënë se Epopeja e Rahovecit i kishte dhënë mesazh të qartë armikut.

    “Epopeja e Rahovecit, e vitit 1998, i dha mesazh të qartë armikut për vendosmërinë e shqiptarëve që të jetojnë të lirë në trojet e tyre”, ka thënë HAradinaj.

    Ai ka kujtuar të rënët e asaj dite.

    “Heroizmi i bashkëluftëtarëve në ato ditë korriku mbetet i paharruar, ashtu siç mbetën të përjetësuar emrat e tyre: Hamdi Berisha, Habib Berisha, Agim Qelaj, Gani Paçarizi, Avdullah Bugari, Agim Kelmendi, Bujar Buzhala, Afrim Krasniqi, Sadik Shala, Ramadan Morina, Faik Rama, Gëzim Hamza, Mizair Isma, Remzi Ukshini, Liman Gegaj, Arian Brahimi, Bekim Isma, Bajram Veliu, Samir Nurkasa, Eshrefedin Kastrati, Gëzim Mullabazi, Xhafer Nurkasa dhe Xhevat Kasapiz

    Lavdi e përjetshme!”, ka thënë Haradinaj.

  • Berisha: U tmerrova nga veprimi i Rasim Malokut, ka inate personale me mua

    Berisha: U tmerrova nga veprimi i Rasim Malokut, ka inate personale me mua

    Avokati Besnik Berisha ka thënë se Prokuroria Themelore në Ferizaj ka shkelur ligjin me rastin e arrestimit të tij të enjten e javës së kaluar.

    Berisha tha se prokurori Rasim Maloku ka inate personale me të dhe se ka kërkuar që seanca dëgjimore të mbahet e hapur, kjo sipas tij, nuk i mundësua. Berisha tha se prokurori i ka keqpërdorur një deklaratë të prindit të klientit të tij.

    Berisha ka thënë se prokurori Maloku ka kamufluar me deklaratën e dëshmitarit Kajtaz Sinani.

    “Ai u detyrua me insistimin tonë që të lexonte deklaratat mbi të cilat mbështeste dyshimin e bazuar dhe jam tmerru kur e kam dëgju duke lexuar deklaratën e një burri si Kajtaz Sinani, të cilën aq keq e kishte kamufluar dhe kishte vënë trillimet e tij. Ky është krimi që e ka bërë Rasimi. Deklaratën e një njeriu që e thotë të vërtetën, e kamuflon dhe thotë që gjatë muajve tetor-dhjetor Besnik Berisha ka kërkuar x-y shume për të ndikuar në vendimmarrje juridike”.

    “Prokurori është dashur që së paku ta gjej një provë, një dëshmitar që Besnik Berisha ka kërkuar ndonjë ryshfet. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur dhe ai e lexoi mbi atë që është bazuar dhe unë jam befasuar me atë që e ka lexuar”.

    “Prokurori nuk kishte autorizime për t’më arrestuar mua, prokurori ka manipuluar me prova”, u shpreh ai. Unë kam kërkuar të përballem me provat, prokurori u arsyetua se nuk i ka me vete. Unë ja kam përmend urdhërat nga pushteti, i kam thënë unë jam arrestuar për shkak të fjalës sime në televezion… Prokurorit ja kam bo me dije që unë marrë veprime të ligjshme… Unë e kuptova që jam para tij për shkak të inateve personale, kritikave të mia publike për ministren për prokurorin”, u shpreh ai ndër të tjera.

    “Kinse unë e paskam udhëzuar klientin tim që mos ta pranojë fajësinë se mund të dënohen”, tha tutje Berisha.

  • 44 aktakuza kundër 50 personave, për vepra të ndryshme penale

    44 aktakuza kundër 50 personave, për vepra të ndryshme penale

    Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se nga prokuroritë Themelore janë ngritur dyzetekatër (44) aktakuza kundër pesëdhjetë (50) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar njëzetenjë (21) persona, si dhe pranë gjykatave kompetente janë parashtruar pesë (5) kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj pesë (5) personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar dymbëdhjetë (12) persona, ka paraqitur tri (3) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave, si dhe ka ngritur njëzetenjë (21) aktakuza kundër njëzetekatër (24) personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë, dy (2) persona të dyshuar, si dhe pranë gjykatës kompetente ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e arrestit shtëpiak për një (1) person të dyshuar. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur nëntë (9) aktakuza kundër njëmbëdhjetë (11) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë, tre (3) persona të dyshuar, në tri raste të ndara.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorëve kujdestar, ka ndaluar dy (2) persona në kohëzgjatje prej 48 orëve, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktim paraburgimi për një (1) person, si dhe ka ngritur dhjetë (10) aktakuza kundër dhjetë (10) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar dhe ka ngritur katër (4)  aktakuza kundër pesë (5) personave, për vepra të ndryshme penale.

  • Moderatorja i fut në xhep gurët për të cilët dyshon se janë diamantë të vërtetë, plasin të qeshurat në studio

    Moderatorja i fut në xhep gurët për të cilët dyshon se janë diamantë të vërtetë, plasin të qeshurat në studio

    Baki Baliu dhe Sejdi Baliu, babë e bir të ishin të ftuar, në emisionin e mëngjesit ”Alarm”, në ATV të cilët treguan përvojat e tyre në kërkimin e gurëve të çmuar dhe arit, nëpër miniera në Afrikë.

    Pasi ata kanë marrë vëmendjen e të gjithë shqiptarëve për minierat e arit që i zotërojnë në Afrikë, të njëjtit me vete sollën në studio edhe disa gurë të çmuar.

    Këta gurë moderatorja i mori në dorë dhe me sarkazëm thotë se “nuk po ma mbushin syrin se janë vërtetë diamante. Me i pa në rrugë, i kisha shqelmuar”, e të cilët, për disa çaste i fut në xhep, për çka edhe shkaktoi të qeshura në studio.

    Tutje, derisa Baki dhe Sejdi Baliu treguan rrugëtimin e tyre të suksesshëm nga Mitrovica në Afrikë, ata përmenden edhe për planin e tyre për investim në Kosovë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Drejtori ekzekutiv i FIBA Evropës viziton sot Kosovën

    Drejtori ekzekutiv i FIBA Evropës viziton sot Kosovën

    Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) përmes një komunikate ka bërë të ditur se drejtori ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak do të qëndrojë sot për një vizitë një ditore në Kosovë.

    Qëllimi i vizitës së Novak do të jetë për ta përkrahur FBK-në për punën e palodhshme që po e bën bordi në krye me kryetarin, Arben Fetahu në zhvillimin e basketbollit në Kosovë, raporton KosovaPress.

    Novak fillimisht do të vizitojë zyrat e FBK-së, ndërsa më pas do të ketë një drekë pune me Komitetin Ekzekutiv të FBK-së.

    Po ashtu, Novak do të jetë prezent në ndeshjen mes Kosovës dhe Maltës që do të zhvillohet në kuadër të Kampionatit Evropian, Divizioni C për meshkuj U16.

    Menjëherë pas kësaj përballje Novak udhëton drejt Prizrenit, ku edhe do të ndjek nga afër përballjen mes Kosovës dhe Zvicrës, në kuadër të raundit të tretë parakualifikues për Eurobasket 2025.

    Në tetor të vitit të kaluar vendin tonë e kishte vizituar Andreas Zagklis, Sekretari Gjeneral i FIBA Botës.

  • A e dinë qytetarët çfarë lloji i ushqimit është pispili?

    A e dinë qytetarët çfarë lloji i ushqimit është pispili?

    Secila krahinë, ka jo vetëm mënyrë e të folurit me të cilën identifikohet, mirëpo ka edhe shprehje e gatime të ndryshme e të veçanta.

    Kështu në kuadër të rubrikës ”Shqipnisht”, të emisionit “n’mal A n’det”, gazetarja e ATV-së, ka pyetur qytetarët e Kosovës se a e dinë ata se çfarë lloji i ushqimit është pispili?

    Fjala ‘pispili’ në Shqipëri, ka kuptimin e ushqimit tradicional (pites), që në Kosovë ndryshe njihet si lakror që gatuhet me miell misri.

    “Për herë të parë po e dëgjojë prej teje këtë fjalë, nuk e paskam dëgjua ndonjëherë. At fjalorin e Shqipërisë, unë realisht i kam disa kolegë dhe më duhet 2-3 herë me i dëgjua sepse ka shumë terme të ndryshme prej neve”,  u përgjigj një qytetar.

    “Jo nuk po e disha për besë, s’kam dëgju kurrë”, tha një grua.

    “Faleminderit që më informove se kurrë lidhje për këtë fjalë s’paskam ditë”, u shpreh një burrë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni përgjigjet e qytetarëve në videon e mëposhtme: